Gjykata e Mitrovicës gjobiti disa vajza dhe djem veç për realizimin e një aksioni protestues duke shënuar mbishkrime në muret publike të qytetit. Mbishkrimet përmbanin mesazhe protestuese ndaj shtypjes dhe diskriminimit të grave si “Dhunuesit e grave n’burg”, “Virgjiniteti është shpikje e burrave”, “Gruja nuk o rob i burrit”, “Haram është me i mshelë gratë”, “Gratë e kanë vendin kudo që dojnë ato”, “Trupi jem e drejta jem!”.
Gjatë marrjes në pyetje nga ana e policisë, aktivistët e Kolektivit për Veprim dhe Mendim Feminist thonë se janë ballafaquar me një qasje paragjykuese ndaj përmbajtjes së aksionit, duke kritikuar kështu mesazhet feministe si të “turpshme”. Gjykata e Mitrovicës po ashtu i ka vlerësuar këto mbishkrime si të turpshme dhe gjobat i ka shqiptuar duke u mbështetur në bazën ligjore që e konsideron kundërvajtje ekspozimin e mbishkrimeve që “ofendojnë e turpërojnë”.
Dënimi me gjobë i katër aktivistëve të Kolektivit për Veprim dhe Mendim Feminist është i papranueshëm. Është i frikshëm fakti që me kaq lehtësi dënohen për grafite në mure publike aktivistë feministë, ndërkohë që muret e qyteteve të Kosovës, përfshirë Mitrovicën, janë të stërmbushura me mbishkrime që shpesh përmbajnë mesazhe denigruese ndaj grave.
Ky rast pasqyron kundërvënien dhe gatishmërinë e institucioneve të drejtësisë në Kosovë për shtypjen e aktivizmit feminist. E drejta për protestë dhe liria e shprehjes janë të drejta elementare që janë të domosdoshme dhe esenciale për ngritjen e çështjeve të barazisë dhe përmirësimin e jetës së grave. Në një vend ku gratë nuk janë të sigurta as në hapësira publike, as në shtëpi dhe rrahen e vriten derisa institucionet heshtin, protesta nuk do të ndalet asnjëherë. As kur dënimet përdoren si mjet për të siguruar heshtjen.