Oborri i shtëpisë në fshatin Medvece/Medvec, në veri të komunës së Lipjanit/Lipljan, është një horizont i përditshëm për Shpresa Hajdinin, 42-vjeçare nga komuniteti ashkali. Prej më shumë se dy dekadash, kjo hapësirë është vendi ku ajo kalon pjesën më të madhe të ditës, për shkak të angazhimeve të saj të përditshme.
Në këtë oborr, ku çdo pëllëmbë i është e njohur që nga dita kur, si 22-vjeçare, Shpresa u martua në këtë fshat, ajo i nis mëngjeset e verës në orën 5, para se dielli të lindë. Aty fillon rutina e saj e përditshme – kontrollimi dhe ujitja e domateve, specave, qepëve dhe spinaqit – duke u dhënë jetë perimeve.
Ndonëse dimrit kujdesi për perimet nuk nisë aq herët, as kjo stinë nuk ia zbeh lidhjen me oborrin, nëpër të cilin ajo ecën pareshtur duke u siguruar që perimet të jenë të mbrojtura dhe të mos thahen nga i ftohti.
Krah Shpresës, me punët e oborrit dhe bujqësinë merren edhe katër fëmijët e saj. Kjo mënyrë jetese kishte nisur si nevojë në një kohë kur familja siguronte ushqimin e përditshëm nga perimet që i mbillnin vetë dhe i vendosnin në tryezë.
“Në fillim s’kena shit perime veç jemi marrë me bashqe, me lopë e kështu, se s’kena pas ma shumë por veq sa për shpi” rrëfen Shpresa. Pranë saj qëndron vajza e saj, Arlinda, e cila kujton se me këtë veprimtari është marrë që nga ditët e hershme të fëmijërisë, njësoj si nëna e saj.
“Prej fëmijërisë e kena pas babagjyshin, ai është marë me blegtori e me pemë, ma shumë me bashqe.” shpjegon Arlinda.

Foto: Arlinda Hajdini
“Prej fëmijerisë na kanë thanë hajde ta mledhim qeta, ndërkohë e kena marrë punën se qysh shkon puna e bashqes, qysh me mbjellë patligjonin, sa mi qit ujë, tani në përgjithësi familjarisht merrem me bashqe.”
Sot kjo veprimtari është bërë një mënyrë për ta mbajtur familjen më të sigurt financiarisht sepse sera u jep atyre mundësinë që perimet të rriten më shpejt, më mirë dhe më të sigurta pasi rrezet e diellit shpërndahen në mënyrë të barabartë. Prandaj, sot këto perime nuk përdoren vetëm për nevojat e familjes por mund të shiten, duke u kthyer në një burim të shtuar të të ardhurave.
“Babi me vllaznit e mi dalin, shesin ne pazar patligjona. Ma herët kena dalë se nuk i kemi pas kushtet, edhe me kolicë jemi dalë, kemi shitë. Mami ka probleme shëndetesore, vëllaun e kom në shkollë, unë me motrën punojmë. Unë i kam 20 vjet e ajo 19.” shpjegon Arlinda. “Me ndërrime e mas punës masdite punojmë në bashqe. Babi me vllaznit merren me pazar. Sado me punu këtu kemi të ardhura të sigurta, prej 20 deri 50 euro në javë tu punu në shpi – kur dush rrin, kur dush punon”.
Puna e grave në bujqësi është historikisht e padukshme dhe e pavlerësuar, pasi shpesh kategorizohet si ndihmë familjare dhe jo si kontribut ekonomik i mirëfilltë. Kjo formë pune, e kryer zakonisht pa kontratë, pa pagesë të rregullt dhe pa njohje institucionale, mbetet jashtë statistikave zyrtare dhe politikave publike.
Për pasojë, gratë që punojnë në bujqësi rrallë përfitojnë nga subvencionet, skemat e mbrojtjes sociale apo programet e zhvillimit rural, pavarësisht rolit të tyre thelbësor në sigurinë ushqimore dhe ekonominë familjare.

