Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1
Readings

Çdo grua është grua punëtore

QIKA 14.11.2024

Në vitin 1972 feministet nga Italia, Anglia dhe Shetet e Bashkuara u mblodhën në Padova të Italisë për një Konferencë dy ditore. Të lidhura me të majtën jashtëparlamentare, luftërat antikolonialiste dhe alternativat e partisë komuniste, këto aktiviste hartuan një deklaratë për veprim, “Deklarata e Kolektivit Ndërkombëtar Feminist”. Deklaratë e cila hedhë poshtë ndarjen e punës së pa paguar në shtëpi dhe punës së paguar në fabrika, duke i shpallur punët e shtëpisë si terren kritik në luftën e klasave kundër kapitalizmit.

Silvia Federici, emigrante italiane që jeton në New York, mori pjesë në këtë konferencë ku më pas u kthye në New York për të themeluar Komitetin e Pagave të New York-ut mbi punët e shtëpisë. Në vitet pasuese, ky komitet mori përmasa të gjera ku u shpërnda në qytete të ndryshme të SHBA-së. Në secilin rast, këto grupe organizoheshin në mënyrë autonome, ndamas nga punëtorët burra që punonin me pagesë. Siç thotë edhe “Teza mbi pagat për punët e shtëpisë” (1974), “Autonomia prej burrave është autonomi prej kapitalit, që e përdorë fuqinë e tyre për t’na disiplinuar”.

Në New York, Komiteti i Pagave për Punët e Shtëpisë përbëhej nga jo më shumë se njëzet gra, të cilat mbanin lidhje të ngushta me Komitetin Italian Triveneto dhe Kolektivin Fuqia e Grave në Londër. Siç e kujton Federici, pati qarkullim të lartë të njerëzve gjatë viteve të para, kurse anëtarët diskutonin natyrën paradoksale të kërkesës për pagë: a ishte ky kompensim për punët e shtëpisë dhe, nëse po, a ishte një reformizëm i thjeshtë që përfshinte më tej punën e grave në sistemin kapitalist – apo ishte kërkesa për pagë një përmbysje e punëve të shtëpisë, duke i zhvendosur rolet dhe identitetet sociale të grave?

Këto ishin pyetjet qendrore në debatet e punës së brendshme të viteve 1960 deri në vitet 1980. Megjithëse feministet marksiste dhe socialiste kishin teorizuar gjatë mbi punët e shtëpisë, këto debate të reja u fokusuan më konkretisht në ekonominë politike të punëve të shtëpisë të grave në harkun më të gjerë të zhvillimit kapitalist. Në këtë rend, riprodhimi social është shënjues i punës së papaguar të pastrimit, gatimit, rritjes së fëmijëve, por edhe shënjues i pritshmërive të kujdesit të feminizuar, rehatisë dhe seksit, t’cilat e bëjnë të mundur punën me pagë të burrave nëpër fabrika.

Për më shumë se katër dekada, aktivizmi i Federicit ka qenë qendror në këtë punë. Shkrimi i saj ofron një përshkrim themelor të kërkesës për pagë si akt revolucionar. Pamfleti i saj me ndikim të madh, “Pagë për punët e shtëpisë” (1975), hapjen e bën me një përgënjeshtrim provokues: “Ata thonë se është  dashuri. Ne themi se është punë e papaguar”. Në këtë dokument dhe ato të tjera, Federici argumenton se kërkesa për pagë është një lidhje kritike politike mbi organizimin e grave rreth një kushti të përbashkët të punës së tjetërsuar. Kërkesa për pagë kërkesë e pamundshme për kapitalizmin; suksesi do t’kish sjellë ripërcaktim të shpërndarjes së pasurisë në shkallë të gjerë sociale.

