Nëse lindni një fëmijë në Shtetet e Bashkuara, gjasat janë të mëdha që gjatë procesit do të mësoni diçka për depresionin pas lindjes – nga mjeku apo mamia juaj, ndoshta edhe nga një personazh i famshëm apo rrjetet sociale.
Por për shumë gra, depresioni i paslindjes është tejet izolues– një përzierje e ndjenjave të trishtimit, dëshpërimit dhe lodhjes që rrjedhin jo vetëm nga trazirat hormonale të shtatzënisë dhe periudha pas lindjes, por nga shumë faktorë të tjerë si mungesa e pushimit me pagesë, shërbimet e pamjaftueshme të kujdesit për fëmijët dhe përgjegjësinë marramendëse për t’u kujdesur për një foshnje të pafuqishme.
Kjo gjendje e cila mund të përjetohet gjatë vitit të parë pas lindjes, dallon nga “baby blues” (ndjenja mërzie që mund të përjetohen në ditët e para pas lindjes së një fëmije) që zgjasin relativisht pak. Ajo tani njihet si një nga ndërlikimet më të zakonshme të lindjes dhe prek një në tetë nëna të reja. Problemet e shëndetit mendor janë shkaku kryesor i vdekjeve të lidhura me shtatzëninë në Shtetet e Bashkuara, kryesisht përmes vetëvrasjes dhe mbidozës së drogës.
Për depresionin pas lindjes tani ka më shumë opsione trajtimi se kurrë më parë, duke përfshirë ilaçet e para të krijuara posaçërisht për ta trajtuar atë. Por faktorë si stigma dhe ekzaminimi joadekuat i pengojnë shumë nëna në marrjen e ndihmës. Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve vlerësojnë se rreth 20% e grave nuk janë pyetur për depresionin gjatë kontrolleve para lindjes dhe se më shumë se gjysma e grave me depresion pas lindjes vazhdojnë të mos marrin trajtim.
Në pranverën e këtij viti, The New York Times kaloi kohë me katër nëna, të cilat gjatë një periudhe të jetës së tyre përjetuan depresionin pas lindjes. Ato ofruan një vështrim të qartë dhe intim të përvojave të tyre, përmes fjalëve të tyre.
Bisedat e mëposhtme janë redaktuar dhe përmbledhur për hir të qartësisë.
Tregimi i Allie-t
Pritej që të lindja djalin tim në fund të shtatorit, por në fund të gushtit, unë fillova të ndjeja kontraktime. Fillimisht tentova të mohoja mundësinë që ai do të lindte kaq herët. Procesi i lindjes nuk ishte aspak përvojë e mirë. Ma vunë djalin në gjoks dhe kisha kohë t’i prekja kurrizin dhe t’i thoja vetes: “Ky është fëmija im.” Pastaj e morën. Isha aq larg tij saqë vazhdova të pyesja: “Ku është ai? Çfarë po ndodh?” I gjithë trupi më ishte mbushur me panik. Por pas pak e kthyen djalin te unë.
Në ditën tonë të dytë në spital, fillova të përjetoj “baby blues”. Nëse e shikoja foshnjën time për një kohë të gjatë, filloja të qaja. Nëse më duhej t’ia jepja foshnjën burrit tim që të mund të shkoja në banjë, filloja të qaja. Sapo shkuam në shtëpi, e vendosa shtratin e foshnjës afër shtratit tonë, por edhe atëherë, rrija zgjuar dhe thjesht e shikoja. Nata ishte koha më e vështirë. Sapo perëndonte dielli, ndjeja një mërzi të thellë: Sa do mund të flemë sonte? Po sikur të flemë dhe foshnjës i ndodhë diçka? Ne përdornim video-monitorin kur foshnja flinte, por edhe atëherë, shtrihesha duke e dëgjuar atë teksa merrte frymë. Thjesht nuk mund t’ia hiqja sytë.
Fillova të punoja me një terapist përpara se të mbetesha shtatzënë dhe e dija se isha në rrezik më të lartë për çrregullime të shëndetit mendor pas lindjes, sepse kisha një histori ankthi dhe depresioni. Tre javë pas lindjes, u detyrova të ndërroj barnat. Më ndihmuan, por gjithmonë gjeja diçka për të cilën frikësohesha. A po pi foshnja mjaft qumësht? Po sikur t’i ndodhë diçka derisa jemi jashtë?
