Ekstremizmi i krahut të djathtë, një shqetësim në rritje anembanë Evropës, karakterizohet nga autoritarizmi, ideologjitë antidemokratike dhe nacionalizmi përjashtues. Kjo lëvizje minon demokracinë, promovon urrejtje ndaj të huajve dhe targeton gratë, individët e komunitetit LGBTIQ+ dhe grupet minoritare. Në Kosovë, përpjekjet për të adresuar ekstremizmin janë fokusuar kryesisht në ekstremizmin fetar, duke e lënë ekstremizmin e krahut të djathtë relativisht të paeksploruar. Trendet e reja tregojnë se barazia gjinore tashmë është kthyer në një fushëbetejë qendrore brenda diskursit ekstremist të krahut të djathtë në Kosovë. Aktivistët e barazisë gjinore, gratë dhe studiuesit/et që punojnë në këtë fushë janë shpesh objektiva të sulmeve dhe portretizohen si kërcënim për kombin.
Anembanë Evropës, termi ‘ideologjia gjinore’ është bërë një koncept qendror që përdoret për të kundërshtuar idetë që perceptohen si ideologjike, siç janë barazia gjinore, aborti, edukimi seksual, të drejtat reprodukuese dhe të drejtat e komunitetit LGBTIQ+. Siç shpjegon Butler, çështja gjinore paraqitet jo vetëm si një kërcënim për fëmijët, sigurinë kombëtare, martesën heteroseksuale dhe familjen normative, por edhe si pjesë e një komploti të pretenduar nga elitat për t’u imponuar vlerat e tyre kulturore ‘njerëzve të thjeshtë.’
Pra, mobilizimet anti-gjinore marrin forma të ndryshme, nga kundërshtimi i martesave të së njëjtës gjini deri te protestat kundër abortit. Megjithatë, ato shpesh konvergjojnë rreth idesë së ‘kërcënimit ndaj familjes’ dhe nevojës për ta mbrojtur atë. Familja që ato kërkojnë të mbrojnë është ekskluzivisht një njësi heteroseksuale/ heteronormative, e përbërë nga një nënë dhe një baba (të martuar) dhe fëmijët, pra një ‘familje tradicionale’. Kjo ‘familje e kompletuar’ portretizohet si mjedisi i vetëm ‘i shëndetshëm’ për rritjen e fëmijëve.
Megjithëse lëvizja anti-gjinore nuk është gjurmuar formalisht në Kosovë, narrativa e saj është e përqafuar dhe e qarkulluar gjerësisht mes individëve, veçanërisht në mediat sociale, ku është manifestuar kryesisht si gjuhë e urrejtjes që targeton gratë në sferën politike dhe publike. Gjuha e urrejtjes është e përhapur gjerësisht në mediat sociale, veçanërisht kundër grave në role publike, dhe shpesh merr forma të tilla si ngacmimi, dezinformimi dhe deepfakes. Megjithatë, lëvizjet anti-gjinore dallojnë nga kjo gjuhë në mënyra të rëndësishme, pasi ato priren të jenë më të strukturuara, të udhëhequra ideologjikisht dhe transnacionale, duke vepruar përtej konteksteve lokale, ndërkohë që i përshtatin narrativat e tyre me mjediset specifike kombëtare. Siç ka vërejtur Butler, këto lëvizje shpesh marrin mbështetje financiare dhe organizative nga aktorë të krahut të së djathtës ekstreme ose organizata fetare me elemente radikale. Edhe kur iniciativat nuk financohen drejtpërdrejt nga rrjetet transnacionale fetare apo të krahut të së djathtës ekstreme, ato shpesh riprodhojnë diskurse të ngjashme dhe demonstrojnë një shkallë të lartë koordinimi.