“Pagë për punët e shtëpisë” është ribotuar së fundmi nga AK Press si pjesë e koleksionit Wages for Housework: The New York Committee 1972–1977: History, Theory, Documents, redaktuar nga Federici dhe Arlen Austin. Ky koleksion përfshin një numër broshurash, fjalimesh, gazetash, fotografish, këngësh dhe mbulimi mediatik të papublikuara më parë ose që ishin të vështira për t’u gjetur. Megjithëse koleksioni fokusohet në New York, ai përfshin gjithashtu materiale nga Los Angeles, Islanda, Italia, Gjermania dhe Londra. Tekstet shpesh refuzojnë premtimin utopik se teknologjitë e reja do të reduktojnë kohën e shpenzuar për punët e shtëpisë, duke liruar kohë për aktivitete të tjera. Siç argumentojnë Federici dhe Nicole Cox në “Counter-Planning from the Kitchen” (1975), produktiviteti i rritur i mundësuar nga teknologjitë e reja nuk ndryshon domosdoshmërisht natyrën e izoluar të punëve të shtëpisë ose format normative familjare të prodhuara prej saj.

Në vend se të fokusohet në risitë që i bëjnë punët e shtëpisë të duken më “ndryshe”, biseda e mëposhtme merr në konsideratë teknologjitë dhe teknikat luftuese që janë zhvilluar përmes organizimit feminist mbi punën riprodhuese.

__________________________________________________

Jill Richards: Pse kolektivi juaj vendosi të organizohej veçmas nga grupet e tjera aktiviste që po bënin punë te ngjashme me juve karshi drejtësisë në punë?

Silvia Federici: Lëvizja e grave në tërësi ishte autonome sepse ishte e qartë se shqetësimet tona nuk ishin të rëndësishme për të majtën e dominuar nga burrat. Në vitin 1969, gratë po largoheshin nga organizatat e majta, si Studentët për një Shoqëri Demokratike (SDS), sepse sa herë që gratë kërkonin një diskutim për shtypjen e tyre, ato kundërshtoheshin dhe tentonin t’i heshtnin. Ishte thelbësore që të gjitha grupet e grave të organizoheshin veçmas nga burrat; ne nuk do të kishim qenë kurrë në gjendje të zhvillonim një kuptim të formave specifike të shtypjes që vuajnë gratë në shoqërinë tonë nëse do të kishim mbetur në organizata të përziera. Në kohën kur kolektivi ynë u formua në vitin 1973, nevoja për autonomi feministe ishte vendosur mirë.

Duke u organizuar në mënyrë autonome, ne krijuam hapësira ku gratë mund të flisnin, të dëgjonin njëra-tjetrën, të vlerësonin përvojën e njëra-tjetrës dhe të kuptonin se ajo që kishim për të thënë ishte e rëndësishme. Autonomia bëri të mundur që ne të gjenim zërat tanë. Më duhet të shtoj se asnjë organizatë feministe nuk merrej vetëm me çështjen e drejtësisë së punës.

JR: A mund të flisni për mënyrën se si “Pagë për punët e shtëpisë” gjeti rrugën e saj drejt një vendi të angazhimit të thellë ndërracor, shumë kohë përpara se ndërsektorialiteti të ishte diçka për të cilën njerëzit flisnin dhe në një kohë kur aktivizmi i grave ishte kryesisht i ndarë sipas linjave racore?

SF: Politika për “Pagë për punët e shtëpisë”, u formësua nga gratë që dinin mirë për kapitalizmin, imperializmin dhe luftën kundër kolonializmit. Kështu, ne nuk mund të pranonim që çlirimi i grave mund të ishte luftë për “barazi me burrat” ose se mund të kufizohej në pagë të barabartë për punë të barabartë. Ne pamë se në të njëjtën mënyrë se qysh racizmi i burrave dhe grave të zeza kishte shërbyer për të justifikuar skllavërinë, po ashtu diskriminimi me bazë gjinore kishte shërbyer për të shfrytëzuar gratë si punëtorë të papaguar në shtëpi. Kjo është arsyeja pse ne mbështetëm luftën e nënave për mirëqenien, e cila udhëhiqej nga gratë e zeza – jo sepse gratë e zeza ishin shumica e grave me ndihmë sociale, gjë që nuk ishte kështu, por sepse gratë e zeza ishin më të gatshmet për të luftuar për të drejtat e tyre. Ishin ato që dolën në rrugë dhe thanë: “Mirëqenia nuk është bamirësi”; “Çdo grua është grua punëtore”. Ato thoshin, ashtu si ne, se rritja e një fëmije është punë e nevojshme shoqërore. Ato thoshin “Mos na thoni se jemi parazitë”; “Mos na thoni se jemi të varura nga shteti”; “Kur shteti po ka nevojë për ushtarë, ai kthehet tek fëmijët tanë”; “Kur fabrikat kanë nevojë për punëtorë, ato drejtohen kah fëmijët tanë”.