Në kontrollin njëmujor me pediatrin, unë plotësova një nga ata pyetësorët që pyesin për problemet e shëndetit mendor pas lindjes dhe e dija që përgjigjet e mia do të ishin një sinjalizues aspak i mirë. Përgjigje që do i alarmonin mjekët. Por ata nuk thanë kurrë asgjë.
Dy muaj më parë, gjeta një terapiste të re që punon specifikisht me nënat pas lindjes. E takoj dy herë në muaj dhe zyra e saj është e përshtatshme për fëmijë, kështu që mund ta sjell edhe djalin. Ajo nuk ka qenë një kurë për gjithçka, por më ka dhënë disa mjete për të më ndihmuar të menaxhoj ankthin tim. Një prej mjeteve është një listë pyetjesh që mund t’i bëj vetes për të vlerësuar problemin: A është ky mendim i bazuar në logjikë? Apo i bazuar në emocione? Sa ka gjasa që problemi të ndodhë realisht?
Më ka ndihmuar shumë të di se edhe nënat e tjera përjetojnë mendime intruzive – edhe ato shqetësohen se do t’i bie fëmija nga duart kur ecin shkallëve ose se diçka do i ndodhë fëmijës derisa ato janë duke vozitur. Por terapistja më ka ndihmuar të kuptoj që edhe pse disa ndjenja janë të zakonshme, prapë se prapë ato nuk janë “normale”.
Tregimi i Carrie-t
Ne provuam për rreth pesë vjet derisa mbeta shtatzënë me Lily. Kam pasur aborte të shumta dhe më shumë shtatzëni kimike sesa mund t’i numëroj. Unë mendoj se infertiliteti dytësor më shkaktoi një lloj traume. Unë hyra në këtë shtatzëni duke u ndjerë tejet mirënjohëse dhe me qëllimin që të shijoj çdo sekondë të procesit. Në muajin e parë pasi linda Lily-n isha euforike. Por më pas, edhe pse e urrej ta them, mu duk sikur magjia e saj thjesht u shua. Gjithçka filloi të më shkaktonte ndjenja të rënda.
Në muajin e katërt të shtatzënisë, fillova të vizitoja një terapiste të specializuar në aborte dhe infertilitet. Ishin seanca online, përmes platformës BetterHelp. Sigurimi ynë shëndetësor nuk paguante për këto seanca, por unë kisha një kupon që më mundësonte zbritje për shtatë seanca. Tani që e mendoj, do duhej të kisha vazhduar seancat, por mbaj mend që e pyeta burrin tim: “A mund të përballojmë një shpenzim prej 350 dollarëve në muaj?” Për ne, kjo ishte pagesë ekuivalente me blerjen e një veture të re.
Unë jam pronare e një biznesi ku prodhoj mbulesa për fëmijë dhe nuk mora asnjë ditë pushim edhe gjatë kohës së shtatzënisë. Mora tre javë pushim pasi linda vajzën – nëse do merrja më shumë pushim, unë dhe burri im nuk do mund të paguanim qiranë e banesës. Mendoja që do ta merrja Lily-n në punë me mua, por nuk e kisha menduar faktin që sapo të mbaroj punën, do shkoja në shtëpi, ku do gjeja edhe dy fëmijët e parë të cilët ishin shumë energjikë dhe që poashtu kishin nevojë për mua.
Për momentin ndjehem e rraskapitur, sikur nuk jam e denjë. Në punë, ndihem sikur po bëj minimumin. Është sikur pasioni im për të bërë atë që dua ka humbur krejtësisht. Në shtëpi, ndihem si zombie. Vajzës sime 7-vjeçare i pëlqen të bëjë projekte artizanale me mua. Gjatë shtatzënisë, koha e shpenzuar duke bërë këto projekte me të më pëlqente shumë. Por tani, gjatë depresionit pas lindjes, e shoh më shumë si një punë obligative e rutinore. Fakti që ndihem sikur nuk mund të jem plotësisht aty për familjen time apo për punën që dua, shton një nivel tjetër depresioni mbi çrregullimet hormonale.
