Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1
In-depth

Përtej raportimit, angazhim mbarëshoqëror kundër dhunës

Adelina Berisha 3.10.2023

Paralelisht rritjes së vetëdijes për raportim të dhunës, Kosova duhet të fokusohet në masat që parandalojnë dhunën dhe që ndikojnë në ndryshimin e perceptimeve ekzistuese e të gabuara për atë se çka e bënë dikë burrë apo grua.

Dhuna në familje dhe më specifikisht dhuna ndaj grave, vazhdon të mbetet një prej problemeve më të mëdha që prekë gratë në Kosovë dhe në mbarë botën. Databaza Botërore mbi Dhunën ndaj Grave e Kombeve të Bashkuara, tregon se në vitin 2013, 35% e grave në mbarë botën kanë përjetuar dhunë fizike dhe/ose seksuale nga partneri intim ose dhunë seksuale nga jopartneri. Rezultate të ngjashme mbi prevalencën e dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave, janë identifikuar edhe në Kosovë. Hulumtimi i fundit i OSBE, i publikuar në vitin 2019 ka gjetur se mbi 54% e grave kanë përjetuar dhunë psikologjike, fizike ose seksuale nga një partner intim që nga mosha 15 vjeçare dhe 29% kanë përjetuar ngacmime seksuale. Ngjashëm, hulumtimi i RrGK i vitit 2015, ka gjetur se 68% e grave në Kosovë kanë përjetuar ndonjë formë të dhunës gjatë tërë jetës së tyre.

Megjithatë, edhepse këto hulumtime kanë zbardhur dritë mbi prevalencën e dhunës me bazë gjinore, dhunës ndaj grave e dhunës në familje, raportimi i tyre ende vazhdon të mbetet sfidues. Databaza 1≠1 e QIKA, e cila ka grumbulluar të dhëna nga viti 2015 deri në vitin 2022, për raportimet e dhunës në familje në Policinë e Kosovës, është një tregues që viteve të fundit ka pasur një rritje të raportimit të rasteve të dhunës.

Kështu, në total në vitin 2015, në Policinë e Kosovës ishin raportuar 1038 raste të dhunës në familje, krahasuar me vitin 2022 ku numri i rasteve të raportuara në polici ishin 2764. Sipas të dhënave të Policisë, në total nga viti 2015 deri në vitin 2022 janë raportuar 14,268 raste të dhunës në familje. Këto të dhëna u mblodhën në nivel rajonal, duke përfshirë rajonin e Prishtinës, Gjilanin, Ferizajin, Gjakovën, Pejën, Prizrenin e Mitrovicën. Si një rajon me më shumë popullësi, mbizotëron Prishtina me 4302 raste të raportuara, ndërsa me pak raste të raportuara u panë në rajonin e Gjakovës, me 1426 raste te raportuara.

Se ka një rritje të raportimit tek Policia e Kosovës, e konfirmon edhe zyrtarja policore Xhemile Behluli, e cila thotë se “Ne kemi vërejtur se këto vitet e fundit kemi rritje te raportimit që po ndodh, vit pas viti. Ne si polici kemi punuar me komunitet që ta rrisim vetëdijen dhe besimin në polici e kjo ka ndikuar që më shumë gra ta raportojnë dhunën. Gratë janë më të vetëdijshme, ato nuk po e tolerojnë dhunën”.

Rritja e raportimeve mund të jetë e ndërlidhur edhe me ndryshimet e fundit në legjislacion vendor. Që nga viti 2019, dhuna në familje është futur në Kodin Penal si një vepër penale. Deri atëherë, dhuna në familje evidentohej sipas veprës që kishte ndodhur gjatë konfliktit mes anëtarëve të familjes, duke u klasifikuar si vepra të tjera penale, e që përfshinin: kanosjen, shtrëngimin, lëndimin e lehtë trupor, lëndimin e rëndë trupor dhe vepra të tjera që kanë mundur të ndodhin gjatë ushtrimit të dhunës në familje.

Sipas Besarta Breznica nga Rrjeti i Grave të Kosovës, statistikat e raportimit të dhunës në bazë gjinore, përkatësisht dhunës në familje, në asnjë mënyrë nuk pasqyrojnë realitetin në të cilin gratë ndodhen në Kosovë. “Përveç kësaj, në vite ndërkohë shihet një rritje e raportimit të dhunës në institucionet kompetente dhe kjo është falë punës së organizatave të grave të cilat kanë punu dhe vazhdojnë të punojnë në vende urbane dhe rurale për t’i informuar gratë dhe vajzat për të drejtat e tyre. Rrjedhimisht, gratë edhe vajzat tani janë më të informuara për të drejtat e tyre dhe nuk pranojnë të jetojnë në ambiente abuzive”, thotë Breznica.

