Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1
Readings

Stigma mbi menstruacionet është një formë e mizogjinisë

QIKA 26.5.2021

Pse po i kushtëzojmë gratë e reja që ta konsiderojnë të turpshëm një proces biologjik?

Kur më erdhën menstruacionet për herë të parë isha në banjën e një supermarketi. Si një 12 vjeçare në siklet shikoja poshtë të brendshmet e mia dhe isha e tmerruar dhe e hutuar. Megjithëse e dija që ishin menstruacione, nuk e dija si dhe pse. Dija vetëm që konsiderohej e neveritshme, ndihesha sikur kisha bërë diçka tmerrësisht të gabuar dhe e mbajta të fshehur derisa u detyrova nga nevoja t’i tregoja nënës time. Tash që e mendoj, e kuptoj se sa e tmerrshme ishte të ndiheshe kaq e turpëruar për një proces natyror. Menstruacionet nuk duhet të jenë një ngjarje traumatike dhe e turpshme. 

Shoqëria përmes konotacioneve negative mbi ciklin e grave dhe këndvështrimit të shpifur me gjithçka që lidhet me menstruacionet na bën të ndihemi në këtë mënyrë. Instagram-i censuroi artisten Rupi Kaur për postimin e një fotoje të saj në shtrat me një njollë të menstruacioneve. Sipas Kaur, fotografia u fshi dy herë, sepse nuk përputhej me standardet e komunitetit të faqes. Ironikisht, fotografia ishte pjesë e një projekti artistik që sfidonte stigmën shoqërore mbi menstruacionet. 

Qëndrimi regresiv i Instagram-it është shembull se si portat tona kulturore tregojnë pakënaqësi me çdo gjë që lidhet me menstruacionet. Një seri e fotografive e gjakut menstrual e botuar në Cosmopolitan u etiketua si “jo e përshtatshme për punë”, edhe pse asnjë nga imazhet nuk ishte grafike. Në një shkrim të botuar në The Guardian, shkrimtarja Rose George vuri në dukje absurditetin e kritikës ndaj sportisteve gra të cilat përmendin menstruacionet e tyre, edhe nëse ato shkaktojnë dhimbje dhe shqetësime që ndikojnë negativisht në performancën e tyre. 

Kaur dhe mbështetësit e saj vunë në dukje se Instagram-i lejon gratë të shpërndajnë fotografi shumë seksuale. Vendimi i kompanisë për të censuruar një imazh të gjakut menstrual përçoi mesazh se trupat e grave janë të pranueshëm nëse janë seksualisht të dëshirueshëm. Kjo hipokrizi pasqyrohet tek shumë burra që kam njohur, të cilët pa hezitim shikojnë filma të dhunshëm, apo luajnë video lojëra vrasëse, por që neveriten nga ideja e menstruacioneve. Në këtë mënyrë, tabutë mbi menstruacionet njëlloj si turpi mbi trupin janë formë thellësisht e rrënjosur e mizogjinisë. Ne nuk mund të zhdukim sjelljen e urrejtjes ndaj grave përderisa refuzojmë konceptin se kjo formë biologjike e gjakderdhjes është e turpshme. 

Pikërisht për shkak të stigmatizimeve të tilla, gratë e reja duke e përfshirë edhe veten time në moshë më të re, kushtëzohen të besojnë se nëse ke një njollë të menstruacioneve në publik është një ndër gjërat më të turpshme që mund tu ndodhë atyre. Historitë “poshtëruese” të menstruacioneve të botuara shpesh në revistat e adoleshentëve dhe grave janë praktikisht një zhanër më vete. Kjo është arsyeja pse kemi kaq shumë eufemizma dhe terma të pahijshëm për menstruacionet.

