Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1
Readings

Ekofeminizmi: Aty ku gjinia dhe ndryshimet klimatike ndërthuren

QIKA 4.10.2024

Fuqizimi i grave renditet si një ndër masat më thelbësore që qeveritë mund të marrin për të zbutur krizën klimatike. Edukimi dhe fuqizimi i grave mund të ketë një ndikim të matshëm në uljen e emetimeve dhe përfshirja aktive e grave në diskutimet mbi politikat klimatike shpesh mund të çojë në rezultate me më shumë ndikim. Për dekada me radhë lëvizja ekofeministe ka nxjerrë në pah se si pabarazia gjinore ndërthuret me krizën mjedisore. Mësimet që na ofron ekofeminizmi mund të jenë çelësi për të njohur sesi fuqizimi i grave mund të ndihmojë në uljen e emetimeve dhe krijimin e shoqërive më të barabarta.

Ekofeminizmi u shfaq për herë të parë në komunitetet akademike të Amerikës së Veriut dhe Evropës në vitet 1970 si një degë e lëvizjes feministe dhe e lidhi në mënyrë specifike shtypjen e grave me marrëdhënien shtypëse të njerëzimit me natyrën. Ekofeminizmi u përdor si një kornizë teorike për të kuptuar më mirë se si përkufizimet hierarkike dhe dualiste të gjinisë mund të shpjegojnë rolin dominues të njerëzimit në marrëdhëniet me mjedisin.

Duke filluar nga vitet 1980, ekofeminizmi filloi të informojë lëvizjet feministe, mjedisore dhe artistike. Heronjtë e lëvizjes ekofeministe përfshijnë disa figura të mëdha intelektuale dhe politike. Françoise d’Eaubonne, autore franceze e konsideruar si udhëheqëse në lëvizjen feministe të vendit të saj, shpiku termin “ekofeminizëm” në vitin 1974. Në anën tjetër, Petra Kelly ishte politikane gjermane që bashkëthemeloi Partinë Gjermane të Gjelbër, partinë e parë politike me një platformë kryesisht mjedisore që arriti të fitonte vëmendje dhe rëndësi kombëtare.

Nga fundi i viteve 1990, ekofeminizmi filloi të vihej nën sulmet e kritikëve, të cilët e hodhën poshtë kornizën duke e cilësuar si “esencialiste”, në atë që nuk mund të trajtonte plotësisht as problemet feministe e as ato mjedisore. Përqendrimi ekskluziv i ekofeminizmit në marrëdhënien midis gjinisë dhe mjedisit nuk la vend për shqyrtimin e faktorëve të tjerë thelbësorë si raca apo klasa. Janet Biehl, ekologe sociale amerikane, kritikoi veçanërisht kornizën ekofeministe si një mbithjeshtëzim të strukturave komplekse hierarkike dhe formave të dominimit.

Çfarë saktësisht është ekofeminizmi?

Kohëve të sotme, rëndësia dhe përdorimi i ekofeminizmit nga komunitetet aktiviste dhe intelektuale kryesisht janë zbehur. Megjithatë, konceptet që ofron korniza ende mund të zbatohen për të kuptuar pse fuqizimi i grave mund të ndërthuret me arritjen e objektivave të qëndrueshmërisë dhe të ketë një ndikim të matshëm në zbutjen e katastrofave mjedisore.

Ekofeminizmi kërkon të rishqyrtojë si lëvizjet feministe ashtu edhe ato mjedisore dhe të plotësojë secilin prej argumenteve të tyre. Korniza shqyrton se si kryqëzohen gjinia dhe mjedisi, veçanërisht se si përkufizimet binare kategorizojnë në mënyrë të rreme grupet e kundërta, duke i caktuar vlerë disproporcionale një grupi dhe duke inkurajuar të menduarit hierarkik.

Përkufizimet binare përdoren për të dalluar lehtësisht gjërat e ndryshme mes vete. Në kontekstin e gjinisë, këto përkufizime përdoren për të bërë dallime midis mashkullit dhe femrës. Kur shqyrtohet marrëdhënia e njerëzimit me mjedisin, ekziston një binar i ngjashëm ku krijimet e bëra nga njeriu konsiderohen krejtësisht të ndara nga mjedisi.

