Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1
Readings

Gratë në shkencë duhet të jenë normë, jo përjashtim

QIKA 23.3.2022

Duhet të fillojmë angazhimin për t’i dhënë fund diskriminimit gjinor në shkencë.

Çdo ditë, shkencëtarët në mbarë botën punojnë për të gjetur përgjigje gjithnjë e më të sakta dhe gjithëpërfshirëse për pyetjet më themelore të njerëzimit që lidhen me botën natyrore dhe shoqërore. Duke përdorur mjetet e tokës së bashku me intelektin dhe imagjinatën e tyre, ata jo vetëm u përgjigjen pyetjeve thelbësore si “Cila është baza e jetës” dhe “Cili është themeli i materies?”, por gjithashtu përpiqen të ofrojnë zgjidhje praktike për problemet tona të përditshme.

Në këtë kontekst, është e lehtë të supozojmë se në botën e shkencës, ku ndjekja e dijes duhet të jetë primare mbi gjithçka tjetër, konstruktet shtypëse shoqërore dhe paragjykimet që pengojnë pothuajse të gjitha aspektet e tjera të jetës sonë nuk janë aq ndikuese – është e lehtë të supozojmë se shkencëtarët mund të bashkohen në një pikë të përbashkët gjersa eksplorojnë çështje ekzistenciale. Megjithatë, që nga fillimi realiteti i hidhur është që gratë shkencëtare janë detyruar të luftojnë fillimisht për një vend në tryezën akademike dhe më pas për tu njohur puna e tyre.

Një nga shembujt më të dukshëm dhe më dëshpërues të diskriminimit gjinor në shkencë është ndoshta fshirja e kontributit vendimtar të kimistes angleze Rosalind Franklin në zbulimin e strukturës së dyfishtë spirale të ADN-së.

“Zonja jonë e padijshme do të largohet javën tjetër.” Më 7 mars 1953, Maurice Wilkins nga King’s College në Londër, i shkroi Francis Crick në laboratorët Cavendish në Cambridge për të njoftuar largimin e planifikuar të koleges “obstruktive” të tij nga kolegji.

Wilkins dukej se kishte përshtypjen se me zhdukjen e “zonjës së paditur”, ai, Crick dhe kolegu i tyre James Watson do të ishin të lirë të vazhdonin tutje dhe të deshifronin shpejt kodin e ADN-së. Dhe me sa duket ata e bënë këtë gjë. Një muaj më vonë, Crick dhe Watson botuan një artikull novator në revistën Nature mbi strukturën e molekulës së ADN-së. Ata u lavdëruan menjëherë për zbulimet e tyre, por duket se “harruan” të përmendnin se Franklin, “zonja e tyre e paditur”, kishte bërë punën vendimtare për zbulimin e tyre. Asokohe ajo ishte 32-vjeç dhe kishte kryer një sërë eksperimentesh që siguruan shabllonin vizual për të vërtetuar se heliksi i dyfishtë që tashmë e njohim është modeli për biologjinë tonë.

Rosalind Franklin lindi në një familje hebreje liberale në Londër. Ajo u nxit të studionte shkencën për shkak të kuriozitetit të saj natyror. Përfundimisht, falë punës së palodhur dhe ambicies, ajo ishte në gjendje ta transformonte magjepsjen e saj me botën fizike në një karrierë të suksesshme në shkencë, pavarësisht shumë pengesave në të cilat hasi ajo, vetëm sepse ishte një grua hebreje në një botë të dominuar nga burrat.

Ishin hetuesit kryesorë në laboratorin e Kings College – të gjithë burra – ata që bënë thirrjet, siguruan fonde dhe fituan nga çdo zbulim i bërë atje. Por ishte Franklin ajo që kreu studimin dhe shtroi rrugën për zbulimin e spirales së dyfishtë. Mjerisht, ajo nuk u vlerësua kurrë për zbulimin e saj novator gjatë jetës së saj. Ajo vdiq nga kanceri në vitin 1958, në moshën 37-vjeçare.