Narrativa anti-gjinore mori hov në Kosovë gjatë debateve për Projekt-Kodin Civil dhe Projektligjin për Shëndetin Riprodhues dhe Fertilizimin e Asistuar Mjekësor. Projekt-Kodi Civil lejon bashkimet civile të regjistruara mes personave të të njëjtit seks, gjë që nxiti një reagim të shpejtë nga krerët fetarë, të cilët lëshuan një deklaratë të përbashkët kundër këtij propozimi. Udhëheqësit nga komunitete të ndryshme fetare, përfshirë përfaqësuesit myslimanë, hebrenj, evangjelistë dhe katolikë, e arsyetuan kundërshtimin e tyre duke cituar vlerat fetare, kulturore dhe tradicionale, duke vënë theksin te ruajtja e ‘vlerave familjare’ dhe mbrojtja e përkufizimit tradicional të martesës.
Kjo narativë anti-gjinore gjeti jehonë edhe brenda Kuvendit të Kosovës, ku disa deputetë kundërshtuan hapur njohjen e bashkëjetesave civile mes seksit të njëjtë. Shumë prej tyre i barazojnë gabimisht bashkëjetesat civile me martesën mes seksit të njëjtë, përkundër dallimit juridik. Në bërthamën e këtyre narrativave anti-gjinore qëndron vetë-perceptimi si mbrojtës të familjes ‘normale’ dhe ‘tradicionale’. Për shembull, atëherë deputeti Mërgim Lushtaku kundërshtoi publikisht si Kodin Civil, ashtu edhe bashkëjetesat e seksit të njëjtë, duke argumentuar se ‘sipas natyrës, martesa është një institucion heteroseksual’ dhe se njohja e martesave të seksit të njëjtë minon lidhjen midis martesës dhe reproduktimit. Në mënyrë të ngjashme, Duda Balje, atëherë kryetare e Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, kundërshtoi martesën mes seksit së njëjtë mbi baza fetare, duke e kornizuar qëndrimin e saj si opinion personal, ndonëse roli i saj institucional i dha atij një ndikim më të madh.
Diskutimet rreth Projektligjit për Shëndetin Riprodhues dhe Fertilizimin e Asistuar Mjekësor u ndeshën me një rezistencë të fortë, duke zbuluar se si ideologjia anti-gjinore është ndërthurur me diskursin etno-nacionalist në Kosovë. Propozimet për t’u lejuar grave të pamartuara qasjen në IVF dhe për të zgjeruar shërbimet riprodhuese përmes spitaleve publike u kornizuan nga kundërshtarët si kërcënime ekzistenciale ndaj ‘familjes tradicionale’, shoqëruar shpesh me pretendime raciste, alarmuese dhe mashtruese. Këto narrativa e pozicionuan autonominë riprodhuese jo si një çështje të shëndetit apo të drejtave, por si një devijim nga një rend i imagjinuar moral dhe kombëtar. Madje gjatë këtyre debateve, disa deputetë përdorën gjuhë alarmist, raciste dhe shprehimisht nacionaliste, duke e krahasuar ligjin me ‘Hiroshimën dhe Nagasakin’ dhe duke paralajmëruar për fëmijë që gjoja ‘lindin nga incesti’ ose që posedojnë ‘gjak të papastër’.
Ky përshkallëzim përkoi me konsolidimin e një force politike konservatore që përfitoi nga rritja e ndjenjave të krahut të së djathtës ekstreme dhe anti-gjinore gjatë zgjedhjeve kombëtare të vitit 2024 në Kosovë, nën flamurin e ‘Koalicionit për Familjen’. Duke mobilizuar votuesit rreth mbrojtjes së familjes heteronormative. Koalicioni normalizoi retorikën përjashtuese dhe kontribuoi në një mjedis politik gjithnjë e më të hapur ndaj ekstremit të krahut të djathtë. Martesa mes seksit të njëjtë u ndërtua si një kërcënim qendror, me thirrje elektorale që u kërkonin njerëzve në mënyrë eksplicite të mbështesnin kandidatët që zotoheshin ta kundërshtonin atë. Siç argumenton Butler, gjinia në kontekste të tilla funksionon si një skenë psikosociale, një mënyrë publike e të ëndërruarit përmes së cilës projektohen fantazitë kolektive. E kaluara që ithtarët anti-gjinorë kërkojnë të ‘rikthejnë’ është më pak një realitet historik sesa një rend shoqëror i imagjinuar, i rrënjosur në autoritetin patriarkal, hierarkitë e ngurta gjinore dhe homogjenitetin etnik. Traditat kulturore dhe normat shoqërore ekzistuese në Kosovë, që theksojnë strukturat familjare heteronormative dhe rolet gjinore qartësisht të ndara, ofrojnë një terren të përshtatshëm që këto narrativa të zënë vend.