Përkufizimet binare na sjellin tek dualizmi opozitar, ku njëra palë jo vetëm përshkruhet si e ndryshme nga tjetra, por si e kundërta e saj e plotë, siç përshkruhen “gjinitë e kundërta”. Ekofeminizmi pretendon se një dualizëm i ngjashëm opozitar ekziston në përkufizimet konvencionale të marrëdhënies së njerëzimit me mjedisin. Kur njerëzit duan të zhvillohen më tutje, mjediset natyrore shihen ose si pengesa për t’u kapërcyer ose si burime për t’u shfrytëzuar. Në këtë kuadër, zhvillimi njerëzor shihet si i kundërt me ruajtjen e mjedisit. Për shembull, urbanizimi kërkon me doemos humbje mjedisore.

Dualizmi opozitar më tutje thellohet nga krijimi i strukturave hierarkike ku kulturat i japin më shumë vlerë dhe fuqi njërës anë të binarit. Ekofeminizmi sheh këto hierarki në marrëdhëniet gjinore përmes strukturave shoqërore patriarkale e në marrëdhëniet me mjedisin përmes një pikëpamjeje antropocentrike ku njerëzimi është më i vlefshëm se mjedisi dhe të gjitha qeniet e tjera të gjalla.

Një kornizë ekofeministe i sheh të menduarit hierarkik dhe përkufizimet opozitare si arsyetime të nënshtrimit të grave dhe mjedisit. Këto konstruksione shpesh justifikojnë aktet e maskulinizuara të dhunës dhe dominimit ndaj grave, kafshëve e botës natyrore. Këto akte shpesh shprehen përmes normave kulturore mashkullore, si gjuetia, domestikimi dhe eksploatimi.

Në një kohë ekofeminizmi ishte mjaft i popullarizuar në universitete, por kurrë nuk ishte në gjendje të dilte përtej rretheve të studiuesve/eve. Teoria u kritikua gjithashtu për të metat e saj. Duke marrë parasysh vetëm lidhjen midis gruas dhe mjedisit, ekofeminizmi nuk arriti të llogarisë dallimet midis grave si persona të veçantë, që mund të kuptohen vetëm përmes kornizave më gjithëpërfshirëse që analizojnë racën ose klasën.

Në vitet 1990 drejtësia mjedisore u shfaq si një kornizë e përdorur nga studiues/e dhe aktivistë/e. Drejtësia mjedisore i referohet trajtimit të drejtë të të gjithë njerëzve, pavarësisht nga identiteti, në zhvillimin e zbatimin e ligjeve mjedisore dhe shpesh trajton shqetësimet mjedisore me rëndësi të drejtpërdrejtë për shoqërinë, si ndotja dhe siguria ushqimore. Shtrirja e gjerë e kornizës së drejtësisë mjedisore përvetësoi atë që ekofeminizmi nuk mundi dhe kështu u bë mjeti kryesor për një brez të ri aktivistësh/esh të mjedisit.

Por pavarësisht sukseseve të lëvizjes për drejtësi mjedisore, profili i saj i gjerë nënkupton se gjinia rrallë trajtohet në mënyrë specifike si çelës për të kuptuar krizën klimatike dhe mënyrën e zgjidhjes së krizës. Theksimi dhe përmirësimi i pabarazive gjinore në qasjen e grave në kujdes shëndetësor, arsim dhe burime mbështetëse kanë ndikim të matshëm në uljen e emetimeve dhe minimizimin e degradimit mjedisor. Studimet gjithashtu tregojnë se fuqizimi i grave në fushat legjislative sjellkar rezultate më të mira në politikëbërjen mjedisore si dhe nisma më koherente në bashkëpunimin ndërkombëtar mjedisor. Pavarësisht kufizimeve të tij, ekofeminizmi siguron një kornizë që trajton jo vetëm pabarazinë gjinore, por gjithashtu tregon se cilat stigma sociale duhet të largohen në mënyrë që vendet të marrin veprime mjedisore më të fuqishme dhe me më ndikim.

