Nga mbajtja mend e ditëlindjeve deri te ofrimi i shërbimit me buzëqeshje, jeta ka një varg përgjegjësish të përditshme që rrallë diskutohen, dhe që rendojnë në mënyrë jo proporcionale mbi gratë. Përballja me këtë realitet, më në fund, mund të jetë një hap revolucionar.
Ne mbajmë mend alergjitë e fëmijëve, e bëjmë listën e blerjeve, e dimë ku ndodhen çelësat rezervë. Ne bëjmë shumë punë njëkohësisht. Dimë kur na mbarojnë shkopinjtë e pambukut (Q-tips) dhe planifikojmë kur do t’i blejmë. Jemi më të mira në mbajtjen mend të ditëlindjeve. E duam përkujdesjen për të dashurit tanë dhe mbajmë shënime se çfarë u pëlqejnë të hanë. Vërejmë ndryshimet në shëndetin e njerëzve dhe i shtyjmë miqtë e familjarët të shkojnë te mjeku.
Ne i dëgjojmë shqetësimet e partnerit, ia falim mungesat dhe harresat, faktin që përqendrohet në një gjë të vetme, ndërkohë që jemi të zëna duke organizuar takimet e fëmijëve në këndin e lojërave. Ne duartrokasim sukseset e arritura: grantin që u fitua e ngritjen në pozitë. Ishte përkushtimi i tyre, por edhe i joni, në prapaskenë. Përveç kësaj, na thuhet se edhe ne mund të arrijmë suksesin, nëse punojmë mjaftueshëm. Duhet vetëm të mësojmë se si të “marrim iniciativë”.
Po sikur, ashtu si kujdesi për fëmijët dhe punët e shtëpisë, edhe kjo përpjekje e vazhdueshme për menaxhimin emocional të jetë thjesht një formë tjetër e punës së papaguar?
Gaboni, nëse mendoni se kjo është e tepërt. Koncepti i punës emocionale dhe barrës emocionale – si akte të përsëritura, rraskapitëse dhe të nënvlerësuara të performancës gjinore – ka qenë për dekada një subjekt studimi i shkencave sociale.
Vetëm se ne të tjerëve na është dashur pak më shumë kohë për ta kuptuar.
Jennifer Lena, sociologe dhe profesore e arteve në Universitetin e Columbia-s, më shikon nga ana tjetër e tavolinës prej druri të vjetër, ku po jemi ulur bashkë. Dy birra gjenden në mes, të gatshme për t’u konsumuar.
Por Lena nuk pi. Ajo thjesht më shikon, duke dhënë përshtypjen se është disi e zhgënjyer dhe e aspak e sfiduar.
“Shkrimi yt i radhës është për punën emocionale si fronti i ardhshëm i feminizmit?” – përsërit ajo. “Kjo është sociologji elementare! Prej vitesh ua mësoj studentëve të nivelit Bachelor këtë temë.”
Unë pi një gllënjkë birrë dhe belbëzoj, si në faj.
Për të qenë e sinqertë, refuzimi miqësor i Lenës shpërfaq të vërtetën. Ky koncept ekziston prej më shumë se 30 vitesh dhe ishte prezantuar për herë të parë nga Arlie Hochschild, një akademike që e formuloi zyrtarisht këtë ide në librin e saj të vitit 1983, The Managed Heart.
Por vetëm së fundmi ka filluar të rikthehet ngadalë në debatet online dhe në kulturën popullore. Jess Zimmerman, e cila ka shkruar për punën emocionale për The Toast, thotë se ishte tronditur nga sasia e reagimeve që mori – qindra e qindra gra komentuan duke u pajtuar zëshëm dhe duke e falënderuar që më në fund u kishte ofruar një fjalor për të përshkruar përvojat e tyre.
Zimmerman e trajtoi punën emocionale si diçka që ndodh veçanërisht në jetën private, ndërkohë që akademikët fillimisht e kishin trajtuar atë si çështje formale të vendit të punës. Ndoshta pikërisht sepse gjithnjë e më shumë gra po hyjnë në profesione që dikur dominoheshin nga burrat, ato po vërejnë se nga to pritet shtesë edhe puna emocionale – pra, një “punë më femërore”.
