Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1
Readings

Brenda klasave sekrete në Afganistan, gratë po refuzojnë ndalimin e arsimit për vajzat

QIKA 23.4.2025

Nëpër të gjithë Afganistanin, ku qasja në arsim për vajzat është shumë e kufizuar, një rrjet i fshehtë i grave mësuese po refuzon të heq dorë nga e ardhmja e vajzave të vendit të tyre.

Që nga rikthimi i talibanëve në pushtet në gusht të vitit 2021, i cili solli ndalimin sistematik të shkollimit të vajzave mbi klasën e gjashtë, disa mësuese kanë vazhduar të mbajnë mësim nëpër shkolla të fshehta. Orët e tyre, të organizuara nëpër shtëpi private, podrume dhe dhoma të fshehta të dyqaneve, zhvillohen nën kërcënimin e vazhdueshëm për zbulim dhe ndëshkim, derisa ato rrezikojnë jetën për të dëshmuar se dija nuk mund të kufizohet me dekret.

“Filluam me pak nxënëse, në një shtëpi të sigurt,” thotë Amina, një nga mësueset në krye të këtij rrjeti sekret. Vetë ajo ka përvojë nëntëvjeçare në mësimdhënien e nxënëseve të moshave nga 7 deri në 24 vjeç. “Tani, edhe pse rreziku është i madh, po funksionojmë në disa provinca. Numri i nxënëseve vazhdon të rritet, sepse nuk kanë asnjë alternativë tjetër. Nëse ndalemi, këto vajza nuk do të kenë më asgjë”, shtoi ajo.

Pavarësisht shtypjes së vazhdueshme nga talibanët, mësueset si Amina dhe koleget e saj Maryam, Laila dhe Roya nuk po ndalen.

Ndër shumë nxënëse që kanë kaluar nëpër klasat e tyre është edhe 20-vjeçarja Forozan. Kur talibanët pushtuan fshatin e saj, Forozan dhe motrat e saj kaluan nëpër mizori që u lanë plagë të thella dhe i morën jetën motrës së tyre të madhe. Për një kohë të gjatë, Forozan mendonte se nuk kishte më shpresë. Por pasi mësoi nga të tjerët për një prej shkollave të fshehta të Aminës dhe u bë pjesë e saj, jeta e saj mori një kthesë tjetër. Me ndihmën e mësueseve, të cilat vunë re gjendjen e saj të mbyllur dhe siguruan mbështetje psikologjike, Forozan dhe familja e saj filluan ngadalë të shëroheshin.

Sot, Forozan dhe motra e saj Yalda jo vetëm që e kanë përfunduar shkollimin në shkollën e fshehtë, por tani u japin mësim vajzave të lagjes në shtëpi, përderisa nëna e tyre drejton një punishte rrobaqepësie. ”Jemi kthyer në jetë,” i tha nëna e tyre Aminës gjatë një vizite të papritur. “Një javë më parë, u ula dhe bisedova me vajzat e mia, diçka që nuk e kisha bërë prej dy vitesh. Realiteti është që duhet ta pranojmë situatën. Kam nisur të qep, Forozan dhe Yalda po mësojnë fëmijët e fqinjëve dhe po fitojnë pak të ardhura. Edhe gjendja e tyre shpirtërore është përmirësuar. E gjithë kjo falë teje, që i dëgjove fjalët e vajzës sime pa paragjykim dhe shpëtove një familje.”

Historia e Forozan-it është vetëm njëra nga shumë të tjera. Ky rrjet tashmë është shtrirë në tetë provinca dhe po vazhdon të zgjerohet, duke ofruar mësime në lexim-shkrim, matematikë, shkencë dhe anglisht, lëndë që konsiderohen të papranueshme nën regjimin e ashpër të talibanëve, që prej ndalimit të arsimit të mesëm për vajzat në shtator 2021. Deri më tani, 53 mësuese kanë ofruar mësim për të paktën 5,000 nxënëse që nga themelimi i këtij rrjeti.

“Nëse talibanët na bastisin, nuk duhet të gjejnë prova. Duhet të jemi gjithmonë të përgatitura që gjithçka të duket sikur po bëjmë diçka tjetër,” thotë Maryam. “Na është dashur t’i djegim materialet e nxënëseve më shumë herë sesa mund t’i numëroj.”

