Gratë përballen me hendek pagash në çdo moment të karrierës së tyre. Ky hendek përkeqësohet me kalimin e moshës dhe përparimin e karrierës së tyre.
Qendra Kombëtare e Ligjit për Gratë raporton se sipas të dhënave nga institucionet federale, në vitin 2021 gratë që punonin me orar të plotë në SHBA paguheshin 84 cent për çdo dollar të paguar për burrat.
Hendeku është edhe më i madh kur përfshijmë gratë që punojnë me orar të pjesshëm: Qendra Kërkimore Pew vlerëson se në vitin 2022të gjitha gratë, pavarësisht nga orari i punës, fituan mesatarisht 82% të asaj që fituan burrat.
Ky dallim në të ardhura është më i dukshëm pasi gratë mbushin të 30-at, që është gjithashtu koha kur hendeku fillon të zgjerohet.
Një analizë e re nga Pew ka zbuluar se gjërat fillojnë të ndryshojnë kur gratë janë mes moshës 35 dhe 44 vjeç. Në vitin 2022, gratë mes moshës 25 dhe 34 vjeç fituan rreth 92% të asaj që fituan burrat në grupmoshën e tyre, ndërsa për gratë e moshës 35 deri në 44 vjeç kjo përqindje zbriti në 83%.
Ky hendek vazhdon edhe pse gratë janë më të avancuara sa i përket shkallës e diplomimit dhe regjistrimit në universitete – në fakt, Rakesh Kochhar, studiues në Pew, zbuloi se diploma e universitetit nuk luan rol në zvogëlimin e hendekut të pagave mes burrave dhe grave.
Hendeku vazhdon të zgjerohet edhe kur gratë janë afër pensionimit. Gratë midis moshës 55 dhe 64 vjeç fitojnë vetëm 79% të asaj që fitojnë burrat e grupmoshës së tyre – “një prirje shqetësuese që nuk ka ndryshuar në të paktën katër dekada”, shkruan Kochhar.
Më shumë se “dënim i amësisë”
Fakti që hendeku i pagave përkeqësohet në të njëjtën kohë që gratë kanë më shumë gjasa të bëhen prindër dhe të kenë fëmijë në shtëpi nuk është rastësi. Vitin e kaluar, 66% e grave që punojnë (35 deri në 44 vjeç) kishin të paktën një fëmijë në shtëpi, krahasuar me vetëm 39% të grave të moshës 45 deri në 54 vjeç.
Por shpjegimi përse progresi drejt ngushtimit të diferencës së pagave ngec pasi gratë hyjnë në mesin e të 30-tave të tyre shtrihet përtej të ashtuquajturit “dënim i amësisë”.
“Edhe pse është e vërtetë që nënat e fëmijëve të vegjël largohen nga fuqia punëtore ose ulin orët e tyre me ritme më të larta se baballarët, efekti që kjo ka në të ardhurat e grave është zakonisht modest ose afatshkurtër”, shkruan Kochhar.
“Në anën tjetër, kur kanë fëmijë, burrat priren të punojnë me orar më të gjatë dhe të marrin bonuse: Ky ‘bonus i atësisë’ ka një ndikim më të menjëhershëm dhe domethënës në hendekun e pagave, pasi i lejon ata të kalojnë në role më konkurruese dhe më të paguara, në të njëjtën kohë që karriera e grave shpesh ndërpritet”, thotë Lauren Pasquarella Daley, drejtuesja e grave Catalyst.
Hulumtimi i Kochhar ripohon këtë fenomen: “Midis grave me nivele të ngjashme arsimore, ka pak hendek në të ardhurat e atyre që kanë apo nuk kanë fëmijë. Megjithatë, baballarët fitojnë më shumë se punëtorët e tjerë, duke përfshirë këtu burrat të cilët nuk kanë fëmijë, pavarësisht nga niveli arsimor”, shpjegon ai.