Në kontekst të punës, puna emocionale i referohet pritshmërisë që një punëtore duhet ose të manipulojë ndjenjat e saj ose shprehjen e tyre, për të përmbushur kërkesat e perceptuara të punës së saj. Puna emocionale gjithashtu përfshin edhe pritshmërinë që një punëtore të përshtatë ndjenjat e saj me qëllim që të ndikojë pozitivisht në përvojën e një klienti apo kolegu.
Puna emocionale përfshin gjithashtu ruajtjen e harmonisë në zyrë, të qenit e këndshme dhe e pranishme, por jo në mënyrë të tepruar, të qenit e ëmbël dhe tolerante, si dhe ofrimin vullnetar për të kryer detyra të vogla (si përgatitja e kafesë apo printimi i dokumenteve).
Mendoni për stjuardesat, të cilat ishin një nga shembujt kryesorë të Hochschild-it në vitin 1983: ato duhej t’u shërbenin klientëve me buzëqeshje të përzemërt dhe ndjeshmëri, pavarësisht sa të lodhura apo të neveritura ndiheshin nga një fëmijë që vjellte ose nga një klient i bezdisshëm në klasën e biznesit.
Mendoni edhe për politikanen grua, nga e cila pritet të jetë simpatike dhe argëtuese, përveçse inteligjente dhe e aftë (nëse kjo ju duket e njohur, është sepse ndihmësit e Hillary Clinton-it e kishin këshilluar ta tregonte më shumë humorin dhe ndjeshmërinë e saj).
Mendoni për shankisten në Starbucks që këtë mëngjes ju vizatoi një fytyrë të buzëqeshur në gotën e kafesë. A e kishte vërtet dëshirë të bënte një hap më shumë sot, apo ishte thjesht pjesë e pritshmërive të punës së saj?
Pas disa gllënjkash nga Stella, Lena, sociologia, vendos të më ndihmojë pak.
“Mënyra si e konceptoj unë punën emocionale është kështu: ekzistojnë disa profesione ku ajo është një kërkesë thelbësore, ku nuk ofrohet trajnim për të, dhe ku ekziston një paragjykim pozitiv në favor të disa njerëzve – grave – për ta kryer atë. Është gjithashtu një lloj pune që në përgjithësi nënvlerësohet nga shoqëria.”
Sipas hulumtimeve, në mënyrë kumulative, puna e vazhdueshme emocionale është rraskapitëse, por rrallëherë njihet ligjërisht si ngarkesë, dhe për këtë arsye, nuk paguhet.
Shtimi i punëve me paga të ulëta në industrinë e shërbimeve, ku “shërbimi duke buzëqeshur” është pritshmëri, i ka kontribuar edhe më shumë rrënjosjes së këtij fenomeni. Në këto raste, puna emocionale nuk shihet si vlerë e shtuar, ajo është domosdoshmëri për ti sjellë punëtorët në nivelin minimal të pranueshëm.
Në SHBA, ku paga minimale, në nivel federal, për punët që pranojnë bakshishe është vetëm 2.13 dollarë në orë, kjo dukuri bëhet edhe më e theksuar. Në këto vende pune, punëdhënësi pret punën emocionale, por nuk është i gatshëm ta paguajë atë. Detyra për ta vlerësuar punën emocionale u bartet klientëve – të cilët presin përmbushje emocionale dhe kënaqësi, para se të japin bakshishin.
Kjo ka pasoja të rënda, veçanërisht për gratë. Sipas një studimi të ROC United, një qendër që përfaqëson punëtorët në sektorin e restoranteve, gratë që mbijetojnë nga bakshishet në shtetet ku paga minimale është 2.13 dollarë në orë janë dyfish më të ekspozuara ndaj ngacmimeve seksuale në vendin e punës, krahasuar me gratë në shtetet që kanë paga bazë më të larta.
