Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1
Readings

Aksioni Humanitar Feminist: një çështje e të drejtave të njeriut

QIKA 3.8.2022

Aksioni Humanitar (HA) është shfaqur duke u menaxhuar si një lloj i veçantë dhe si sektor i bashkëpunimit zhvillimor ndërkombëtar, me karakteristikat, afatet kohore, parimet, objektivat dhe procedurat e veta. Ky aksion i diferencuar ka çuar në sektorizimin e ndërhyrjeve dhe specializimin e organizatave dhe agjencive, duke e bërë të vështirë artikulimin e një dialogu të rrjedhshëm që synon harmonizimin dhe plotësimin e aksioneve të ndryshme.

Ndryshimet në kuptimin e zhvillimit dhe bashkëpunimit ndërkombëtar po sfidojnë këtë sektorizim dhe po nxisin kërkimin e formulave që rrisin plotësimin dhe potencialin për konvergjencë midis zhvillimit dhe Aksionit Humanitar. Kjo perspektivë e integruar mund të shihet edhe në lidhjen midis paqes, sigurisë dhe zhvillimit të qëndrueshëm nga Axhenda 2030.

Perspektiva feministe mund të na ndihmojë të skicojmë këto ura teorike dhe praktike. Kritikat feministe ndaj një vizioni zhvillimor të kufizuar në rritjen ekonomike kanë luajtur një rol kyç në ekspozimin e paragjykimeve androcentrike dhe etnocentrike të strategjive të zhvillimit, duke rritur nocionin e keq zhvillimit dhe duke vënë në dukje ekzistencën e një dështimi sistemik global të modelit hegjemonik të zhvillimit.

Gjithashtu, strategjitë e fuqizimit kanë përforcuar parimin e mbrojtjes, duke theksuar rëndësinë e shkaqeve strukturore të krizave humanitare dhe duke promovuar veprime që fokusohen në mbrojtjen dhe garantimin e të drejtave të njeriut dhe veçanërisht mbrojtjen e të drejtave të grave. Në këtë kuptim, këndvështrimi feminist ka zbuluar lidhjen midis zgjerimit të modelit hegjemonist neoliberal të globalizimit dhe shfaqjes së formave të reja të shkeljes së të drejtave të grave, kontrollit dhe dhunës mizogjene në shkallë globale.

Ndryshimet në të kuptuarit tonë mbi zhvillimin

Kuptimi mbizotërues i zhvillimit si rritje ekonomike është treguar se ka kufizime teorike dhe metodologjike kur bëhet fjalë për integrimin e elementeve thelbësore për mirëqenien e qenieve njerëzore dhe ruajtjen e mjedisit natyror. Në këtë kontekst, narrativa e zhvillimit tani po ushqehet nga qasje të reja që sfidojnë idenë e zhvillimit të përqendruar në një rritje ekonomike të pakufizuar që çon në pabarazi dhe përkeqësim mjedisor, ose kapërcejnë kuptimin e zhvillimit si një qëllim universal, duke vënë në pikëpyetje paragjykimet individualiste dhe ekskluzive të vlerave liberale.

Pasojat e globalizimit neoliberal dhe krizës ekologjike, si dhe propozimet për modele alternative që rikonfigurojnë marrëdhëniet tona shoqërore dhe ndërveprimin me natyrën, përbëjnë një lexim të rëndësishëm gjinor. P.sh. ekonomia feministe tregon faktin se modeli kapitalist i prodhimit dhe konsumit bazohet në një model patriarkal të organizimit shoqëror që nënvlerëson dhe neglizhon riprodhimin dhe kujdesin shoqëror.

Ekonomia feministe është e përkushtuar ndaj një ndryshimit të një modeli që sillet rreth qëndrueshmërisë së jetës dhe kupton ndërvarësinë midis qenieve njerëzore dhe nevojën e tyre për kujdes si bazën e sistemit të organizimit të komunitetit. Në mënyrë të ngjashme dhe në harmoni me eko-feminizmin, ky model trajton eko-varësinë e proceseve të zhvillimit , duke theksuar kufijtë e modelit aktual të globalizimit, natyrën e tij antropocentrike dhe androcentrike si dhe duke lidhur ruajtjen dhe kujdesin ndaj natyrës – drejtësinë mjedisore – me barazinë dhe drejtësinë gjinore. Këto të dhëna po japin një kontribut vendimtar në ri-përcaktimin e konceptit të zhvillimit dhe ndërtimin kolektiv të modeleve alternative të bashkëjetesës.