Gati çdo grua që njoh ka pasur një fatkeqësi menstruale, një aksident në shkollë apo në punë. Shumë prej nesh jemi gjendur në hapësira publike pa tampon dhe peceta sanitare. Disa prej nesh kanë pasur përvoja të këqija të tilla si heqja e kupës menstruale të mbushur dhe të përdorim produkte silikoni të ri-përdorshme për të mbledhur gjak menstrual. Këto aksidente janë të pakëndshme dhe të papërshtatshme, por pse mos t’i pranojmë njëlloj siç mund të na derdhet një filxhan kafe në pantallona?

Fatmirësisht kemi hasur diskutime, shumica e të cilave janë në qendër të vëmendjes së publikut. Larry Wilmore nga Comedy Central “The Nightly Show” organizoi një panel në të cilin ai dhe mysafirët e tij diskutuan mbi menstruacionet si kundërpërgjigje ndaj një shkrimi i cili argumentonte se Hillary Clinton është kandidate e përshtatshme për presidencën sepse është në post menopauzë, në këtë mënyrë është më e fortë dhe më energjike. Wilmore me të drejtë u tall me këtë nocion të ciklit menstrual të një gruaje si një hendikep dobësues. Një nga anëtarët e panelit, Nicole Wallace, ish-drejtore e komunikimit për George Bush, e cila tha “Po, unë kam punuar në Shtëpinë e Bardhë. Çdo 28 ditë kam gjakosur, por shteti vazhdoi punën.”

Për të respektuar gratë plotësisht ne duhet të heqim dorë nga të perceptuarit e menstruacioneve si diçka e neveritshme dhe ta konsiderojmë atë si një proces të natyrshëm. Jose Garcia, një djalë adoleshent bëri pikërisht këtë gjë: Ai u bë i famshëm në Instagram pasi postoi një fotografi të vetes së tij duke mbajtur në dorë peceta menstruale dhe duke inkurajuar djem të tjerë që të mbështesin vajzat dhe gratë, duke vepruar njëjtë si ai. “Frymëzimi im nuk erdhi vetëm nga një burim, por nga gjërat e përditshme që kanë ndodhur rreth meje, të tilla si një shoqe që ndihet në siklet për të kërkuar një triko që ta lidhë rreth belit për shkak se pantallonat e saj janë njollosur”, tha Garcia në një intervistë për The Daily Dot. Si një feminist, ai beson se inkurajimi i djemve dhe burrave për të mbajtur produkte femërore mund të ndihmojë në ndalimin e stigmës mbi menstruacionet. 

Kështu, përpjekjet e ndërgjegjësimit dhe edukimit të tilla si Dita e Higjienës Menstruale, e cila festohet nga organizatat në të gjithë botën, do të thyej heshtjen rreth nevojave të higjienës së grave. Avokimi i higjienës menstruale është kritike jo vetëm për shkak se gratë në SHBA dhe në vende të tjera janë turpëruar për menstruacionet e tyre, por gjithashtu sepse shumë prej tyre nuk kanë qasje në produktet e nevojshme për menaxhimin e tyre. Një peticion nga studentja universitare australiane Subeta Vimalarajah, për t’i dhënë fund taksave të qeverisë mbi tamponët dhe pecetat, në mënyrë që ngjashme tërheq vëmendjen sistematike nga produkte të tilla si më pak të domosdoshme krahasuar me kremin mbrojtës ndaj diellit apo fashat nikotike, të cilat konsiderohen si mallra të rëndësishëm shëndetësor me ç’rast janë të liruar nga taksa. 

Personalisht, unë kuptova plotësisht se çfarë ndodhë çdo muaj në mitrën time vetëm kur ndoqa një kurs mbi shëndetin riprodhues në një klinikë lokale të grave në kolegj. Unë nuk isha më e turpëruar apo në siklet. Ndihesha me fat të mësoja për gjërat e mahnitshme që trupi im bënte çdo muaj. Është koha që të tjerët, gratë dhe burrat, ta kuptojnë këtë gjë. 

Erika L. Sánchez

E përktheu: Greta Avdyli

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: http://america.aljazeera.com/opinions/2015/5/menstruation-stigma-is-a-form-of-misogyny.html