Më duket që teshat e palara tallen me mua – SizifenË, që si gurin, çdo ditë e shtyn koshin deri te lavatriçja, e stërmbush kazanin dhe e shtyp pullën e programit të shpejtë, për ta bërë të njëjtën edhe nesër, edhe pasnesër. Ndërkohë, hapëroj rëndueshëm nëpër banesë me shputat në papuqet e mëdhaja, e me Llunën nëpër këmbë, dukem si ajo zonja te Tomi Xherri. Mali ndërkohë, i preokupuar me rastet e fundit të dhunës kundër grave, këmbëngul për një diskutim ndriçues. Ndër të tjera, më pyeti edhe a duhet që një grua të vizitohet te gjinekologu burrë a grua? Kur i them se gruaja vizitohet te mjeku më i mirë, pavarësisht gjinisë, sepse trupi është i saj dhe nuk ka pse të pyesë askë për këtë punë, e shoh se si përpiqet të balancojë në kokë informatat, bindjet, kundrejt një mjedisi mizogjen e agresiv të të rinjëve në perandorinë e Tiktokut. Televizori në dhomën e ditës, me pluhur që kishte kohë që se kisha fshi, i pisket rezultatet e zgjedhjeve të mes-mandatit në Amerikë, kumbueshëm, sa mezi e dëgjoj alarmin e telefonit për pulën që po piqej në shporet. E zënë mes kureshtjes për arenën ndërkombëtare, dhe detyrimit në arenën shtëpiake, gjithnjë e më shpesh kam mirëkuptim për Sylvia Plath. Sepse, më shpesh se jo, pavarësisht që jemi të lira, zgjedhjet për gratë shoqërohen me një barrë gjigande që nuk ndahet lehtë me të tjerët. Të duash gjithçka, të përpiqesh pastaj t’i arrish, është ndërmarrje brutale për gratë.
E rritur me pikëpamje të hapura, nuk e kisha ndjerë presionin e konformimit ndaj roleve shoqërore. Për më tepër, shpesh herë më dukej sikur trajnohesha për diçka më shumë, përtej këtyre roleve. Isha bija që e regjistronin në kurse kompjuterash, të anglishtes e në shkollë të pianos, por edhe bija që i rregullonin grimin dhe me një gotë qumësht, e përcillnin në ndejat e mahallave. Megjithatë, shembujt përreth, në rrugë, shkollë e lagje, më kishin përbrendësuar ndërdijshëm modelin shoqëror dhe hapat e pritshëm në vitet që do të vinin: një herë vajza e arsimuar e dikujt, pastaj bashkëshortja fisnike e filanit, dhe në fund, nëna vetmohuese e bijës dhe birit. Unë doja të bëhesha edhe nënë dikur, por fillimisht ëndërroja arsimimin, profesionin, pavarësinë, dhe praninë aty diku nëpër botë. Doja pra, ti kisha të gjitha. Pas diplomimit, regjistrova menjëherë studimet për magjistraturë, ndërkohë, u martova. Pas martesës, derisa krejt gratë e tjera bëheshin nëna kurdo që donin, sa herë donin, trupit tim i duhej pak shkencë. Pas kontrolleve të shpeshta, incizimeve të thella të trurit, shpimeve të përjavshme me hormone të llojllojshme, dhe një kalendar dashnie, mbeta shtatzënë. Nëntë muajve të gjata mundimesh, gëzimesh, planifikimesh, iu erdh fundi dy ditë para Krishtlindjes, kur u bëra nënë për herë të parë. Lindja ishte krejtësisht e natyrshme, matreshenca ndërkaq, me zuri krejt të papërgatitur. Melankolia pas lindjes, trauma fizike, barazpesha hormonale, ri-programimi i trurit, donin kohë. Shoqëria në anën tjetër pret nëna të lumtura, me flokë të krehura, e me foshnjën në krah, tek dalin nga materniteti. Edhe pushimi madje quhet “i lindjes”, a është më së paku pushim. Netë pagjumë, gjidhënie pa orar, presion për tu ushqyer mirë, një nënë e sapobërë shpesh është edhe e vetme në shtëpi. E pos ndërrimit të pelenave, atë e ngulfat edhe kriza identitare se megjithatë, ajo – grua, nuk ka pushuar së ekzistuari, në momentin që u bë nënë.
Ndërkohë, sapo kisha përfunduar semestrin e magjistraturës, si dhe ligjëratat, me studentët në universitetin ku punoja. Pra, isha nënë e një foshnjeje vajzë, studente e një programi goxha kërkues për magjistraturë, dhe ligjëruese në departamentin e shkencave politike, të gjitha njëherësh. Bashkëshorti im, ndërkaq punonte në një kompani private, dhe me tu kthyer nga puna, e merrte Borën dhe dilte për shëtitje për të më dhënë një 1 orë qetësi. Por unë prapë vuaja. Dyshoja në mos nuk jam e prerë për këtë punë. E konsideroja veten defekt, se duhej medoemos t’isha në gjendje ti bëja të gjitha, dhe pa u ndjerë në faj, as atëherë kur e lija Borën me Ardin për të ndjekur ligjëratat tri-orëshe të pasdites. E burrat, edhe kur bëhen baballarë, kurrën e kurrës nuk pyeten se me kë i lëjnë fëmijët kur shkojnë në ligjërata, apo kush kujdeset për fëmijët kur burrat dalin për një birrë në kafenenë e lagjes. Kaq vjet i kam dhe kurrë s’kam dëgjuar dikë ta pyes një burrë: “Çka ke me me bo për drekë sot?” Se shoqëria, pret që burrat vetëm të sjellin bukën në shtëpi; e gratë, ta bëjnë bukën edhe atëherë kur e sjellin në shtëpi. Dhe sikur të mos mjaftonin krejt këto, gratë statistikisht, jo vetëm që kujdesen për shtëpinë më shumë se burrat, por janë ato që pritet të marrin përsipër edhe kujdesin jashtë shtëpisë. Në “gjeneratën e sanduiçit”, (Miller dhe Brody, 1981), pra atë të moshës së mesme kur njerëzit zihen në mes përgjegjësisë së rritjes së fëmijëve në një anë, dhe kujdesit për prindërit e moshuar në anën tjetër, gratë sërish kryesojnë me mbi 60% si bartëse kryesore të kujdesit. E sipas UN Women, në nivel global, gratë kryejnë tri herë më shumë punë të kujdesit dhe të shtëpisë sesa burrat, pavarësisht a kanë edhe një punë me pagë ose jo. Nejse, nuk na duhet studimi për të na hapur sytë, se ne veç jemi ky “tri herë më shumë”. Në mos edhe më shumë.