Disa javë më parë, hyra në disa mendime tejet të rënda: “Unë kam këtë fëmijë këtu që po më pamundëson punën, por nëse do mund të punoja, do të fitoja më shumë para”. Ishin ndjenja zhgënjimi e zemërimi. E thirra burrin tim dhe i thashë: “Kam nevojë që të kthehesh nga puna në këto momente”. Ai erdhi ndërsa unë bërtisja e qaja. Ai e mori vajzën në mënyrë që unë të pushoj. Fjeta për gati pesë orë dhe më pas telefonova nënën time e cila më tha se unë duhej të flisja me ndonjë profesionist.
U takova me gjinekologen time e cila më sugjeroi të përdor barnat Zoloft dhe më vuri në kontakt me një punonjëse sociale e cila tha se do të më drejtonte te një terapiste, por kjo procedurë do merrte katër deri në gjashtë javë. U trondita por gjithashtu u ndjeva sikur nuk e meritoj vërtet këtë ndihmë. Nëse do të duhen gjashtë javë deri në fillim të terapisë, atëherë është e qartë se ka njerëz që kanë nevojë për të më shumë se unë.
Mua depresioni më shkakton si një lloj peshe fizike – sikur do të mund ta hiqja atë nga vetja me duar. Sikur do mundesha të fus duart në gjoks dhe ta nxirrja atë jashtë.
Tregimi i Janelle
Kam ndjerë disa ndjenja depresioni kur u bëra nënë për herën e parë. Mora trajtimin e nevojshëm, por mu duk sikur ndjenjat ishin ende të pranishme dhe gjatë shtatzënisë së dytë u kthyen plotësisht. Nuk isha e vetëdijshme se po i ndjeja përsëri deri gjashtë javë pas lindjes. Partneri im në fakt e vuri re përpara meje dhe më tha: “Janelle, mendoj se po ndodh përsëri”.
Pikërisht atëherë fillova të kuptoja se së shpejti do të më duhej të kthehesha në punë. Unë jam një infermiere dhe gjithmonë e kam lidhur këtë me identitetin tim, por fillova të ndihem sikur nuk doja të jem më infermiere, sikur doja të hidhja licencën në kosh të plehrave.
Nuk mund të përqendrohesha në gjëra. Isha e mbistimuluar dhe isha shumë nervoze – me partnerin dhe familjen time. U ndjeva sikur gjithçka ishte e tepërt. Thjesht ndihesha e dërrmuar. Ulesha në divan dhe vetëm shikoja filma. Përpiqesha të ngrihesha në këmbë dhe të bëja diçka, por më dukej sikur kisha ngecur.
Fillova të takoj një terapiste që punon me klinikën time të gjinekologjisë. Nuk ishte terapiste e përshtatshme për mua, por ajo më tregoi për një vend të quajtur “Qendra e Nënës” që ofron një nivel më intensiv të kujdesit. Aty mund të qëndroni gjatë gjithë ditës, nga ora 10:00 deri në 15:00. E dija që kisha nevojë për ndihmë, por gjithashtu ndihesha sikur po e ekzagjeroj dhe kështu vura në dyshim nevojën për ndihmë. Ishte e vështirë të pajtohesha me faktin se kam nevojë për ndihmë për shëndetin mendor. Gjithsesi iu bashkova programit nga dhjetori deri në shkurt.
Disa muaj pasi linda foshnjën, ndjehesha sikur nuk përkisja. Ishin ndjenja të ankthit, sikur diçka e keqe do të ndodhte shumë shpejt. Nuk fola kurrë për këto ndjenja asokohe, sepse ndihesha e turpëruar. A thuhen këto gjëra me zë të lartë? Një frikë tjetër që kisha është se do m’i merrnin fëmijët nëse i pranoj këto përjetime. Ekziston një stigmë mbi gjithë këto situata – edhe mbi faktin që unë jam pjesë e kësaj interviste.
Unë jam duke marrë Prozac, po vazhdoj të shkoj në seanca terapeutike dhe jam duke u përmirësuar, megjithëse ende kaloj javë të vështira. Unë dua që njerëzit të dinë se amësia është tejet komplekse por edhe e bukur. Marrja e trajtimit dhe të qenit e hapur ndaj dobësive është tejet e rëndësishme. Sepse vetëm gjatë pranimit që keni dobësi, ju jeni në gjendje të ecni përpara.
