Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1
Readings

Ku qëndron lidhja mes pushimit prindëror dhe gjinisë?

QIKA 7.11.2022

Disa nga pabarazitë më të vazhdueshme gjinore lidhen me barrën e punës së papaguar të kujdesit për gratë, e cila shpesh përkthehet në pasiguri në punë dhe më pak mundësi për avancim personal dhe profesional. Leja prindërore mund të jetë një masë kritike për avancimin e barazisë gjinore dhe fuqizimin e grave në punë dhe në shtëpi.

Pushimi prindëror dhe i paguar u mundëson grave të mirëmbajnë një shkallë më të madhe të pavarësisë financiare me të ardhura të vazhdueshme për të mbështetur veten dhe familjet e tyre. Gjithashtu rrit gjasat që ato të mbeten në tregun e punës.

Shëndeti i grave

Pushimi i lehonisë dhe pushimi prindëror mbrojnë shëndetin e grave duke lejuar rikuperimin fizik dhe mendor nga ndryshimet fiziologjike që lidhen me lindjen e fëmijës. Periudha pas lindjes mund të karakterizohet nga sfida mjekësore për gratë si dhimbja, depresioni, infeksionet dhe stresi. Gratë që lindin me prerje cezariane u duhen periudha më të gjata rikuperimi dhe mund të kenë nevoja shëndetësore unike afatshkurtra dhe afatgjata.

Diskriminimi amësor

Shembuj të diskriminimit të lidhur me maternitetin ndaj grave shtatzëna:

Ju kërkohet të bëjnë një test shtatzënie përpara se të punësohen

Nuk konsiderojnë gratë me foshnja ose fëmijë të vegjël për ngritje në detyrë ose mundësi zhvillimi profesional.

Përballja me presionin për të dhënë dorëheqjen (e cila vie si rezultat nëse punëdhënësit janë përgjegjës për disa ose të gjitha pagat e pushimit të lehonisë).

Mungesa e infrastrukturës apo politikave për ushqyerjen me gji ndërpritet pas kthimit në punë.

Standardet e dyfishta

Në rastin e çifteve heteroseksuale me fëmijë, gruaja priret të shihet si prindi i paracaktuar dhe përgjegjës. Sakrificat personale dhe profesionale të grave merren si të mirëqena dhe bëhen të rrënjosura si një identitet i pritshëm shoqëror. Për shembull, gratë shpesh mendohen si nëna (së pari) që punojnë me pagesë (së dyti) – ose nëna që punojnë. Megjithatë, burrat që punojnë dhe janë baballarë rrallë mendohen si baballarë punëtorë. Presioni i shtuar që shpesh bie mbi gratë me këto role të dyfishta përmblidhet me thënien: “Ne presim që gratë të punojnë sikur të mos kenë fëmijë dhe t’i rrisin fëmijët sikur të mos punojnë“.

Ngarkesat e dyfishta

Pritjet sociale rreth përgjegjësive prindërore të grave dhe burrave përforcohen në politikat dhe ligjet nga të cilat ato rrjedhin. Për shembull, politikat e punësimit shpesh formuloheshin me një supozim të nënkuptuar se punëtorët burra do të kishin partnere të cilat marrin shumicën e përgjegjësive të përditshme të rritjes së fëmijëve dhe të shtëpisë. Përveç kësaj, ata shpesh supozojnë se njësia familjare përbëhet nga një burrë dhe një grua (të cilët janë të martuar) dhe fëmijët e tyre. Mirëpo, ky konstatim nuk pasqyron përbërjen e shumë familjeve në rajon dhe as në botë.

Çka për baballarët?

Mungesa e lejes së mjaftueshme prindërore përforcon normat gjinore dhe standardet e dyfishta që kanë ndikime të ndryshme tek gratë dhe burrat në marrëdhëniet heteroseksuale. Për shkak të pabarazive sistematike gjinore në shoqëritë tona, gratë si grup përballen me disavantazhe më të mëdha se burrat. Megjithatë, edhe burrat kanë një rol të rëndësishëm për të parë ndryshime pozitive. Shumë nga pasojat e politikave të pamjaftueshme të lejes prindërore vlejnë për baballarët e rinj po aq sa për nënat.

Stereotipet gjinore gjithashtu mund t’i ndrydh ndjenjat e burrave që ndihen të kufizuar në rolin tradicional, por që sinqerisht dëshirojnë të kalojnë kohë me fëmijët e tyre. Stigmat rreth atësisë aktive reflektohen në lejen e atësisë, prindërore dhe politikat përkatëse.

Barazia gjinore në familje

Pushimi prindëror mund të ndihmoj në nxitjen e bashkëprindërimit dhe zbërthimin e normave të dëmshme gjinore në nivel familjar, duke promovuar rritjen e fëmijëve dhe përgjegjësitë e përbashkëta shtëpiake. Hulumtimet tregojnë një lidhje midis baballarëve që marrin leje dhe përfshirjes së tyre afatgjatë në përgjegjësitë familjare – veçanërisht kur leja merret për dy ose më shumë javë menjëherë pas lindjes së fëmijës së tyre. Leja me pagesë mund të jetë kështu një mjet i vlefshëm për të avancuar barazinë gjinore në shtëpi, në vendet e punës dhe në shoqëri më gjerësisht.

Ky tekst është përkthyer nga QIKA në kuadër të projektit “Dialog social për drejtësi shoqërore”, që implementohet nga Demokraci për Zhvillim (D4D).

E përktheu: Medinë Dauti

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://www.parlamericas.org/uploads/documents/Parental_Leave_ENG_02_Gender.pdf?fbclid=IwAR1DdPvxYwhscnwOXNriweKyPlFtYHKEVBBek5z7zIjBFnI0F20haMI4XzE