Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Hollësisht

Edhe burrat kanë cikël menstrual

Vesa Gashi 27.5.2021

Jo vetëm gratë kane cikël menstrual dhe jo të gjithë personat që kane cikël menstrual janë gra. Cikli menstrual përjetohet edhe nga burrat transgjinor dhe nga personat jo-binarë.

Cikli menstrual dhe higjiena menstruale janë normalizuar si eksperienca ekskluzive të grave cis-gjinore; ne edukohemi që të mendojmë që vetëm gratë cis-gjinore kanë cikël menstrual. Cikli menstrual, i vendosur brenda suazave të cis-normativitetit, konsiderohet si “problem i grave”. Por faktikisht cikli menstrual dhe ‘të qenit grua’ nuk janë dy aspekte të së njëjtës monedhë dhe e nuk definojnë njëra tjetrën.

Përfshirja e komunitetit transgjinor në diskursin rreth ciklit menstrual është imperative për t’i mundësuar këtij komuniteti qasjen e barabartë në produktet sanitare, shërbimet mjekësore dhe mbështetjen nevojshme.

Cikli menstrual komplikon eksperiencën e personave transgjinor dhe jo-binarë, të cilëve iu është caktuar gjinia femërore në lindje, por kanë identitet gjinor mashkullor (pavarësisht se a kalojnë apo jo nëpër tranzicione hormonale apo kirurgjike). Burrat transgjinor që kanë cikël menstrual, përpos parehatisë dhe turpit që ndjen një grua cis-gjinore në cikël, perjetojnë edhe disfori më të rritur gjinore, ndjenja tjetërsimi, përjashtimi, amaskulimi dhe vështirësi në qasje në produktet dhe shërbimet mjekësore të nevojshme.

Lend Mustafa, aktivist për të drejtat e komunitetit LGBTI, që identifikohet si burrë transgjinor ka thënë për QIKA që cikli menstrual për të si burrë transgjinor ka qenë shpesh i sikletshëm, si në aspketin social ashtu edhe në atë shëndetësor.

“Unë nuk kam cikël menstrual qe tri vite për shkak se jam në terapi hormonale, edhe pse cikli më është kthyer dy herë gjatë kësaj kohe,” tha Mustafa. Marrja e testosteroneve shpesh ndalon ciklin menstrual të një personi, por jo të gjithë personat transgjinor dëshirojnë ose kanë mundësi të kryejnë tranzicion mjekësor (qoftë për shkaqe psikologjike, mjekësore apo financiare).

Fillimi i ciklit menstrual, brenda skemës së cis-normativitetit, nga shoqëria interpretohet si momentumi i validimit të plotë të një femre/personi si grua. Ky interpretim dhe implikimet e tij shkaktojnë traumë të madhe te burrat transgjinor. Mustafa ndau me QIKA eksperiencën e tij personale me këtë përvojë:

“Ne momentin qe më kanë ardhë menstracionet unë kom mendu ‘Ah, e patë, unë nuk muj ma me kanë transgjinor, unë tash jom gru, tash pritshmëritë për mu janë që unë tash me shku me gjetë një djalë, m’u martu, me bo fmi’. Është ky plani jetësor që ta imponon shoqnia, që trajton personat që kanë vaginë dhe që munden me riprodhu si makina riprodhuese. Cikli menstrual ka qenë një prej pjesëve më të natyrshme, që u dashtë me fsheh”

Mustafa, po ashtu, shpjegoi se edhe ndalja e ciklit menstrual gjatë terapisë hormonale praqet një eksperiencë të rëndë dhe me sfidat e veta për burrat transgjinor:

“Edhe periudha kur mu ka ndal cikli ka qenë e sikletshme, sepse ka qenë në njëfarë mënyre një menopauzë në vete. Përjetimi i menopauzës në këtë moshë nuk është diçka e lehtë. Por, pas një kohe kam fillu me u stabilizu, edhe pse pas një viti kam pas një çrregullim hormonal që ka bo që me mu kthy cikli edhe njëherë. Kjo m’ka qitë për toke, se në një mënyrë ka qenë trupi jem tu ma përkujtu që unë nuk jam burrë cis-gjinor, jam burrë trans. Më është dashtë pastaj me punu në këtë aspekt, që me pranu që unë jam trans burrë edhe hala kom vezore”.

Historikisht, komuniteti transgjinor është përballur me kundërshtime të dhunshme kur ka diskutuar rreth nevojave dhe eksperiencave të personave transgjinor. Pikëpamja që vetëm gratë kanë cikël menstrual mund të ndikoj negativisht në qasshmërinë e personave transgjinor dhe jo-binarë në shërbimet mjekësore dhe produktet sanitare që iu nevojiten. Në shumicën e rasteve këta persona injorohen nga sistemi shëndetësor. Lend Mustafa deklaroi që mungesa e qasjes gjithëpërfshirëse është e shprehur sidomos në spitalet publike të Kosovës, ku personat transgjinor jo vetëm që diskriminohen, por edhe nuk iu mbrohet privatësia :

“Nëse kërkojmë shërbime shëndetësore tek një gjinekolog/e në QKUK, e kemi të garantuar që do vihemi në siklet para krejt repartit. Së pari kanë me fillu me të bërtitë që me u largu, e që nuk është vendi yt aty. Pastaj, fillojnë me njëmijë pyetje që janë shumë personale dhe jo të domosdoshme për të kryer kontrollën mjekësore– pyetje që vijnë më shumë prej kuriozitetit e që na bojnë mu ndi sikur të jemi raste speciale. Ka pas raste që kanë thirr edhe mjekë tjerë që të shohin rastet tona, duke iu thanë “Hajedni kqyrne qit rast”. Të bojnë m’u ndi si mi laboratorësh”.

