Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1

Thirrje për aplikime: Menaxher/e i/e projektit

QIKA 23.10.2025

A jeni i/e përkushtuar për të sjellë ndryshime në arsim dhe barazi gjinore? Nëse të pëlqen puna e QIKA-s dhe dëshiron të kontribuosh në fuqizimin e fëmijëve dhe të rinjve përmes edukimit gjithëpërfshirës, apliko për t’u bërë pjesë e ekipit tonë.

Pozita: Menaxher/e Projekti

Si Menaxher/e Projekti në QIKA, do të udhëheqësh dhe menaxhosh projektin tonë që synon avancimin e barazisë gjinore në shkolla dhe fuqizimin e fëmijëve dhe të rinjve. Kjo pozitë është për dikë që ka përvojë në menaxhimin e projekteve – veçanërisht në fushën e arsimit, me aftësi të forta organizative dhe, që e kupton se si stereotipet gjinore, mungesa e qasjes dhe diskriminimi ndikojnë te fëmijët – sidomos te vajzat.

Detyrat kryesore përfshijnë:

Planifikimin, organizimin dhe menaxhimin e projektit të QIKA-s në arsim dhe barazi gjinore, në përputhje me objektivat dhe afatet e përcaktuara.

Hartimin dhe zbatimin e planeve të punës dhe menaxhimin e buxhetit të projektit.

Udhëheqjen e ekipit të projektit dhe koordinimin e aktiviteteve me shkolla, mësues, prindër dhe institucione lokale e kombëtare.

Mbikëqyrjen e zbatimit të trajnimeve dhe fushatave për fëmijë, mësues dhe komunitete mbi barazinë gjinore, sigurinë në shkolla, respektin dhe gjithëpërfshirjen.

Sigurimin e zbatimit cilësor të aktiviteteve dhe arritjen e rezultateve të projektit.

Përgatitja e raporteve periodike narrative dhe financiare.

Identifikimi dhe menaxhimi i risqeve gjatë zbatimit të projektit.

Krijimin e partneriteteve me institucione arsimore dhe organizata të tjera për të rritur ndikimin e punës sonë.

Kriteret që kërkojmë:

Përvojë e mëparshme në menaxhimin ose koordinimin e projekteve, veçanërisht në sektorin e arsimit dhe punës me fëmijë/të rinj.

Njohuri të forta për barazinë gjinore dhe përkushtim për drejtësi sociale.

Shkathtësi organizative dhe aftësi për të udhëhequr ekip.

Aftësi të shkëlqyera komunikimi dhe bashkëpunimi me aktorë të ndryshëm.

Përparësi kanë kandidatët me përvojë në OJQ ose në institucione arsimore.

Si te aplikoni?

Dërgo dokumentet e mëposhtme në office@qika.org, duke shkruar në titull të emailit pozitën Aplikim për pozitën Menaxher/e Projekti:

CV

Letër motivuese

Dy kontakte për referencë

Afati për aplikim: 7 nëntor 2025

Vetëm kandidatët që plotësojnë kushtet do të ftohen në fazën intervistuese.