Në dekadat e fundit, sistemi i bashkëpunimit zhvillimor ka filluar një proces të konsiderueshëm transformimi që ndikon në natyrën, konfigurimin, matjen dhe funksionimin e tij. Ky proces ndryshimi është motivuar nga transformimet që kanë ndodhur në skenën ndërkombëtare, si dhe nga përmbajtja e re në debatet dhe agjendat zhvillimore.

Rritja e rëndësisë së debateve mbi pabarazitë, kërkimi i formulave të qeverisjes ndërkombëtare që janë më përfaqësuese dhe më efektive në menaxhimin e të mirave publike globale në mënyrë bashkëpunuese dhe koherenca e politikave janë elementët shtytës të një bashkëpunimi ndërkombëtar të rinovuar. Për më tepër, vizioni gjithëpërfshirës, ndërvarësia dhe natyra strukturore e sfidave aktuale të zhvillimit kërkojnë që modeli i zhvillimit të bëhet një sferë veprimi për bashkëpunim ndërkombëtar. Ky transformim do të orientohej drejt zbatimit të marrëdhënieve të reja më të qëndrueshme të prodhimit dhe konsumit, e bazuar në drejtësinë shoqërore dhe gjinore, apo drejt konsolidimit të mjediseve më demokratike, gjithëpërfshirëse dhe kohezive socio-politike, të fokusuara në fuqizimin dhe pjesëmarrjen e qytetarëve.

Parimi i mbrojtjes nga një perspektivë e të drejtave të njeriut

Qasja e ndihmës që tradicionalisht e ka karakterizuar Aksionin Humanitar ka qenë subjekt i kritikave të rënda që nga vitet 1980 për shkak të perspektivave më politike, gjithëpërfshirëse dhe integruese mbi krizat humanitare. Që atëherë, janë shfaqur qasje të reja, të tilla si lidhja midis ndihmës emergjente, rehabilitimit dhe zhvillimit (VARD), reduktimit dhe menaxhimit të rrezikut nga fatkeqësitë (DRR), ose qasjes së qëndrueshmërisë, e cila thekson rëndësinë e punës parandaluese. Këto qasje promovojnë aksione për të vlerësuar faktorët e rrezikut që mund të shkaktojnë një krizë humanitare ose të përmirësojnë kapacitetin e gatishmërisë për reagim të vendeve dhe komuniteteve për të reduktuar cenueshmërinë ndaj rreziqeve të ardhshme.

Humanitarizmi i ri propozon një qasje edhe më holistike, e aftë për të ri-interpretuar objektivat e Aksionit Humanitar dhe për ti ri-drejtuar ato drejt transformimit të shkaqeve strukturore të krizave dhe promovimit të zhvillimit, paqes dhe të drejtave të njeriut. Me këtë perspektivë më të gjerë, puna humanitare do të orientohej gjithashtu drejt parandalimit të konflikteve dhe ndërtimit të paqes, duke përfshirë këtu mbledhjen e provave, raportimin dhe veprimet e avokimit, si në kontekste krize ashtu edhe në vendet e Veriut.

Një linjë tjetër e debatit që vjen nga humanitarizmi i ri, argumenton se fokusi i bazuar në nevojë duhet të zgjerohet për të përfshirë një qasje më të gjerë bazuar në Të Drejtat e Njeriut (HRBA), e cila sillet rreth parimit të mbrojtjes. Në fakt, së bashku me detyrën për të ndihmuar viktimat e krizave humanitare, detyra për të mbrojtur ishte një element qendror në shfaqjen e humanitarizmit, megjithatë, është dëshmuar së është disi më komplekse për tu përcaktuar. Nga një qasje e bazuar në të drejtat e njeriut, Aksioni Humanitar do të kapërcente mirëqenien dhe do të artikulohej nga një nocion i drejtësisë shoqërore që thekson pjesëmarrjen dhe zbatueshmërinë e të drejtave të njerëzve.