Rrjedhimisht, debati rreth Kodit Civil shtrihet shumë përtej të drejtave LGBTIQ+, duke përfshirë pyetje më të gjera mbi martesën, dashurinë, dhe vetë kufijtë e kombit. Gjinia dhe seksualiteti shndërrohen në mjete përmes të cilave mbikëqyret përkatësia etno-nacionaliste dhe ‘vlerat e familjes shqiptare’ lartësohen si tregues të autenticitetit moral dhe kombëtar. Kjo logjikë u bë e qartë gjatë fushatës zgjedhore nga Eman Rrahmani, udhëheqës i Koalicionit për Familjen, i cili deklaro:
“S’ka prindi 1 e 2, ka nanë, babë, grua, vajzë, djalë. Le ta harroj secili që guxon të ndryshoj familjen shqiptare. Në këtë angazhim politik ju garantoj që asnjëri nuk është bë pjesë e këtij ekipi për të përfitu, secili ka shpreh vullnetin për me mbrojt vlerën e familjes. Agjendës që cenon familjen po i vjen fundi.”
Duke u mbështetur në këto zhvillime, përhapja e narrativave anti-gjinore në Kosovë është artikuluar gjithnjë e më shumë përmes një kornize shprehimisht etno-nacionaliste, në të cilën barazia gjinore dhe të drejtat reproduktive portretizohen si kërcënime ekzistenciale për vetë kombin. Kjo logjikë u artikulua në mënyrën më të theksuar në ndërhyrjet publike të liderëve politikë. Për shembull, Gëzim Kelmendi, kryetar i Partisë Konservatore ‘Fjala’, akuzoi Kryeministrin Albin Kurti se po mbështet Kodin Civil në një mënyrë që ‘shkatërron shtyllën kryesore të shtetit: familjen’, duke pretenduar se “nëse Serbia i ka vrarë shqiptarët me armë, Albin Kurti po i vret me këtë ligj.” Deklarata të tilla shkrijnë reformën ligjore, barazinë gjinore dhe dhunën kombëtare në një narativë të vetme, duke e paraqitur ligjin për riprodhimin dhe familjen jo si çështje të të drejtave apo qeverisjes, por si akte të tradhtisë kombëtare.
Këto narrativa anti-gjinore janë amplifikuar ndjeshëm në hapësira digjitale. Ndonëse Kosova nuk ka një grup apo lëvizje antigjinore të organizuar formalisht, narrativat antigjinore janë të ngulitura në gjuhën e urrejtjes që targeton gratë dhe në forma të ndryshme të dhunës me bazë gjinore veçanërisht në platformat online. Këto praktika funksionojnë si mjete që përdoren zakonisht nga aktorët anti-gjinorë. Dhuna online me bazë gjinore përforcon normat patriarkale, mbikëqyrë kufijtë gjinorë duke mobilizuar kundërshtimin politik dhe shoqëror ndaj barazisë gjinore.
