Gratë që po festojnë shkatërrimin e burgjeve dhe qelive tani po pyesin veten pse nuk po shkatërrohet edhe shtypja ndaj tyre.
Trembëdhjetë vjet pasi iu bashkuan valës revolucionare që përfshiu Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, sirianët mund të thonë se emri i Bashar al-Asadit ka mbetur tashmë në librat e historisë, krahas Hosni Mubarakut të Egjiptit, Zine al-Abidine Ben Ali të Tunizisë, Muamar Gadafit të Libisë dhe Ali Abdullah Saleh të Jemenit. Por, siç kanë dëshmuar këto 13 vite në të gjitha këto vende, çlirimi është më shumë sesa largimi i një njeriu nga pallati presidencial. Ne gratë, sidomos, e dimë më së miri këtë.
Sot jam duke menduar për Razan Zaitouneh, një revolucionare siriane e cila bashkë me tre prej shokëve të saj, të njohur gjerësisht si Katërshja e Doumës, u zhduk në një territor të kontrolluar nga rebelët më 9 dhjetor 2013 – 11 vjet, pa një ditë, para rrëzimit të Asadit. Revolucioni i Zaitouneh ishte i drejtuar njësoj ndaj të gjithëve: regjimit të Asadit, grupeve rebele dhe militantëve islamistë.
“Ne nuk bëmë revolucionin dhe nuk humbëm mijëra jetë që të tillë përbindësha të vijnë e të përsërisin të njëjtën histori të padrejtë,” i shkroi ajo mikut të saj dhe aktivistit për të drejtat e njeriut, Nadim Houry, në një email të datës maj 2013. “Këta njerëz ashtu si regjimi, duhet të mbahen përgjegjës.” Çfarë vlere ka zëvendësimi i një shtypësi me një shtypës tjetër?
Gjatë punës time si gazetare, kam intervistuar gra nga Tunizia, Siria, Libia dhe Egjipti lidhur me përvojat e tyre gjatë kryengritjeve popullore. Për gratë, gjithmonë kanë pasur dy revolucione për të bërë: një lufta krah për krah me burrat kundër regjimeve që shtypin të gjithë, dhe një tjetër kundër regjimeve të lagjes e të dhomës së gjumit, të cilat, bashkë me regjimin në pushtet, shtypin këdo që nuk është burrë cisgjinor dhe heteroseksual. Kjo është një përballje me kulturën dhe fenë, me sundimtarët autoritarë dhe islamistët – dy anët e së njëjtës monedhë të autoritarizmit. Një përballje e tillë është në thelb feministe. Dhe është ajo që, në fund të fundit, do të na çlirojë.
Duhet të na çojë të gjithëve përtej zemërimit fakti që imagjinatat revolucionare pothuajse gjithmonë ndalen jashtë dyerve të shtëpisë. “Të gjithë ata compañeros [shokë burra], sado radikalë që mund të jenë në kafene, sindikata e madje edhe në grupe afiniteti, duket se heqin kostumet e tyre si dashamirës të çlirimit të grave në pragun e shtëpive të tyre. Brenda, ata sillen me ‘compañeras’ e tyre njësoj si burrat e zakonshëm,” shkroi anarkistja dhe luftëtarja e rezistencës spanjolle Lola Iturbe në vitin 1935.
Unë dua që ta largojmë Asadin jo vetëm nga pallati presidencial, por ta përmbysim atë nga lagjja dhe dhomat e gjumit. Dua që çdo revolucion të shembë jo vetëm statujat e tiranit, por atë që unë e quaj treshja e patriarkatit – tiranin që jeton në shtet, në rrugë dhe në shtëpi. Dhe revolucioni më i vështirë nga të gjithë është ai brenda shtëpisë, sepse të gjithë diktatorët shkojnë në shtëpi.
Sado të lumtur që jemi kur shohim diktatorët teksa rrëzohen, dhe sado të entuziazmuar që jemi kur shohim ato vende të ecin drejt çlirimit dhe drejtësisë, sado i ngathët qoftë ky proces, jam plotësisht e vetëdijshme se, megjithëse gratë mund të jenë barrikaduar krah për krah me burrat, pas revolucionit, ato janë në rrezik të humbin edhe ato të drejta që tashmë i kanë.
Ishte e mrekullueshme të marshonim së bashku, të rrezikonim jetët tona duke u përballur me regjimin, por çfarë ndodh pasi të përfundojë protesta? Cila është vlera e revolucionit kundër shtetit, për aq kohë sa shtëpia mbetet vendi më i rrezikshëm për gratë dhe vajzat në mbarë botën, përfshirë edhe Sirinë?