Tregimi i Shivani-t
Kam pasur shumë probleme të lidhura me fertilitetin. Unë dhe partneri im u përpoqëm për shtatzëni për një vit dhe pastaj abortova. Pas kësaj, unë pata një shtatzëni ektopike për të cilën u deshën tre muaj për t’u diagnostikuar dhe më pas na u desh një vit i tërë pas kësaj për të mbetur përsëri shtatzënë. Një muaj para lindjes së djalit, burrit tim iu shfaq pneumonia mykotike. Mu desh t’ia riktheja frymëmarrjen me ofrim të ndihmës së parë dhe ai u dërgua në spital që të intubohej. Mendoj se e gjithë kjo situatë kontribuoi në atë që përjetova pas lindjes.
Kisha shumë dhimbje pas lindjes, deri në atë pikë sa nuk mund të ulesha në shtrat dhe isha tejet e rraskapitur. Gjithashtu e kisha të vështirë të ushqeja djalin me gji – ai thjesht nuk e pranonte qumështin. Kur erdhi koha për kontrollin e parë me pediatrin e djalit tonë, e dërguan burri dhe mamaja ime, sepse nuk isha të gjendje të lëvizja, nuk mund të ulesha, gjithçka dukej e vështirë. Unë qava gjatë gjithë kohës që ata shkuan. Ndihesha si një nënë e dështuar.
Sa herë e kisha Rishavin (djalin) në gji, filloja të qaja. Kisha frikë ta ushqeja çdo dy orë. E dija se ai po mbështetej tek unë për ushqim, por gjidhënia më shkaktonte shumë dhimbje dhe ai nuk po ngopej mjaftueshëm. Kalova në ushqimin e tij përmes pompimit, por ndihesha në faj, në dhimbje dhe në turp qe nuk po e ushqeja me gji. Nuk e ndjeja lidhjen e menjëhershme e të afërt me të. Kam pasur momente, që nuk zgjasnin shumë e nuk do i ktheja kurrë në veprim, kur pyesja veten nëse djali im do ishte më mirë pa mua. A nuk jam një nënë e mirë? Apo thjesht nuk e kam brumin për të qenë një nënë e mirë?
Rreth katër ose pesë javë pas lindjes, u takova me terapisten time (kisha qenë në terapi më parë dhe caktova takimin kur isha shtatzënë) dhe i thashë: “Po qaj gjatë gjithë kohës. Nuk mendoj se këto ndjenja janë thjeshtë ‘baby blues’”.
Në kontrollin tim gjashtë-javor pas lindjes, ende ndjeja sikur diçka nuk ishte mirë fizikisht. Ndjeja ende shumë presion dhe nuk e dija nëse dhimbjen po e shkaktonin qepjet apo diçka tjetër. Gjinekologia ime më referoi te një terapiste fizike dhe urogjinekologe. Kur ajo u ngrit në këmbë që të dilte nga dhoma, i thashë: “Prit! Përpara se të shkoni, ka diçka për të cilën dua të flas me ju, dua të flas për shëndetin tim mendor.” Dhe pikërisht atë moment fillova të qaja. Ajo më falënderoi që e solla këtë çështje në diskutim e më tha se për shkak se kanë tejet ngarkesë në punë, ajo nuk është gjithmonë në gjendje ta diskutojë.
Kisha poashtu një infeksion urinar dhe urogjinekologia më diagnostikoi me prolaps të mitrës dhe të rektumit. Fatmirësisht, burri im ka sigurim shëndetësor të mirë, kështu që unë munda të kryeja seanca te një terapist fizik.
Në muajin e nëntë pas lindjes, fillova të ndihesha shumë më mirë emocionalisht. Mendoj se shumë nga kjo kishte të bënte me faktin se më në fund ndihesha më mirë edhe fizikisht. Padyshim që ende jam në proces të shërimit, por tani që djali im është 1 vjeç, gjithë ato përvoja i shoh si me çudi por them me vete: “Wow, kam përparuar shumë”. Ky mendim në vete mbanë një lloj mesazhi shprese.
Catherine Pearson
E përktheu: Riola Morina
Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://www.nytimes.com/2023/06/27/well/mind/postpartum-depression-mental-health.html?utm_campaign=likeshopme&utm_medium=instagram&utm_source=dash%20hudson&utm_content=ig-nytparenting&fbclid=IwAR2BZ64cFPU8_m3B2CSJ3JX-QJZdpDdAhHopRqvyFs-dkTnzGYfU5ep_je8