Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1
Readings

Carmen Callil, shtylla feministe e shtëpisë botuese Virago

QIKA 8.8.2023

Carmen Callil-it nuk i ka munguar asnjëherë ambicia. Kur një vajzë e re aplikoi për punë në zyrën e saj në Londër në vitet 1970 dhe pyeti Callil pse kishte themeluar Virago Press, një nga kompanitë e para botuese kushtuar punës së shkrimtareve të reja dhe të lëna pas dore, ajo u përgjigj se qëllimi i saj ishte i thjeshtë: “E nisa që ta ndryshojë botën e dashur.”

Callil e cila vdiq në moshën 84-vjeçare, pati sukses në qëllimin e saj. Megjithëse Virago nuk ishte e vetmja shtëpi botuese e udhëhequr nga gratë, që buroi nga lëvizja feministe e viteve 1960 dhe 70, kompania ripërcaktoi se si mund të dukej një shtëpi botuese, që shërben si një fener për një brez lexuesish të cilët kërkonin libra të shkruar nga dhe për gratë, në kontrast me shërbimet e ofruara nga shtëpitë botuese tradicionale të dominuara nga burrat.

E udhëhequr në vitet e para nga Callil dhe katër regjisore tjera, Virago botoi shkrimet e shumë shkrimtareve bashkëkohore duke përfshirë Maya Angelou, Margaret Atwood, Pat Barker, Helen Garner dhe Adrienne Rich. Shtypi lansoi gjithashtu një seri të njohur, Modern Classics, të kompletuar me kopertinë me gjemba të gjelbra e ilustrime rrezatuese, që i dhanë jetë të re librave nga Vera Brittain, Willa Cather, Rebecca West, Edith Wharton, Henry Handel Richardson dhe Elizabeth Taylor.

“Virago u bë një markë kaq e besueshme, sa mund të blini një libër vetëm në bazë të fuqisë së kopertinës së gjelbër”, shkroi gazetarja e The Guardian, Emma Brockes.

Pas shumë dekadave të shpenzuara duke botuar shkrimtarë të tjerë, Callil u distancua nga industria për të shkruar libra, duke i kushtuar tetë vjet Bad Faith (2006), një biografi e Louis Darquier de Pellepoix, francezi antisemitik që dëboi mijëra hebrenj drejt vdekjes së tyre teksa i shërbente qeverisë Vichy. Ajo shkroi gjithashtu një autobiografi familjare, Oh Happy Day (2020), që gjurmon udhëtimin e të parëve të saj nga Midlands angleze në Australinë juglindore, ku ajo u rrit.

“Me dhembshurinë e tij të përlotur, tërbimin elokuent dhe kënaqësinë e tij hakmarrëse në dredhinë proletare, Oh Happy Day meriton të quhet klasik”, shkroi studiuesi i letërsisë Peter Conrad, duke komentuar librin për The Observer.

Callil njihet më së shumti për vitet e saj në Virago, e cila u ideua në tryezën e saj të kuzhinës në Londër dhe më vonë u zhvillua gjatë një shëtitjeje në Soho. “Ideja për kompaninë më erdhi si një ndezje e llambës”, deklaroi ajo. Callil poashtu tregon se u frymëzua pjesërisht nga revista feministe britanike Spare Rib, e cila u themelua në vitin 1972 nga miqtë e saj Rosie Boycott dhe Marsha Rowe. Nëse ata mund të krijonin një revistë nga dhe për gratë, pse nuk mund të krijonte edhe ajo një shtëpi botuese për të bërë të njëjtën gjë?

“E nisa Virago-n për të thyer heshtjen, që zërat e grave të dëgjoheshin e historitë e grave të tregoheshin”, shkroi ajo në një ese të vitit 2008 për The Guardian. “Sa shpesh më kujtohet që isha ulur në tavolinat e darkës në vitet 1960, burrat flisnin me njëri-tjetrin për çështje serioze ndërsa gratë uleshin të qeta si copa sheqeri të zbukuruar. Më kujtohet një rast i tillë kur ngrita grushtin, godita tavolinën dhe bërtita: ‘Edhe unë kam pikëpamje për Bangladeshin’, tregon ajo.

Në atë kohë, Callil kishte punuar si publiciste librash për gjashtë botues. Ajo mbështeti kompaninë e saj të re botuese me të ardhurat ky biznes dhe me kredi në llogarinë e saj bankare. Emri i kompanisë, Virago, erdhi nga një term klasik që përshkruan një grua luftëtare dhe u morr nga një libër për perëndesha që Callil po lexonte.

Nga apartamenti i saj sa një papafingo në Londrën perëndimore, Callil takoi autorë, duke përfshirë Mary Chamberlain, libri i së cilës (Fenwomen: Një Portret i Grave në një Fshat Anglez) u bë titulli i parë i Virago-s kur u botua në 1975. Tre vjet më vonë, Callil lansoi serinë Modern Classics, ku ndryshe nga e kaltra mashkullore apo roza femërore, ajo zgjodhi ngjyrën e gjelbër për kopertinën, sepse e konsideronte të gjelbrën si neutrale që do të targetonte një grup të madh lexuesish, jo vetëm gratë.

Në atë kohë, ideja e një shtypi të udhëhequr nga gratë ishte e padëgjuar. Një librari refuzoi të rezervonte librat e tyre, duke thënë se nuk kishte feministe në qytet. Anthony Burgess, autori i “A Clockwork Orange”, i etiketoi gratë e Virago si “dosa shoviniste”. Disa autore gra ishin poashtu skeptike për biznesin: “Çfarë emri! Ata publikojnë vetëm gra. Më kujtojnë ndarjet e shekullit të 19-të”, tha novelistja me origjinë belge Marguerite Yourcenar.