Normalizimi i dhunës digjitale me bazë gjinore përmes narrativave anti-gjinore
Aktorët anti-gjinor po përdorin gjithnjë e më shumë platformat online për të përhapur narrativa që sfidojnë barazinë gjinore dhe të drejtat e grave, duke përdorur taktika që përfshijnë krijimin e një mjedisi digjital armiqësor për gratë dhe vajzat, të karakterizuar nga bullizmi kibernetik, deepfakes, doxing dhe kërcënimet me dhunë. Sipas Sensity AI, midis 90 dhe 95 për qind e të gjitha materialeve deepfake në internet janë imazhe pornografike të paautorizuara, ku rreth 90 për qind e këtyre imazheve shfaqin gra dhe vajza. Viktimat e deepfakes mund të pësojnë pasoja shkatërruese, duke përfshirë traumë psikologjike afatgjatë, dëmtim të reputacionit, izolim shoqëror, dëm financiar dhe, në disa raste, humbje jete. Ky dëm prek në mënyrë joproporcionale gratë dhe vajzat.
Edhe në Kosovë, dhuna online me baza gjinore është shfaqur si një mjet për të shndërruar narrativat anti-gjinore në dhunë konkrete digjitale. Përmes taktikave të tilla si deepfakes, doxing dhe përndjekja kibernetike, aktorët ekstrem të krahut të djathtë dhe ata tradicionalë punojnë në mënyrë aktive për të frikësuar, diskredituar dhe heshtur gratë dhe mbrojtësit e të drejtave gjinore në sferën publike.
Sipas Raportit të vitit 2024 të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së mbi Dhunën ndaj Grave dhe Vajzave, sektori i teknologjisë mbetet i dominuar kryesisht nga burrat. Për shembull, gratë përbëjnë vetëm 29.2% të fuqisë punëtore në shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë, dhe vetëm 30% të fuqisë punëtore në fushën e inteligjencës artificiale. Mungesa e grave dhe e perspektivave të tyre në sektorin e teknologjisë ndikon në mënyrën se si teknologjitë dizajnohen për t’iu përgjigjur nevojave gjinore, si dhe për të qenë gjithëpërfshirëse dhe të sigurta për gratë. Për më tepër, duke qenë se inteligjenca artificiale bazohet në të dhëna që shpesh janë të bazuara në paragjykime gjinore, ajo rrezikon të riprodhojë dhe të përkeqësojë diskriminimin me bazë gjinore.
Ky dështim strukturor për të krijuar hapësira digjitale të sigurta përkthehet në pasoja të rënda dhe të prekshme në terren. Ndonëse të gjitha gratë dhe vajzat mund të përjetojnë abuzim dhe dhunë digjitale, grupe të caktuara përballen me rreziqe të shtuara, veçanërisht gratë në jetën politike dhe publike, si dhe ato që përjetojnë forma të interseksionale të diskriminimit, duke përfshirë gratë me aftësi të kufizuara, gratë migrante dhe individët LGBTIQ+. Raporti i Monitorimit mbi Gjuhën e Urrejtjes në Kosovë (2025) dokumenton një gjuhë të urrejtjes me bazë gjinore, të rrënjosur dhe të synyuar gjatë periudhës së monitorimit 2024–2025, veçanërisht brenda ekosistemit mediatik dhe online të Kosovës. Gratë në jetën publike, posaçërisht ato të angazhuara në politikë, aktivizëm dhe komuniteti LGBTIQ+, u bënë subjekt i modeleve të vazhdueshme të ngacmimit që shtriheshin përtej sulmeve individuale. Këto narrativa funksionuan si pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për t’i përjashtuar gratë nga hapësira simbolike dhe politike e kombit.