Pra çmimi që gratë paguajnë për t’i pasur të gjitha është shumë i lartë. Madje edhe atëherë kur shoqëria i rahaton me profesione që njihen përgjithësisht si “profesione të jakave rozë”: infermiere, mësuese, edukatore, që me mujt me i eksploatu masnej edhe në shtëpi, por pa pagesë, në “ndërrimin e dytë”. Arlie Russell Hochschild, (1989), na e sqaron tutje këtë “revolucion të ngecur”, ku derisa gratë janë përfshirë në masë të madhe në fuqinë punëtore, burrat nuk janë përfshirë as përafërsisht njëjtë në punët e shtëpisë. Shto këtu edhe kapitalizmin, që përkundër rritjes ekonomike, ka shtuar orët e punës, ka zhdukur pothuajse darkat e familjes, e gratë i ka detyruar të funksionojnë si makina. E sot, ironikisht, derisa teknologjia me krejt veglat e inteligjencës artificiale pretendon punë të shkurtuar dhe më efektive, pse po vazhdojmë me oraret e njëjta në punë? Për çka po na lirohen duartë dhe koha realisht? Atëherë mos na zgjoni derisa inteligjenca artificiale të sigurojë ndihmë në punët e shtëpisë dhe kujdesit. Se ëndrrat janë luks për një grua në mes-moshë, në mes të një tornadoje hormonale, padukshmërisë gjithnjë e më të madhe në vendin e punës, fëmijëve tinejxherë e adultë të rinj, prindërve me telashe të moshës dhe pyetjes së përhershme: Çka ka për drekë?
“Ti mund t’i kesh të gjitha” na kanë thënë, por kanë harruar të shtojnë, se ka me na kushtu shtrenjtë dhe barra ka me qenë thyese. Kalau thotë se kjo mund të jetë “një nga ‘gënjeshtrat’ më të mëdha që feminizmi u ka shitur grave. Jo pse ambicia është gabim, por sepse matematika prapa kësaj nuk është e sinqertë”.
Mami im e përfundoi fakultetin tek pasi u bë gjyshe. Për ta realizuar andrrën, asaj i ishte dashur një herë të rriste fëmijët, të kujdesej për shtëpinë, dhe të punonte si mësuese, me orar “të përshtatshëm”. Si fëmijë, mbaj në mend që ajo gjithmonë e fundit binte për të fjetur, pasi i lante enët, e nxjerrte mishin nga frizi, dhe i lyente thonjtë me ngjyrë të kuqe. Flente pak, mbase pamjaftueshëm për të ëndërruar. Si shumica e grave dikur. Sot, pavarësisht trendit inkurajues që gratë e reja më shumë po e dëgjojnë veten se shoqërinë, sërish ngritet pyetja: cila është alternativa? Se di për besë. Ka përparim në mendësi, kjo është e dukshme. E sheh te baballarët e të dielave në mëngjes me bebet në gjoks, te burrat me përparëse në kuzhinë, e të tjerët që i çojnë këmishat për hekurosje në pastrim kimik, (edhe ky është përparim). Por akoma nuk jemi as afër ku do të donim të ishim. Shtëpia nuk mund të mbahet veç në kurriz të grave. E mbase ka ardhur koha për një grevë masive dhe bojkot të gjithmbarshëm, si Dita e Pushimit në Islandë. Atëherë kur në vitin 1975, kur 90% e grave nuk shkuan në punë, hoqën dorë nga punët e shtëpisë e kujdesit ndaj fëmijëve, dhe vërshuan rrugët krahë për krah. Burrat ndërkaq akoma e vajtojnë të “Premten e Gjatë”, ditën kur fabrikat ndalën prodhimin, çerdhet e shkollat u mbyllën, shitoret nuk punuan dhe burrat u detyruan t’i merrnin fëmijët në punë, e të hanin bukë e djathë për darkë. Dhe ishte kjo grevë dhe ky bojkot ajo që solli miratimin e ligjit të parë për barazi gjinore në Islandë dhe hapi rrugën për zgjedhjen e Vigdís Finnbogadóttir, presidentes së parë grua, në vitin 1980.
Tash, presidente s’mund të bëhemi të gjitha, edhe pse Kosova ka dhënë shembullin se një gjë e tillë nuk është e pamundur. Madje kur ta mendosh, ma para bëhesh Presidente se sa të shohësh ditën kur punët ndahen pak më barabartë. Por të nisim një herë me një Kabinet të Shpisë, ku secili e ka rolin dhe përgjegjësinë e vet: aty ku gratë mund të flejnë gjumë, të ëndërrojnë dhe të mos ju kushton shumë pastaj të nesërmen.
Se na mundemi me bë ndryshimin. Veç le t’i lanë edhe najkush tjetër enët në shpi, naj herë.