Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1
Readings

Dhimbjet e grave shpesh nuk besohen – si ta ndryshojmë këtë?

QIKA 28.9.2023

Kur shkoni te mjeku, prisni që ai të dëgjojë shqetësimet tuaja dhe t’ju ndihmojë lidhur me problemin që mund të keni. Por shumë gra, veçanërisht ato që vuajnë nga dhimbjet kronike, tregojnë se e vërteta është krejt ndryshe. Kjo mund ta vështirësoj marrjen e trajtimit që u nevojitet grave.

Studiuesit që intervistuan të prekurat nga endometrioza mbi përvojat e tyre me profesionistët e kujdesit shëndetësor, zbuluan se shumë prej tyre kishin vështirësi për të marrë mbështetjen që u nevojitej. Siç tha një pjesëmarrëse, “duhet të përpiqesh aq shumë që të të besojnë, sepse zakonisht nuk na besojnë. E kjo vërehet që në fillim të vizitës”.

Në Mbretërinë e Bashkuar, një sondazh i realizuar nga shoqata bamirëse Wellbeing of Women (e cila investon në hulumtime mbi shëndetin e grave) zbuloi se më shumë se gjysma e grave të anketuara mendonin se dhimbja e tyre ishte nënvlerësuar ose injoruar nga një profesionist i kujdesit shëndetësor të paktën një herë gjatë jetës së tyre. Gratë në pjesë të tjera të botës – përfshirë Amerikën e Veriut, Australinë dhe Evropën – poashtu raportojnë përvoja të ngjashme.

Ekziston një hendek i qartë gjinor kur bëhet fjalë për identifikimin dhe trajtimin e dhimbjes së grave në krahasim me atë të burrave. Për shembull, gratë kanë më pak gjasa të kenë rezultate pozitive të trajtimit për gjendjet kronike si angina dhe dhimbjet muskuloskeletore.

Mjekët kanë katër herë më shumë gjasa të rekomandojnë zhvendosjen e gjurit për një burrë sesa për një grua me të njëjtin dëmtim të gjurit. Kujdesi më i dobët që merrnin gratë në krahasim me burrat pasi kishin pësuar sulm në zemër ishte shkaktar për 8,243 vdekje të parandalueshme mes viteve 2003-2013 në Angli dhe Wales.

Nënvlerësimi i dhimbjes së grave gjithashtu çon në vonesa të gjata në diagnostikimin dhe trajtimin për Sindromin e Vezores Policistike (PCOS) dhe endometriozën.

Henedeku gjinor në raport me dhimbjen nuk prek vetëm të rriturit por edhe fëmijët e të rinjtë – hulumtimi tregon se ka më shumë gjasa që mjekët t’i anashkalojnë dhimbjet e grave të reja se sa burrave të rinj. Hendeku gjinor thellohet edhe më shumë tek gratë me ngjyrë, për të cilat ka më shumë gjasa që t’u përçmohen dhimbjet dhe të marrin trajtim më të dobët.

Megjithatë ende ka pak studime lidhur me trajtimin e dhimbjes për pacientët transgjinorë e jobinarë, gjë që mund të nënkuptojë se këto grupe janë në kushte edhe më të këqija kur u nevojitet trajtim.

Henedeku gjinor në raport me dhimbjen

Stereotipet e përhapura gjinore janë arsyeja kryesore pse dhimbja e grave nënvlerësohet. Këto stereotipe – të mirëmbajtura edhe nga profesionistët e kujdesit shëndetësor – i paraqesin burrat si “stoikë” dhe gratë si “emocionalisht të zëshme” kur ato kanë dhimbje.

Mendohet se burrat kanë më pak gjasa të kërkojnë trajtim për dhimbjen – kështu që kur e bëjnë këtë, duhet t’u besohet. Në fakt, kjo është e pavërtetë, meqë hulumtimi tregon se burrat kanë po aq gjasa sa gratë të shkojnë te mjeku kur përjetojnë dhimbje.

Gjithashtu besohet se gratë kanë kapacitet më të madh për të përballuar dhimbjen për shkak të dhimbjeve që i përjetojnë gjatë menstruacioneve dhe lindjes së fëmijëve. Këto stereotipe nënkuptojnë se dhimbja e grave shihet si “natyrale” e “normale” – dhe mund të mos merret aq seriozisht nga një profesionist.

