Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1
Readings

Lumturia si akt rezistence

QIKA 23.6.2026

 A kemi të drejtë të jemi të lumtur në një botë plot padrejtësi?  Kjo ishte pyetja që Simone de Beauvoir ia shtroi Albert Kamysë. Beauvoir shqetësohej se përqendrimi tek lumturia personale nënkuptonte shkëputje nga realiteti politik përreth. Por për aq kohë sa lumturia jonë nuk lind nga injoranca apo apatia, për aq kohë sa është autentike, edhe ekzistencialistët mund të jenë të lumtur. Në fakt, ata duhet të jenë. Lumturia mund të jetë një formë rezistence kundër padrejtësisë dhe absurditetit të jetës.

Teksa konsumimi i vazhdueshëm i përmbajtjeve negative në rrjete sociale po bëhet ritual i përditshëm i varësisë, është shumë e lehtë të pushtohemi nga ndjenjat e mungesës së lumturisë dhe fuqisë. Duke pasur parasysh valën e pandalshme të pandemive, marrëzitë e vazhdueshme politike, ndryshimet klimatike, diskriminimin, shfrytëzimin dhe vuajtjet në përgjithësi, me fjalët e mençura të Audre Lorde pyesim: “cili përbindësh i degjeneruar mund të jetë gjithmonë i lumtur?”

Një mekanizëm mbrojtës është apatia. Ka aq shumë vuajtje dhe tmerre në botë që po na serviren para syve çdo ditë, saqë tundohemi të zhvillojmë atë që filozofja ekzistencialiste Simone de Beauvoir e quan një lloj “tetanozi të imagjinatës”. Beauvoir ra në paralizë psikologjike kur lexoi gazetat që raportonin për Luftën e Algjerisë në vitin 1961. Për Beauvoir, përvoja kolektive e mësimit me mizoritë e përditshme është faza përfundimtare e demoralizimit për një komb.

Mes gjithë tmerrit të botës, a është moralisht gabim të përdorësh apatinë për të nxjerrë disa momente të vogla lumturie? A është gabim të festosh ditëlindjen e shoqes së ngushtë apo të shijosh pamjen e bukur të hënës duke qenë të vetëdijshëm për ekzistencën e varianteve të ndryshme të fashizmit dhe COVID-19? Në fundin e viteve 1940, pas Luftës së Dytë Botërore, Beauvoir po diskutonte me mikun e saj të atëhershëm Albert Kamy lidhur me lumturinë. Beauvoir kuptoi se fiksimi i saj pas lumturisë e kishte bërë të pavetëdijshme ndaj realiteteve politike. Kamy pa një rrugë përpara. Ai u shpreh i zhgënjyer nga njerëzit që ndiheshin në faj pse ishin të lumtur dhe e këshilloi Beauvoir-in: “Lumturia ekziston dhe është e rëndësishme; pse ta refuzosh? Ti nuk e përkeqëson palumturinë e të tjerëve duke e pranuar atë; madje kjo të ndihmon të luftosh për ta.”

Nëse kujdesemi për lumturinë tonë, duhet të luftojmë kundër përbindëshave si apatia. Sabotimi i lumturisë sonë nuk i ndihmon askujt. Dhe pasiviteti i korrupton jetët tona dhe i mpin përvojat tona. Injoranca e qëllimshme është ngushëlluese, por na jep një pamje të rreme të situatave. Të shpërfillësh kontekstin real të ekzistencës sonë është ajo që Beauvoir e quante keqbesim, një lloj vetë-mashtrimi që minon lirinë. Është keqbesim të ikësh nga realiteti dhe të mos bësh asgjë përballë padrejtësive. Për të shmangur keqbesimin dhe për të krijuar mundësi për lumturi autentike, na duhet të projektojmë veten pozitivisht dhe në mënyrë konstruktive në jetë.

Të ndërtosh lumturi autentike do të thotë të luftosh për të drejtën për të bërë zgjedhjet tona mbi jetën tonë, ndërkohë që njëkohësisht kultivojmë marrëdhënie të bazuara në respekt me njerëzit e tjerë dhe me botën. Ashtu si gurët që mbështesin njëri-tjetrin në një hark, njerëzimi është i shëndetshëm kur individët lulëzojnë së bashku. Lorde vëren se: “Të vetmit njerëz vërtet të lumtur që kam takuar ndonjëherë janë ata që në mesin tonë luftojnë kundër këtyre vdekjeve me gjithë energjinë e jetës sonë, duke e pranuar palumturinë e thellë dhe themelore nga e cila rrethohemi, derisa në të njëjtën kohë luftojmë që të mos përmbytemi prej saj.” Të jesh njeri do të thotë të jesh nën tensionin e përheshëm mes përpjekjes për të kontrolluar botën përreth nesh dhe shmangies së të qenit të shtypur prej saj. Asnjëri prej nesh nuk është zot. Ne nuk mund ta kontrollojmë plotësisht botën tonë, por për aq kohë sa arrijmë të qëndrojmë mbi sipërfaqe, ekzistojnë mundësi për momente lumturie autentike në hapësirat mes fundosjes dhe notimit.