Foto: Shpresa Hajdini dhe Arlinda Hajdini
Kjo pabarazi bëhet edhe më e thellë në rastin e grave nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, ku ndërthuren pabarazitë gjinore me ato etnike dhe socio-ekonomike. Si rezultat, puna e tyre jo vetëm që mbetet e padukshme për shtetin, por edhe e nënvlerësuar në treg, duke i lënë ato të mbështeten kryesisht në përpjekje individuale për mbijetesë dhe duke i përjashtuar nga përfitimet strukturore të zhvillimit ekonomik.
Të padukshme në shifra
Numri i saktë i grave nga komuniteti ashkali, prej të cilit vijnë Shpresa dhe Arlinda, si dhe i grave nga komunitetet rome dhe egjiptiane që merren me bujqësi, nuk është i dokumentuar me saktësi në Kosovë.
Këto të dhëna nuk i posedon as Agjencia e Statistikave të Kosovës – ASK.
“Në statistikat e bujqësisë, të cilat i prodhojmë sipas standardeve ndërkombëtare (Eurostat), nuk kërkohet të bëhen statistika të bujqësisë sipas përkatësisë etnike.” thuhet në përgjigjen e ASK-së ku theksohet se për këtë qëllim, duhet të dizajnohen anketa të veçanta.
Shqetësuese këtë gjendje e sheh Arlinda Zaimi, Menaxhere Projekti në Fondacionin Jahjaga, e cila argumenton se mungesa e këtyre të dhënave ndikon drejtpërdrejt në mënyrën se si hartohen politikat publike dhe programet e subvencioneve.
Sipas Zaimit, pa informacion specifik mbi numrin dhe nevojat e grave nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian që merren me bujqësi, nuk mund të hartohen masa të synuara dhe efektive për mbështetje ekonomike.
“Kjo shpesh çon në programe të përgjithshme që nuk adresojnë barrierat reale me të cilat përballen këto gra, si mungesa e qasjes në pronë, financa, tregje apo edukim, dhe për pasojë potenciali i tyre mbetet i papërdorur,” argumenton ajo.
Mungesa e këtyre të dhënave shpeshherë paraqet pengesë për Institutin GAP, i cili përmes hulumtimeve dhe analizave synon përmirësimin e politikave dhe vendimmarrjes publike në Kosovë, shpjegon Anisa Zogaj, hulumtuese në këtë institut.
Si pasojë, gjatë punës së tyre ata detyrohen të kombinojnë metoda të ndryshme kërkimore, përfshirë anketa gjithëpërfshirëse, grupe fokusi dhe intervista, përmes të cilave Zogaj dhe kolegët e saj përpiqen të krijojnë një pasqyrë më të saktë mbi sfidat me të cilat përballen bizneset në pronësi të grave dhe ato në pronësi të pakicave etnike.
“Siç theksojmë në disa raporte tona, mungesa e statistikave të detajuara sipas gjinisë dhe etnisë pengon hartimin e politikave të synuara dhe efektive, fsheh pabarazitë strukturore me të cilat përballen këto gra dhe kufizon aftësinë e institucioneve për të adresuar barrierat specifike të tyre, si qasja në financa, subvencione bujqësore, trajnime dhe mbështetje teknike.” shprehet Zogaj.
Ndonëse nuk ka të dhëna specifikisht për numrin e grave nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian që merren me këtë veprimtari e as me përqindjen e tokës bujqësore në pronësi të grave nga këto komunitete, hulumtimi “Forcimi i mbështetjes financiare për bizneset në pronësi të grave dhe pakicave etnike në Kosovë” i realizuar nga Instituti GAP tregon se përfshirja e bizneseve në pronësi të grave dhe pakicave etnike në Kosovë mbetet dukshëm e ulët.

Foto: Shpresa Hajdini
Sipas kësaj ankete me 757 biznese të realizuar nga Instituti GAP, vetëm 20% e bizneseve në pronësi të grave dhe 23% e bizneseve në pronësi të pakicave etnike kanë përfituar nga të paktën një formë mbështetjeje institucionale qëndrore, lokale apo përmes organizatave joqeveritare gjatë gjithë veprimtarisë së tyre.
“Sipas anketës së GAP, vetëm 7% e bizneseve në pronësi të grave dhe 8% në pronësi të pakicave etnike kanë përfituar ndonjë lloj mbështetjeje nga niveli qendror. Bazuar në të dhënat zyrtare, në skemat e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, gratë përfituan mesatarisht vetëm 12% të subvencioneve gjatë viteve 2018–2024.” thuhet në gjetjet e këtij instituti.