Roli i ekofeminizmit në fuqizimin e grave

Kryqëzimet midis mjedisit dhe çështjeve sociale janë gjithandej edhe pse shpesh anashkalohen. Zgjidhjet e çështjeve në një fushë mund të kenë ndikim në përmirësimin e kushteve në tjetrën. Për shembull, për dekada me radhë, politikat raciste të strehimit në Richmond VA të SHBA-ve, kufizuan investimet drejt përmirësimit të standardeve të jetesës në lagjet e banuara kryesisht nga komunitetet me ngjyrë. Sot këto lagje gjatë verës mund të jenë deri në 8°C më të ngrohta se lagjet e banuara kryesisht më të bardhë, duke ndikuar negativisht në standardet shëndetësore, veçanërisht për fëmijët. Kuptimi i arsyeve strukturore që sjellin pabarazi mund të hedhë dritë mbi mënyrën se si mund të zgjidhen këto çështje. Në këtë rast duke krijuar më shumë hapësira të gjelbra urbane dhe duke mbjellur pemë në këto lagje me qëllimin për të përmirësuar standardet e cilësisë mjedisore dhe shëndetësore.

Të dështuarit në njohjen e kryqëzimeve midis ndryshimeve klimatike dhe çështjeve sociale vështirëson gjetjen e zgjidhjeve për secilën prej tyre. Në rastin e barazisë gjinore, fuqizimi i grave përmes iniciativave sociale, veçanërisht përmirësimi i qasjes në kujdes shëndetësor dhe arsim, ka një ndikim të drejtpërdrejtë në uljen e emetimeve duke ulur shkallën totale të lindshmërisë së një vendi.

Aktualisht popullsia e botës është rreth 7.8 miliardë. OKB-ja vlerëson se deri në vitin 2050 kjo do të shkojë në mes 9.4 dhe 10.1 miliardë. Zgjidhjet në fushën e ndryshimeve klimatike janë të lidhura me popullsinë; kur një popullsi rritet, rritet nevoja për më shumë prodhim të ushqimit e energjisë. Për më tepër, me rritjen e popullsisë në vendet në zhvillim, rritet edhe kapaciteti i tyre ekonomik, pasi gjithnjë e më shumë njerëz janë në gjendje të dalin nga varfëria dhe të krijojnë pasuri.

Rritja e popullsisë bashkë me zgjerimin ekonomik në vendet në zhvillim nuk është as e panatyrshme dhe as e padëshirueshme, megjithëse në mënyrë të pashmangshme do të çojë në gjurmë individuale më të larta të karbonit dhe rritje të emetimeve të përgjithshme të shteteve. Për të zbutur ndikimin mjedisor të rritjes së popullsisë, shtetet mund të ndjekin nisma sociale që premtojnë qasje të barabartë në kujdes shëndetësor dhe mundësi të arsimit, pavarësisht nga gjinia.

Aty ku gratë kalojnë më shumë vite në shkollë, normat totale të lindshmërisë priren të bien. Studimet në mbarë botën tregojnë se përmirësimi i qasjes në arsim u jep grave mundësi më të ndryshme karriere, zgjedhje për të shtyer martesën dhe rrjedhimisht të kenë më pak fëmijë e ata që i kanë të jenë më të shëndetshëm.

Faktorët kulturorë, ekonomikë dhe shëndetësorë aktualisht pengojnë shumë gra, veçanërisht vajza të reja, nga ndjekja e shkollës. OKB vlerëson se gratë përbëjnë më shumë se dy të tretat e popullsisë analfabete të botës dhe se vetëm 39% e vajzave në zonat rurale ndjekin arsimin e mesëm, krahasuar me 45% të djemve.

Nga një këndvështrim social, përmirësimi i shkallës së shkrim-leximit për gratë sjell përfitime të rëndësishme. Ngritja ekonomike dhe rritja e mundësive për punë mund t’u japin grave më shumë liri për të vendosur se çfarë të bëjnë në jetën e tyre dhe kanë më pak gjasa të detyrohen të martohen të reja. Për më tepër, me rritjen e nivelit të shkrim-leximit tek gratë, niveli i të ardhurave, të ushqyerit dhe normat e mbijetesës së fëmijëve gjithashtu priren të përmirësohen.

