Sot, më 14 prill, në Ditën Memoriale të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë Luftës në Kosovë, QIKA bashkohet me kërkesën që procesi i aplikimit për njohjen e statusit të viktimës së dhunës seksuale të luftës të mos ketë afat të caktuar.
Edhe pse Qeveria e Kosovës ka zgjatur afatin për aplikim deri më 15 maj 2025, kjo e drejtë duhet të jetë e qasshme kurdoherë që të mbijetuarat dhe të mbijetuarit ndihen gati ta kërkojnë atë.
Ne e kuptojmë realitetin emocional, shoqëror dhe shëndetësor të të mbijetuarve dhe e dimë se shumë prej tyre kanë nevojë për kohë për të arritur deri te pranimi, artikulimi i përvojës dhe nisja e procesit të shërimit. Kësisoj, shteti nuk guxon që pranimin dhe artikulimin e përvojave të dhunës seksuale ta kufizojë me afate administrative, pasi kjo rrezikon të përjashtojë ato/ata që ende nuk kanë mundur të ndajnë përvojën e tyre dhe minimizon mundësinë për të kërkuar njohje e drejtësi.
Për më tepër, krimet e dhunës seksuale gjatë luftës, sipas së drejtës ndërkombëtare, njihen si krime kundër njerëzimit, prandaj edhe statusi i kufizimeve nuk mund të zbatohet për këtë lloj krimi që përbën shkelje serioze të së drejtës ndërkombëtare humanitare.
Që nga fillimi i procesit deri më 15 mars 2025, statusin e viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës e kanë fituar gjithsej 1,748 persona – nga ta 1,650 gra dhe 98 burra. Në vitin 2024 janë pranuar 183 aplikacione, prej të cilave 105 janë aprovuar dhe 62 janë refuzuar.
QIKA qëndron përkrah të mbijetuarve dhe të drejtës së tyre për njohje e drejtësi, kurdo dhe sido që ato/ata e përcaktojnë.