Këto të dhëna, organizata “Zëri i Romëve, Ashkalive dhe Egjiptianëve” – VoRAE, i cilëson si shqetësuese, duke thënë se kjo anketë tregon qartë se sistemi aktual i përkrahjes financiare nuk po arrin tek ata që kanë më shumë nevojë.
“Kur vetëm një përqindje kaq e vogël e grave dhe e bizneseve të pakicave etnike arrin të përfitojë, kjo na tregon se ekzistojnë barriera strukturore – qoftë mungesa e informimit, qasja e vështirë në dokumentacion, apo kriteret që nuk marrin parasysh realitetin e komuniteteve.” thotë VoRAE.
Kjo organizatë, e sheh këtë gjendje si nevojë urgjente për politika më gjithëpërfshirëse, mekanizma më transparentë dhe mbështetje të drejtpërdrejtë që u jep mundësi të barabarta grave dhe pakicave etnike të zhvillojnë bizneset e tyre.
Sa i përket bujqësisë, ndonëse VoRAE nuk posedon të dhëna specifike për gratë që merren me këtë veprimtari, kjo organizatë cilëson se bujqësia është një sektor ku gratë nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian tashmë kontribuojnë, shpesh pa u njohur dhe pa u përkrahur mjaftueshëm.
“Për ne është jetike që ato të kenë më shumë mbështetje – qoftë përmes subvencioneve, trajnimeve apo qasjes në treg – sepse kjo jo vetëm që promovon punën e tyre, por edhe fuqizon rolin e grave si bartëse të zhvillimit ekonomik lokal,” thotë VoRAE.

“Përkrahja në bujqësi është një mënyrë konkrete për të thyer ciklin e varfërisë, për të rritur pavarësinë ekonomike dhe për të treguar se gratë e këtyre komuniteteve janë pjesë aktive e zhvillimit të vendit.” shton kjo organizatë.
Me angazhimin për përkrahjen dhe fuqizimin e grave në bujqësi, merret tash e shumë vite Nita Ferizi Sadiku, aktiviste për të drejtat e grave dhe ish-menaxhere projekti në EcoKoswomen (EKW), një organizatë joqeveritare që synon të kontribuojë në përparimin social në fushat e bujqësisë, mjedisit dhe çështjeve socio-ekonomike.
Sipas përvojë së saj, Ferizi Sadiku sheh se gratë në sektorin e bujqësisë në Kosovë kanë një rol thelbësor, por shpesh të nënvlerësuar, ndërsa gratë e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian përballen edhe me barriera shtesë si diskriminimi, mungesa e qasjes në resurse dhe frika nga stigmatizimi në hapësira publike.
Sipas saj, gratë mund të angazhohen më shumë në sektorin e bujqësisë nëse u ofrohen aftësi të duhura.
“Angazhimi i tyre në sektor mund të rritet përmes trajnimeve të përshtatura brenda dhe jashtë komunitetit, mbështetjes financiare të vogël, mentorimit dhe krijimit të mundësive të sigurta për shitje të produkteve.” shpjegon Ferizi Sadiku.
Në anën tjetër, bazuar në përvojën e saj 15-vjeçare në punën me gratë nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, Arlinda Zaimi nga Fondacioni Jahjaga shpjegon se paragjykimet dhe stigmatizimi ndaj grave të këtyre komuniteteve ua vështirësojnë atyre të qenit pjesë aktive e komunitetit dhe shfrytëzimin e mundësive që ofron shoqëria.
Shteti që nuk ua zgjati dorën
Për Emina Butiç, grua rome nga fshati Livađe/Livagjë i Gračanica/Graçanicë, bujqësia mbetet pjesë e përditshmërisë së saj tash e 19 vite. Aktivitetet si mbjellja e hudhrës, patates dhe qepës, si dhe kultivimi i pasulit kanë zënë vend e tash e një kohë të gjatë në listën e punëve të Eminës e cila me bujqësi merret së bashku me bashkëshortin e saj, Seadin.

Foto: Emina Butiç
Megjithëse secila nga këto perime kërkon përkujdesje të veçantë, Emina nuk e veçon ndonjë perime si të preferuar për ta kultivuar, pasi puna prej pothuajse dy dekadash e ka bërë rutinë dhe më pak emocionuese për të.