Gratë në Siri, që festojnë shkatërrimin e burgjeve dhe qelive që për dekada mbajtën qindra e mijëra kundërshtarë politikë, duhet të jenë duke pyetur veten kur do të shkatërrohen edhe burgjet e patriarkatit. Vajzat, të indoktrinuara ashtu si gjenerata të tëra të sirianëve për pagabueshmërinë e dinastisë 53-vjeçare të Asadit, vetëm për të parë rënien e saj, duhet të pyesin pse “është kultura jonë” ose “është feja jonë” apo çfarëdo justifikimi tjetër që përdoret për të përcaktuar çfarë duhet të veshin, për të kufizuar lirinë e tyre të lëvizjes apo për t’i detyruar në martesë të hershme, nuk mund të shkatërrohet gjithashtu.
Individët queer në Siri, duke parë se si ajo që për një kohë të gjatë u ishte thënë se ishte e pamundur po bëhet e mundur, duhet të pyesin veten pse çlirimi i tyre nga homofobia dhe transfobia duhet të mbetet ende i pamundur.
A po shkoj shumë larg? A e kam lënë lirinë të më futet në kokë? Jo, pikërisht aty duhet të shkojë liria, sepse beteja për trupat e grave mund të fitohet vetëm me revolucion të mendjes. Shpesh, gratë qortohen për guximin që tregojnë kur flasin për politikat e identitetit dhe nxitohen të lënë mënjanë çështjet e grave për qëllimin më të madh të solidaritetit apo besnikërisë ndaj revolucionit. Kjo është gabim. Pikërisht tani, kur para nesh është mundësia për të rindërtuar dhe rikrijuar, duhet të këmbëngulim me forcë për çlirimin e të gjithëve. Është momenti që të vendosim çfarë të kapim derisa gjithçka është në ajër.
Që revolucioni të na çlirojë të gjithëve, ai duhet të jetë shumë më tepër sesa ndryshim regjimi. Unë dua një revolucion shumë më ambicioz. Synoni më lart! Kërkoni një revolucion që ndryshon njerëzit.
Revolucionet kanë qenë prej kohësh rreth burrave – çfarë duan ata dhe si e arrijnë – sepse patriarkati përcakton fjalët që përdorim dhe mënyrat si i shohim gjërat. Ligjet dhe leksiku i të drejtave të njeriut nuk e njohin dhunën nga partnerët intimë si një formë torture, sepse merret seriozisht vetëm ajo që shteti mund t’u bëjë burrave – ndërsa ajo që burrat u bëjnë grave shihet thjesht si “dhunë në familje”.
Po ashtu, revolucionet rrallëherë quhen të suksesshme, përveçse kur burrat mund të thonë se kanë ndryshuar regjimin – domethënë, kanë rrëmbyer një pjesë të pushtetit të shtetit për vete. Na thuhet se “revolucioni i vërtetë,” ai që regjistrohet nga media dhe librat e historisë, ndodh atje jashtë, kundër shtetit, nga burrat dhe për burrat, dhe se, nëse nuk e ndryshojmë regjimin, asgjë nuk ka ndryshuar.
Kur po shkruaja librin “Shamitë dhe Himeni: Pse Lindja e Mesme Ka Nevojë për Revolucion Seksual”, disa burra thonin se “nuk ishte koha për feminizëm.” “As burrat nuk janë të lirë, e di,” më thoshin ata, pa kurrfarë ironie apo ndonjë grimë kuptimi për dëmet që patriarkati u shkakton edhe atyre.
Dhe përgjigjja ime gjithmonë ishte: “Pa dyshim, shteti na shtyp të gjithëve, burrave dhe grave. Megjithatë, së bashku, shteti, rruga dhe shtëpia shtypin gratë.” Është revolucioni kundër kësaj tresheje të patriarkatit që do të na çlirojë të gjithëve.
Revolucioni i vërtetë, beteja e vërtetë, është mes patriarkatit dhe grave e vajzave. Derisa zemërimi të zhvendoset nga shtypësit në pallatet presidenciale te shtypësit në rrugët dhe shtëpitë tona – derisa të rrëzojmë tiranin në mendjet tona, në dhomat tona të gjumit dhe në cepat e rrugëve tona – revolucioni ynë as që ka filluar ende.
Mona Eltahawy
E përktheu: Blenda Asllani
Artikullin e plotë e gjeni këtu.