Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1

Përnimepauza

Kish ardh koha për kontrollën rutinore të Llunës te veterinari. Në klinikë, mbërritëm me kerrin tem të vjetër, por të ri për mu: një shofere selektive, kilometrash të kufizum. Lluna nga “mbajtësja” e saj, vëzhgonte, e stresuar. Veterinari përpiqet ti afrohet, ndërkaq Lluna e kërcënon me hungërimë. Sikur e ndjen që nuk do ti pëlqejë ajo që do t’ia thotë.

“Qenka trashë goxha. Çudi, se kjo racë ka shumë kontroll në apetit. Qe edhe frymëmarrjen e ka të rëndume prej peshës”. Ardi nuk flet, e unë thjesht ul qoshet e buzëve sikur nuk e di për çka po flet veterinari. “A është e sterilizume, a po?” Vazhdon ai. “Po”, i them, “ka disa vjet”. “Eh, prandaj edhe i është trash mesi, sepse kësaj tani nuk i funksionon shëndeti reproduktiv. Është thjesht në menopauzë”. Ah këto femra, mendova. Në çdo soj, jeta e ashpër me to! Të dyja në udhëkryq të jetës, unë e Lluna prandaj me gjasë merremi vesh kaq mirë. Ajo kërkon bukën, unë e kreh derisa ajo ha; unë shtrihem, ajo vjen e shtrihet mbi mua; unë e ledhatoj ajo mjaullin. Për një çast të shkurtër, të dyja gjejmë lumturinë që na i mohojnë hormonet. Bile akoma më sillet në kry ideja e kamotshme për të shkruajtur një libërth tregimesh të shkurtra, “Po të kishte macja gojë”: edhe titullin e pata gjet prej kohësh, frymëzuar kur e pata lexu Arikawan.

Sepse Lluna është aty, në të gjitha momentet. Edhe kur mëngjesin e nis me puppy a downward dog pose, (mos u dhezni, se s’janë asi poza, po poza të yogës, për me çliru shpinën që me mujt me dal prej krevatit e me nis ditën), edhe kur flas me veten, për t’i mos harruar detyrat ditore, edhe kur s’më zë gjumi natën e rrotullohem në shtrat si qebap, edhe kur hyj në dhomën e fjetjes për të marr diçka, por që në hapin e parë brenda harroj se për çka jam nisur. Pra Lluna më sheh çdo ditë, në çdo edicion, e mundur prej hormoneve të mija nga vezoret qe tashmë janë përnime në pauzë.

Në vitin 2025, më shumë se 1 miliardë gra, kanë kaluar nëpër menopauzë. Në Kosovë, nuk dihet sa është numri i grave që në vitin 2025 kanë përjetuar perimenopauzën ose menopauzën, sepse nuk arrita të gjej studime të tilla. Sipas chat gpt-së, bazuar në të dhënat e Agjencisë së Statistikave, në Kosovë janë përafërsisht 220,000- 240,000 gra të moshës 40- 55 vjeç, e që supozoj mund të jenë duke përjetuar perimenopauzën dhe menopauzën. Kërkova burime dhe informacione lidhur me perimenopauzën në Kosovë por nuk gjeta diçka thelbësore. Dhe kjo në dukje mund të mos jetë e rëndësishme, por ajo që është më rëndësi është fakti që si dhe ne shumë vende të tjera të botës, edhe në Kosovë, nuk ka një protokoll të veçantë për të trajtuar këtë ndryshim kaq rrënjësor në shëndetin e një gruaje. Në SHBA, hormone replacement therapy ka vite që konsiderohet një nga trajtimet e mundshme simptomatike të perimenopauzës dhe menopauzës, e që ditëve të fundit u riaktualiza kur Departamenti Amerikan i Shëndetit dhe Shërbimeve Njerëzore bëri veprimin historik të heqjes së paralajmërimit në kutitë e produkteve hormonale për rrezikun e përdorimit të terapisë për zëvendësimin e hormoneve.

E mami ndërkohë më thotë në telefon: “Ndihmoji vetes mam. Merr diçka, sidomos me i rujt eshtnat”. E unë, si edhe Lluna, isha për kontroll rutinor te gjinekologia para një muaji. Vezoret e mija kishin nis me pauzu, estrogjeni dhe progesteroni në rënie e sipër, e në përgjithësi sistemi im hormonal, si një fëmijë dy vjeçar që ka ngrënë shumë çokollata para gjumit. “Zemër, tash veç duhet me menaxhu. Me ecje në natyrë, me yoga, meditim”. Më thotë butësisht gjinekologia, që çuditërisht arrin ta zbus brutalitetin e pajisjeve, që përdoren aty. Por këshillat holistike gjithmonë, ama gjithmonë janë më të lehta me i thënë se me i bë. Ja psh., s’ka ditë kur s’dëgjoj për rëndësinë absolute të marrjes së proteinave dhe ngritjes së peshave për gratë në mezo-moshë: bile një grua në një video thoshte që ma shumë e ndjen sot presionin e proteinave se presionin për të provuar substanca kur ishte tinejxhere dikur.