Në librin The Ethics of Ambiguity, Beauvoir shkruan se të duash lirinë “do të thotë të duash zbulimin e qenies në gëzimin e ekzistencës; në mënyrë që ideja e çlirimit të ketë një kuptim konkret, gëzimi i ekzistencës duhet të afirmohet tek secili, në çdo çast; lëvizja drejt lirisë e merr figurën e saj reale, prej mishi dhe gjaku, në botë duke u shndërruar në kënaqësi, në lumturi.” Lumturia autentike është një lloj lulëzimi që vjen nga përfshirja në botë. Gjithçka që bëjmë ka kuptim vetëm nëse mund të gjejmë gëzim në ekzistencë, nëse mund të krijojmë momente lumturie duke pirë një gotë verë, duke përqafuar një mike apo duke dëgjuar të qeshurën e një fëmije.

Në vitin 1946, Beauvoir shkroi një ese të quajtur “Jean-Paul Sartre” për një filozof të quajtur Jean-Paul Sartre, i cili ishte gjithashtu partneri i saj. Sartre ishte një shembull i një personi të cilin Beauvoir e shihte si autentikisht të lumtur (të paktën në kohën kur shkruante). Sartre ishte i lumtur sepse ishte plotësisht i zgjuar ndaj jetës. Ai angazhohej vazhdimisht me botën, shkëputej pareshtur nga e kaluara e tij dhe e tejkalonte atë që faktet e jetës së tij përcaktonin. Lumturia e tij vinte nga harmonia që përjetonte duke qenë në gjendje ta afirmonte veten si liri e pastër.

Sipas Beauvoir-it, Sartre ishte “i lumtur pa ngurrim sepse është i bindur se çdo njeri mund, pak a shumë lehtësisht, të zbulojë një gëzim po aq të qëndrueshëm sa i tiji në thellësi të vetes dhe në vetëdijen për lirinë e tij.” Por Sartre ishte me shëndet të mirë. Ai ishte burrë i bardhë dhe i arsimuar mirë, me fuqi shoqërore për ta ushtruar lirinë e tij kryesisht në mënyrat që vetë zgjidhte. Megjithëse Beauvoir shkruan se Sartre “ndien më shumë se kushdo gjithçka që është e tmerrshme dhe shqetësuese në këtë botë”, ajo më vonë shkruan në librin Seksi i Dytë se një qëndrim i tillë, që supozon se të gjithë mund ta gjejnë lumturinë po aq lehtë sa Sartre, do të thotë të anashkalosh realitetet e ekzistencës së njerëzve të tjerë (ani pse ajo nuk e përmend Sartre-in në mënyrë të drejtpërdrejtë).

Shqetësimi i Beauvoir-it ishte se supozimet mbi aftësinë e njerëzve të tjerë për ta bërë veten të lumtur mund të përdoren si mjet shtypjeje. Beauvoir shkruan: “Është gjithmonë e lehtë ta përshkruash si të lumtur situatën në të cilën dëshiron t’i vendosësh [të tjerët].” Problemi është se përshkrimi i një situate si të lumtur nënkupton se nuk ka asgjë që nuk shkon. Të thuash se njerëzit duhet të jenë në gjendje të gjejnë lumturi në situata shtypëse – vetëm duke u përpjekur më shumë, për shembull – është mbrojtje e status quo-së, që justifikon situata të padrejta dhe shtyp apo çarmatos përpjekjet për të ndryshuar ose vepruar.

Për shembull, ideja se duke ia dalë vetë me forcat e tua do të bëhesh i suksesshëm dhe për rrjedhojë i lumtur, anashkalon diskriminimin sistematik dhe strukturat e pushtetit që pengojnë suksesin e shumë njerëzve. Mistifikimi i feminitetit të përjetshëm, i cili pretendon se fati më i madh i grave e rrjedhimisht edhe lumturia e tyre është të bëhen bashkëshorte dhe nëna, fshihet pas justifikimeve për t’ua hequr grave të drejtat mbi trupin e tyre dhe i inkurajon ato të nënshtrohen duke ekzistuar për të tjerët në kurriz të vetvetes. Njerëzit e shtypur shpesh vendosin një fytyrë të lumtur jo sepse janë autentikisht të lumtur, por sepse kjo është ajo që pritet prej tyre. Lumturia performative bëhet një tjetër detyrim dhe paradoksalisht, një burim i ri palumturie.

Lumturia autentike mund të jetë burim force kur e pranojmë privilegjin tonë, mbetemi të vetëdijshëm për situatat tona dhe vazhdojmë të luftojmë kundër padrejtësive. Lumturia e konceptuar në këtë kuptim ekzistencial nuk nënkupton qetësi pasive apo mosveprim. Lumturia është efekt anësor i përfshirjes së plotë në jetë, ushtrimit të lirisë sonë dhe marrjes së përgjegjësisë për formësimin e botës në të cilën jetojmë. Lumturia autentike është ngushtësisht e lidhur me lirinë e të tjerëve: kur bëhemi të vetëdijshëm për lirinë tonë, krijojmë gëzim në shfaqjen e lirisë dhe shohim të tjerët duke bërë të njëjtën gjë. Nuk është gabim të rrëmbejmë momente lumturie aty ku mundemi, por lumturia është më e mirë kur i përballemi situatave tona me qartësi dhe dimë se edhe të tjerët janë në gjendje të bëjnë të njëjtën gjë. Beauvoir e përmbledh idealin: “I lumtur është ai që mund ta shohë drejt në sy të vërtetën e jetës së tij dhe të gëzohet me të; i lumtur është ai që mund ta lexojë atë në fytyra miqësore.”

Skye C. Cleary

E përktheu: Blenda Asllani

Lexoni artikullin e plotë këtu.