Frika nuk vjen vetëm nga bastisjet, por edhe nga tradhtia. “Nuk e dimë kush mund të na denoncojë,” thotë Laila. “Ne i marrim masat paraprake. Askush nuk i di të gjitha vendndodhjet. Informacionin e shpërndajmë gojë më gojë. Ndryshojmë vazhdimisht vendtakimet. Mbajmë klasat me numër të vogël nxënësesh.”

Pavarësisht këtyre masave të ndërmarra, rreziku vazhdon të ekzistoj. Disa mësuese janë thirrur drejtpërdrejt nga talibanët për të dhënë llogari për veprimet e tyre. Në dhjetor 2023, dy mësuese u thirrën të paraqiteshin para zyrtarëve talibanë pasi u akuzuan për shkollim të paligjshëm të vajzave.

“Na thirrën në një ligjëratë të së premtes,” tha Roya. “Donin që të qëndronim përballë tyre e të shpjegonim pse vazhdonim të jepnim mësim kur ata kishin urdhëruar ndalimin e plotë të arsimit për vajzat.”

Duke e ditur rrezikun që mbart një përballje e tillë – poshtërimi, rrahjet, gurëzimi, madje edhe ekzekutimi janë të gjitha mundësi reale në raste të tilla – ato iu drejtuan për ndihmë një plaku lokal. “Ai foli në emrin tonë,” tha Roya. “U tha atyre: ‘Këto janë vetëm gra që përpiqen të ndihmojnë gra të tjera. Nuk po shkelin asnjë lig, thjesht po ofrojnë lexim e shkrim.’ Ai na shpëtoi atë ditë. Por kërcënimet nuk u ndalën.”

Pavarësisht frikës, këto shkolla janë kthyer në strehë të sigurta për vajza si 16-vjeçarja Ayesha nga Parwan. Babai i saj ishte një mulla i rreptë, udhëheqës fetar në nivel fshati. Pas zhdukjes së tij gjatë ngritjes në pushtet të talibanëve, Ayesha ra në një depresion të thellë, duke u ndier e bllokuar nga një shoqëri që ia mohonte të drejtën për arsimim. Por nëna e saj, një mbështetëse e heshtur e vajzave të saj, zbuloi një nga shkollat e fshehta të Aminës.

“Kur pashë shoqet e mia të shkollës aty, nuk dija si ta shprehja gëzimin tim,” kujton Ayesha. Tani, ajo u jep mësim vajzave të tjera nga shtëpia dhe ndihmon në mbajtjen e familjes. “Shpresoj që një ditë ta gjej babanë dhe t’i them: ‘Shiko babi, çfarë vajze të guximshme ke!’”

Përveç arsimit bazë, këto institucione të fshehta kanë krijuar edhe programe për t’u ofruar grave të gjitha moshave aftësi elementare dhe burime profesionale.

“Kemi trajnuar gra për rrobaqepësi, dhe nga të diplomuarat tona janë hapur mbi 200 punishte. Është një mënyrë për to që të fitojnë të ardhura pa tërhequr shumë vëmendje”, tha Amina.

Ato kanë përpiluar gjithashtu një libër me dëshmi nga nxënëset në tetë provinca, duke dokumentuar përvojat e tyre nën sundimin e talibanëve. “Duam që bota të dijë çfarë po ndodh këtu,” tha Laila. “Këto nuk janë thjesht tregime. Ky është realiteti ynë.” Ato shpresojnë ta botojnë librin nëse arrijnë të sigurojnë financim.

Talibanët ua kanë mohuar grave të drejtën për arsim, por mësueset këmbëngulin se asnjë dekret nuk mund ta fshijë vendosmërinë e grave.

“Gratë në Afganistan gjithmonë gjejnë një mënyrë. Gjithmonë e kemi bërë.” tha Amina teksa buzëqeshi.

*Të gjithë emrat e grave në artikull janë ndryshuar për arsye sigurie dhe të mbrojtjes së identitetit.

Reid Newton

E përktheu: Blenda Asllani

Artikullin e plotë e gjeni këtu.