“Vitet e kalume kemi punu me patate edhe pasul por pasuli don ekstrem shumë punë edhe është punë e randë. Ndërsa, patatja nuk ka fitim shumë, edhe hudhra është qashtu, ndërsa qepa lyp punë si hudra” shpjegon Emina, e cila thotë se për momentin ajo dhe Seadi janë më të koncentruar te prodhimi dhe shitja e hudhrës.
Elizabeth Gowing, bashkëthemeluese e organizatës bamirëse joqeveritare “The Ideas Partnership” vëren nevojën që Kosova të ketë një siguri më të mirë ushqimore dhe të mos varet nga importet.
“Është e pakuptimtë të importojmë domate nga Maqedonia. Kohët e fundit bleva hudhër që vinte nga Kina, nga Kina deri këtu! Kjo tregon se duhet të krijojmë stimuj që njerëzit të merren me këto produkte. Por gjithashtu duhet të jemi të zgjuar.”
Në angazhimin e saj në bujqësi Shpresa mbetet besnike ndaj produkteve natyrale, duke mos përdorur pesticide dhe hormone në perimet që kultivon.

Foto: Elizabeth Gowing
“Qepët çdo javë a çdo dy javë munesh mi qitë me i shitë, kur janë të mira të jepet edhe zemra me i qitë. Na kur i kemi qitë patligjonat e specat ne pazar kurgjo s’ju kena qitë se nuk i qesim kurgjo hiq, pa prashaka (kimikate në formë pluhuri) a me u bo të idhta edhe turshitë kur i kam shti” buzëqesh Shpresa teksa tregon.
Me krenarinë që i rritet në çdo fjalë e gjest, ajo kujton kohën kur përkushtimi i saj në punë kthehej në gëzim dhe në një jetë më të mirë për fëmijët.
“Je e kënaqur kur e sheh punën, je gëzushëm se nuk të ka shku mundi poshtë, ti bonja hyzmetin, duhesh mu krenu me çka ja sheh hajrin, çka munesh me ja pa hajrin edhe familjen me majtë, është shitja, është fitimi…,” shton Shpresa.
Shitjen e perimeve e bën edhe Emina me bashkëshortin e saj, të cilët dalin çdo ditë pazari nëpër qytete të ndryshme të Kosovës për t’i shitur produktet e tyre.
Megjithëse hudhra nuk e rëndon xhepin e Eminës më shumë se perimet e tjera, mungesa e një traktori dhe e një multikultivatori e bën çdo sezon më të shtrenjtë dhe më të lodhshëm.
“Shpenzimet janë për traktor, për livrim, shkojnë deri në 180 euro”, shpjegon Emina.
“Është rregull me pasë edhe një kultivator, është boll, se ai kish livru, na kishim frizirat edhe kishim mujtë me mbjellë menjëherë. Me pasë prekolicë kisha mujtë vetë, kadalë-dalë, e jo me pagu dikë tjetër,” shton ajo.
Mungesa e njohurive dhe vështirësitë me gjuhën kanë qenë ndër barrierat kryesore që kanë penguar Eminën dhe Seadin të aplikojnë për subvencione dhe ndihma të tjera nga institucionet lokale dhe qendrore.
“Nuk kemi apliku, nuk jemi të informum. Shumë njerëz na vijnë në shtëpi, kanë dëgju që jemi tu punu, na thonë se po dojnë me na ndihmu, vijnë e kqyrin gjendjen edhe kurrë ma nuk dëgjojmë prej tyre. Është problem se ma shumë flas, por nuk di shumë me lexu në shqip,” thotë Seadi, i cili shkollën e ka kryer në gjuhën serbe, ndërsa gjuhë amtare e ka gjuhën rome.

Dafina Millaku, autore e emisionit të bujqësisë “Fara” në Tëvë1 dhe Asistente në Fakultetin e Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës, sheh se barrierat kryesore që pengojnë gratë nga këto komunitete të përfitojnë nga subvencionet bujqësore përfshijnë mungesën e dokumentacionit formal, siç është pronësia e tokës dhe po ashtu edhe procedurat e komplikuara administrative.
