Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1
In-depth

Jo i bjen JO, edhe online!

QIKA 16.10.2025

Në Kosovë, ngacmimi seksual online është bërë një formë e re e dhunës së vjetër. E përditshme, e normalizuar dhe pothuajse gjithmonë e pandëshkuar, kjo formë e dhunës po prek pothuajse çdo vajzë e grua. Nga komentet fyese e mesazhet me përmbajtje seksuale, deri te shantazhet dhe përndjekja digjitale, hapësira virtuale po i detyron gratë të heshtin, distancohen e të vetëcensurohen. Ndërkohë, institucionet ngecin, ligjet janë të vjetruara dhe drejtësia hesht.

“Më dërgoi fotografi të organeve gjenitale pa më njohur e pa më pyetur”, kështu nis rrëfimin e saj një vajzë e re nga Kosova, e cila tregon për përvojën e ngacmimit seksual online që e ka bërë të ndihet e fyer dhe e cënuar. “U ndjeva shumë e parespektuar, si individ dhe si grua”, thotë ajo. Dërguesin e bllokoi menjëherë, por që nga ajo ditë ajo nuk pranon më asnjë mesazh nga burra që nuk i njeh.

Një vajzë tjetër rrëfen se, pasi kishte komentuar në një video në TikTok, papritur pranoi foto të organeve gjenitale nga një burrë që nuk e njihte fare. “U ndjeva shumë e zemëruar dhe e neveritur”, shton ajo.

Këto janë vetëm dy nga dhjetëra rrëfime të ngjashme që QIKA ka pranuar përmes pyetësorit online, i cili kishte synim matjen e përhapjes së fenomenit të ngacmimeve seksuale në hapësirën digjitale në Kosovë. Të dhënat e mbledhura dëshmojnë se ngacmimi seksual online është bërë pjesë e përditshmërisë për shumë gra dhe vajza në vendin tonë, duke krijuar një ndjenjë të vazhdueshme pasigurie dhe vetëcensurimi në rrjetet sociale.

Për shumë gra e vajza, Interneti është bërë një tjetër arenë e kontrollit, frikësimit dhe përjashtimit. Çdo ditë, ato përballen me ngacmime seksuale online, me mesazhe të padëshiruara, kërcënime e përndjekje online që shumë rrallë i raportojnë, sepse nuk besojnë se drejtësia do t’u përgjigjet.

Ngacmimi seksual online dhe dhuna me bazë gjinore përfshin çdo sjellje të padëshiruar me përmbajtje seksuale që bazohet në gjini – komente, mesazhe, foto, video ose kërcënime – që kryhen përmes rrjeteve të teknologjisë dhe kanë për qëllim dëmtimin, frikësimin, poshtërimin ose kontrollin e grave. Kjo përfshin përndjekjen digjitale (cyberstalking), shpërndarjen pa pëlqim të materialeve intime, gjuhën seksiste, mesazhe dhe përmbajtje seksualisht eksplicite dhe forma të tjera të dhunës psikologjike në platforma online.

Në nivel global, sipas UN Women, përhapja e dhunës me bazë gjinore përmes internetit varion mes 16% dhe 58%, duke e bërë atë një nga format më të përhapura të dhunës ndaj grave në epokën digjitale. Në Kosovë, problemi përkeqësohet edhe nga boshllëqet ligjore. Kodi Penal nuk e përkufizon qartë dhunën kibernetike me bazë gjinore, duke e bërë raportimin e rasteve të pasigurt dhe ndëshkimin e dhunuesve pothuajse të pamundur.

Sipas aktivistes feministe Liridona Sijarina, mënyra se si të rinjtë jetojnë dhe komunikojnë sot ka zhvendosur edhe format e dhunës në hapësirën digjitale. “Të rinjtë, djem e vajza, banojnë në rrjete sociale dhe afirmohen përmes tyre,” thotë ajo, duke shtuar se pikërisht kjo prani e vazhdueshme online po bën që dhuna të ushtrohet dhe përjetohet gjithnjë e më shpesh përmes këtyre platformave.

