Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1

Ligji i ri për KPM-në cenon përfaqësimin gjinor

QIKA 24.7.2024

Miratimi i Projektligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM) nga Kuvendi i Kosovës paraqet sulm të rëndë mbi vlerat themelore të shoqërive demokratike si media e lirë, barazia gjinore dhe liria e shprehjes.

Qeveria e Kosovës miratoi këtë projektligj më 27 dhjetor 2023 dhe në lexim të dytë nga Kuvendi i Kosovës u miratua më 11 korrik 2024. Gjatë kësaj kohe, ky akt legjislativ është kritikuar nga shoqëria civile, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, BE-ja, OSBE-ja, Këshilli i Evropës, Rrjeti për të Drejtat e Njeriut dhe partitë opozitare.

Neni 10 (Përbërja e KPM-së) i ligjit të vjetër për KPM-në përcakton se nga 7 anëtarë së paku 2 duhet t’i takojnë gjinisë femërore Përbërja e anëtarëve të KPM-së pasqyron karakterin shumetnik dhe gjinor të Kosovës …. dhe së paku dy (2) anëtarë duhet të jenë të gjinisë femërore.”, kurse me ligjin  e ri kjo dispozitë është larguar dhe përcaktohet se –“Përbërja e anëtarëve të KPM-së pasqyron karakterin shumetnik dhe gjinor të Kosovës. Së paku tre (3) anëtarë të KPM-së emërohen nga radhët e komuniteteve jo shqiptare” si dhe “Zgjedhja e kryetarit dhe anëtarëve të KPM-së reflekton parimet e barazisë gjinore sipas legjislacionit përkatës për barazi gjinore”.

Kjo dispozitë është e pamjaftueshme meqë ligjërisht nuk garanton përfaqësim proporcional gjinor në KPM dhe mos përkufizimi i numrit minimal të anëtareve gra krijon mundësinë që në përbërjen e këtij Komisioni të mos ketë asnjë grua.

Referimi i përgjithshëm e abstrakt tek parimet e barazisë gjinore dhe jo tek përfaqësimi i barabartë, cenon përfaqësimin e grave në KPM dhe bie ndesh me Nenin 3 te Ligjit për Barazi Gjinore i cili përcakton pjesëmarrje të barabartë të grave dhe burrave në të gjitha institucionet publike, dhe poashtu me piken 3.4. të këtij ligji sipas së cilit: “Organet kompetente gjatë emërimit të anëtarëve të këshillave, komisioneve dhe organeve përfaqësuese brenda dhe jashtë Kosovës duhet të përfillin përfaqësimin e barabartë të femrave dhe meshkujve në këta këshilla, komisione dhe organe përfaqësuese”.

QIKA kërkon nga institucionet respektimin e masave ligjore dhe afirmative sipas Ligjit për Barazi Gjinore, që nënkupton përfaqësim të barabartë të gjinive në të gjitha institucionet publike.