Politikat që mund të arrijnë këto rezultate përfshijnë zbritjen e çmimeve të shkollimit, lehtësimin e qasjes në kujdes shëndetësor dhe kontraceptivë, uljen e kohës dhe përpjekjeve që nevojiten për të shkuar në shkollë për të rinjtë dhe duke i bërë shkollat ​​hapësira më të sigurta për vajzat e reja në përgjithësi. Iniciativat sociale që u mundësojnë vajzave të reja qasje më të mirë në kujdes shëndetësor dhe arsim, mund t’i fuqizojnë gratë për të marrë vendimet e tyre mbi karrierën dhe jetën. Kjo mund të ketë efekte pozitive në mjedis duke ulur normat totale të lindshmërisë me kalimin e kohës. Është e rëndësishme që çdo iniciativë sociale që trajton normat e lindshmërisë ose rolet e grave të mos veprojë si një formë e kontrollit të fuqishëm të popullsisë, siç është “politika e një fëmije”, e cila mund të sjellë pasoja të padëshiruara dhe të rënda sociale.

Përveç ngadalësimit të rritjes së popullsisë, përmirësimi i qasjes së grave në arsim mund të ketë një ndikim të madh në menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve në ekonomitë që varen nga bujqësia. Në shumë vende, gratë janë përgjegjëse për menaxhimin e burimeve natyrore, duke përfshirë ujin, burimet e karburantit dhe ushqimin. Një studim i vitit 2015 i komuniteteve në Himalajet Perëndimore tregoi se gratë priren të jenë përgjegjëse për ruajtjen dhe menaxhimin e kapitalit natyror kritik, duke përfshirë pyjet, ligatinat, kafshët e egra dhe fushat bujqësore për të furnizuar nevojat bazë për familjet e tyre.

Një faktor tjetër i rëndësishëm për t’u marrë parasysh është se barrierat kulturore në shumë pjesë të botës aktualisht i pengojnë gratë të zotërojnë tokën e tyre dhe të marrin kredi ose sigurime. Në nivel global, vetëm 13.8% e pronarëve/eve të tokave bujqësore janë gra, pavarësisht se 38.7% e grave të punësuara punojnë në bujqësi, pylltari dhe peshkim.

Këto pengesa, së bashku me rolet e grave si menaxhere të tokës dhe mungesën e qasjes në arsim, i bëjnë efektet e ndryshimeve klimatike, humbjes së burimeve dhe dështimeve bujqësore dukshëm më të prekshme dhe të rrezikshme për gratë sesa për burrat. Në situata të varfërisë dhe mungesës së burimeve, gratë priren të mbajnë barrë më të mëdha se homologët e tyre burra. Një studim i vitit 2020 tregon se si rolet tradicionale gjinore intensifikohen dhe dhuna me bazë gjinore rritet kur ndryshimet klimatike varfërojnë burimet natyrore dhe shërbimet ekologjike.

Këto pabarazi krijojnë atë që quhet “hendek gjinor bujqësor”. Për shkak të kufizimeve kulturore dhe ekonomike, nga e njëjta madhësi toke, gratë priren të prodhojnë më pak në krahasim me burrat dhe detyrohen të futen në kurth të produktivitetit të ulët. Kjo çon në kërkesë të panevojshme për zhvillim të mëtejshëm të tokës dhe shpyllëzim. Në mbarë botën, nëse gratë fermere do të kishin të njëjtat të drejta ekonomike dhe ligjore si burrat, rendimentet globale të të korrave mund të rriteshin deri në 30%, duke e bërë prodhimin bujqësor më efikas dhe duke kufizuar humbjet e mëtejshme mjedisore. Për më tepër, mbyllja e hendekut gjinor bujqësor mund të shpëtojë nga uria deri në 150 milionë njerëz në mbarë botën.

Hendeku gjinor bujqësor shërben si shembull se si iniciativat sociale mund të japin rezultate pozitive mjedisore. Sigurimi i qasjes më të mirë në arsim dhe kujdes shëndetësor cilësor, rrjedhimisht fuqizimi i grave për t’u bërë vendimmarrëse më aktive në komunitetet e tyre, mund të jetë një shtytje unike efektive në rritjen dhe zhvillimin ekonomik.

Rëndësia e grave në politikëbërjen mjedisore

Është thelbësore që ligjvënësit/et të kuptojnë se si çështjet sociale janë të lidhura me ndikimet në mjedis. Ndryshimet klimatike nuk i prekin njerëzit në mënyrë të barabartë dhe politikëbërësit/et duhet të kuptojnë se si t’i luftojnë këto pabarazi me legjislacion klimatik që nxit drejtësinë socio-ekonomike njëkohësisht duke trajtuar krizën klimatike.