Rasti famëkeq “AlbKings” që u bë publik në fillim të vitit 2024, zbuloi se në një grup në Telegram po shpërndaheshin me mijëra foto e video intime të grave dhe vajzave, pa pëlqimin e tyre. Grupi, që kishte mijëra anëtarë, funksiononte si një rrjet i organizuar për denigrim dhe shantazh, ku viktimat shpesh identifikoheshin me emër e mbiemër. Publikimi i të dhënave personale shkaktoi tronditje të madhe publike dhe zbuloi qartë boshllëqet ligjore në trajtimin e dhunës seksuale online në Kosovë. Policia arrestoi disa persona të dyshuar si administratorë të grupit, përfshirë themeluesin dhe bashkëpunëtorët e tij, ndërsa gjykata nisi procedurën penale për vepra si “vjedhje identiteti” dhe “shpërndarje e paautorizuar e materialeve intime”.

Megjithatë, reagimi institucional ishte minimal. Disa të pandehur arritën marrëveshje pranimi të fajësisë dhe shpëtuan me gjoba, duke shkaktuar reagime të ashpra nga publiku dhe aktivistët e të drejtave të grave.

Globalisht, kornizat ligjore dhe konventat ndërkombëtare kanë filluar ta njohin dhe trajtojnë dhunën online si një problem ligjor serioz. Për shembull, Konventa e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje (Konventa e Stambollit), e cila është e detyrueshme edhe për Kosovën përmes nenit 22 të Kushtetutës, kërkon që dhuna me bazë gjinore, përfshirë atë që ndodh përmes teknologjisë, të trajtohet me seriozitet dhe të ndëshkohet ligjërisht.  Disa vende të rajonit, si Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, kanë nisur amendamente ligjore që përfshijnë “krimet e urrejtjes online” dhe “përndjekjen digjitale”, por shpesh pa shprehje të qëndrueshme për ngacmimin seksual online si formë e veçantë e shkeljes.

Kur dhuna digjitale bëhet përditshmëri

“Ngacmimi seksual është bërë shumë më i lehtë në rrjete sociale për shkak të mënyrave të shumta se si mund të ndodhë,” thotë Adelina Berisha, menaxhere e Programit për Adresimin e Dhunës me Bazë Gjinore në Rrjetin e Grave të Kosovës. Ajo shpjegon se autorët shpesh fshihen pas profileve të rreme, anëtarësohen në grupe mizogjene dhe bashkëveprojnë për të sulmuar gra e vajza, veçanërisht gazetare, aktiviste, apo figura publike.

Sipas Berishës, ngacmimi seksual online është vazhdim i një dhune të njohur prej kohësh, që dikur ndodhte në rrugë, në sheshe apo në shkolla, por që sot është zhvendosur edhe në hapësirat virtuale.

Për të kuptuar më mirë përmasat e fenomenit në Kosovë, QIKA zhvilloi një pyetësor online ku morrën pjesë 80 persona. Rezultatet janë alarmante: 92.5% e grave të anketuara kanë përjetuar ngacmim seksual online. Kjo e bën dhunën digjitale një përvojë pothuajse universale për gratë e reja në vend.

Për shumicën, ngacmimet ndodhin “herë pas here” (66%), por një pjesë e konsiderueshme raportoi se përballen shpesh me ngacmime, madje çdo ditë. Platformat më problematike rezultuan Instagrami (77.5%) dhe Facebooku (46.3%), ndërsa TikTok dhe WhatsApp po bëhen hapësira gjithnjë e më të rrezikshme. Format më të zakonshme të ngacmimit përfshijnë mesazhe ose komente me përmbajtje seksuale të padëshiruara (91%), komente poshtëruese dhe seksiste (44%), shpërndarje pa pëlqim të fotove intime (25%), si dhe kërcënime për dhunë seksuale ose përdorim të deepfake-ve (përmbajtje e rreme, video, foto apo audio, e krijuar me inteligjencë artificiale, që imiton në mënyrë shumë reale fytyrën ose zërin e dikujt tjetër).

Shumë prej grave thanë se ngacmimi online u ka ndikuar drejtpërdrejt në shëndetin emocional dhe ndjenjën e sigurisë personale. 24% e tyre kanë reduktuar ndjeshëm praninë në rrjete sociale dhe disa kanë fshirë plotësisht llogaritë e tyre.

Pjesëmarrëset ishin kryesisht gra të reja mes moshës 18–34 vjeç, me përfaqësim nga e gjithë Kosova, por me përqendrim më të madh në Prishtinë (65%). Ato vijnë nga profesione të ndryshme – studente, punonjëse të sektorit privat, aktiviste apo nëpunëse publike – çka tregon se asnjë profil social nuk e mbron një grua nga dhuna digjitale.