Që nga fundi i viteve 1990, sistemi humanitar është përpjekur të bie dakord mbi parimet dhe standardet minimale të përbashkëta, si dhe kornizat operacionale, për të artikuluar kritere të përbashkëta për veprim (të tilla si iniciativa Sphere, Standardi Thelbësor Humanitar, Kuadri Sendai për DRR, ose Grand Bargain që doli pas Samitit Humanitar Botëror të parë). Megjithëse realizimi dhe zhvillimi i parimit të mbrojtjes nuk janë gjithmonë në qendër të këtyre propozimeve, ato kanë ndihmuar në kanalizimin e përgjegjësive të aktorëve humanitar, përmirësimin e transparencës dhe llogaridhënies dhe promovimin e koordinimit dhe pjesëmarrjes. Megjithatë, shumica e këtyre nismave janë të orientuara përfundimisht drejt menaxhimit të burimeve ekonomike nga donatorët, pa e mbështetur atë në mënyrë efektive me kritere cilësore të bazuara në realizimin e të drejtave.

Aksioni Humanitar Feminist

Përfshirja e perspektivës gjinore në Aksionin Humanitar është shfaqur më vonë se sa në politikat dhe iniciativat zhvillimore. Sidoqoftë, përvetësimi i një qasjeje që fokusohet më tepër në të drejtat, mbrojtjen dhe llogaridhënien ka krijuar një klimë të favorshme për përfshirjen e perspektivës gjinore në punën e aktorëve humanitar dhe standardizimin e udhëzimeve për veprim. Sot, ekziston një konsensus i gjerë që përfshin perspektiva gjinore në punën humanitare dhe kjo gjë na lejon të njohim ndikimin e diferencuar të krizave humanitare mbi gratë dhe burrat dhe efektin specifik që konfliktet e armatosura kanë tek vajzat dhe gratë. Perspektiva gjinore gjithashtu bën të mundur të shihet se si cenueshmëria, kapaciteti dhe qëndrueshmëria (individuale dhe kolektive) kanë një dimension të rëndësishëm gjinor, pasi që ato përcaktohen shumë nga marrëdhëniet e pushtetit, rolet tradicionale, cilësia e pjesëmarrjes, qasja dhe kontrolli i burimeve dhe normat shoqërore diskriminuese.

Konsiderimi i nevojave, mundësive, prioriteteve ose strategjive të ndryshme dhe vëmendja ndaj asaj se si ndryshojnë marrëdhëniet gjinore gjatë krizave mund të ofrojë informacion tepër të dobishëm për programimin efektiv humanitar dhe përmbushjen e të drejtave të njeriut. Gjithashtu, duhet të theksohet se roli tradicional i paracaktuar për gratë, që ndërlidhet me detyrat riprodhuese dhe ato të kujdesit, shpesh i vendosë ato në ballë të përgjigjes. Për këtë arsye, është jetike që ato të marrin pjesë në fazat e programimit, pasi që kanë informacion thelbësor të nevojshëm për përgatitjen efektive, reagimin dhe planifikimin e rahabilitimit.

Qasja integrale e perspektivës gjinore ndaj parimit të mbrojtjes ndihmon në garantimin e zbatimit të parimeve humanitare: humanizmi, paanshmëria, mos-diskriminimi, neutraliteti dhe pavarësia. Kjo perspektivë kërkon aksione humanitare që njohin dallimet dhe pabarazitë ndërmjet grave dhe burrave dhe që përpiqen të mos i konsolidojnë apo përjetësojnë ato, kërkojnë aksione që nuk i vendosin vajzat dhe gratë në një situatë cenueshmërie të shtuar, ose ato të cilat marrin masa specifike për të mbrojtur të drejtat e tyre.

Nga pikëpamja operacionale, përfshirja e perspektivës gjinore në Aksionin Humanitar duhet të fillojë me një analizë gjinore të aftë për të udhëhequr hartimin e masave të synuara të mbrojtjes dhe fuqizimit, si dhe masat ndër-sektoriale si në fazën e projektimit poashtu edhe gjatë ekzekutimit si dhe në fazat vlerësuese. Këto masa përfshijnë identifikimin e situatave të dhunës gjinore, shfrytëzimit ose abuzimit seksual, veçanërisht gjatë konflikteve të armatosura, pastaj fuqizimi i vajzave dhe grave si dhe adresimi i kapaciteteve institucionale gjinore të organizatave humanitare, duke përfshirë balancën gjinore ndërmjet stafit të tyre.

