Për shekuj me radhë studiuesit janë angazhuar me ‘fitimtarët’ e historisë, të cilët zakonisht ishin burra. Tani, brez i ri po zgjeron tablon për të përfshirë jetën e shumicës prej nesh.
Mënyra se si “bëjmë” histori po ndryshon. Për shekuj me radhë historianët kanë bërë kërkime mbi pakicën, të privilegjuarit, “fitimtarët”. Por, përderisa miliona njerëz shikojnë seritë televizive të dokumentarëve “A House Through Time” dhe “Who Do You Think You Are?”, historitë sociale dhe alternative (përfshirë historinë e grave) që janë lënë mënjanë, po sjellin risi në mënyrën se si ne përfshihemi me të kaluarën. Ne nuk mund të jemi ajo që nuk e shohim, dhe shumë prej nesh janë duke kërkuar për aspekte të vetvetes në të kaluarën. Historia po bëhet një temë më e pasur, tani njerëzit që janë injoruar ose janë fshirë nga historia po rikthehen. Një historian mund të jetë një detektiv që kërkon histori njerëzore nga e kaluara, pra nuk ka të bëjë vetëm me data dhe të dhëna.
Historianët kanë punë me dokumente dhe artefakte. Por ata gjithashtu kërkojnë njerëz nga e kaluara përmes fjalëve, ritualeve, këngëve, veprave artistike, ndërtesave dhe muzikës që këta njerëz kanë lënë pas. Kërkimi i grave të humbura kërkon një grup të ndryshëm mjetesh dhe teknikash. Sot, ne të gjithë mund të kemi qasje në arkiva, të ekzaminojmë ADN-në tonë, të gjurmojmë gjenealogjitë tona dhe të hulumtojmë globalisht me një klikim të mausit. Përparimet në arkeologji, me ndihmën e teknologjisë dhe shkencës, po na sjellin një grumbull të pasur dhe të plotë njerëzish që kanë jetuar para nesh. Gratë kanë përbërë gjithmonë gjysmën e popullsisë së globit. Kështu, ne kemi mundësi të mendojmë në një mënyrë tjetër për të kaluarën nëse fokusohemi tek gratë.
Kur po shkruaja Femina-n doja të tregoja një version të botës mesjetare që është po aq e pasur dhe e larmishme sa e tashmja, plot me personazhe magjepsës që sfidojnë supozimet. Këto personazhe nuk janë vetëm nëna dhe gra, këto gra mesjetare janë spiune, shkrimtare, shkencëtare, sipërmarrëse dhe luftëtare – të gjitha fjalët që zakonisht iu atribuohen burrave. Qasja ime vendos kornizën mbi gratë e humbura, në mënyrë që të ekspozohen shoqëri më të gjera dhe për të tërhequr vëmendjen për të tjera që gjithashtu janë anashkaluar. Më poshtë janë listuar 10 libra që kanë shtyrë kufijtë e historisë si disiplinë dhe i kanë rikthyer gratë në brendi të shkrimeve:
1. The Five: The Untold Lives of the Women Killed by Jack the Ripper, shkruar nga Hallie Rubenhold
Ky libër ka kontribuar më shumë se çdo libër tjetër sa i përket historisë së grave. Hallie nuk e fetishizon vrasësin, por paraqet historitë e viktimave. Duke i thelluar lexuesit në kushtet sociale që përjetuan gratë, të pestat prej tyre kanë kontekste të tjera sesa thjesht të portretizohen veç si “prostituta”. Ky libër ka ndikuar edhe në zhanrin e vërtetë të krimit, ku më shumë shkrimtarë po fokusohen te viktimat dhe jo te autorët e krimit.
2. River Kings: The Vikings from Scandinavia to the Silk Roads, shkruar nga Cat Jarman
Arkeologjia ka qenë gjithmonë në kërkim të shumicës dhe jo e kundërta, kështu që është partneri i natyrshëm për qasje historike më gjithëpërfshirëse. Është e lehtë të supozohet se të gjithë në mesjetë, veçanërisht gratë, jetuan dhe vdiqën në sy të kishës së famullisë lokale të tyre. Siç zbulon ky libër, shumë prej tyre udhëtuan në distanca të mëdha dhe u përfshinë me kultura të tjera mijëra milje larg.
3. Medieval Women: Village Life in the Middle Ages, shkruar nga Ann Baer
Shumica e njerëzve zgjedhin një sundimtar apo një person të pasur kur pyeten se me cilin person historik do të donin të identifikoheshin. Megjithatë, shumica prej nesh do të kishin jetuar më shumë si ajo e protagonistes së këtij libri – Marion. Duke lexuar për historinë e një gruaje të varfër përgjatë një viti, lexuesi fiton njohuri për çështje më të gjera, duke përfshirë fatkeqësitë natyrore dhe murtajën. Megjithatë, janë momentet thuajse të rastësishme që i japin pamje reale jetës së përditshme në periudhën mesjetare.