Në vitin 1962, ish-shefi i Franklin, Maurice Wilkins, Francis Crick dhe James Watson u nderuan me Çmimin Nobel në Mjekësi/Fiziologji për zbulimin e strukturës molekulare të ADN-së – një zbulim që ata ishin në gjendje ta bënin vetëm si pasojë e punës së palodhur të Franklin. Ajo nuk u nominua për çmimin Nobel së bashku me kolegët e saj burra për arsye që në dukje ishin teknike: rregullat në atë kohë vendosën kufizime se sa njerëz mund të ndanin çmimin dhe kandidatët duhej të ishin gjallë në kohën kur u nominuan. Megjithatë, asnjë nga tre shkencëtarët që fituan këtë njohje të lartë në shkencë nuk ndjeu nevojën për t’i bërë të ditur botës se sa vendimtare ishte për këtë zbulim gruaja që dikur e tallnin si “zonja e paditur”. Në të vërtetë, kontributi i Franklinit në zbulimin e strukturës molekulare të ADN-së u publikua vite më vonë.

Disa mund të pretendojnë se fshirja e punës dhe arritjeve të Franklin gjatë jetës së saj nuk ishte rezultat i diskriminimit sistematik, por një anomali – diçka që përkon me fatin e keq, një reflektim i vogëlsisë së kolegëve të saj ose paaftësia e saj për të publikuar suksesin e saj.

Shumë njerëz tregojnë për historinë e vetme të suksesit të grave në shkencë nga shekulli XX për të pohuar se gratë në fakt kishin mundësinë të ishin pjesë e botës shkencore dhe të njiheshin për zbulimet e tyre që nga shekulli i kaluar.

Në 1903 Marie Curie fitoi çmimin e saj të parë Nobel për fizikë, shtatëmbëdhjetë vjet para lindjes së Franklin-it. Suksesi nuk u ndal me kaq, tetë vjet më vonë në 1911 ajo fitoi çmimin e dytë Nobel, por kësaj radhe në kimi. Është e vërtetë që Curie u njoh gjerësisht për punën e saj gjatë jetës së saj. Por puna dhe arritjet e jashtëzakonshme të Curie-t nuk mund dhe nuk duhet të përdoren për të fshehur faktin se gratë janë lënë mënjanë, janë injoruar dhe fshirë prej kohësh në shkencë. Është Curie ajo që ishte anomalia (dhe e cila ishte e martuar me një shkencëtar të njohur, i cili me gjasë e ndihmoi atë të fitonte njohjen në botën e shkencës së pamohueshme të dominuar nga burrat në fillim të shekullit XX).

Për çdo Curie, e që nuk janë aq shumë, historia e shkencës është plot me dhjetëra Franklin. Ndoshta ka mijëra gra të tjera që kishin aq shumë për të kontribuar në shkencë, por nuk u lejuan të hynin as në laborator.

Bota e shkencës është ende e dominuar nga burrat, edhe pas 22 vjetëve në shekullin XXI. Kjo nuk ndodh, siç pretendojnë disa, për shkak se gratë dhe njerëzit jobinarë janë të këqij ose nuk janë të interesuar për shkencën, por sepse ata po luftojnë kundër ideologjisë dhe politikave seksiste që janë rrënjosur thellë në institucionet akademike.

Në vitin 2005 ekonomisti Lawrence Summers, president i atëhershëm i Universitetit të Harvardit, pohoi publikisht se nënpërfaqësimi i grave në shkenca nuk është për shkak të diskriminimit, por përkundrazi, “ndryshimeve biologjike” midis burrave dhe grave. Deklarata e tij shkaktoi bujë dhe u dënua gjerësisht nga feministët në Harvard dhe më gjerë. Megjithatë, gati dy dekada më vonë, pikëpamjet e tij të bazuara në nocionet esencialiste të shekullit XIX për gjininë dhe biologjinë janë ende prezente – qoftë haptazi apo fshehurazi – nga njerëz me pozita të pushtetshme në akademi.

