Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1
Readings

Rëndësia e mirëmbajtjes së higjienës menstruale

QIKA 27.5.2021

Të kujdesesh për veten gjatë menstruacioneve është po aq e rëndësishme sa të kujdesesh për aktivitetet e përditshme. Nëse anashkaloni menaxhimin e higjienës menstruale sado pak mund t’i shkaktoni trupit tuaj dëm të rëndë dhe gjithashtu ju mund të bëheni shkaktar për përhapjen e infeksionit tek të tjerët. 

Edhe në epokën e sotme, kur janë në dispozicion disa produkte të higjienës menstruale të tilla si pecetat sanitare, tamponët dhe kupat menstruale, 88% e grave indiane nuk përdorin produktet themelore të mbrojtjes menstruale të disponueshme në treg. Në vend të këtyre ato përdorin lecka të vjetra, gjethe apo ndonjë gjë tjetër mbi të cilën vendosin dorën për të mbledhur gjakun menstrual. Këto gra përballen me shqetësime dhe rreziqe shëndetësore duke mos pasur qasje në peceta sanitare për menstruacione. 

Të folurit lidhur me menstruacionet është tabu në shumicën e shoqërive dhe kjo kontribuon në injorancën dhe analfabetizmin në menaxhimin e higjienës menstruale. Përdorimi i rrobave të vjetra dhe metodave të tjera tradicionale të pasigurta për të menaxhuar menstruacionet pengon lëvizjen dhe aktivitetin e përditshëm të grave. Si rezultat i kësaj, ato mungojnë në punë, shkollë si dhe në angazhimet e tjera të përditshme. Çdo vit në Indi rreth 23 milion vajza braktisin shkollën. Është një situatë e turpshme e cila vjen si pasojë e mungesës së pecetave sanitare, vetëdijes menstruale dhe pajisjeve për të ndërruar peshqirët sanitarë. Kjo e bën të pamundur për gratë që të dalin pa pasur frikë se do të turpërohen nëse njollosin rrobat. 

Ruajtja e higjienës gjatë menstruacioneve dhe mënyra e shëndetshme për t’i menaxhuar ato

Menstruacionet janë një proces normal biologjik i cili është thelbësor në ruajtjen e shëndetit riprodhues të një gruaje. Kur veza e lëshuar nga vezorja nuk fekondohet, veza së bashku me mitrën e cila ka qenë e gatshme për marrjen e implantimit të një veze të fekonduar shuhet dhe derdhet nga trupi. Këto mbetje përmbajnë gjak dhe inde të mukozës të cilat quhen gjak menstrual. 

Përderisa shtatzënia është ngjarje për të cilën festohet, menstruacionet konsiderohen fazë e errët e cila supozohet të mbahet e fshehur. Normat regresive socio-kulturore që kanë të bëjnë me menstruacionet janë përgjegjëse për përdorimin e produkteve jo-higjienike për të menaxhuar menstruacionet në vend të pecetave sanitare të cilat janë më të sigurta. Gratë janë të ndaluara të lahen ose pastrohen siç duhet gjatë këtyre ditëve, gjë që rrit kërcënimin që i kanoset shëndetit të tyre për shkak të mungesës së higjienës menstruale. Për më tepër, ato hezitojnë të shkojnë në shkollë ose në punë pasi që edhe në ato vende ka mungesë të ujit të pastër, sapunit dhe banjës. 

Pastërtia e zonës gjenitale dhe qasja në produkte të sigurta të higjienës menstruale mund të zvogëlojnë incidentet e infeksionit deri në 97%. Përdorimi i duhur i pecetave sanitare për menstruacionet është e rëndësishme për të zvogëluar rreziqet që lidhen me menstruacionet. Ndërrimi i pecetave sanitare çdo 4 orë dhe larja e duarve sa herë që ndërroni pecetën sanitare, janë hapa të vegjël por të rëndësishëm drejt sigurimit të higjienës më të mirë gjatë menstruacioneve. Pa shqetësim dhe dhimbje të shoqëruara me infeksione, gratë mund të kenë menstruacione pa stres duke vazhduar aktivitetet e tyre të përditshme. 

Statusi ekonomik, besimet socio-kulturore dhe mungesa e vetëdijes së mjaftueshme menstruale janë kontribuues në parandalimin e grave që të përdorin peceta sanitare për menstruacione. 

Gratë detyrohen të përdorin mjete të pasigurta për mbledhjen e mbetjeve menstruale, të cilat janë kryesisht të ndotura. Rrobat e përdorura si peceta sanitare shpesh lahen pa detergjente dhe thahen në ambiente të mbyllura si pasojë e turpit dhe frikës nga besëtytnitë që lidhen me menstruacionet. 