4. The Voices of Nîmes: Women, Sex and Marriage in Reformation Languedoc, shkruar nga Suzannah Lipscomb
Ky libër duhet lexuar nga kushdo që kërkon me ngulm zërin e pakapshëm femëror në histori, është një fakt fatkeq për të cilin shkruhet shumë, në vend që të shpërfaqen qasjet e tyre. Duke plaçkitur të dhënat e konsistorëve – ose “gjykatave morale” – të kishës Huguenote të Languedoc midis 1561 dhe 1615, ky libër bashkon pjesët e enigmës dhe zbulon se si gratë mesjetare e kuptonin miqësinë, spiritualitetin dhe fuqinë feminine.
5. Death in Ten Minutes: The Forgotten Life of Radical Suffragette Kitty Marion, shkruar nga Fern Riddell
Vdekja e sufragjentes Emily Wilding Davison në Epsom Derby në 1913 është bërë e njohur. Ajo ishte një grua magjepsëse që përpiqej për të drejta të barabarta, megjithatë ishte “Death in Ten Minutes” që më tregoi vërtet se sa radikale ishin veprimet e votuesve të hershëm. Ky libër zbulon aktet e rrezikshme që gratë kryenin në përpjekje të dëshpëruara për të fituar votën. Duke plaçkitur ditarët e Kitit, Riddell e ka vënë këtë grua në qendër të rrëfimit të saj.
6. Medieval Women: Social History of Women in England 450-1500, shkruar nga Henrietta Leyser
Tani është koha e historianit social. Ne duam të dimë se kush ka ecur në rrugën në të cilën ecim ne, çfarë kanë përjetuar dhe si kanë lënë gjurmë në histori. Ky libër është i pashembullt në gjerësinë e tij – duke u shtrirë ndër shekuj dhe duke përfshirë të gjitha llojet e provave nga poezia deri te depozitat e fshehta. Leyser merret me gra individualisht të shquara, si Alice de la Pole dhe Julian nga Norwich, por i përdor ato për të eksploruar çështje më të gjera që prekën jetën e grave, si tregtia, puna dhe arsimi.
7. The Taxidermist’s Daughter, shkruar nga Kate Mosse
Fiksioni historik ishte mënyra kryesore që unë u lidha me tregimet e grave nga e kaluara kur isha e re, dhe Mosse është në krye të zhanrit. I dua të gjithë librat e saj, por ky është më i fuqishmi për mua për shkak të mënyrës se si ajo e pozicionon protagonisten e saj Constantia brenda një fshati kompleks dhe të besueshëm të Sussex më shumë se një shekull më parë. Ju mund të shihni, nuhatni, prekni dhe shijoni të kaluarën. Sfondi i taksidermisë është gjithashtu magjepsës, pasi është një formë arti që përpiqet të kapë kohën dhe të ruajë jetën pas vdekjes.
8. The Book of Memory: A Study of Memory in Medieval Culture, shkruar nga Mary Carruthers
Sot ne priremi ta konsiderojmë veten të përparuar intelektualisht për shkak të zhvillimeve të mëdha në shkencë dhe teknologji. Por ky libër tregon se sa të shkëlqyera ishin mendjet e botës mesjetare. Nëpërmjet teknikave të përsiatjes dhe meditimit, të praktikuara nga burrat dhe gratë, kujtimet e atyre që jetuan një mijëvjeçar më parë ruajtën sasi të mëdha informacioni në mënyra që mendjet tona moderne nuk mund t’i bëjnë, sepse ne varemi shumë nga shkrimi.
9. Valkyrie: The Women of the Viking World, shkruar nga Jóhanna Katrín Friðriksdóttir
Ne nuk do ta konsideronim të përshkruanim se si është të jesh gjallë sot bazuar thjesht në lajme. Ne do ta personalizonim dhe do ta mbushnim qasjen tonë me muzikë, film, ushqim, modë dhe shumë gjëra të tjera. Kjo është ajo që një historian ndërdisiplinor përpiqet të bëjë – të sjellë në jetë një periudhë duke kombinuar të gjitha llojet e provave. Valkyrie përfshin poezinë e vjetër norvegjeze së bashku me gjetjet arkeologjike dhe gurët e pikturuar për të treguar se si përvojat e jetuara të grave në botën vikinge ishin të ndryshme dhe magjepsëse.
10. The Book of Margery Kempe, redaktuar nga Barry Windeat
Fjala e fundit duhet t’i takojë një gruaje nga historia. Ky libër ka mbijetuar krejt rastësisht, një dorëshkrim mesjetar i varrosur në një dollap dhe i ri-zbuluar në vitet 1930. Është autobiografia më e vjetër e mbijetuar në anglisht, por fillimisht u anashkalua si rrëmuja e një “gruaje të çmendur”. Megjithatë brenda faqeve të tij shfaqet një person i shquar. Margery na tregon për problemet e pushimeve mesjetare, kujdesin për burrin e saj të sëmurë dhe sa shumë e dëshiron seksin. Teksti është më shumë se 600 vjet i vjetër, por kur e lexoni, ndjeheni sikur Margery është gjallë dhe është ulur pranë jush.
Janina Ramirez
E përktheu: Greta Avdyli
Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://www.theguardian.com/books/2022/aug/10/top-10-books-about-women-written-out-of-history-femina-janina-ramirez