Ekspertët theksojnë se ka faktorë të tjerë jashtë prindërimit që bëjnë që hendeku i pagave të zgjerohet për gratë në të 30-at, duke përfshirë rritjen e përgjegjësive të kujdesit dhe punën e papaguar që më shumë gra marrin përsipër në moshë madhore. Kjo gjë shkurton orët e tyre të punës.
“Shpesh është gruaja ajo që largohet nga puna për të qenë kujdestare ose për të menaxhuar familjen, gjë që mund të përkeqësojë lodhjen e tepërt dhe të ul të ardhurat e saj”, thotë Jessica Ramey Stender, drejtoresha e politikave dhe zëvendësdrejtoresha ligjore në Equal Rights Advocates, një organizatë jofitimprurëse ligjore dhe avokuese.
“Gratë gjithashtu promovohen më pak se burrat, që do të thotë se ato po humbasin mundësitë për të rritur pagat e tyre. Përjetimi i diskriminimit të pagave në karrierën e hershme ka një efekt të ndërlikuar që mund të dëmtojë potencialin e të ardhurave të grave për vitet në vijim”, shpjegon Daley.
Hulumtimi nga Payscale na tregon se sponsorizimi mund të ndihmojë në mbylljen e hendekut të pagave, veçanërisht për gratë me ngjyrë, por burrat e bardhë priren të marrin dhe të përfitojnë më shumë nga mundësitë e sponsorizimit.
“Gratë e reja kanë nevojë për njerëz që mund t’i mbrojnë ato dhe t’i rekomandojnë ato për promovime. Kjo mund të bëjë ndryshim drastik në zhvillimin e karrierës së tyre dhe nga ana tjetër në të ardhurat e tyre”, shton Daley.
Hendeku i pagave nuk i dëmton vetëm pagat e grave
Sipas llogaritjeve të NWLC, humbja prej 16 centësh në dollar mblidhet për gratë dhe familjet e tyre ndër vite, duke u përkthyer në gati 10,000 dollarë më pak në vit në fitime mesatare.
Meqenëse më shumë familje me një prind kryesohen nga gra, pabarazia e vazhdueshme e të ardhurave për nënat që punojnë përkthehet në norma më të larta të varfërisë në të gjithë SHBA-në.
Të ardhurat më të ulëta gjatë gjithë jetës e bëjnë gjithashtu më të vështirë për gratë të kursejnë për pension. Duke supozuar se një grua dhe kolegu i saj burrë fillojnë të punojnë me kohë të plotë në moshën 20 vjeç, hendeku i pagave i tanishëm do të thotë që një grua do duhej të punonte deri në moshën 68 vjeç për të fituar atë që një burrë fiton deri në moshën 60 vjeç.
Për më tepër, hendeku gjinor i pagave ndikon në shëndetin mendor të grave: një studim i vitit 2016 nga Universiteti i Kolumbisë zbuloi se kur gratë fitojnë më pak se homologët e tyre burra, ato kanë 2.4 herë më shumë gjasa të përjetojnë depresion dhe katër herë më shumë të gjasa të kenë ankth.
“Nuk është çështja vetëm te paga, është edhe tek perceptimi i efektit të saj” shpjegon Tetyana Shippee, një gerontologe sociale në Universitetin e Minesotës. “Është ndjenja e të diturit se për shkak të forcave jashtë kontrollit tuaj, po fitoni më pak se sa meritoni në krahasim me bashkëmoshatarët tuaj, pavarësisht se sa shumë punoni”, shton ajo.
Artikulli origjinal: https://www.cnbc.com/2023/03/14/the-wage-gap-gets-worse-when-women-hit-their-30s-heres-why.html?fbclid=IwAR0hmoIPsY9HTDZJtderL61XTYcXTnjhgsI-zIBT0TTxGgJOxWvxk06Hgeo
Ky artikull është përkthyer me përkrahjen financiare të Bashkimit Evropian në kudër të projektit “Mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të punës të grupeve të cenuara në tregun e punës”. Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi e QIKA dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian, ATRC dhe BIRN Kosova.