Ashtu si në shumë sfera politike dhe vendimmarrëse, gratë janë në mënyrë alarmante të nënpërfaqësuara në politikëbërjen globale mjedisore. Gratë mbajnë vetëm 12% të posteve të larta ministrore kombëtare në sektorët e mjedisit në mbarë botën. E kombinuar me mungesën e përgjegjësive vendimmarrëse që u jepen grave në komunitetet lokale, zëri i politikëbërjes mjedisore ka qenë gjithmonë në mënyrë disproporcionale mashkullor.

Fuqizimi i grave nuk duhet të ndalet tek sigurimi i qasjes në arsim dhe kujdes shëndetësor. Grave u duhet dëgjuar zëri në të gjitha nivelet dhe të marrin pjesë aktive në politikëbërjen mjedisore. Kur kjo të ndodhë, ka prirje të arrihet në rezultate më efektive të politikave mjedisore.

Gratë janë më të investuara në çështjet sociale, duke përfshirë arsimin, kujdesin shëndetësor dhe ndikimet mjedisore. Hulumtimet tregojnë gjithashtu se gratë që mbajnë një post publik priren t’i japin përparësi zgjidhjes së çështjeve të prekshme që prekin drejtpërdrejt gratë, familjet dhe fëmijët. Duke qenë se gratë dhe fëmijët janë të prekur në mënyrë disproporcionale nga ndryshimet klimatike, gratë në politikë kanë treguar se janë më të vetëdijshme për ndikimet mjedisore dhe kanë integruar zgjidhjet përkatëse në axhendat e tyre.

Gratë në role vendimmarrëse gjithashtu kanë treguar prirje më të madhe për mbrojtjen e burimeve natyrore. Një përmbledhje e politikave të vitit 2015 katalogonte pjesëmarrjen e grave në politikëbërjen lokale dhe kombëtare mjedisore në El Salvador, Kili dhe Vietnam. Raporti zbuloi se gratë janë shpesh në pozita më të mira për të aplikuar njohuritë lokale ndaj përgjigjeve klimatike dhe priren t’i japin përparësi ruajtjes së burimeve natyrore.

Përveç predispozicionit për të marrë vendime në lidhje me mbrojtjen e mjedisit në nivel lokal, gratë vendimmarrëse kanë dëshmuar gjithashtu se janë negociatore më të mira dhe kanë më shumë gjasa të bashkëpunojnë në paktet ndërkombëtare mjedisore. Një studim i vitit 2005 zbuloi se vendet me një përqindje më të lartë të grave në qeveri kishin më shumë gjasa të ratifikonin traktatet ndërkombëtare mjedisore. Studimi zbuloi gjithashtu se gratë në politikë kishin dukshëm më pak gjasa të impononin rreziqe mjedisore dhe shëndetësore ndaj të tjerëve.

Ka një numër në rritje studimesh dhe raportesh në mbarë botën që tregojnë se si gratë priren t’i japin përparësi mbrojtjes së mjedisit dhe veprimit aktiv klimatik. Një studim australian i vitit 2014 zbuloi se gratë priren ta konsiderojnë ambientalizmin një pjesë më të fortë të identitetit të tyre personal sesa burrat. Një studim i pronarëve/eve të shtëpive amerikane pohoi se gratë shpesh janë më të ndërgjegjshme për gjurmët mjedisore të produkteve që konsumojnë. Një rishikim i hulumtimit të bërë midis 1988 dhe 1998 arriti në përfundimin se gratë kanë qëndrime dhe sjellje mjedisore më të forta se burrat, pavarësisht nga mosha ose vendi i origjinës.

Një studim i vitit 2021 analizoi demografinë e aktivistëve/eve mjedisorë duke anketuar 367 persona në 66 vende. Studimi arriti në përfundimin se brezi më i ri i aktivistëve/eve klimatike janë gra. Nga të anketuarit/at e studimit që ishin mbi 65 vjeç, vetëm një e katërta ishin gra. Nga të anketuarit/at nën 25 vjeç, dy të tretat ishin gra. Ky trend pasqyron një zhvendosje demografike të aktivizmit klimatik. Brezi më i ri i aktivistëve/eve klimatik priret të jetë i mbushur me të rinjë, gra dhe persona me arsim të lartë. Vendet e zhvilluara dhe ato në zhvillim duhet t’i shfrytëzojnë këto tendenca dhe t’i fuqizojnë vajzat e reja për t’u bërë udhëheqëse politike në lëvizjen klimatike.

