Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1
In-depth

Pse gratë pyeten për planifikimin familjar në intervista pune?

Blenda Asllani 19.9.2023

Intervistat e punës janë një moment vendimtar për punëkërkuesit, ku ata paraqiten për të treguar aftësitë, përvojën dhe njohuritë e tyre për të fituar një pozitë të dëshiruar në tregun e punës. Megjithatë, gjatë intervistave, shpesh pyetjet e bëra nga punëdhënësit lidhen me kujdesin për fëmijë, planifikimin për shtatzëni ose martesë. Shpeshherë përgjigje të caktuara në këto pyetje, mund të jenë burim diskriminimi për gratë, duke u mohuar qasje në mundësi të barabarta punësimi, qoftë në raport me burrat ashtu edhe me gratë të cilat kanë status martesor apo planifikim familjar të ndryshëm nga to.

Eliminimi i diskriminimit gjinor, mundësitë e barabarta dhe përfshirja e grave në fuqinë punëtore janë disa prej synimeve kryesore të shoqërisë. Megjithatë, gratë në Kosovë vazhdimisht përballen me sfida të ndryshme për tu punësuar. Procesi rekrutues, hapi i parë i mundësive profesionale, është projektuar të jetë epitomi i pavarësisë, i ndërtuar mbi kualifikime dhe aftësi. Fatkeqësisht, për gratë në Kosovë, ky proces është i shtrembëruar në nivele shqetësuese, pasi që atyre jo rrallë u parashtrohen pyetje jorelevante në lidhje me planifikimin familjar, çka nuk është e zakonshme për burrat. Në vend që të vlerësojnë kualifikimet dhe aftësitë profesionale, disa punëdhënës ende konsiderojnë planifikimin familjar si temë të përshtatshme për t’u diskutuar në procesin e përzgjedhjes së punëtorëve, çka përbën trajtim të padrejtë e diskriminues ndaj grave në tregun e punës.

Fatlumja (identiteti i plotë e së cilës do të mbrohet) është një juriste e diplomuar në Universitetin e Prishtinës, me notë mesatare 8.7 dhe nënë e një djali e cila punon si rrobaqepëse tash e 5 vite. Pas përfundimit të punës praktike në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ajo kishte aplikuar për punë në një zyrë ligjore në Prishtinë, dhe kishte kaluar fazat e para rekrutuese me sukses. Ajo tregon se si kishte pritur që pyetjet do të kishin të bënin me përgatitjen e saj profesionale, procedurave ligjore e neneve të Kushtetutës. Por pronari, avokat i kompanisë, nuk kishte ndonjë pyetje rreth përgatitjes së saj profesionale. Atij më shumë i kishte interesuar jeta e saj personale, nëse kishte fëmijë, apo nëse ishte duke planifikuar të ketë fëmijë.

“Më pyeti ‘a ke ndonjë fëmijë, a je duke prit, apo qysh i ki renet?’ Unë, pa sherr, i thash jam e martuar dhe e kam një djalë dy vjeçar. Në atë moment u ngrit në këmbë, ma dha dosjen që e kisha dorëzu dhe më tha ‘Po m’vjen keq, CV e mirë e ki, e përgatitur je boll po nuk jam t’u punësu nana se shumë shpesh po lypin ditë të lira, jo temperatura, jo kolli… Zyrja po m’jet keq. Nuk muj me të marr se nuk e kam çel për sevap k’tu’”, tregon Fatlumja.

Mihanja (identiteti i plotë e së cilës do të mbrohet), infermiere e diplomuar në Kolegjin AAB tregon për përvojën e saj të ngjashme. Pas humbjes së hershme të babait, ajo u detyrua të punoj për të mbështetur familjen. Mihanja punon në një laborator privat si infermiere tash e katër vite. Ajo tregon se si nuk është ftuar në intervistë fare:“Me t’kallxu drejt nuk kom pas intervistë, nuk më kanë vet sen veç kur pata ardh me kqyr venin me qat’ kusherinën, menaxheri më ka vet a jom e fejume a e martume se nuk po dojnë me punësu femna që pe lajnë punën qishtu si po martohen. Momentin që i kam thanë që nuk jam as e fejume as e martume, më ka thanë “përhaj të koftë puna, nesër me ja nis”.

Rastet si ato të Mihanes dhe Fatlumes nuk janë të izoluara në kontekstin e Kosovës. Analiza e bërë gjatë procesit të mbledhjes së të dhënave për këtë hulumtim tregon që pyetjet rreth planifikimit familjar gjatë intervistave për punë vazhdojnë të jenë një realitet i pranishëm për një numër të madh të grave në Kosovë. Këto rezultate hedhin dritë mbi sfidat dhe pabarazitë që ende ekzistojnë në tregun e punës, duke nënvijëzuar rëndësinë e diskutimit dhe ndërgjegjësimit më të gjerë rreth kësaj çështjeje. Anketa e realizuar gjatë mbledhjes së të dhënave për këtë hulumtim, dëshmon se pyetjet mbi planifikimin familjar gjatë intervistave të punës janë ende realitet për shumë gra në Kosovë. Këto gjetje hedhin dritë mbi sfidat dhe mundësitë e pabarabarta në tregun e punës.

Nga 248 gra të punësuara që u përfshinë në këtë anketë, 77.1% (apo 191 gra) kanë thënë se janë ftuar në intervistë punë para se të punësoheshin, ndërsa 31.3% e këtyre grave (apo 60 gra) kanë thënë se janë pyetur rreth planifikimit të tyre familjar gjatë intervistës. Vetëm 15.2% (apo 9 gra) nga këto kanë denoncuar këto raste si diskriminim me bazë gjinore tek Inspektorati i Punës.