Kjo nuk do të thotë se gratë që përdorin peceta sanitare të disponueshme në treg janë të sigurta nga rreziqet e higjienës së dobët menstruale. Përdorimi i pasigurt i pecetave sanitare mund të rezultojë në forma serioze të infeksioneve si Sindromi e Shokut Toksik (SST) dhe Vaginiti.

Disa arsye pse higjiena menstruale është e rëndësishme gjatë menstruacioneve:

Rreziku i zvogëluar i infeksioneve të traktit urinar:

Përdorimi i rrobave menstruale të lagura apo të pista, ose përdorimi i një pecete sanitare për më shumë se 4 orë përbën rrezik për rritjen dhe shumëzimin e baktereve. Mikrobet si candida albicans, staphylococcus aureus, e. coli dhe pseudomonas aeruginosa rriten lehtësisht në mjedisin e lagësht që shkaktohet nga përdorimi i zgjatur i absorbuesëve jo-higjienik ose i pecetave sanitare. 

Këto baktere mund të pushtojnë traktin urinar duke përfshirë uretrën dhe fshikëzën e urinës, që rezulton me urinim të dhimbshëm, dhimbje në fund të barkut, dhimbje shpine dhe ethe. Këto ndërlikime mund të shmangen lehtësisht duke përdorur peshqirë sanitarë të thatë dhe të pastër ose peceta higjienike për menstruacionet. Pastrimi i organeve të jashtme gjenitale me ujë të pastër dhe sapun të butë së bashku me ndërrim të shpeshtë të pecetave sanitare mund të parandalojë 97% të infeksioneve të tilla. 

Incidente të reduktuara të skuqjeve në organet gjenitale:

Abrazioni, alergjia dhe lagështia e zgjatur mund të dëmtojë organet gjenitale të jashtme dhe të shkaktojë skuqje gjatë menstruacioneve. Nëse pecetat sanitare nuk ndërrohen shpesh, lëkura vagjinale mund të infektohet me baktere duke rezultuar në skuqje të dhimbshme. 

Pecetat sanitare të disponueshme në treg përbëhen nga plastika dhe SAP e cila rrjedh nga nafta e përpunuar. Këto produkte kanë potencial të madh për të shkaktuar dëm në shëndetin tuaj dhe kështu ato duhet të ndërrohen sa më shpesh të jetë e mundur për të parandaluar alergjitë dhe skuqjet. 

Peceta sanitare të biodegradueshme me të gjithë përbërjen natyrore janë efektive në adresimin e problemeve si skuqjet dhe alergjitë. Ato nuk e ndryshojnë mikromjedisin e vagjinës duke ruajtur pH.

Sigurimi i shëndetit të mirë riprodhues:

Absorbuesit jo-higjenik ose higjiena jo-adekuate gjatë menstruacioneve mund të rezultojë në infeksionin e traktit riprodhues (ITR). Ky infeksion mund të rezultojë në sëmundje të shëndetit riprodhues pasi që bakteret përgjegjëse për këto infeksione mund të pushtojnë shtresën mukozale të traktit riprodhues dhe të shkaktojnë dëme serioze në murin e mitrës, vezoret dhe në tubat fallopiane. Vaginiti dhe shkarkimi jo-normal i vagjinës janë simptoma paraprake të rënda të ITR.

Shumica e grave që përdorin metoda jo-higjienike për të mbledhur gjakun menstrual në Indi kanë shanse më të mëdha të vuajnë nga ITR dhe shkarkimet vagjinale. Ndërgjegjësimi dhe qasja në peceta sanitare të përballueshme për menstruacionet mund të parandalojnë ndërlikimet riprodhuese që shkakton ITR.

Zvogëlimi i rrezikut të kancerit të qafës së mitrës:

Kanceri i qafës së mitrës është kanceri i hapjes së mitrës i cili shkaktohet nga virusi human papilloma. Ky virus transmetohet seksualisht dhe trajtimi jo-higjenik i mbetjeve menstruale mund të përhapë infeksionin lehtësisht. 

Përdorimi i përbashkët i pecetave thithëse të ripërdorshme, mos larja e duarve pas ndërrimit të pecetës sanitare dhe mungesa e higjienës sanitare janë disa nga shkaqet që mund të rrisin rrezikun e shfaqjes së kancerit të qafës së mitrës. 

Bhaswati Sarma

E përktheu: Greta Avdyli

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://www.heydaycare.com/importance-of-maintaining-good-hygiene-during-periods/#:~:text=Here%20are%20five%20important%20reasons,maintain%20good%20hygiene%20during%20periods%3A&text=Reduced%20Risk%20of%20Urinary%20Tract,of%20harmful%20bacteria%20and%20yeasts