Prandaj, ato e kuptuan se “Pagë për punët e shtëpisë” do tu jepte grave më shumë pushtet: për një kohë të shkurtër, ato do kishin më shumë para, më shumë kontroll mbi jetët e tyre, duke mos qenë të detyruara të vareshin nga një burrë ose të vareshin nga ndonjë punë e çfarëdoshme për të cilën ato kishin dëshpërimisht nevojë, e në terma afatgjatë, duke refuzuar vazhdimin e dhënies së punës së papaguar klasës kapitaliste. Kështu duke e refuzuar të injorojnë faktin se shtëpia është një lloj fabrike, dhe se punët e shtëpisë e bëjnë të mundur çdo formë tjetër të punës – sepse prodhon punëtorë.

Kjo asnjëherë nuk ishte menduar të ishte një recetë për gratë që të mos punojnë jashtë shtëpisë. Më shumë do të thosha se kur largoheshim nga shtëpia, do të ishim në gjendje ta bënim largimin të fuqizuara e jo nga dëshpërimi, jo se do të na duhej të pranonim çfarëdo pune që na ofrohej – vetëm për vetëm që të kishim autonomi ekonomike.

JR: A mund të komentoni për marrëdhënien më të gjerë midis lëvizjeve feministe vendase dhe ndërkombëtare, veçanërisht në aspektin e organizimit të punës?

SF: Kapitali është ndërkombëtar, ndaj edhe aktivizmi kundër kapitalizmit duhet të jetë ndërkombëtar. Kjo ishte diçka që ne e kuptuam kur formuam Kolektivin Ndërkombëtar Feminist në Padova në verën e vitit 1972.

Organizimi ndërkombëtar na lejoi të zhvillonim një kritikë më të fortë ndaj kapitalizmit sesa mund të fitonim nga një perspektivë thjesht kombëtare. Në baza ditore, kjo do të thoshte që organizata jonë fokusohej në atë që ne mund të bënim në New York dhe Shtetet e Bashkuara më gjerësisht, por gjithashtu u përpoqëm rregullisht të kishim takime ndërkombëtare ku mund të shkëmbenim dokumente dhe analiza, në mënyrë që të kishim një pamje më të gjerë të betejave që ndanim të gjitha.

Edhe sot e shohim nevojën e organizimit ndërkombëtar, siç po ndodh rreth çështjes së dhunës ndaj grave. Dhuna nuk është uniforme, ajo prekë disa gra më shumë se disa tjera. Është e qartë se dhuna prek gratë me ngjyrë, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara, shumë më intensivisht sesa gratë e bardha. Po kështu, prek gratë në Jugun Global ndryshe nga ajo e Veriut. E megjithatë si gra ne të gjitha jemi rritur duke e ditur se nuk mund të dalim natën, se duhet të jemi të kujdesshme se ku shkojmë, kur, si vishemi sepse shumë burra do të kishin liri dhe të drejtë të na ngacmojnë seksualisht. Që nga fëmijëria, gratë e brezit tim ishin të përgatitura për faktin se dhuna do të ishte një element në jetën tonë, se burrat në rrugë do të bënin komente poshtëruese ose kërcënuese për trupin tonë, se baballarët dhe burrat mund të na rrihnin dhe do kjo të tolerohej.

Një pikë kthese kryesore në organizimin feminist ishte Gjykata Ndërkombëtare për Krimet kundër Grave që u mbajt në Bruksel në mars 1976. Organizuar nga feministet, gjykata foli për të gjitha format e dhunës, jo vetëm dhunën individuale apo në familje, por edhe dhunën e lidhur me luftërat dhe politikat institucionale. Megjithatë, një nga limitet e lëvizjes në Shtetet e Bashkuara ishte se ajo fokusohej kryesisht në kërkimin e dënimeve më të rënda për abuzuesit dhe shpesh bashkëpunonte me policinë. Ky ishte një gabim. Siç e kanë bërë të qartë organizatat e grave të zeza, dënimet më të rënda përfundojnë duke kriminalizuar burrat e komuniteteve tashmë të viktimizuara. Sot thirrja – e promovuar kryesisht nga feministët e zinj – është për drejtësi restauruese dhe përgjegjshmëri të komunitetit.

