Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1
Readings

“Gratë pa burra” – novela që rrëfen historinë e Iranit përmes trupave të grave

QIKA 23.7.2026

“Gratë pa burra” (ang. Women Without Men) nga Shahrnush Parsipur është një rrëfim feminist i cili ndodh në Iran. Rrëfimi pasqyron historitë e pesë grave dhe rrethanat që i shtyjnë të braktisin jetët e tyre për të nisur nga e para në një kopsht në periferi të Tehran-it.

E shkruar në fund të viteve 1970, libri u censurua dhe ndalua menjëherë pas botimit. Pak kohë më pas, Parsipur u arrestua dhe u burgos për shkak të portretizimit të hapur dhe sfidues të seksualitetit të grave. Ky libër inovator për herë të parë është i disponueshëm edhe në anglisht, i përkthyer nga Faridoun Farrokh.

I vendosur në sfondin e grusht-shtetit të vitit 1953 në Iran, të mbështetur nga CIA, rrëfimi zhvendos qëllimisht vështrimin historik nga politikat e mëdha për t’u përqendruar në ndikimin e saj mbi hapësirat personale të grave. Në këtë mënyrë, Parsipur e paraqet trazimin kombëtar si një përvojë të jetuar dhe të gdhendur mbi trupat dhe jetët e grave.

Romani këmbëngul se autoritarizmi nuk fillon në korridoret e pushtetit, ai nis brenda shtëpisë, në kuadër të sistemeve të ndërthurura patriarkale që kufizojnë autonominë e grave. Ndërthurja që Parsipur i bën realizmit me elemente magjike trazon autoritetin konvencional narrativ dhe pasqyron paqëndrueshmërinë e një shoqërie në krizë. Personalja dhe politikja janë të pandashme: heshtjet, dëshirat dhe aktet e refuzimit të grave shndërrohen në forma të holla, por thellësisht radikale të rezistencës.

Ajo që e bën këtë roman t’i rezistoj kohës është refuzimi i tij për të ndarë personalen nga politikja. Elementet magjike nuk janë dekorative, ato zbulojnë emocione që vetëm realizmi  nuk mund t’i përfshijë. Kopshti ku gratë strehohen nuk është arratisje nga realiteti, por një hapësirë feministe ku realiteti rindërtohet.

Romani, për fat të keq, fitoi relevancë të veçantë përballë luftës së SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit. Ai u kujton lexuesve se ndërhyrja e jashtme shpesh e thellon autoritarizmin e brendshëm. Duke rishqyrtuar trashëgiminë e grusht-shtetit të vitit 1953, libri nxit lexuesit të mos e shohin krizën e sotme si shpërthim të izoluar. Përkundrazi, ajo është pjesë e një vazhdimësie të thellë historike, e formësuar nga ndërhyrjet e jashtme dhe strukturat e pushtetit brenda shoqërisë iraniane.

Përmes këtij rrëfimi, Parsipur i fton lexuesit të përballen me supozimet kulturore që kanë formësuar jetët e grave ndër breza. Të lexosh “Gratë pa burra” do të thotë të hysh në një rrëfim të shumëfishtë, njëkohësisht poetik, historik e bashkëkohor. Ai dëshmon se sa thellë janë të ngulitura normat gjinore në jetën e përditshme dhe se si, në mënyrë të heshtur, por të fuqishme, gratë u rezistojnë atyre.

Seksualiteti

“Gratë pa burra”, virgjërinë e paraqet si një konstrukt ideologjik përmes të cilit përcaktohet vlera e një gruaje. Përmes personazheve të Faezeh dhe Munis, shohim se si ‘dëlirësia’ funksionon si një mekanizëm kontrolli shumë kohë përpara se të vendoset ndonjë ndëshkim formal.

Faezeh mishëron mizogjininë e përbrendësuar, përmes besimit se nderi i grave varet plotësisht nga perceptimi shoqëror dhe reputacioni i saj. Kur ajo dhe Munis përjetojnë dhunë seksuale, vetë akti i dhunës mbulohet nga turpi.

Metafora “ujitja e tokës”, e cila përdoret nga një burrë për të përshkruar penetrimin seksual, është tronditëse sepse e riformulon dhunimin si diçka natyrore dhe prodhuese. Ajo i paraqet gratë sikur të ishin tokë për t’u kultivuar, e jo si persona me vullnet e autonomi.