Edhe pse gratë kanë arritur shumë sa i përket rritjes së përfaqësimit të tyre në shkencë vitet e fundit, ato mbeten ende tejet të nënpërfaqësuara. Sipas hulumtimit të UNESCO-s, sot, në mbarë botën, vetëm 33.3% e të gjithë studiuesve janë gra, me norma që variojnë në varësi të vendit. Për më tepër, studiueset gra priren të kenë karriera më të shkurtra dhe paguhen më pak. Puna e tyre në revista të profilit të lartë është e nënpërfaqësuar dhe ato shpesh anashkalohen sa i përket ngritjes në pozitë.  

Në mënyrë që të arrijmë barazinë e plotë gjinore, është thelbësore të pranojmë dhe të trajtojmë nënpërfaqësimin e grave në shkencë dhe pengesat shtesë që gratë shkencëtare hasin për shkak të gjinisë së tyre. Për më tepër, adresimi i pabarazisë gjinore në shkencë do të na ndihmonte të trajtojmë më mirë diskriminimin me bazë gjinore në shumë fusha të tjera, veçanërisht në shëndetësi.

Në të vërtetë, sot shumë sëmundje që prekin gratë në mënyrë disproporcionale janë të nën-hulumtuara.

Merrni shembull fibroidet, një sëmundje e dhimbshme që kufizon jetën, që prek rreth 26 milionë njerëz që kanë mitër në SHBA. Gratë zezake kanë dy deri në tre herë më shumë gjasa të preken nga kjo sëmundje. Pavarësisht se sëmundja është kaq e përhapur, shumë pak dihet për të. Gratë vuajnë në heshtje për vite të tëra përpara se të diagnostikohen. Nëse do të kishte më shumë studiuese gra, veçanërisht gra zezake dhe ato do të kishin të njëjtin nivel të qasjes në grante si kolegët e tyre burra të bardhë, ndoshta do të dinim më shumë, apo edhe do të kishim një kurë të lehtë dhe të përballueshme për fibroidet.

Duhet pranuar se njerëzit dhe organizatat në të gjithë botën po punojnë për t’i dhënë fund pabarazisë gjinore në shkencë. P.sh. disa institucione rajonale në Afrikën Sub-Sahariane kanë ndërmarrë hapa për të promovuar pjesëmarrjen e grave në shkencë. Që nga fundi i viteve 1990, Komuniteti i Zhvillimit të Afrikës Jugore ka ndarë burime që u sigurojnë vajzave dhe djemve qasje të barabartë në arsimin shkencor dhe matematikor. Komuniteti i Afrikës Lindore dhe Komuniteti Ekonomik i shteteve të Afrikës Perëndimore kanë ndërmarrë hapa të ngjashëm për të inkurajuar pjesëmarrjen e grave në shkencë. Në vitin 2010, Unioni Afrikan themeloi Çmimin Rajonal Kwame Nkrumah për Gratë Shkencëtare – të emërtuar sipas presidentit të parë të Ganës – dhe që atëherë ka dhënë para si shpërblime për ata që fitojnë këtë çmim.

Programe, fonde dhe çmime të ngjashme janë krijuar në rajone të tjera, nga Amerika në Azi dhe Evropë, për të rritur pjesëmarrjen e vajzave dhe grave në shkencë dhe për të hequr barrierat me të cilat përballen gratë shkencëtare.

Por këto iniciativa mund të ndihmojnë në zbehjen e hendekut gjinor në shkenca vetëm nëse shkojnë përtej thirrjeve për barazi dhe drejtësi në klasat, laboratorët, universitetet dhe institucionet e tjera shkencore të botës.