Në publik, por nën sulm

Gratë që punojnë në institucione shtetërore, media, organizata të shoqërisë civile, apo janë të përfshira në politikë, përballen me një barrë të dyfishtë; ato duhet të vërtetojnë kompetencën profesionale, ndërkohë që i ekspozohen paragjykimeve, sulmeve seksiste e poashtu ngacmimeve seksuale online.

Deputetja Eliza Hoxha thotë se gratë në sferën publike përballen çdo ditë me forma të shumta të ngacmimeve seksuale, duke filluar nga komentet denigruese, e deri te rastet kur burra u dërgojnë pa pëlqim foto të organeve gjenitale. Sipas saj, gratë janë më të cenuara, sepse “peshorja e gjykimeve dhe e pritshmërive është krejtësisht e pabarabartë në krahasim me burrat, prej mënyrës si duken e si vishen, deri te mënyra si flasin, sillen apo punojnë”. Edhe kur arrijnë profesionalisht, thotë Hoxha, puna e tyre shpesh vihet në dyshim vetëm për shkak se janë gra.

Përjetimi i dhunës, ose frika prej saj, shpesh çon në ndryshime konkrete të sjelljeve – gratë tërhiqen nga angazhimet publike, modifikojnë mënyrën e komunikimit, ose kalojnë në vetëcensurë për të ruajtur sigurinë personale. Studime rajonale dhe vendore theksojnë se frika dhe kërcënimet ndaj grave kontribuojnë direkt në uljen e pjesëmarrjes së tyre në jetën publike.

Kështu, ngacmimi seksual dhe dhuna me bazë gjinore online funksionojnë si mekanizma të qëllimshëm për të heshtur, për të kontrolluar dhe për të ndryshuar mënyrën se si gratë sillen dhe shprehen. Aktivistja feministe, Mirishahe Syla, thotë se krejt kjo ka për qëllim dehumanizimin e grave.

“Trupat e grave policohen, komentohen, kërcënohen, seksualizohen publikisht pa pëlqimin e tyre. Ka tepër presion mbi atë se si duken e si duhet te duken gratë, si te paraqiten si trupa e jo si persona”, shprehet Syla.

Edhe deputetja Sala Jashari thekson se, gratë që janë më të ekspozuara në jetën publike, janë edhe më të rrezikuara nga ngacmimet seksuale online. Ajo tregon se kjo ndodh për shkak të dukshmërisë dhe ekspozimit që sjell puna publike, dhe se ky fenomen është i përhapur e shpesh i pashmangshëm. “Në momentin kur një grua është më e ekspozuar publikisht, gjasat janë më të mëdha që edhe të ngacmohet online,” thotë ajo.

Raporti i Rrjetit të Grave Gazetare në Kosovë tregon se gratë gazetare në Kosovë përballen me një realitet të vrazhdë, ku ngacmimet fizike e verbale në terren, sidomos gjatë protestave, ngjarjeve publike apo në mjedise të dominuara nga burrat, janë të shpeshta dhe shpesh mbeten të papraportuara për shkak të normalizimit ose frikës nga pasojat. Ky rrezik shtohet edhe më shumë në hapësirën online, ku pas publikimit të storieve të ndjeshme apo kontroverse, ato përballen me abuzime, kërcënime me dhunë fizike apo seksuale, fyerje, madje edhe sulme ndaj familjarëve e miqve të tyre. Këto përvoja kanë pasoja të rënda psikologjike, duke sjellë ankth, lodhje ekstreme e depresion, ndërsa institucionet përgjegjëse – qoftë mediat, organet e rendit apo trupat rregullues – shpesh dështojnë të ofrojnë mbështetje adekuate, me procese të ankesës që janë të ngadalshëm, joefikasë ose jo-efektiv.

 “Ngacmimi ndikon që gratë me u censuru, me pas shumë kujdes se si shprehen, si duken, sa të lira ndihen, si sillen etj”, shprehet Berisha.

Kjo është e dukshme sidomos te gratë në politikë dhe aktivistet që përballen me kërcënime dhe sulme online, gjë që i detyron ato shpesh të heqin dorë nga shprehja e mendimit të tyre rreth çështjeve të ndjeshme ose të ndryshojnë atë për të shmangur rreziqet.