Sipas saj, përfshirja aktive e grave nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në hartimin e politikave do të ishte një hap i rëndësishëm drejt një bujqësie më të drejtë dhe të qëndrueshme.
“Si rekomandim për institucionet publike, do të theksoja nevojën për politika më gjithëpërfshirëse, të bazuara në të dhëna të ndara sipas gjinisë dhe etnisë, thjeshtimin e procedurave për subvencione, ofrimin e informacionit të qasshëm dhe investimin në edukim dhe këshillim bujqësor.” rekomandon Millaku.
Arlinda Zaimi nga Fondacioni Jahjaga shpjegon se mungesa e njohurive, aftësive, trajnimit teknik dhe mbështetjes institucionale i bën gratë e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian që të mos kenë mundësi ta shndërrojnë bujqësinë nga mbijetesa në një burim të qëndrueshëm të ardhurash.
“Shumë prej tyre janë pjesë e skemave sociale dhe jetojnë në kushte të pafavorshme, me qasje të kufizuar në arsimin formal, financa, tokë bujqësore dhe nevojat themelore si ushqimi dhe vendbanimi. Këto sfida i bëjnë ato më të cenueshme dhe pengojnë angazhimin e tyre drejt zhvillimit ekonomik, duke i lënë të mbështeten kryesisht tek përpjekjet individuale për të siguruar jetesën.”
Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZhR) shpjegon se kjo ministri nuk ka realizuar hulumtime të veçanta mbi nivelin e mbështetjes për gratë sipas komuniteteve etnike, pasi siç thotë MBPZhR-ja, programet mbështetëse nuk përmbajnë kritere të ndara sipas komuniteteve dhe të dhënat e mbledhura nuk e mundësojnë një analizë të tillë.
Prandaj, sipas përgjigjes së MBPZhR-së, parimi udhëheqës mbetet trajtimi i barabartë i të gjithë aplikuesve.
Ta bëjmë të dukshme punën e grave në treg
Për dallim nga Shpresa dhe Emina, 28-vjeçarja Bellma Mehmeti nga komuniteti rom, e cila banon në komunën e Gračanica/Graçanicë, merret me mbjelljen e perimeve, por nuk i shet ato, pasi fitimi nga to i mjafton vetëm për të ushqyer familjen e saj 12-anëtarëshe.
Bellma merret me bujqësi që nga mosha 11-vjeçare. Gjatë viteve, asaj i ka rënë të kultivojë lloje të ndryshme perimesh, por sot puna me domate mbetet aktiviteti i saj i preferuar. Siç tregon vetë Bellma, ky aktivitet është më pak i mundimshëm krahasuar me të tjerët, pasi mungesa e makinerive, që i detyron të punojnë tokën me dorë, e bën bujqësinë një aktivitet jo të lehtë.
Në tokën prej 22 ari, së bashku me Bellmën, me bujqësi merren edhe vjehrra dhe vjehrri i saj, të cilët kultivojnë spinaq, speca, patëllxhanë, kastraveca, presh dhe qepë për të ushqyer familjen. Krahas bujqësisë, Bellma është e angazhuar edhe në aktivitetet e përditshme familjare.
Ndërrimi i stinëve dhe luhatjet e vazhdueshme të temperaturave e bëjnë punën në bujqësi edhe më të vështirë për Bellmën. Këto ndryshime ajo i përjeton drejtpërdrejt mbi supet e saj, pasi puna me tokën kërkon përballje të vazhdueshme me kushtet klimatike. Sipas saj, vera mbetet stina më pak e mundimshme, pasi moti i qëndrueshëm ia lehtëson disi procesin e kultivimit dhe përkujdesjes ndaj perimeve, në krahasim me stinët e tjera më të paparashikueshme.

Foto: Bellma Mehmeti
“Verës valla është ma lehtë, fëmija lujnë jashtë, habiten edhe na shkon dita,” thotë Bellma me buzëqeshje, duke hedhur sytë nga oborri ku prej nëntë vitesh ajo kalon ditët e verës që nga ardhja e saj në këtë familje.
“Unë ka 1 orë e gjysmë punoj, vjehrra ma shumë, ajo qohet në 5 në mëngjes, punojnë shumë. Derisa qohna unë këta (vjehrra dhe vjehrri) veq i kryjnë. Edhe verës edhe dimrit qashtu qohen derisa të kap nxehtësia”, shpjegon Bellma teksa flet për përditshmërinë e saj.”