Të dhënat e fundit tregojnë se të paktën dy të tretat e punëtorëve në industrinë me paga të ulëta janë gra, dhe gjysma e tyre janë gra me ngjyrë.
Edhe në industritë më prestigjioze, siç shpjegon Jessica Collett, profesore e sociologjisë në Universitetin e Notre Dame-it, burrat dhe gratë mund të përfshihen në të njëjtën shkallë të punës emocionale në mënyrë formale, por nga gratë pritet të kryejnë edhe një sasi shtesë të kësaj pune.
Për shembull, anëtarët e bordit, burra dhe gra, mund të kenë të njëjtin detyrim formal për të mbajtur marrëdhënie të mira me klientët (një pritshmëri e zakonshme në pozitat e tyre), por nga gratë shpesh pritet që, përveç kësaj, të kontribuojnë edhe në harmoninë e zyrës duke mbajtur mend ditëlindjet e kolegëve ose duke zhvilluar biseda të vogla me stafin. Edhe kolegët burra mund ta bëjnë këtë, por nëse e bëjnë, kjo shihet më shumë si një cilësi shtesë pozitive (“a nuk është i ëmbël dhe i përkushtuar?”).
Këtë vërejtje e ndau edhe një avokate e suksesshme për të drejtat e njeriut, mike e imja, e cila së fundmi u ankua për pritshmërinë që ajo duhej të ndërvepronte çdo mëngjes me stafin administrativ të zyrës – diçka që ajo e bënte me kënaqësi, por që në fakt e ndjente si detyrë që duhej ta bënte. Asaj i duhej që të perceptohej si e sjellshme dhe e aftë për të fituar respektin, ndërkohë që kolegu i saj burrë as që e merrej me këtë.
Robin Simon, profesore e sociologjisë në Universitetin Wake Forest, e ktheu vëmendjen nga vetja dhe tha se, si profesore grua, nga ajo pritej të ishte shumë më e ndjeshme emocionalisht dhe e qasshme, brenda dhe jashtë klasës, krahasuar me kolegët e saj burra.
“Studentët presin më shumë emocione nga gratë,” thotë ajo, duke shtuar se nga profesoret jo vetëm që pritet të jenë të hareshme gjatë mësimit (sidomos me rritjen e ndikimit të vlerësimeve të studentëve në punësim), por ato shpesh detyrohen të marrin edhe rolin e terapistes apo të ndërmjetësueses në konfliktet e brendshme akademike.
“Nuk e kam të qartë. Çka është puna emocionale?” – më pyeti një mik i imi, derisa ecte nëpër kuzhinën e tij dhe na e përgatiste drekën ndërsa po pushonim nga puna që po bënim bashkë në shtëpinë e tij në Manhattan.
Përderisa po përpiqesha t’ia shpjegoja kuptimin mikut tim që më gatoi drekën, vërejta vetullat e tij që fillimisht u rrudhosën nga përqendrimi dhe më pas ngadalë u shndërruan në hutim. Miku im, një inxhinier i suksesshëm softueri në të 30-at, që në shumë prej bisedave tona të kaluara ishte treguar përkrahës i kauzave feministe, qartazi mendonte se kjo ishte një hap i tepruar.
“Pse duhet të quhet punë fakti që gratë ofrojnë mbështetje emocionale? Po nëse atyre u pëlqen ta bëjnë? Po nëse thjesht janë më të mira në këtë gjë? Pse duhet ta paraqesim si diçka negative?”
Pyetjet e tij mund të kenë zbuluar njëfarë irritimi ndaj meje. Sinqerisht, gjatë gjithë miqësisë sonë në New York, ai kishte përgatitur të gjitha vaktet që kishim ngrënë bashkë, pa u ankuar asnjëherë.
“Pse ju feministet gjithmonë i ktheni gjërat normale në çështje për debat?” – vazhdoi ai.
Për të, konceptualizimi i punës emocionale si diçka tjetër përveçse natyrore shihej si kërkesë e tepruar; si një përpjekje për ta bërë të madhe diçka që, sipas tij, duhej lënë e ashtu siç ishte.