Konfliktet e brendshme ndodhin sepse pavarësisht që hormonet janë përnime në pauzë, gjithçka tjetër rrjedh furishëm, nuk ndalet, ti merr mendtë. Proteina sa më shumë, pesha sa më të rënda në palestër, ecje në natyrë, yoga për zgjatjet, fara të lirit absolutisht gjithkund, 48 suplemente të ndryshme por në kohë të caktuara të ditës, e ndërkohë edhe me shku në punë, me menaxhu shtëpinë, me rrit tinejxherë e adultë të rinj, me u duk mirë për date night: përkundër flokëve që më nuk të dëgjojnë, thinjen dhe bijnë, rrathëve ngjyra ngjyra poshtë syve, dhe thonjve që janë lëvoris. Kjo fazë definitivisht nuk është punë për zemra të buta. Ah po se harrova, në fund të ditës, duhesh mu siguru patjetër me i flejt 8 orë të mira gjumë. E mas krejt këtyre, ankthi të gjun në ajër, zhonglon me ty e masnej të përplas për toke. “Naj melankoli e çastit”, më tha Rrita një mëngjes derisa po i ankohesha se s’kam durim për asgjë. Thash me vete, melankoli hiç, po ma shumë me-la-lesh-në-ty.

Hajgaret anash, por shumë studime pohojnë që shkalla më e lartë e vetëvrasjes te gratë ndodh në moshën 45-54, pra moshë kjo që korrespondon me perimenopauzën dhe menopauzën. Në të njëjtën kohë, shkalla më lartë e shkurorëzimeve raportohet të ndodh pikërisht në këtë moshë. Pra, kur llogarisim efektet shëndetësore për gratë, siç janë sëmundjet e zemrës, qarkullimit të gjakut, osteporozës, si dhe luhatjet mentale, bashkë me efektet shoqërore dhe njerëzore, është dëshpëruese që akoma nuk kemi ose nuk dijmë për një protokoll të caktuar për të trajtuar gratë në këtë moshë.

Një shkrim i fundit në CNN thotë se në shtetet me të ardhura të ulëta ose mesatare, shumica e buxhetit të shëndetit të grave fokusohet në shëndetin riprodhues. Por, i njëjti shkrim, përfundon se edhe gratë që nuk janë më në moshën e shëndetit riprodhues, kanë nevojë për kujdes dhe prandaj duhet të ketë politika që trajtojnë këto nevoja për këto gra. 220.0000- 240,000 te ne, përafërsisht.

“Qeveritë i shohin gratë vetëm si persona riprodhues dhe jo post-riprodhues”. Vazhdon artikulli. Pra, po s’pate mitër funksionale, nuk je pjesë e buxhetit. Dhe jo vetëm qeveritë dhe shëndetësia fatkeqësisht. Shoqëritë në mbarë botën, nuk i “shohin” më gratë e moshës së mesme. Ato bëhen të padukshme, pos nëse je në autobus e naj djalë i ri ta lëshon vendin. Duket sikur shoqnitë “agjiste” s’dojnë me e pa moshën që vjen. Dhe kështu presin që gratë e moshës së mesme me i nal reflektorat, me lëshu vend për të tjerë, me fol ma pak, me nejt pavërejtshëm. Si naj kolltuk i vjetër, që rrin qaty, e të dhimet me hup, e kohë pas kohë ja ndërron tapacirin ja ja qet naj jastek të ri. Metaforë valla hiç, po përnime-pauzë.

Pa keqkuptime, gratë e moshës së mesme nuk janë viktima. Bile larg të të qenit viktimë, pavarësisht stereotipeve. Se ka diçka që nuk përmendet shumë kur flitet për gratë që e mbërrijnë këtë moshë. Tash a për shkak të hormoneve, a përvojave, a ndoshta edhe të dyja bashkë, këtyre grave fillon mos me ju ndje fort për vogëlsira. Ama nuk çajnë kokën më, zgjedhin me mend raportet ku investohen, të vetëdijshme për krejt çka ju ka bë jeta dhe mësimet që i kanë marr. Dhe derisa bota mundet mos me i pa, ato janë të zëna tu i gëzu privilegjet e moshës e tu reflektu sa të bekume janë që e kanë mbërri moshën.

Dhe jo, 40-shi nuk është 20-shi sot, po është thjesht qajo që është. Ndoshta kur e nalim garën mu duk rinor, e të fortë, e të bukur, e të mirë, mundemi me pranu që qeshtu qysh jemi është mu qysh duhet me qenë.

Ky tekst është publikuar fillimisht në blogun e autores. Ripublikimi në QIKA është bërë me lejen e saj paraprake.

Hendeku i dukshëm pas numrave

16.12.2025

Në një vend ku gjysma e popullsisë janë gra, por vetëm një e pesta e tyre marrin pjesë në tregun e p

Si patriarkati e ka shkruar gabim historinë e artit?

9.12.2025

Përgjatë jetës e kam dëgjuar shpesh herë frazën “Flok't e gjata, mend't e shkurt'ra”, herë si “shaka

Thyerjet që s’i sheh askush

1.12.2025

Në verën e vitit 2020 lindi Liro. Lindi në korrikun plandosës nga të nxehtit, por jo vetëm, lindi në

Pse na duhet buxhetimi gjinor?

12.11.2025

Në Kosovë, komunat mbajnë përgjegjësi të madhe për mënyrën se si planifikohen dhe shpenzohen paratë

Çka thonë programet politike për drejtësinë gjinore?

21.1.2025

Programet politike që po prezantohen dhe retorika e vazhdueshme e partive politike përpara zgjedhjev

Luftojmë shtypjen gjinore edhe përmes filmit në klasë

18.3.2024

Në kohën e sotme, sfidat për të tërhequr dhe mbajtur vëmendjen e nxënësve brenda mjedisit mësimor ja