Megjithatë librat u shitën, shtypi fitoi para dhe shtëpia botuese u rrit. Nga fundi i viteve 1970, Callil ishte pjesë e një kuinteti drejtuesish botues që përfshinin Ursula Owen, Harriet Spicer, Alexandra Pringle dhe Lennie Goodings.

Sipas të gjithëve – duke përfshirë edhe vetën e saj – Callil mund të jetë kërkuese dhe e vështirë për ta pasur në ekip. “Ajo u soll me stafin e saj si një nënë mbizotëruese, gjë që i dha asaj të drejtën absolute për t’i trajtuar fëmijët e saj në mënyrë të neveritshme, duke i shtrënguar ata në vesh nëse e ndiente nevojën. Por nëse dikush jashtë familjes i sulmonte, ajo do t’i mbronte si një luaneshë”, tha një ish-punonjëse për The Independent.

Callil dikur e përshkroi veten si një “tenxhere që digjet” dhe pranoi se ajo me kolegët e saj ndonjëherë debatonin për ideologjinë feministe. Ajo kishte pak interes për debatet rreth make-up apo sutjenave dhe preferonte të fokusohej në punën praktike të udhëheqjes së shtëpisë botuese. Si një emigrante australiane, ajo gjithashtu ndihej e limituar nga kultura angleze, të cilën e konsideronte tepër frenuese.

“Ajo që më erdhi natyrshëm është konsideruar gjithmonë e egër dhe e vrazhdë. Nuk të lejohet kurrë të humbasësh durimin… nuk të lejohet kurrë të thuash se je absolutisht e pashpresë në atë që bën. Nuk lejohet kurrë të them asgjë. Unë arrita në përfundimin se nuk duhej të kisha ardhur kurrë këtu. Duhet të kisha qëndruar në shtëpi. Ose të kisha jetuar në Francë”,  tha ajo për The Guardian në 2007.

E treta nga katër fëmijët, Carmen Thérèse Callil u lind në Melburn në vitin 1938. Nëna e saj ishte me origjinë irlandeze e babai i saj libanez. Ata e dërguan Callil në shkollat e manastirit, ku ajo tha se ishte bullizuar nga murgeshat që më pas i zhvilluan asaj një ndjenjë faji. Babai i saj, një avokat dhe lektor universiteti në frëngjisht, vdiq nga kanceri kur ajo ishte rreth nëntë vjeç.

Gjatë pushimeve ajo lexonte nëpër bibliotekën e tij të madhe, duke gllabëruar libra nga Charles Dickens, George Meredith dhe George Bernard Shaw. Në raftet e saj nuk kishte shkrimtare gra, por nëna e saj e prezantoi atë me autore si Cather dhe Richardson, të cilat më vonë u botuan nga Virago.

Callil studioi histori dhe gjuhë angleze në Universitetin e Melburnit dhe u largua nga Australia në vitin 1960, ku javën që diplomoi u nis për Londër. “Unë u rrita vonë. Asgjë e vërtetë nuk më ndodhi derisa u largova nga shtëpia, humba virgjërinë dhe fillova të jetoj”, shkroi ajo në një artikull për The Independent.

Megjithatë, vitet e saj të hershme në Britani ishin të vështira. Ajo pranoi se kishe mendime për vetëvrasje por se gjeti ndihmë teksa vizitonte një terapiste, Anne Darquier, e cila më vonë u gjet e vdekur nga mbidoza. Vetëm një vit më vonë, kur Callil po shihte një dokumentar televiziv, ajo zbuloi historinë e familjes së Darquier, të cilën e eksploroi më tej në librin e saj Bad Faith.

Callil u emërua drejtore menaxhuese e shtëpisë botuese Chatto & Windus pasi ajo bleu Virago-n në 1982. Në atë kohë, Chatto ishte blerë nga Penguin Random House, ku Callil mbante titullin e botueses, para se të largohej në mesin e viteve 1990. Libri i saj i parë, Biblioteka Moderne: 200 Romanet më të Mira në Anglisht që nga Viti 1950 (1999), u shkrua bashkë me romancierin irlandez Colm Tóibín.

Callil mbeti aktive në skenën letrare të vendit, duke shërbyer si gjyqtare për Çmimin Booker dhe duke u larguar në mënyrë drastike nga ky rol në vitin 2011 pasi kolegët e saj gjyqtarë vendosën të nderonin Philip Roth. “Ai vazhdon dhe vazhdon dhe vazhdon të shkruaj për të njëjtën temë pothuajse në çdo libër të tij. Duket sikur ai është ulur në fytyrën tuaj dhe nuk po u lejon të merrni frymë”, komentoi ajo.

Në vitin 2017, ajo u nderua me Medaljen Benson të Shoqërisë Mbretërore të Letërsisë si dhe u emërua komandante e Urdhrit të Perandorisë Britanike. “Fakti që nuk u martova kurrë më pëlqen shumë. Kam kaluar kohë shumë të këndshme. U njoftova me lloj-lloj njerëz. Punova. Puna më pëlqen tejet mase”, tha ajo për Financial Times në vitin 2020.

Harrison Smith

E përktheu: Riola Morina

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://www.independent.co.uk/news/obituaries/carmen-callil-virago-press-books-b2212820.html?fbclid=IwAR1M3sqJKMthReztudHeKSYFwOecWrffRhk7DGv6qZKa82FEsll-XLZKYWc