Miku im ndoshta nuk do të guxonte kurrë të thoshte: “Ah, por gratë janë kuzhiniere më të mira”, “Gratë pastrojnë më mirë” apo “Gratë janë më të afta në kujdesin për fëmijë.” Megjithatë, sugjerimi i tij se ndoshta disa gra “thjesht janë të tilla” – më të afta emocionalisht – dukej të ishte argumenti me të cilin përballesha më së shpeshti sa herë që e hapja këtë temë.
Por ky qëndrim esencialist nuk qëndron nga pikëpamja akademike.
Në një artikull akademik të vitit 2005 mbi këtë temë, sociologia Rebecca Erickson – duke u bazuar në të dhëna nga 355 prindër të punësuar dhe të martuar, gjeti se jo vetëm që barra kryesore e punës emocionale në shtëpi i binte grave, përveç përkujdesjes për fëmijët dhe punëve të shtëpisë, por kjo punë lidhej me ndërtimin gjinor, e jo me seksin biologjik.
“Një pjesë e asaj që dëshmojnë hulumtimet mbi këtë temë është se prirja më e madhe e grave për t’u përfshirë në punë emocionale nuk lidhet me seksin e tyre biologjik, por me rolin gjinor dhe pozicionin që ato kanë pasur brenda familjes, grupeve shoqërore dhe shoqërisë në përgjithësi,” shpjegon Collett.
Ky është një rol me të cilin thjesht jemi mësuar: gruaja si menaxhuese e emocioneve, çka e fut atë në atë që Collett e quan “ndërrimi i dytë i punës”.
Edhe në dhomën e gjumit, nga gratë pritet të menaxhojnë emocionet dhe ndjeshmëritë e partnerëve të tyre burra.
Në një artikull të publikuar në The Guardian, Alana Massey flet për pabarazinë seksuale që vazhdon të ekzistojë në një botë pas “çlirimit të rremë seksual”. Mund të kemi filluar ta pranojmë gradualisht idenë se gratë mund të kenë marrëdhënie seksuale sipas dëshirës së tyre, por të qenit pozitiv ndaj seksit nuk është pasuar aspak me debati më i gjerë për atë se çfarë lloj marrëdhëniesh seksuale u duhen dhe i plotësojnë gratë në të vërtetë.
Prandaj, mund të mendojmë se ndjenja e nevojës që gratë të simulojnë orgazmë të rreme nuk është thjesht pasojë e një shoqërie që ende e sheh marrëdhënien seksuale me burrin në qendër, por edhe një formë për t’u kujdesur para së gjithash për egon e burrave.
Një studim i publikuar në vitin 2011, i cili mblodhi të dhëna nga 71 gra heteroseksuale seksualisht aktive, zbuloi se edhe pse të gjitha gratë raportuan se përjetonin orgazmë në përgjithësi (kryesisht gjatë paralojës seksuale), 79% e tyre kishin simuluar orgazmë të rreme gjatë marrëdhënies seksuale penetrative më shumë se gjysmën e herave. Madje, 25% e grave të anketuara thanë se kishin simuluar në 90% të rasteve.
Studimi zbuloi se 66% e grave që simuluan orgazmën (ose siç u quajt përgjatë studimit “vokalizime gjatë marrëdhënies”) thanë se e bënin këtë për ta përshpejtuar ejakulimin e partnerit. Për më tepër, 92% e grave raportuan se besonin fuqishëm që kjo teknikë ndihmonte në rritjen e vetëbesimit të partnerit, dhe 87% e tyre thanë se ky ishte pikërisht qëllimi pse e bënin.
Sara Thompson, mësuese e cila është bërë avokate e çështjeve financiare në të 30-at e hershme, është në çdo aspekt pjesë e një marrëdhënie shumë egalitare.