Pavarësisht se hapësirat digjitale po shndërrohen në një terren shumë të rrezikshëm për rritjen e narratives anti-gjinore dhe të dhunës me bazë gjinore, korniza ligjore e Kosovës aktualisht vuan nga mangësi kritike në trajtimin e dhunës online me bazë gjinore. Për më tepër, Kosovës i mungon ekspertiza teknike dhe vullneti politik për t’i hetuar këto raste në mënyrë efektive. Institucionet e zbatimit të ligjit, duke përfshirë policinë, prokurorinë dhe gjykatat, aktualisht mbështeten në veprat penale të definuara në Kodin Penal, si shantazhi, kanosja, shtrëngimi, ngacmimi, ngacmimi seksual dhe dhuna. Megjithatë, Kosova nuk ka një ligj të dedikuar apo politikë publike që rregullon specifikisht hapësirat online ose që adreson dhunën me bazë gjinore online. Strategjia Kombëtare për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave (2022–2026) e adreson dhunën online me bazë gjinore vetëm pjesërisht, kryesisht përmes masave që synojnë fuqizimin e mbikëqyrjes në bashkësi dhe punës policore të bazuar në inteligjencë në rastet e dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave, si dhe përmes trajnimit të Njësisë për Hetimin e Krimeve Kibernetike të Policisë për t’iu përgjigjur dhunës online ndaj grave. Në anën tjetër, Ligji për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna në Bazë Gjinore e njeh ngacmimin online si një formë të dhunës me bazë gjinore. Ai e përcakton “ngacmimin seksual përmes internetit” si çdo veprim të padëshiruar verbal, joverbal, ose veprim tjetër i një natyre seksuale, që shkel dinjitetin e një personi ose krijon një mjedis frikësues, armiqësor, degradues, poshtërues ose fyes. Në mënyrë të ngjashme, legjislacioni ekzistues i Kosovës për krimet kibernetike mbetet i kufizuar në fushëveprim. Ai trajton kryesisht veprat penale kibernetike tradicionale, siç është qasja e paautorizuar në sistemet apo të dhënat informatike, ndërsa dështon të përfshijë format më të reja dhe më komplekse të abuzimit digjital, duke përfshirë doxingu, ngacmimin kibernetik dhe abuzimin përmes imazheve të publikuara paautorizim.
Ndërkaq, në maj të vitit 2024, Bashkimi Evropian miratoi Direktivën për Luftimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje, e cila adreson në mënyrë eksplicite të gjitha format e dhunës të mundësuar përmes teknologjive të informacionit dhe komunikimit dhe kërkon sanksionimin penal të akteve të tilla. Përafrimi i legjislacionit të Kosovës me këtë Direktivë do të kërkonte përfshirjen e dhunës digjitale me bazë gjinore dhe krimeve hibride të lidhura me të në Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Rasti i “AlbKing-ut” është një shembull tipik që ilustron pasojat e kësaj mbrojtjeje të mangët ligjore, duke krijuar një terren të përshtatshëm për aktorët anti-gjinorë. Ky rast shfaq ndërthurjen e teknikave deepfake dhe doxing, ku viktimat kryesore janë grate dhe vajzat, të cilave u shpërndahen pa autorizim të dhënat personale. Gjithashtu, fushatat hakmarrëse ndaj grave gazetare, që morën guximin të raportonin këtë fenomen, tregojnë qartë se si mungesa e mekanizmave mbrojtës ligjorë ushqen një kulturë pandëshkueshmërie për autorët e krimeve digjitale.