Aktivistja dhe juristja e së drejtës së mediave, Flutura Kusari, në qershor të këtij viti ka njoftuar se ka ushtruar kallëzim penal ndaj të pandehurit Mentor Llugaliu për ngacmim të obsesionuar online trevjeçar. Ai për tre vite kishte publikuar të paktën 101 postime në Facebook, të cilat kanë gjeneruar mbi 42,000 pëlqime, 700 shpërndarje dhe 2,200 komente. Kurse, një muaj më vonë pas raportimit, Prokuroria e Apelit ia refuzoi ankesën Fluturës, duke krijuar precedent të rrezikshëm dhe inkurajues për ngacmuesit, dhe duke dërguar mesazh të qartë se dhuna ndaj grave është e pandëshkueshme, edhe kur ajo është e vazhdueshme dhe publike.

“Me vendimet e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe Prokurorisë së Apelit, ata jo vetëm që kanë dështuar të më mbrojnë mua si aktiviste, por kanë krijuar një precedent të rrezikshëm që inkurajon ngacmuesit të vazhdojnë të sulmojnë gratë në hapësirat online, pa pasur frikë nga ndëshkimi ligjor. Jam thellësisht e zhgënjyer, në veçanti nga Prokuroria Themelore, për dështimin në trajtimin e drejtë të këtij rasti dhe për mungesën e ndjeshmërisë ndaj viktimave të ngacmimit online”, shprehet Kusari.

Sipas aktivistes Syla, gratë që janë pjesë e jetës publike duhet të kenë mundësi për t’u përqendruar në rolin e tyre profesional dhe në aktivizmin e tyre shoqëror. “Gratë do të duhej të kishin hapësirë mendore, fizike, intelektuale, e të tjera, për t’u fokusuar në rolin e tyre në jetën publike dhe në aktivizmin e tyre, për të realizuar veten brenda këtyre hapësirave,” thotë ajo. “Por, kur kjo rrezikohet nga format e ndryshme të dhunës, krijohet një barrierë e padrejtë, e cila nuk mund të pritet të adresohet vetëm nga gratë, aq më pak nga ato që preken më së shumti prej saj.”

Ngacmimet ndodhin, raportimi mungon

Një vajzë 21-vjeçare, rrëfen se ngacmimet online e kanë ndjekur që nga momenti kur hapi për herë të parë llogari në rrjete sociale. “Që atëherë, herë pas here kam marrë komente e mesazhe fyese apo ngacmuese,” shkruan ajo. Por me kalimin e viteve, situata është përkeqësuar. Personi që e ngacmonte vazhdimisht, edhe pasi ishte bllokuar, krijonte profile të reja, i dërgonte kërcënime dhe madje foto të lokacionit ku ndodhej.

Ajo thotë se përveç rëndimeve emocionale, ndjen se jeton në një gjendje të vazhdueshme paranoje. “Nuk e di kush është, as si i ka marrë fotot e mia që më pas i gjeta të shpërndara në një tjetër faqe,” rrëfen ajo. Pas kësaj, vendosi t’i mbyllë të gjitha llogaritë në rrjetet sociale.

Një pjesëmarrëse tjetër në pyetësorin e QIKA-s, ka ndarë një përvojë shqetësuese që tregon se persona me pozita politike në institucione publike i kanë shkruar në rrjete sociale, duke përdorur opsionin “disappearing messages” për të fshehur gjurmët e komunikimit. “Pa ndonjë njohje paraprake apo pëlqim, ata marrin guximin të dërgojnë mesazhe dhe imazhe me përmbajtje seksuale,” shkruan ajo.

Në disa raste, këta persona kanë tentuar ta kthejnë komunikimin në ‘tregti’, duke i ofruar favore pune apo mundësi të tjera në këmbim të përgjigjeve të saj.

Pavarësisht se ngacmimet seksuale online janë bërë pjesë e përditshmërisë për shumë gra e vajza, vetëm një numër i vogël i tyre kanë raportuar rastet në polici ose në platformat përkatëse. Shpesh, gratë i tremben faktit se raportimi mund t’u kthehet kundër – në vend që të mbrohen, rrezikojnë të bëhen objekt talljeje ose dyshimi. Kjo ndjenjë e humbjes së kontrollit, e shoqëruar me mungesën e mbështetjes, i shtyn gratë drejt vetëcensurës dhe izolimit digjital.