Gratë mund të zënë vendin e tyre të merituar në botën e shkencës vetëm nëse shoqëritë fillojnë të perceptojnë dhe trajtojnë pabarazinë gjinore në këtë arenë si pjesë e një lufte më të gjerë të punës. Ne mund t’i japim fund plotësisht pabarazisë gjinore në shkencë vetëm duke ndërtuar vende pune egalitare për shkencëtarët, në mënyrë që këta të fundit të mos bien preh e llojeve të ndryshme të ngacmimeve si dhe pagave shfrytëzuese. Ashtu si në të gjitha fushat e tjera të punës, sindikatat mund të ndihmojnë për ta bërë botën e shkencës më të drejtë.

Siç vunë në dukje Zachary Eldredge dhe Colleen Baublitz në Science for the People, sindikatat jo vetëm që mund të ndihmojnë në mposhtjen e seksizmit në mjediset e punës shkencore, por gjithashtu mund të “ofrojnë një ri-balancim themelor të pushtetit, mbështetje për objektivat e ngacmimit dhe transparencë dhe llogaridhënie më të madhe.”

Për t’i dhënë fund pabarazisë gjinore në shkencë, përtej reformave strukturore në universitete dhe objekteve të tjera kërkimore dhe prezantimit të politikave që synojnë diskriminimin gjinor në arsim, ne gjithashtu duhet të ri-mendojmë se si e perceptojmë shkencën dhe shkencëtarët.

Sot, është ende i përhapur besimi se ekziston një gjeni i vetëm – ose një grup shumë i vogël gjenish – pas çdo zbulimi apo shpikjeje novatore shkencore. Duke qenë se shumica e shoqërive akoma u japin më shumë merita burrave për një arritje të madhe dhe i vënë në në piedestal burrat që tashmë janë formuar në akademi, rrjedhimisht kjo rezulton që shkencëtarët “e jashtëzakonshëm” burra të fitojnë famë dhe të vlerësohen, ndërsa ekipet që bëjnë të mundur zbulimet e mëdha shkencore dhe skuadrat që përfshijnë shumë gra studiuese të përfundojnë duke u anashkaluar.

Me fjalë të tjera, ajo që ka ndodhur me Rosalind Franklin gjysmë shekulli më parë, po u ndodh edhe sot shumë grave të tjera. Në vitin 1968, në epilogun e librit të tij, The Double Helix, James Watson shkroi: “Meqenëse përshtypjet e mia fillestare për [Franklin], si ato shkencore dhe personale (siç janë shkruar në faqet e para të këtij libri), ishin shpesh të gabuara, unë dua të them diçka për arritjet e saj.” Më pas ai përshkruan punën dhe aftësitë e saj të jashtëzakonshme, si dhe pengesat e mëdha me të cilat u përball si grua në botën e shkencës. Duke lexuar këtë reflektim, për aftësitë dhe arritjet e Franklin pas vdekjes së saj, nuk mund të mos ndihesha e zemëruar. E zemëruar që ajo nuk i dëgjoi kurrë këto fjalë lavdërimi nga Watson kur ishte gjallë, e zemëruar që nuk ishte konsideruar as për një çmim Nobel, e zemëruar që nuk do ta dinim kurrë se çfarë mund të arrinte nëse nuk do të anashkalohej, nëse nuk do të talleshin me të dhe nuk do ti bënin padrejtësi vetëm sepse ishte një grua në një fushë të dominuar nga burrat.

Por akoma më tepër, ajo që më zemëroi ishte fakti që sot ka miliona Rosalind Franklin të tjera, të cilat po përpiqen të bëjnë shkencë dhe ta bëjnë botën të njohë arritjet e tyre – miliona gra konsiderohen si “zonja të paditura” nga njerëz që mbështesin Watson, Wilkins dhe Crick.

Duhet të kujtojmë gratë e jashtëzakonshme në shkencë si Rosalind Franklin. Duhet të fillojmë të angazhohemi drejt ndërtimit të një bote ku gratë në shkencë nuk janë përjashtim, por normë.

Edna Bonhomme

E përktheu: Greta Avdyli

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://www.aljazeera.com/opinions/2022/3/8/women-in-science-should-be-the-norm-not-the-exception