Një studim, u kërkoi profesionistëve të kujdesit shëndetësor të shikonin video të pacientëve gra dhe burra që përjetonin dhimbje kronike të shpatullave. Studimi tregoi se praktikuesit e kujdesit shëndetësor kishin më shumë gjasa të nënvlerësonin dhimbjen e grave.

Studime të tjera kanë treguar që profesionistët e kujdesit shëndetësor ndonjëherë kanë më shumë gjasa të përshkruajnë qetësues sesa ilaçe kundër dhimbjeve për pacientët gra që përjetojnë dhimbje.

Historikisht, gratë kanë qenë të nënpërfaqësuara në kërkimet mjekësore dhe eksperimentet klinike. Në Mbretërinë e Bashkuar, nga viti 2024 do të bëhet e detyrueshme për mjekët e rinj të përgjithshëm që të kryejnë trajnime për shëndetin e grave.

Kjo mund të shpjegojë disi mungesën e njohurive që profesionistët kanë në lidhje me dhimbjen e grave dhe shqetësimet e tyre shëndetësore. Shpeshherë grave mund t’u jepen medikamente e trajtime që janë testuar vetëm tek burrat – pavarësisht se pacientët gra kanë më shumë gjasa të përjetojnë efekte anësore nga to.

Hendeku gjinor në raport me dhimbjen nuk mund të adresohet derisa të ketë pabarazi në kërkimin mjekësor. Hulumtimet për gjendjet shëndetësore që kanë ndikim joproporcional te gratë (si migrena dhe endometrioza) marrin shumë më pak fonde krahasuar me dhimbjet që shkaktojnë dhe numrin e  madh të njerëzve që prekin, derisa hulumtimet për sëmundjet që prekin kryesisht burrat (si HIV) marrin më shumë financim – pavarësisht nga shpërndarja e tyre më e ulët.

Marrja e kujdesit të duhur

Dhimbja nuk është kurrë diçka që duhet ta pranoni dhe ta duroni. Nëse keni nevojë të flisni me një profesionist shëndetësor për dhimbjen tuaj, ka shumë gjëra që mund të bëni për të siguruar që zëri juaj të dëgjohet.

Për shembull, t’i tregoni mjekut tuaj se si dhimbja ndikon në aftësinë tuaj për të funksionuar në përditshmërinë tuaj mund të jetë më efektive sesa të përpiqeni të vlerësoni dhimbjen në një shkallë. Përdorimi i një aplikacioni apo ditari për të gjurmuar dhimbjen dhe simptomat e lidhura me të, si dhe sjellja e tij me vete gjatë konsultimeve mund të jetë e dobishme.

Nëse ndiheni rehat, ngrisni çështjen e paragjykimit në kujdesin ndaj dhimbjes. Pyetni se si mjeku juaj po sigurohet që ju nuk jeni pjesë e statistikave që tregojnë se gratë ndihen të përjashtuara. Kërkojuni atyre të shpjegojnë vendimmarrjen e tyre diagnostikuese dhe se si ata kanë përjashtuar disa kushte. Ju gjithashtu mund t’u kërkoni atyre të shënojnë në dosjen tuaj edhe arsyet pse nuk ju kanë referuar për kujdes të specializuar. Kjo mund të jetë e dobishme nëse ju ndodh që të ktheheni me të njëjtat simptoma më vonë.

Merrni një anëtar të familjes ose një mik që të avokojë për ju nëse nuk ndiheni rehat për ta bërë vet. Në Mbretërinë e Bashkuar, ju mund të kërkoni gjithashtu një avokat, i cili do të flasë për ju dhe do t’ju ndihmojë të merrni kujdesin e duhur.

Adresimi i financimit të pamjaftueshëm për gjendjet që prekin gratë, përmirësimi i trajnimit për profesionistët dhe rritja e ndërgjegjësimit për hendekun gjinor në raport me dhimbjen, do të ndihmojnë që gratë që përjetojnë dhimbje të mos nënçmohen.

Analize Weckesser

E përktheu: Blenda Asllani

Tekstin origjinal mund të gjeni në: https://theconversation.com/womens-pain-is-often-not-believed-heres-how-to-make-your-voice-heard-when-seeking-help-207866?fbclid=IwAR1wyTthDzy-tE7rLx-PczhD1kcMtr8zcQhUXVE8gSbAJcx3nybe7ANOhF0