77.5% e grave qe morën pjesë në pyetësor thanë se nuk raportuan asnjë incident, kryesisht nga mosbesimi se institucionet do ta merrnin seriozisht (40%) ose sepse nuk e konsideruan të vlefshëm procesin. Edhe në rastet kur u raportua, shumica thanë se nuk ndodhi asgjë. Vetëm një rast u trajtua seriozisht.

“Mendoj që mungon një kuptueshmëri e thellë e fenomenit të krimeve kibernetike në përgjithësi, e sidomos e atyre që kanë bazë gjinore,” thotë Syla. Ajo thekson se ngacmimi seksual, kanosja, përndjekja dhe kërcënimet online, shpesh kalojnë pa u trajtuar seriozisht, edhe pse për nga ndikimi që kanë në jetën e grave, janë po aq të dëmshme sa format fizike të dhunës.

Pjesëmarrëset në pyetësor treguan se duan ligje më të forta (60%), sisteme më të lehta raportimi (71%), institucione më të përgjegjshme (72%), dhe mbi të gjitha më shumë edukim dhe ndërgjegjësim (75%).

Këto kërkesa, sipas aktivisteve, janë domosdoshmëri për të garantuar që hapësirat digjitale të mos jenë terren i dhunës, por hapësira të sigurta për shprehje të lirë, pjesëmarrje dhe barazi.

“Sot, këto krime kryhen lehtësisht dhe me përmasa të ndryshme në hapësirat digjitale, por mungon diskutimi publik mbi përkufizimin e tyre, mbi kryerësit, si dhe mbi ndëshkimet që duhet të parashihen,” shpjegon Syla. Ajo shton se mungesa e raportimeve nga gratë nuk vjen nga heshtja, por nga mungesa e besimit se ajo që u ndodh është e dënueshme. “Shumë gra e dinë që ajo që u ndodh është dhunë dhe shkelje e integritetit, por nuk janë të informuara nëse një veprim i tillë përbën krim sipas ligjeve në fuqi dhe, për pasojë, nuk e raportojnë.”

Sipas saj, kjo pasiguri ligjore shpesh i bën gratë të ndihen më të rrezikuara pas raportimit, sesa para tij. “Për shumë vajza e gra, raportimi i një krimi të tillë mund të çojë në më shumë traumë, e ndoshta edhe rrezik, sesa në mbrojtje dhe drejtësi”.

Sa janë të përgatitura institucionet e Kosovës për të ofruar siguri kibernetike?

“Duhet ta kemi parasysh që mentaliteti mizogjen e patriarkal ekziston edhe tek institucionet dhe përfaqësuesit e tyre, andaj jemi të detyruar që ne me shku me ua kujtu që, në botë, këto çështje trajtohen si vepër penale. Ashtu si me dhunën në familje dhe ngacmimin seksual”, thotë Adelina Berisha, aktiviste feministe.

Megjithëse janë bërë disa përpjekje të herëpashershme për përmirësimin e sigurisë kibernetike, organet e drejtësisë dhe sigurisë ende po dështojnë të ofrojnë mbrojtje të mjaftueshme dhe efektive për gratë dhe vajzat.

Sipas Analizës Gjinore të Digjitalizimit në Kosovë “Barazia Gjinore  dhe TI”, publikuar nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), i gjithë procesi i digjitalizimit në Kosovë është krejt i pandjeshëm ndaj gjinisë dhe, Agjencia për Barazi Gjinore nuk është konsultuar gjatë procesit të politikëbërjes për sigurinë dhe zhvillimin teknologjik. Ndër tjerash, ky përjashtim përbën shkelje të Ligjit për Barazinë Gjinore, i cili obligon Qeverinë e Kosovës të aplikojë analizën gjinore drejt informimit të të gjitha politikave publike, duke përfshirë këtu edhe ato që lidhen me digjitalizimin dhe kibernetikën.