Duke e përkufizuar dhunën seksuale në terma bujqësorë, gjuha patriarkale e fshin dëmin dhe e paraqet veprimin e burrave si pashmangshmëri biologjike, ndërkohë që barra e “çnderimit” bie mbi trupat e grave. Kjo logjikë simbolike pasqyron kuadrin më të gjerë ligjor dhe shoqëror iranian, në të cilin virgjëria bartë peshë materiale dhe morale, duke përforcuar idenë se trupat e grave janë hapësira rregullimi dhe kontrolli.

Kodi Civil Iranian i vitit 1931 kodifikoi kujdestarinë dhe autoritetin burrëror në çështjet e martesës dhe familjes. Në këtë kontekst, virgjëria shndërrohet jo vetëm në pritshmëri kulturore, por bëhet pjesë e një sistemi më të gjerë në të cilin trupat e grave qeverisen si nga familja, ashtu edhe nga shteti.

Rrëfimi i Zarrinkolah ofron një nga kritikat më shqetësuese ndaj objektifikimit në librin “Gratë pa burra”. Zarrinkolah është një punëtore e seksit e cila fillon t’i perceptojë të gjithë klientët e saj si burra pa kokë. Kjo përbën një përpjekje për ta tejkaluar këtë gjendje përmes një akti të pastrimit simbolik, i cili e shtyn atë të braktisë këtë formë të punës.

Udhëtimi i Zarrinkolah përbën një rikonfigurim të subjektivitetit. Duke kaluar nga të qenit e perceptuar thjesht si trup, në vetëdijen për veten si person me mendime, emocione dhe veprimtari të pavarur, ajo e trondit logjikën kulturore që i trajton trupat e grave si të zëvendësueshëm dhe moralisht të mbikëqyrur. Tërheqja e saj nga puna e seksit nuk pasqyrohet si një rikthim në ‘pastërti’, por si refuzim i sistemit që e përcaktonte atë vetëm përmes konsumit të burrave.

‘Palëvizshmëria’ e martesës

Rrëfimi i Farrokhlaqës zbulon kufizimin psikologjik dhe shoqëror të martesës. Martesa e saj ishte një “shprehi tridhjetë e dyvjeçare e palëvizshmërisë”. Pritshmëritë patriarkale kanë depërtuar aq thellë, sa e kanë detyruar atë të vetë-mbikëqyret. Ajo nuk ka nevojë të kufizohet në mënyrë të drejtpërdrejtë sepse ajo e kufizon vetveten. Megjithatë, mungesën e lirisë nuk e përjeton më si shtypje, por si diçka sa natyrore aq edhe të pashmangshme.

Reagimi i saj ndaj të qenit e vejë nuk është tërheqja, por kalim nga pasiviteti drejt veprimit dhe autonomisë. Ajo blen kopshtin, duke e shndërruar pasurinë e trashëguar në autonomi hapësinore dhe duke krijuar një vend për gratë, pa burra. Çlirimi i saj, pra, arrihet përmes ‘çmësimit të palëvizshmërisë’ që martesa i kishte imponuar. Përmes saj, Parsipur sugjeron se patriarkati në familje nuk mbahet gjallë vetëm nga ligji, por edhe nga perceptimet kulturore që normalizojnë bindjen e grave ndaj bashkëshortëve.

Kopshti funksionon si një hapësirë alternative feministe jashtë qeverisjes patriarkale. Brenda tij, gratë punojnë, flasin dhe pushojnë pa mbikëqyrjen e burrave. Grupe të grave iraniane kanë krijuar hapësira të ngjashme solidariteti, të cilat ishin të brishta, por transformuese. Ato demonstruan se vetëdija kolektive mund të ekzistonte edhe brenda kushteve shtypëse, para dhe pas Revolucionit Islamik.

Megjithatë, Parsipur nuk lejon që kopshti të bëhet utopik. Gratë nuk qëndrojnë përgjithmonë atje, shumica kthehen në Teheran dhe rifillojnë jetët e tyre. Çlirimi nuk mund të mbijetojë i izoluar nga shoqëria, thotë Parsipur. Kjo zgjedhje narrative pasqyron historinë e të drejtave të grave iraniane: reformat kanë lindur përmes rezistencës, përmbysjes dhe luftës së vazhdueshme e jo përmes ikjes.

“Gratë pa burra” nuk është thjesht një rrëfim për pesë gra që kërkojnë strehim në një kopsht. Ai është rrëfim mbi lirinë, trupat dhe betejat për dinjitet. Shahrnush Parsipur na paraqet gra që vënë pyetje, transformojnë, sfidojnë dhe rezistojnë.

Sahar Maranlou

E përktheu: Blenda Asllani

Lexoni artikullin e plotë këtu.