Analiza jonë e dhunës ndaj grave bazohej në shikimin e punëve të shtëpisë si një formë e prodhimit kapitalist dhe në analizimin e rolit të pagës në ndërtimin e organizimit familjar. Argumentuam se dhuna është gjithmonë latente në familje, sepse, nëpërmjet pagës, shteti i delegon burrit kompetencën për të mbikëqyrur dhe kontrolluar punën e gruas dhe fuqinë për ta penalizuar atë në rast se ajo nuk kryen punë. Unë do ta përshkruaja atë si një lloj rregulli indirekt: shteti ndërmjetëson kontrollin mbi gratë përmes burrit dhe pagës së tij. Jo më kot në vitet 1970-ta, gratë me ndihmë sociale e quanin shtetin “Burri”!

Kjo shpjegon pse dhuna në familje është toleruar për kaq shumë kohë dhe rrallë herë është trajtuar nga shteti si krim. Madje filluam ta shihnim përdhunimin si një formë disipline shtëpiake. Është një mënyrë e kontrollit dhe rregullimit të kohës dhe hapësirës së gruas: Nuk duhet të dalësh natën vetëm pa burrin, duhet të jesh në shtëpi me fëmijët, të bësh punët e shtëpisë, të përgatitesh për të nesërmen etj. Nëse je jashtë, atëherë t’jesh e përgaditun se e dini çka ndodhë. Kërcënimi i përdhunimit është një disiplinë e pashprehur për kohën dhe hapësirën e grave.

Nuk duhet të harrojmë gjithashtu se dhuna ndaj grave lidhet me abuzimin e fëmijëve, popullatës tjetër të madhe që i nënshtrohet dhunës e cila nuk njihet si e tillë. Fëmijët mund të rrihen sepse, ashtu si me gratë, shteti pranon se kjo është një mënyrë e nevojshme për t’i disiplinuar, për t’i përgatitur për format e ardhshme të eksploatimit. Dhuna ndaj grave është e vazhdueshme me dhunën ndaj të gjithë zezakëve, grave dhe burrave, megjithëse që nga skllavëria e deri më sot kjo ka marrë forma shumë më brutale, shkatërruese. Dhuna është gjithmonë e nevojshme për t’i detyruar njerëzit të pranojnë një vend të varur në shoqëri, për të imponuar forma intensive të eksploatimit.

JR: Cilat aspekte të platformës “Pagë për punët e shtëpisë” u keqkuptuan më shpesh në atë kohë?

SF: Lëvizja më e gjerë feministe ishte e shqetësuar për përmirësimin e kushteve të grave, por jo aq e shqetësuar për transformimin e shoqërisë larg kapitalizmit. Ne e ndienim se ishte e pamundur të bënim të parën pa bërë të dytën.

“Pagë për punët e shtëpisë” u keqkuptua duke thënë: Na jepni para që të rrimë në shtëpi, duke bërë të njëjtat punë shtëpie. Ne në fakt pagat për punët e shtëpisë i shihnim si një strategji refuzimi, si një strategji që na jep më shumë mundësi, më shumë fuqi për të vendosur se si ta organizojmë jetën tonë. Ne u akuzuam për “institucionalizimin e grave në shtëpi”, por shumë gra që takuam do të na thoshin se ishin tashmë të institucionalizuara në shtëpi sepse, pa paratë e tyre, nuk mund të shkonin askund ose nuk mund t’i linin burrat e tyre edhe sikur të donin.