Rishikim i Ekofeminizmit

Lëvizja ekofeministe u përpoq të përcaktonte se si përkufizimet binare dhe strukturat hierarkike përcaktojnë marrëdhëniet gjinore dhe marrëdhëniet e njerëzimit me mjedisin. Ndoshta teoria ishte shumë përpara kohës së saj, pasi ndikimet joproporcionale të ndryshimeve klimatike tek gratë ende nuk mund të vizualizoheshin.

Gratë kanë 14 herë më shumë gjasa të vdesin nga një fatkeqësi klimatike sesa burrat si dhe vuajnë në mënyrë disproporcionale nga shterimi i burimeve dhe varfëria që pëson. Këto ndikime shkaktohen nga rolet tradicionale gjinore që kufizojnë mundësitë për gratë e mungesa e qasjes në arsim dhe shërbime të kujdesit shëndetësor vetëm sa e përkeqësojnë gjendjen.

Teksa qasjet moderne si drejtësia mjedisore janë në gjendje të përcaktojnë gjerësisht se si ndryshimet klimatike prekin njerëz të ndryshëm në mënyra të ndryshme, marrëdhënia midis mjedisit dhe gjinisë mund të hedhë dritë mbi zgjidhje shumë thelbësore për të dyja çështjet dhe duhet të trajtohet në mënyrë specifike nga politikëbërësit/et. Kuptimi i lidhjes midis mjedisit dhe gjinisë nuk është i rëndësishëm vetëm për shkak të ndikimit joproporcional gjinor të ndryshimeve klimatike, por edhe për shkak të zgjidhjeve të mundshme mjedisore që mund të shfaqen kur fuqizohen gratë.

Përveç arsimit shtetet duhet t’u ofrojnë grave burimet e nevojshme për të financuar ambiciet e tyre. Mikrofinancimi, një lloj shërbimi financiar ose kreditues që synon drejtpërdrejt individët dhe firmat e vogla që përndryshe nuk janë në gjendje të kenë qasje në shërbimet bankare tradicionale, ka rezultuar veçanërisht i suksesshëm në fuqizimin e grave në zonat rurale. Mikrofinancimi mund të ofrohet nga komunitetet lokale, qeveritë, OJQ-të ose nga institucione të specializuara mikrofinanciare.

Duke fuqizuar gratë dhe duke u dhënë atyre qasje të barabartë në shërbimet thelbësore, vendet mund të përmirësojnë ekonomitë e tyre, të përmirësojnë efikasitetin e prodhimit të tyre ekonomik e material dhe të ulin emetimet e tyre ndjeshëm. Fuqizimi i grave për të marrë pjesë aktive në politikëbërjen mjedisore në të gjitha nivelet mundëson gjithashtu një zë politik më të përcaktuar dhe proporcional.

Një kornizë si ekofeminizmi mund të shtyejë përpara të njohurit se si çështjet sociale dhe mjedisi janë të ndërthurura dhe se si zgjidhjet në njërën fushë mund të ndikojnë pozitivisht në tjetrën. Aty ku kryqëzohen pabarazitë sociale dhe ndryshimet klimatike, shpesh gjenden rezolutat dhe masat politike më me ndikim. Të diturit se ku ndodhen këto kryqëzime dhe gjetja e mënyrave për t’iu përgjigjur atyre është thelbësore në sigurimin e qëndrueshmërisë së barabartë dhe në kuptimin e marrëdhënieve të njerëzimit me mjedisin.

Shkrimin origjinal mund ta gjeni këtu

Përktheu: Riola Morina

___________________________________________________________

Ky artikull mbështetet nga qeveria gjermane dhe zbatohet përmes Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH në kuadër të Forumit Ndërkombëtar për Gratë, Paqen dhe Sigurinë 2024 – “Skema e Mbështetjes së Shoqërisë Civile (CSS)” organizuar nga Zyra e Presidentës së Republikës së Kosovës. Pikëpamjet dhe mendimet e shprehura në këtë artikull janë të autorit. Ato nuk synojnë të pasqyrojnë opinionet apo pikëpamjet e GIZ-it dhe Zyrës së Presidentës së Republikës së Kosovës.