Bashkëshorti i saj dhe partneri prej 10 vitesh është studiues, administrator dhe profesor i suksesshëm në një universitet të ligës Ivy. Ata kanë një jetë të organizuar me marrëveshje formale e joformale që e mbajnë marrëdhënien e tyre të shëndetshme dhe në dukje të barabartë nga jashtë.
Por sapo Thompson nis të flasë për punën emocionale dhe përpjekjet e përditshme shtesë lidhur me organizimin e shtëpisë që në fakt pjesë e marrëdhënies së saj romantike, fillojnë të dalin në shpërfaqen dallime të qarta.
Për shkak që ishte rritur në një ambient ku qortohej që ‘zinte shumë hapësirë’, ajo është formuar në një person që vazhdimisht dhe në mënyrë kronike i kushton vëmendje ambientit përreth saj.
“Sot jam një person që është shumë i vetëdijshëm për tonin e zërit tim, për praninë e trupit tim në hapësirën publike, për nivelin e rehatisë së njerëzve përreth meje,” shpjegon ajo.
Shumica e gjërave që ajo rendit se bën nuk janë thjesht pastrim dhe mirëmbajtje, por lidhen ngushtë me to. Ato përfshijnë mendim, planifikim:
“Vendosja e sendeve në mure dhe e fotografive në korniza, mendimi nëse duhet të blejmë çarçafë të rinj sepse të vjetrit duken të përdorur, planifikimi i orarit të darkës, planifikimi se çfarë do të hamë për darkë.”
Nuk është thjesht fakti që Thompson po gatuan darkën, por që ajo planifikon menynë (çfarë do t’i pëlqente atij?), mendon për orën kur duhet servirur – të gjitha këto janë forma kujdesi që kalojnë pa u vënë re. “Më nervozon shumë që duhet të mendoj për këto gjëra. Nuk është e drejtë, është rraskapitëse,” tha ajo.
Planifikimi familjar është një çështje tjetër. “Jam unë ajo që duhet të bëjë gjithë hulumtimin dhe t’ia shpjegoj atij në mënyrë të thjeshtuar. ‘Sa kohë duhet që të mbetesh shtatzënë pas heqjes së spiralës?’ – më pyet ai. ‘E pse të mos e bësh vetë atë kërkim nëse je duke menduar që të kemi fëmijë?’”
E njëjta gjë vlen edhe për detajet më të vogla të jetës së përditshme. “Ai kërkon gjëra. ‘E ke parë limën e thonjve?’ Shkon te dollapi dhe thotë se nuk po e sheh. Është aty. ‘Ku i mbajmë peshqirët e kuzhinës?’ Ma pyet përsëri e përsëri. Pas herës së tretë apo të katërt, këto gjëra duhet të mësohen.”
“Kjo sygjeron se ai ka një shkëputje nga shtëpia të cilën unë nuk e kam luksin ta kem. Sepse po ta kisha, jeta jonë e përditshme do të ishte një makth. Prandaj e marr unë këtë rol. Nuk është vetja ime e vërtetë, por nuk kam zgjedhje tjetër,” thotë ajo.
Prandaj Thompson zgjedh betejat e saj (a nuk bëjmë të gjithë kështu?), dhe pyetja mbetet – nëse socializohemi për të qenë kështu që në moshë të hershme, a është e mundur që me kalimin e kohës vërtet bëhemi më të mira në këtë, edhe nëse natyra nuk na krijoi të tilla? A duhet atëherë thjesht të heshtim dhe të vazhdojmë përpara, sepse bota ndoshta do të ndalonte së rrotulluari po të mos e bënim?
Apo ka ardhur koha të fillojmë të harrojmë edhe ne ditëlindjet, të ndalojmë së simuluari një kënaqësi të cilën nuk e ndjejmë vërtetë, dhe të kërkojmë kompensim të drejtë e formal për punën emocionale që ofrojmë në vendin e punës si një aftësi në vete?
Epo, kjo, pikërisht kjo, do të ishte ndoshta revolucioni që do ta trondiste patriarkatin deri në palcë.
Rose Hackman
E përktheu: Blenda Asllani
Artikullin origjinal e gjeni këtu.