Pagat për punët e shtëpisë nuk ishin qëllimi përfundimtar për ne, siç supozuan disa kritikë – që nuk do të thotë se nuk ishte një qëllim i fuqishëm në vetvete. Ne besuam se lufta për paga për punët e shtëpisë do të ishte mënyra më e shpejtë për të detyruar shtetin të na jepte çerdhe falas dhe shërbime të tjera kryesore mbështetëse. Fatkeqësisht, lëvizja e grave ende nuk ka mundur t’i marrë ato! Mendoj se kjo është pjesërisht sepse lëvizja e vuri të gjithë energjinë e saj për të hyrë në hapësirat e dominuara nga burrat dhe nuk u përpoq të ndryshonte kushtet e punës riprodhuese, veçanërisht në lidhje me punën në shtëpi, rritjen e fëmijëve dhe format e tjera të punës së kujdesit. Ndërkohë, shteti në vend që të ofrojë më shumë shërbime për gratë, në fakt ka reduktuar qasjen edhe në shërbimet që ishin në dispozicion. Sot është më e vështirë të marrësh kujdesin për të moshuarit dhe fëmijët se sa ishte në fund të viteve 1960.

Strategjia jonë ishte të luftonim në terrenin ku gratë janë më të forta, për çështje që na prekin të gjithëve, si puna në shtëpi, seksualiteti, rritja e fëmijëve, si dhe puna e paguar. Kur çështja e pushimit të paguar të lehonisë shkoi në Gjykatën e Lartë në vitin 1976, pak feministe e mbështetën atë sepse kishin frikë se nëse do t’u jepeshin këto “privilegje”, nuk do të kishin të drejtë të kërkonin barazi.

Megjithatë, kur në fillim të viteve 1980, gratë masivisht po hynin në punë me pagë, ato zbuluan se “barazia” mbetej e pakapshme, sepse atyre iu duhej të kryenin ende shumë punë të papaguara në shtëpi, duke u kujdesur për fëmijët, të afërmit. Dhe pastaj ato duhej t’i luftonin betejat e tyre veç e veç, secila në vendin e saj të punës, dhe kjo ndodhte në një kohë kur po përmbysej i gjithë organizimi i punës për shkak të globalizimit. Asokohe ndodhte edhe çmontimi i kompleksit industrial në Shtetet e Bashkuara, me punët që shkonin jashtë vendit, me shërbimet shtetërore të shkurtimit – kështu që gratë po hynin në forcën e punës në momentin kur çatia e fabrikës po rrëzohej.

Gratë filluan të hyjnë në fuqinë punëtore atëherë kur filloi çmontimi industrial në SHBA – me punëtorë që shkonin për punë jashtë vendit, me shtetin kur filloi shkurtimin e shërbimeve – pikërisht në momentin kur fabrikat po shihnin fundin e tyre.

JR: Në çfarë mënyrash aktivizmi juaj u ndihmua apo u pengua përparimi teknologjik?

SF: Është e vështirë të thuhet. Por nuk mendoj se mungesa e kompjuterëve dhe e internetit ishte problem. Kjo do të thoshte se ne kalonim më shumë kohë duke folur me gratë në rrugë, në lavanderitë dhe vende të tjera ku mblidheshin ato. Mendoj se ishin shumë të rëndësishme, takimet ballë për ballë; na ndihmuan në krijimin e një komunikimi më të mirë përkundër takimeve në internet. Në përgjithësi, mendoj se interneti konsumon shumë nga koha jonë, por jo domosdoshmërisht në mënyra më produktive politikisht. Ne jemi të zhytur në më shumë informacion sesa mund të përballojmë, kemi kërkesa të vazhdueshme të cilave nuk mund t’u përgjigjemi ose që na detyrojnë të bëhemi shumë sipërfaqësorë në përgjigjet tona. Për më tepër, kam ende tufa letrash që kam shkëmbyer me gra në Angli, Itali dhe Kanada, dhe disa – dhe disa prej këtyre letrave janë si artikuj në mënyrën se si ato analizojnë situatën politike në këto lokalitete – u mendua shumë për ato letra. Nuk ka asgjë të tillë sot. Thënë kështu, nuk dyshoj se interneti dhe kompjuterët po hapin gjithashtu mundësi të reja.

Silvia Federici intervistuar nga Jill Richards.

Përktheu: Medinë Dauti

Artikullin origjinal mund ta gjeni këtu.