Viteve të fundit Kosova ka ndërmarrë një gamë veprimesh me qëllim të parandalimit dhe luftimit të dhunës në familje, si një prej formave më të shpeshta të dhunës ndaj grave. Prapa këtyre ndryshimeve qëndruan organizatat e grave e aktivistet feministe. Kështu përveç ndryshimeve të kodit penal dhe futjes së dhunës në familje si vepër penale në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, u adoptua edhe Konventa e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, apo siç njihet Konventa e Stambollit. Dy strategjitë dhe planet e veprimit kundër dhunës në familje (ajo e vitit 2016-2020, dhe kjo aktualja për vitet 2022-2026) u hartuan duke marrë për bazë të gjitha kërkesat që vinin nga Konventa e Stambollit. Ngjashëm, vitin 2021 qeveria e shpalli si një vit ku prioritet do t’i vihej luftimit të dhunës ndaj grave.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, dhuna në familje definohet sipas definicionit të përcaktuar në Ligjin për Mbrojtje nga Dhuna në Familje e që thuhet se dhuna në familje përfshinë një ose më shumë vepra apo lëshime të qëllimshme që i bën një person personit tjetër me të cilin është ose ka qenë në marrëdhënie familjare si këto, por nuk kufizohet në: përdorimin e forcës fizike ose presionin psikik të ushtruar ndaj anëtarit tjetër të familjes; çdo veprim tjetër i një anëtari të familjes që mund të shkaktojë apo kanos, se do të shkaktojë dhembje fizike dhe vuajtje psikike; shkaktimi i ndjenjës së frikës, rrezikshmërisë personale apo cenimin e dinjitetit; sulmi fizik pa marrë parasysh pasojat; ofendimi, sharja, thirrja me emra ofendues dhe mënyra të tjera të shqetësimit të vrazhdë; përsëritja e vazhdueshme e sjelljeve me qellim te përuljes se personit tjetër; marrëdhënia seksuale pa pëlqim dhe keqtrajtimi seksual; kufizimi i kundërligjshëm i lirisë së lëvizjes ndaj personit tjetër; dëmtimi apo shkatërrimi i pasurisë dhe kanosja që ta bëjë këtë; vënia e personit tjetër në pozitën qe ai të frikësohet për gjendjen fizike, emocionale dhe ekonomike; hyrja apo largimi me dhunë nga banesa e përbashkët apo banesën e personit tjetër; dhe rrëmbimi.

Thënë thjeshtë, dhuna në familje konsiderohet si keqpërdorim i forcës dhe pushtetit i një anëtari të familjes me qëllim të kontrollimit të anëtarit tjetër të familjes. Ajo përfshinë, dhunën fizike, dhunën emocionale/psikologjike; dhunën ekonomike dhe dhunën seksuale.

Por, raportimi i dhunës edhe pse është rritur, është larg përjetimeve reale të dhunës në familje nëpër të cilën kalojnë gratë e vajzat por edhe djemtë e burrat. Por çfarë janë ato që po i pengojnë viktimat por edhe qytetarët ta raportojnë dhunën në familje kur ata janë dëshmitarë të saj?! Një hulumtim i RrGK ka gjetur se ekziston tendenca të mendohet se të raportuarit e dhunës është diçka e turpshme dhe se dhuna është një çështje private, kështu rreth 67.1% e qytetarëve të Kosovës u deklaruan se “nëse fqinjët dinin se në një familje ka dhunë brenda, ata do ta konsideronin këtë të turpshme”. Në anën tjetër, hulumtime të ndryshme kanë theksuar se normat gjinore trandicionale që fajësojnë viktimën e ndërlidhur me mungesën e njohurive mbi mënyrat e raportimit të dhunës, kontribuojnë që gratë të hezitojnë ta raportojnë dhunën.

“Puna e Rrjetit të Grave të Kosovës tregon se kur një viktimë merr guximin dhe kurajon për raportimin e dhunës në stacionin më të afërt të policisë, ajo viktimë ka qenë viktimë e dhunës për vite me radhë”, thotë Breznica.

Përveç familjes, dhuna le pasoja të mëdha për tërë shoqërinë. Në librin e saj “Pjatat në shportë do të tronditen: Dhuna në Familje në Kamboxhia” të shkruar në vitin 1994, autorja Kethi Zimerman, thekson se dhuna në familje është një barrë për shumë sektorë të sistemit shoqëror, dhe në heshtje, por në mënyrë dramatike, ndikon në zhvillimin e një shteti. Ajo e thekson edhe barrën financiare, duke qenë se puna me dhunuesit u kushtojnë pasuri shteteve në aspektin e zbatimit të ligjit, kujdesit shëndetësor, punës së humbur dhe progresit të përgjithshëm në zhvillim. Tutje, Zimerman thotë se “këto kosto nuk prekin vetëm gjeneratën aktuale; ajo që fillon si një sulm nga një person ndaj një tjetri, kumbohet përmes familjes dhe komunitetit në të ardhmen”.

Prandaj, paralelisht rritjes së vetëdijes për raportim të dhunës, Kosova duhet të fokusohet në masat që parandalojnë dhunën dhe që ndikojnë në ndryshimin e perceptimeve ekzistuese e të gabuara për atë se çka e bënë dikë burrë apo grua.

Ky shkrim është realizuar me përkrahjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “JUST REACT”. Përmbajtja e shkrimit është përgjegjësi e QIKA dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian, Group for Legal and Political Studies dhe Community Development Fund – CDF.