Një nga dështimet thelbësore është mungesa e një kuadri ligjor të përshtatshëm për të adresuar dhunën kibernetike. Kodi Penal i Kosovës, edhe pas disa ndryshimeve të rëndësishme, nuk e trajton dhunën kibernetike si një vepër penale të veçantë dhe nuk ka ndonjë përkufizim, apo dënim të harmonizuar mbi të. Deri më tani, kjo formë e dhunës trajtohet vetëm përmes dispozitave të përgjithshme, të cilat nuk e adresojnë këtë formë të dhunës veçanërisht as plotësisht, çka i lë viktimat e dhunës online të pambrojtura dhe pa mjete juridike për të kërkuar drejtësi. Një tjetër problem lidhet me mospërputhjet dhe boshllëqet në ligjet ekzistuese. Për shembull, Ligji për Barazi Gjinore (05/L-020) dhe Ligji për Mbrojtje nga Diskriminimi (05/L-021) përfshijnë dispozita mbi ngacmimin dhe diskriminimin që mund të interpretohen si të aplikueshme edhe online, por asnjëri nuk përmend shprehimisht dhunën e lehtësuar nga teknologjia dhe nuk ofrojnë mekanizma të qartë për raportim apo ndëshkim të abuzimeve digjitale. Po ashtu, Kodi i Procedurës Penale (08/L-032), edhe pse njeh provat elektronike dhe masat e hetimit teknik, kufizon përdorimin e tyre vetëm për “vepra të rënda penale,” çka nënkupton se shumë forma të ngacmimit online mbesin jashtë fushës së hetimit.

Liridona Sijarina thekson se dhuna kibernetike ende nuk trajtohet si dhunë me bazë gjinore, as në ligje, as në ndërgjegjen kolektive të shoqërisë. “Dhuna kibernetike është ende e pakodifikuar si formë e dhunës me bazë gjinore formalisht, por edhe ne si shoqëri, ende nuk e shohim si dhunë,” thotë ajo duke shtuar që si pasojë “vajzat kanë frikë me ekzistu në rrjete sociale”.

Sijarina tregon se përballja me dhunën online ka qenë e vazhdueshme, që nga momenti i parë i ekspozimit në media. “Thirrjet për përdhunim i kam parë që prej herës së parë kur kam dalë në media dhe në protesta, dhe të njëjtat më shoqërojnë edhe sot,” rrëfen ajo. “Prindërit e mi ende frikësohen që dikush mund të më bëjë diçka,” shton ajo, duke treguar se megjithëse ka marrë edhe kërcënime të drejtpërdrejta, nuk i ka raportuar ato në polici.

Institucionet lokale dhe qendrore në Kosovë nuk kanë ndërmarrë masa të mjaftueshme për të parandaluar dhe luftuar dhunën kibernetike. Strategjia Kombëtare për Sigurinë Kibernetike 2023-2027, e miratuar nga Ministria e Punëve të Brendshme, fokusohet kryesisht në mbrojtjen e infrastrukturës digjitale dhe sistemeve të informacionit, megjithatë, kjo strategji injoron dimensionin gjinor të problemit dhe nuk merr në konsideratë përvojat, nevojat, e as sfidat specifike të grave dhe vajzave.

Kurse, Ligji për Sigurinë Kibernetike, në vend që të adresojë nevojën për masa mbrojtëse specifike për gratë dhe vajzat, fokusohet vetëm në aspekte të përgjithshme dhe krejt teknike të sigurisë kibernetike, duke anashkaluar ndikimin joproporcional që kjo formë e abuzimit ka mbi grupet më të cënueshme.

Përpjekjet e bëra deri më tani, përfshirë hartimin e ligjeve dhe strategjive për sigurinë kibernetike, si dhe themelimin e Agjencisë për Siguri Kibernetike nga Qeveria e Kosovës, përmes Projektligjit për Siguri Kibernetike në vitin 2022, janë fokusuar kryesisht në nevojat shtetërore dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike nga sulmet kibernetike që vijnë nga jashtë. Kjo ka bërë që siguria kibernetike të trajtohet ekskluzivisht si çështje e mbrojtjes shtetërore, duke injoruar plotësisht përvojat individuale dhe cënueshmërinë e individëve ndaj dhunës kibernetike. Ky trajtim, rrjedhimisht, ka anashkaluar edhe nevojën që dhuna kibernetike të trajtohet edhe si kërcenim serioz e i vazhdueshëm ndaj individëve, veçanërisht grave.

Një dështim tjetër i shtetit është mungesa e mbledhjes dhe analizimit të të dhënave, të ndara sipas gjinisë për rastet e dhunës kibernetike. Ashtu si Policia e Kosovës, edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) regjistrojnë vetëm statistika të përgjithshme mbi veprat penale që lidhen me krimet kibernetike, pa një kategorizim specifik mbi dhunën kibernetike me bazë gjinore.

