Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1

Mediat që relativizojnë dhunën, bëhen bashkëfajtore

QIKA 11.9.2025

QIKA shpreh indinjatë të thellë për mënyrën e papërgjegjshme se si RTV Dukagjini ka trajtuar rastin e denoncimit për dhunë në familje ndaj Valon Sylës në emisionin e titulluar “Dhunë në familje?! Si qëndron e vërteta?”. 

Valon Syla ishte arrestuar më 28 qershor 2025 dhe ndaj tij ishte shqiptuar masa e ndalimit policor prej 48-orësh. Paraqitja e tij në këtë fazë kur ende nuk kemi asnjë njoftim për epliogun e rastit është e papranueshme dhe përçon mesazh të gabuar për opinionin publik dhe viktimat e dhunës.

Ne i rikujtojmë RTV Dukagjinit se dhuna nuk i ka dy anë të medaljes dhe as nuk është çështje opinioni. Dhuna në familje është vepër penale, është shkelje e të drejtave themelore të njeriut dhe nuk mund të kthehet në temë për debate sensacionaliste. 

Veçanërisht shqetësuese është mënyra si në disa pjesë të emisionit dhuna trajtohet me ironi dhe të qeshura. Të bësh humor me një fenomen që u shkatërron, e në raste edhe ua merr edhe jetën grave, është sa papërgjegjësi mediale edhe mizogjini.

Deklaratat e Valon Sylës, ku ai sulmon organizatat për të drejtat e grave duke i akuzuar kinse bëjnë reagime “selektive” dhe “vetëm për fonde”, janë përpjekje e vjetër e patriarkatit për të delegjitimuar lëvizjen feministe. Organizatat e grave kanë qenë për dekada të vetmet që kanë mbajtur mbi supe barrën e mbrojtjes së viktimave, shpeshherë pa mbështetjen e duhur shtetërore. 

Konventa e Stambollit inkurajon mediat që të veprojnë në mënyrë të përgjegjshme dhe të ndjeshme ndaj përmbajtjeve që mund të dëmtojnë gratë dhe vajzat, kësisoj mediat nuk duhet të kontribuojnë në normalizimin apo spektakularizimin e dhunës me bazë gjinore.

QIKA së shpejti do të dorëzojë pranë Komisionit të Pavarur të Mediave ankesën zyrtare, e cila argumenton se RTV Dukagjini ka shkelur nenin 2, 3 dhe 4 të Kodit të Etikës për ofruesit e shërbimeve mediale në Republikën e Kosovës.

Përgjegjësia për t’u pozicionuar kundër dhunës me bazë gjinore dhe dhunës në familje është e të gjithëve, veçanërisht e atyre që kanë pushtet për të formësuar opinionin publik.