Megjithatë, duhet theksuar se pavarësisht parimeve në kuadrin rregullator dhe operacional të Aksionit Humanitar, ka ende hapësirë të konsiderueshme për përmirësim në lidhje me integrimin e perspektivës gjinore në qasjen e bazuar të të Drejtave të Njeriut, p.sh. në Rezolutën 1325 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Qasjet kritike feministe, veçanërisht ato të feminizmit post-modern dhe de-kolonial, tërheqin vëmendjen ndaj politikave patriarkale dhe etnocentrike të identitetit që sektori humanitar (ri)krijon. Ato përpiqen të vënë në qendër të vëmendjes se si bota humanitare i bën rezistencë të konsiderueshme prioritizimit të barazisë gjinore dhe mbi të gjitha ato vënë në pikëpyetje instrumentalizimin e diskursit të barazisë, avullimin e shtrirjes transformuese të tij, rrezikun e thjeshtimit dhe homogjenizimit të llojllojshmërisë dhe përforcimit të një esencializmi të ri gjinor, apo heshtja e përgjithshme mbi shkaqet strukturore të këtyre pabarazive.

Barazi më e madhe përballë sfidave të reja humanitare

Shkurtimisht, përfshirja e perspektivës gjinore në Aksionin Humanitar ndihmon për të siguruar zbatimin e parimeve humanitare nga një vizion integral i parimit të mbrojtjes, por gjithashtu përmirëson efektivitetin dhe efikasitetin e punës humanitare duke ofruar një diagnozë më të saktë të punës humanitare duke ofruar një diagnozë më të saktë të problemeve dhe nevojave, pra duke i drejtuar në mënyrë më të përshtatshme veprimet e mbrojtjes dhe të ndihmës. Për më tepër, perspektiva gjinore rrit lidhjen midis emergjencave dhe zhvillimit, sepse nga njëra anë zvogëlon nivelin e rrezikut dhe nga ana tjetër, për shkak se kontekstet emergjente gjenerojnë mundësi të rëndësishme për të transformuar rolet tradicionale dhe praktikat diskriminuese dhe përparimin drejt barazisë në proceset post-emergjente.

Sfidat e sotme dëshmojnë se krizat humanitare nuk mund të interpretohen më si dukuri të paparashikuara ose të papritura, por në pjesën më të madhe shkaktohen nga ndikimet globale të një modeli zhvillimore ekstraktivist, të paqëndrueshëm dhe të padrejtë, i cili ka rritur cenueshmërinë ekologjike dhe shoqërore. Pabarazitë gjinore janë identifikuar gjithashtu si një faktor kryesor në cenueshmëri, duke dobësuar kapacitetet sociale për menaxhimin e duhur të rrezikut nga fatkeqësitë dhe duke gërryer kohezionin social dhe bazat për bashkëjetesë paqësore.

Intensifikimi i konflikteve dhe situatave të dhunës, krizat e refugjatëve dhe ndikimet e ndryshimeve klimatike e kanë bërë punën humanitare më komplekse. Megjithatë, sektori duhet ti kushtojë më shumë vëmendje shkaqeve strukturore të këtyre krizave. Për më tepër, ne po shohim sigurimin dhe instrumentalizimin e Aksioni Humanitar për ti shërbyer objektivave gjeostrategjike, duke arsyetuar ndërhyrjet ushtarake për arsye humanitare, duke i kategorizuar situatat me komponentë të qartë social, ekonomik ose politik si kriza humanitare, ose përkundrazi, zgjerimi i hendekut emergjent në situata që kërkojnë më shumë vëmendje dhe mbrojtje.

Në këtë kontekst, sektori humanitar duhet të intensifikojë përpjekjet e tij për t’iu rikthyer punës së artikulimit dhe kanalizimit të kërkesave të qytetarëve për drejtësi globale dhe gjinore. Një detyrë që nga ana tjetër përputhet me qasjet feministë që kanë synim për të kontribuuar në formimin e një qytetarie kritike që mobilizohet dhe informohet për shkaqe strukturore të krizave, pabarazive dhe shkeljeve të të drejtave, me lidhje globale që nxisin shkëmbimin dhe të mësuarit dhe në të njëjtën kohë ofrojnë propozime transformuese të rrënjosura në përvojat e përditshme.  Nëse puna humanitare do të mund të bënte përparim përgjatë këtyre linjave, ajo do të kontribuonte në procesin e transformimit dhe përditësimit të bashkëpunimit ndërkombëtar për zhvillim dhe nga ana tjetër në konvergjencën e saj më propozimet aktuale për edukimin për transformimin social dhe drejtësinë globale.

Marta Pajarín García

E përktheu: Greta Avdyli

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://revistaidees.cat/en/feminist-humanitarian-action-a-matter-of-human-rights/?fbclid=IwAR3oOTLEzLtxasUZzJ8mKV522_Om6fm5eVvtJEbpkjqqLtFJ_QhWW-aWvlo