Nga përvoja e saj akademike dhe profesionale në fushën e bujqësisë, Dafina Millaku përshkruan se puna bujqësore e grave nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptjan zhvillohet kryesisht në kuadër të ekonomisë familjare, shpesh në kushte informale dhe pa kontrata pune.
“Ato përballen me sfida të shumta, si mungesa e pronësisë mbi tokën, qasja e kufizuar në financa dhe subvencione, niveli më i ulët i arsimit formal, diskriminimi social dhe mungesa e informacionit për programet mbështetëse.” shpjegon ajo.
Millaku shton se barra e dyfishtë e punës bujqësore dhe shtëpiake e vështirëson avancimin e tyre ekonomik.
Megjithatë, konsideron se universitetet dhe fakultetet e bujqësisë duhet të kenë një rol më aktiv sepse ato mund të shërbejnë si ura lidhëse mes shkencës, teknologjisë dhe grave fermere.
Sipas Millakut, kjo mund të bëhet përmes projekteve në terren, praktikave studentore në komunitete të margjinalizuara, ditëve demonstruese, si dhe bashkëpunimit me organizata joqeveritare dhe komuna. Kjo do të ndihmonte që njohuritë shkencore të mos mbesin vetëm në auditorë.
Sipas MBPZhR-së, Strategjia për Avancimin e të Drejtave të Komuniteteve Rom dhe Ashkali në Republikën e Kosovës 2022–2026, si dhe Plani i Veprimit 2022–2024, paraqesin vazhdimësinë e politikave shtetërore për ndërtimin e një shoqërie të barabartë dhe garantimin e të drejtave të secilit qytetarë.
Megjithëse MBPZhR-ja në përgjigjen e tyre shpjegon se në kuadër të Kornizës së Bashkimit Europian për Integrimin e Romëve, janë përcaktuar pesë fusha kryesore të veprimit: arsimi, punësimi dhe mirëqenia sociale, shëndetësia, banimi dhe luftimi i diskriminimit, ky institucion thekson se bujqësia dhe zhvillimi rural nuk përfshihen në këtë dokument strategjik.

Në anën tjetër, Gowing e sheh si të domososhme që bujqësia duhet parë si biznes dhe që gratë duhet të mbështeten që të prodhojnë atë që sjell më shumë vlerë dhe fitim, jo vetëm atë që mungon në treg.
“Kjo është arsyeja pse ne, për shembull, punojmë me lakër kale dhe koriandër, sepse t’i thuash një gruaje që nuk ka bërë kurrë biznes më parë se duhet të bëhet fermere e domateve vetëm sepse Kosova ka nevojë për domate, ka shumë pak gjasa të çojë në sukses të madh financiar. Me shumë gjasë ajo do të prodhojë disa domate dhe do të shesë pak.” shpjegon Gowing.
“Por nëse duam të jemi vërtet të mençur, duhet të shikojmë gjithë zinxhirin e vlerës dhe të pyesim se cilat produkte ofrojnë kthimin më të mirë dhe ndihmojnë në diversifikimin e tregut, si kale dhe perime të tjera.” shton ajo.
Ajo thotë se gratë fermere kanë nevojë për partneritete me biznese, sidomos me restorante, në mënyrë që produktet e tyre të kenë blerës të qëndrueshëm. Sipas Gowing, kjo i ndihmon ato të shmangin rrezikun e prodhimit pa e ditur nëse do ta shesin mallin.
“Ka shumë që mund të bëhet, si nga pikëpamja patriotike ashtu edhe nga ajo mjedisore, për të mbështetur fermerët dhe prodhuesit kosovarë – dhe nëse janë gra prodhuese, do të ishte edhe më mirë. Ndoshta supermarketet mund të kenë një simbol që tregon nëse produkti është prodhuar nga një grua, që ne të mund ta zgjedhim dhe ta blejmë me vetëdije.” është idea që sugjeron Gowing.
________________________________________________________________________________________________________________

Ky artikull është shkruar dhe publikuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian. Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e vetme e QIKA-s dhe në asnjë rrethanë nuk duhet të konsiderohet se pasqyron pikëpamjet e Bashkimit Evropian.