Agoni (identiteti i te cilit do te mbrohet) ka pasur përvojë tërësisht të ndryshme në procesin e intervistave. Ai është sociolog e gazetar, i cili ndonëse i ri në moshë gëzon përvojë të madhe pune, në institucione të ndryshme publike e private e organizata të shoqërisë civile. Agoni konfirmon se i është nënshtruar rreth 7 intervistave të punës si fazë e procesit rekrutues, ku ka diskutuar më tutje rreth kualifikimeve të tij dhe të ngjashme, por asnjëherë nuk është pyetur lidhur me planifikimin e tij familjar: “Po në krejt punat që kom punu deri sot, jom intervistu paraprakisht edhe normal që kemi fol për gjana të ndryshme rreth kualifikimeve të mia, përvojave të mahershme, trajnimeve që i kom ndjek po kurrë ne 5 intervista të punës dhe 2 intervista për internshipe nuk jam pyet nëse kom fëmijë ose planifikoj me pas së shpejti”.

Pyetjet mbi planifikimin familjar në intervistat e punës si një sfidë për të drejtat dhe barazinë gjinore në Kosovë janë bërë objekt i shqetësimit për organizatat e të drejtave të njeriut. Aktivistja e Kolektivit për Mendim dhe Veprim Feminist, Fjolla Muçaj, e sheh parashtrimin e këtyre pyetjeve si shkelje flagrante e të drejtave të njeriut dhe lidhur me eleminimin e kësaj praktike diskriminuese thotë se “Gratë kanë nevojë për siguri në vendin e punës dhe për me arrit këtë, na duhet me punu në të gjitha nivelet. Krahas specifikimit të dënimeve dhe përforcimit të anës ligjore, edukimit psiko-social në shtëpi dhe në punë duhet edhe me pas një platformë të sigurtë ku gratë me mujtë me u anku. E këtu është shumë i rëndësishëm edhe roli i Inspektoratit të Punës në mbikëqyrjen dhe shqiptimin e pasojave ndaj bizneseve a kompanive”.

Se planifikimi familjar është sfidë e madhe e grave e dëshmon edhe deklarata e Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) sipas së cilëve studentet gra që kanë aplikuar për shkollim specialistik në ShSKUK janë diskriminuar gjatë procesit të rekrutimit sepse vitet e kaluara në shtatëzani dhe lehoni u janë numëruar vite të humbura dhe u kanë humbur pikë nga vlerësimi i përgjithshëm. “ORCA ka verifikuar se në disa raste, studenteve gra që kanë qenë në shtatzëni gjatë shkollimit të tyre, vitet e shtatzënisë dhe lehonisë u janë llogaritur si vite të humbura për çka ato kanë humbur pikë dhe si rrjedhojë disa nga to nuk kanë mundur të kualifikohen për shkollim të mëtutjeshëm specialistik” (ORCA, 2023).

Nga Inspektorati i Punës, udhëheqësi i Divizionit të Koordinimit në Rajonin e Prishtinës, Ahmet Delolli, shpjegoi se Inspektorati i Punës nuk ka një raport apo statistikë të ankesave të kësaj natyre, dhe se nuk kanë pranuar ankesa të cilat specifikisht kanë pasur si subjekt pyetjet rreth planifikimit familjar meqë ankesat i pranojnë kryesisht të përgjithësuara si “diskriminim me bazë gjinore”. Duke pohuar se këto pyetje nëse parashtrohen mund t’i vendosin gratë në pozitë të pabarabartë dhe janë të padrejta, por i pyetur lidhur me praktikat monitoruese të Inspektoratit lidhur me proceset rekrutuese ai shpjegoi kufizimin ligjor që rregullon kriteret e rekrutimit.“Në raport me kushtet apo kriteret për punësim, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat, nuk është që kemi të drejtë me intervenu meqë Ligji i Punës mundëson që punëdhënësi të hartoj kriteret varësisht nga natyra e pozicionit të punës, parimisht të barabarta për të gjithë. Aty na nuk kemi naj rol”, shtoi Delolli.

Si përfundim, edhe pse diskriminimi gjinor në procesin e rekrutimit nuk flitet hapur, ky fenomen është i pranishëm në Kosovë, minon integritetin e procesit të përzgjedhjes dhe krijon një skizmë të fshehtë të mundësive për të punuar dhe për t’u avancuar profesionalisht, në bazë të gjinisë. E drejta e grave për t’u trajtuar barabartë në vendin e punës nuk është qëllim dhe as një ideal i paarritshëm, por është një domosdoshmëri që kërkon vëmendje dhe veprim të menjëhershëm nga të gjithë aktorët e përfshirë: qeveria, punëdhënësit, organizatat e shoqërisë civile dhe sindikatat.

Pyetjet që lidhen me planifikimin familjar gjatë proceseve të intervistimit nuk janë vetëm sfidë individuale e grave të cilat janë përballur me to. Është koha për të marrë hapa konkretë për të adresuar këtë çështje, duke filluar me ndërgjegjësim shoqëror dhe edukim, duke përfshirë, përmirësimin e kornizës ligjore, mbikëqyrjen e mëtejshme të institucioneve përgjegjëse dhe duke krijuar platforma të sigurta për raportim.

——————————

Ky artikull është shkruar me përkrahjen financiare të Bashkimit Evropian në kudër të projektit “Mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të punës të grupeve të cenuara në tregun e punës”. Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi e QIKA dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian, ATRC dhe BIRN Kosova.