Policia e Kosovës, në përgjigje të kërkesës së QIKA-s për të dhënat e kategorizuara sipas gjinisë mbi ngacmimet seksuale online, ka deklaruar se “një ndarje të tillë nuk posedojmë”, duke theksuar se rastet janë të evidentuara vetëm përgjithësisht dhe në përputhje me Ligjin nr. 03/L-166 për Parandalimin dhe Luftimin e Krimit Kibernetik, i cili tashmë është shfuqizuar.

Regjistrimi i përgjithshëm i të dhënave të rasteve pamundëson vlerësimin e shkallës reale të problemit dhe zhvillimin e politikave efektive për ta adresuar atë.

Ndërkohë, sipas Balkan Insight, mbi 1,700 raste të dhunës kibernetike me bazë gjinore janë raportuar në institucionet e Kosovës, duke përfshirë raste të shantazhit, dhunës dhe kërcënimeve, ngacmimeve dhe ngacmimeve seksuale online. Shumica e rasteve janë raportuar në Prishtinë (641 raste), të ndjekura nga Peja me 283 raste dhe Prizreni me 212 raste.

Luftën ndaj dhunës kibernetike në Kosovë e bën joserioze dhe joefektive edhe qasja institucionale që ia ngarkon vazhdimisht barrën e provës viktimave. Në vend që të marrin masa proaktive për hetimin dhe ndjekjen e kryerësve, institucionet kërkojnë prova konkrete, të dukshme dhe të prekshme për të vërtetuar dhunën. Siç thekson Berisha, “institucionet tona mezi u besojnë edhe rasteve të dhunës me shenjat më të dukshme fizike.” Kjo qasje është veçanërisht problematike në rastet e dhunës kibernetike, ku dëmi është kryesisht psikologjik, social dhe emocional.

Për më tepër, shteti as nuk ka ndërmarrë e as nuk po ndërmerr hapa drejt përpjekjes për të promovuar dhe ndërgjegjësuar qytetarët/et me lidhshmërinë e përdorimit të (pa) sigurt të internetit, respektimit të privatësisë dhe marrjes e dhënies së pëlqimit. Mungesa e edukimit publik formal e joformal për këtë lidhshmëri krijon hapësirë për abuzim, sepse shumë njerëz, në mungesë të informacioneve, mund edhe të mos e kuptojnë me çka po përballen, rreziqet që u kanosen, apo edhe mundësinë për të raportuar, çka i lë ata/ato të pambrojtur/a përballë abuzimit kibernetik.

Në këtë kontekst, dështimi për të harmonizuar legjislacionin me Direktivën për Luftimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje, të miratuar nga Bashkimi Evropian në vitin 2024 përbën një tjetër sfidë për Kosovën. Këtu, aktivistja Berisha thekson rëndësinë e harmonizimit të ligjeve të Kosovës, si shtet aspirues për integrim në BE, me legjislacionin evropian. Kjo direktivë trajton dhunën kibernetike si një formë të dhunës me bazë gjinore dhe kërkon që shtetet anëtare të zhvillojnë strategji gjithëpërfshirëse për parandalimin, ndëshkimin e autorëve dhe mbështetjen e viktimave.

Dështimet e institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë për të trajtuar dhunën kibernetike si një kërcënim real dhe gjinor janë një reflektim i mungesës së qasjes gjithëpërfshirëse ndaj barazisë gjinore dhe sigurisë digjitale. Pa një legjislacion të përditësuar, strategji gjithëpërfshirëse dhe edukim të vazhdueshëm, dhuna kibernetike do të vazhdojë të jetë një nga format më të padukshme, por më të dëmshme të dhunës ndaj grave në Kosovë.

Shkruajnë Medinë Dauti, Blenda Asllani dhe Anita Vllahiu.

Ky hulumtim është publikuar në formë të gazetës, të cilën mund ta gjeni këtu.

______________________________________________________________________________________________________

Kjo gazetë është publikuar në kuadër të projektit “Raportimi i të Drejtave dhe Lirive Digjitale” me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e kësaj gazete është përgjegjësi e vetme e QIKA si përfituese e projektit dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së.