Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1

Përballë kancerit të gjirit, askush nuk duhet të jetë vetëm

QIKA 8.10.2026

Në muajin e ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, qëndrojmë me të gjitha gratë e prekura kjo sëmundje, me ato që po trajtohen, me ato që e kanë kaluar dhe kujtojmë ato që e kanë humbur jetën. U japim hapësirë dhe zë poashtu përvojave të burrave të prekur nga kanceri i gjirit.

Në Kosovë, gjatë vitit 2025 janë raportuar 601 raste të reja të kancerit të gjirit – 592 te gratë dhe 9 te burrat. Kanceri i gjirit nuk i prek të gjithë njësoj, as në përballjen me sëmundjen dhe as në mundësitë për të marrë kujdesin e nevojshëm. Për gratë që jetojnë në varfëri, për ato që janë të papuna, që jetojnë në zona rurale apo që nuk kanë pavarësi ekonomike, diagnostikimi dhe trajtimi shpesh shoqërohen me pengesa të tjera. Shpenzimet për transport, analizat, barnat dhe mungesa e shërbimeve të qasshme e kthejnë kujdesin shëndetësor në një barrë ekonomike e sociale. Këto pabarazi janë pasojë e kushteve strukturore që përcaktojnë se kush ka mundësi të diagnostikohet me kohë, të trajtohet dhe të rikuperohet. Prandaj, lufta kundër kancerit të gjirit është edhe luftë për drejtësi sociale, për një sistem shëndetësor që nuk i thellon pabarazitë ekzistuese, por i lufton ato.

Kështu edhe këtë tetor, sytë i kthejmë edhe kah Ministria e Shëndetësisë dhe drejtoritë komunale, të cilat i thërrasim në përgjegjësi për të punuar drejt një sistemi shëndetësor ku qasja në kujdes nuk përcaktohet nga vendbanimi apo gjendja ekonomike.

QIKA kërkon qasje të barabartë dhe të garantuar për qytetaret dhe qytetarët e Kosovës në mamografi dhe mjete të tjera diagnostifikuese; në diagnostikim të hershëm, trajtim mjekësor dhe barna; si dhe në informacion të saktë dhe mbështetje psikologjike gjatë gjithë procesit të trajtimit dhe rikuperimit.

Ne i ftojmë gratë të kujdesen për shëndetin e tyre duke praktikuar vetë-ekzaminimin e gjinjve, të përcjellin ndryshimet në trup, të bëjnë kontrolle të rregullta dhe të informohen për mundësinë e kryerjes së mamografisë, e cila ofrohet falas në disa institucione publike.

Derisa solidarizohemi me njëra-tjetrën dhe kujdesemi, i kujtojmë shtetit se kujdesi për kancerin e gjirit duhet të vazhdojë edhe pas tetorit.