Për të kuptuar dimensionin e këtij fenomeni, vlen të analizohet kronologjia dhe funksionimi i vetë këtij rrjeti. “AlbKings” ishte një chat grup komunikimi famëkeq në aplikacionin e mesazheve Telegram, i cili u bë aktiv në janar të vitit 2023. Në kulmin e tij, grupi kishte më shumë se 112,000 anëtarë dhe përdorej për të shpërndarë foto intime, video, përmbajtje deepfake dhe të dhëna personale të grave dhe vajzave pa pëlqimin e tyre. Gazetarja Ardiana Thaçi-Mehmeti zhvilloi një hulumtim të rëndësishëm lidhur me këtë grup, duke ekspozuar mënyrën se si anëtarët e tij shkelnin në mënyrë sistematike privatësinë dhe dinjitetin e grave. Pas raportimit të saj mbi rastin në emisionin televiziv, disa anëtarë të “AlbKings” u hakmorën duke shpërndarë numrin e saj të telefonit brenda grupit. Si rezultat, ajo mori një numër të madh thirrjesh telefonike fyese, emaila dhe mesazhe ku kërkoheshin shërbime seksuale. Ndërkaq, më shumë se dhjetë gra e kontaktuan gazetaren për të ndarë përvojat e tyre të ngacmimit lidhur me grupin AlbKings. Më 18 shtator 2025, Prokuroria Themelore e Prishtinës dorëzoi një marrëveshje mbi pranimin e fajësisë në Gjykatën Themelore, sipas së cilës të akuzuarit ranë dakord të paguanin gjoba që variojnë nga 2,000 deri në 2, 500 euro për ngacmimin e vazhdueshëm të gazetares së KALLXO.com, identiteti i së cilës mbetet i fshehur për arsye sigurie.
Në një intervistë për Insajderin, një person i prezantuar si administrator i grupit deklaroi se qëllimi i grupit nuk është përfitimi financiar apo shantazhimi i grave për të krijuar marrëdhënie seksuale. Përkundrazi, ai pretendoi se qëllimi është t’u “tregohet fytyra e tyre e vërtetë”, duke argumentuar se gratë e shfaqura nuk janë “të moralshme” dhe se grupi synon të ekspozojë atë që ata e përshkruajnë si prostitucion dhe sjellje imorale në Kosovë.
Përmes kësaj narrative, grupi mundohet të ndërtojë veten si një aktor legjitim, për të zbuluar “fytyrën e vërtetë” të grave. Ky pozicionim ka implikime të rëndësishme sociale, pasi kjo narrativë, e cila buron nga ideologjia anti-gjinore, tenton të legjitimojë forma të dhunës digjitale nën petkun e policimit moral. Përmes këtij grupi, kjo ideologji është jetësuar veçanërisht përmes mekanizmave të ndërlidhur, siç është kategorizimi i grave si “të moralshme” dhe “të pamoralshme”, duke përforcuar normat gjinore që zbatohen në mënyrë ekskluzive ndaj tyre. Ky diskurs tenton të normalizojë ngacmimin dhe abuzimin ndaj grave, duke i paraqitur viktimat si përgjegjëset kryesore për dhunën e ushtruar ndaj tyre.
Prandaj, mbetet me rëndësi përafrimi i kornizës ligjore të Kosovës me Direktivën e BE-së të vitit 2024 për Luftimin e Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje. Ky hap është thelbësor për të siguruar përputhshmërinë me standardet evropiane dhe për të forcuar mbrojtjen e viktimave. Nga ana tjetër, ekziston një nevojë urgjente për të ndërtuar ndërgjegjësim dhe kapacitete të specializuara në të gjithë zinxhirin e drejtësisë, duke përfshirë policinë, prokurorinë dhe gjyqësorin, për t’iu përgjigjur në mënyrë profesionale këtyre dukurive dhe për të kuptuar ideologjinë mbrapa këtyre krimeve. Kjo qasje duhet të zëvendësojë praktikat e kompromiseve lehtësuese, siç ishte vendimi i Gjykatës Themelore në rastin “Alb Kings” ndaj gazetares së përmendur më lart, ku të akuzuarit u dënuan vetëm me gjoba monetare.
_________________________________________________________________________________________________________
Ky artikull është shkruar në kuadër të Projektit “Western Balkans Civil Society Development Hub”, i financuar nga Sida dhe i zbatuar nga BCSDN.
Përmbajtja e këtij artikulli, si dhe informacionet dhe pikëpamjet e paraqitura në të, nuk përfaqësojnë qëndrimin dhe opinionin zyrtar të Sida dhe BCSDN. Përgjegjësia për informacionet dhe pikëpamjet e shprehura në këtë artikull bie tërësisht mbi QIKA-n.