Mustafa tregoi që kjo sjellje dhe qasje ndaj tyre, shtynë personat transgjinor që t’i shmangen vizitave te gjinekologu/ja. Prandaj, ai i bënë thirrje profesionistëve që japin këto shërbime që të informohen sa më shumë edhe të tentojnë që të rregullojnë qasjen që e kanë ndaj personave transgjinor, qoftë ato trans gratë ose trans burrat.

“Stafi shëndetësor duhet me fillu me e ndryshu etikën e punës. Duhet me iu ofru edhe trajnime shtesë për personat transgjinor, që të mësojnë për terminologjinë, fizikun, se si duhet të qasen, si të mos diskriminojë këta persona. Ne jemi duke mbajtë trajnime me Policinë e Kosovës, gjyqtarë dhe prokurorë – edhe rastet kanë fillu mu raportu më mirë. Nëse edhe stafi shëndetësor do trajnohej, rastet tona do pranoheshin më mirë”, tha Mustafa.

Diskursi që ndërlidh të qenit grua me ciklin menstrual lëndon edhe gratë transgjinor, të cilat ndjehen të përjashtuara. Ato lëndohen nga fakti që trupi i tyre nuk mund të bëjë atë që mendja e tyre mendon dhe zemra e tyre ndjenë që duhet të bëjë. Sipas Mustafës, ky diskurs mund t’i bëjë gratë transgjinore të ndjehen që nuk janë mjaftueshëm gra.

“Kur themi që gratë kanë menstruacione ose ‘gratë me menstruacione’, ne automatikisht jemi duke i tregu një gruaje transgjinore që nuk është mjaftueshëm grua. Me krejt edukatën dhe mundësinë për qasje në informacione që kemi, duhet me kuptu që terminologjia duhet me fillu me u ndryshu. Është tepër e lehtë që të zëvendësohet fjala ‘grua’ ose ‘burrë’ me fjalën ‘person’. Ti je një person. Ne nuk mundemi me kalu tërë jetën duke iu referu vaginës edhe penisit. Gjinia është përtej seksit biologjik, përtej vaginës dhe penisit”, deklaroi ai.

Komentet e Mustafës tregojnë se sa e rëndësishme është edhe terminologjia që përdorim, pasi që gjuha është njëra ndër mjetet më të fuqishme në destegmatizimin dhe normalizimin e fenomeneve. Ne duhet të përpiqemi që të gjejmë gjuhë më gjithëpërfshirëse dhe trans-afirmuese edhe kur flasim për ciklin menstrual, në mënyrë që të përfshijmë edhe komunitetin transgjinor. Sipas Mustafës në shumicën e diskutimeve publike, komuniteti transgjinor përjashtohet ose futet brenda një etiketimi që nuk i përshtatet personave transgjinor.

“Kur flasim për cikël menstrual themi ‘gratë kanë menstruacione’, në të njëjtën kohë unë jam burrë edhe kam pas cikël. Edhe kur kam pas cikël menstrual kam qenë burrë. Kjo terminologji sjellë në shoqëri një qasje sipas së cilës burrë konsiderohesh vetëm në momentin kur fillon me terapi hormonale dhe të ndalet cikli, ose kur bënë histerektomi dhe largon organet riproduktive. Kjo bënë që shoqëria me pas pritshmëri dhe i jep të drejtën njerëzve që me ia refuzu identitetin gjinor disa personave trans. Është shumë me rëndësi që kur flasim për menstruacione te themi persona me cikël menstrual – ky është termi më korrekt dhe gjithëpërfshirës”, u shpreh ai.

Komuniteti transgjinor është pjesëmarrës i barabartë në eksperiencën menstruale, andaj duhet të krijohet një diskurs më i hapur, inkluziv dhe më i shëndosh rreth ciklit menstrual për të gjithë. Personat transgjinor meritojnë që t’iu validohen dhe pranohen eksperiencat e tyre dhe t’iu ofrohen, në mënyrë jodsikriminuese, shërbimet shëndetësore dhe produktet sanitare të domosdoshme. Personat transgjinor dhe jo-binarë duhet të ndjehen të sigurtë që të flasin hapur për çfarëdo problemi të ndërlidhur me ciklin dhe higjienën menstruale. Duhet të kenë qasje në shërbime kualitative dhe dashamirëse shëndetësore. Trupat tonë nuk determinojnë identitetet tona, andaj identiteti gjinor i një personi nuk duhet dhe nuk mund të zhvlerësohet bazuar në praninë apo mungesën e ciklit menstrual te ta.