Performanca e këngëtarit Feronit Shabani (i njohur si Fero) në festivalin “Akull n’Verë”, të organizuar nga Komuna e Prishtinës, ndonëse ai akuzohet nga Prokuroria Themelore në Gjilan për dhunë në familje, ngacmim seksual dhe kanosje ndaj ish-partneres, është shembull i papranueshëm i normalizimit të dhunës ndaj grave nga vetë institucionet publike.
Feronit Shabani është duke u ndjekur penalisht nga Prokuroria Themelore në Gjilan për dhunë në familje, ngacmim seksual dhe kanosje ndaj ish-partneres së tij. Është arrestuar më 11 korrik 2023 dhe ndaj tij është caktuar masa e paraburgimit. Në anën tjetër, ai ka përdorur vazhdimisht hapësirat mediatike dhe rrjetet sociale për të ofenduar dhe poshtëruar ish-partneren e tij, vazhdimisht dhe publikisht.
Një rast kaq i njohur në opinionin publik, me detaje tronditëse të aktakuzës të publikuara në media, nuk mund të injorohet. Nuk do të pranojmë që paratë publike të shpenzohen për të promovuar dhunues. Nuk do të pranojmë që skenat publike të shndërrohen në arenë ku pastrohet imazhi i burrave që kanë ushtruar dhunë.
QIKA i kërkon Komunës së Prishtinës të kërkojë falje publike dhe u bën thirrje të gjitha institucioneve që të ndalojnë amnistimin, normalizimin dhe legjitimimin e dhunës me bazë gjinore. Ne kërkojmë zbatim të politikave të qarta gjinore në përzgjedhjen e bashkëpunëtorëve dhe artistëve në ngjarje publike!