Glauk Konjufca zgjodhi që në një tubim publik ta nënçmojë Vjosa Osmani, ndërsa më pas, në vend të reflektimit dhe kërkimfaljes, zgjodhi ta arsyetojë dhe mbrojë deklaratën e tij. Refuzimi për të pranuar gabimin e bën edhe më të qartë se nuk kemi të bëjmë me lapsus, por me normalizim të seksizmit dhe përçmimit.
Përdorimi i gjuhës së tillë është pjesë e një kulture më të gjerë seksiste, e cila gratë në politikë vazhdon të mos i trajtojë si subjekte të plota politike.
QIKA beson se kjo gjuhë synon t’i zhvlerësojë gratë në politikë përmes nënçmimit gjinor, duke rikthyer logjikën e vjetër ku politika konceptohet si territor i burrave ndërsa gratë që hyjnë në të trajtohen si ndërhyrëse që duhet përqeshur, relativizuar ose disiplinuar simbolikisht.
Po ashtu, përdorimi i termit “frizere” si ofendim zbulon edhe një dimension tjetër shqetësues që është përbuzja ndaj profesioneve të feminizuara dhe punës së grave. Kur ky profesion përdoret për të nënçmuar një grua në politikë, fyhen mijëra gra që punojnë dhe sigurojnë jetesën përmes kësaj pune. Kjo e bën këtë diskurs jo vetëm seksist, por edhe si përçmim klasor.
QIKA rithekson se kritika politike është thelb i demokracisë. Por seksizmi nuk është kritikë. Përqeshja gjinore nuk është debat politik. Delegjitimimi i grave përmes stereotipeve është praktikë e ruajtjes së pushtetit patriarkal dhe si e tillë duhet të emërtohet, kundërshtohet dhe refuzohet publikisht.