Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1
Readings

Hulumtimi i Goldin, fituese e Nobelit, tregon se pse gratë fituan të drejtat e punës

QIKA 3.11.2023

Claudia Goldin, e cila ketë vit fitoi çmimin Nobel në fushën e ekonomisë, ka dokumentuar udhëtimin e grave amerikane nga të punuarit për hir të mbështetjes financiare deri te zhvillimi në karrierë si një aspekt themelor i identitetit dhe përmbushjes së tyre.

Ajo e ka përshkruar ndryshimin e roleve të grave në gjysmëshekullin e fundit si “ndër përparimet më madhështore në shoqëri dhe ekonomi”. Ajo ka treguar se si gratë kanë tejkaluar burrat në arsim, janë bashkuar në fuqinë punëtore dhe kanë gjetur kuptim në punën e tyre.

Megjithatë, hulumtimi i saj tregon se gratë ende mbeten prapa burrave në mënyra të ndryshme – në pagën e tyre, pjesëmarrjen e tyre në fuqinë punëtore dhe nxënien e pozitave të larta.

Megjithatë sipas hulumtimit të Goldin, fajin për ketë nuk e kanë gratë. Kjo është për shkak të mënyrës se si tregu është i strukturuar. Vendet e punës në Amerikë shpërblejnë në mënyrë disproporcionale oraret e gjata. Hendeqet më të dukshme gjinore do të zvogëloheshin, ka argumentuar ajo, nëse punonjësit do të kishin më shumë kontroll se ku dhe kur kryejnë punët e tyre.

Rishkrimi i historisë

Punës së grave nuk iu dha merita e plotë në burimet historike, vuri në dukje komiteti Nobel dhe Goldin përdori të dhëna historike për ta përshkruar atë. Hulumtimi i saj analizon grupe grash të lindura në të njëjtën kohë për të treguar modele të ndryshueshme dhe forcat shoqërore që i ndikuan ato.

Gratë “e krijuan ekonominë moderne të punës”, ka shkruar profesoresha Goldin, e cila ligjëron në Harvard, sepse ekonomistët studiojnë variacionet në sjellje. “Gratë siguruan një bollëk të sjelljeve. Burrat, në përgjithësi, nuk ishin aq interesantë pasi pjesëmarrja dhe orët e tyre kishin pak variacione”, shkroi ajo.

Në të dhënat publike në vitet 1800, profesioni i grave të martuara shpesh caktohej si “grua”. Ajo zbuloi burime të tjera të dhënash për të treguar se në fakt, ato shpesh punonin në bujqësi dhe biznese të tjera familjare.

Megjithatë, industrializimi i uli gjasat që gratë e martuara të punonin (edhe pse gratë e pamartuara zakonisht punonin në fabrika.) Ajo parashtroi se, ndryshe nga bujqësia, puna e prodhimit ishte më e vështirë për t’u bërë nga shtëpia, duke parashikuar vështirësitë që dalin nga tentimi për balancim të punës dhe jetës familjare me të cilat përballen nënat sot.

Në gjysmën e parë të shekullit të 20-të, ndryshimet shoqërore bënë të mundur që më shumë gra të qasen në tregun e punës. Këto ndërrime përfshinin rritjen e normave të diplomimit në shkollat e mesme, përparimet teknologjike që e ulën kërkesën për punët e shtëpisë dhe rritjen e vendeve të punës në zyrë.

Revolucioni i heshtur

Një ndryshim i madh ndodhi në vitin 1970, fillimi i asaj që profesorja Goldin e quan “revolucioni i heshtur”. Kishte një pikë kthese të mprehtë në gjasat që gratë të punonin, në lidhjen e tyre me karrierën e tyre dhe në aftësinë e tyre për të marrë vendime së bashku me bashkëshortët e tyre.

Por ishte një brez i grave që mbeten në baltë – ato që ishin të reja në vitet 1940, pritjet e të cilave për të ardhmen e tyre nuk përputheshin me mundësitë e tanishme. Ato i shihnin nënat e tyre në rolin e amviseve ose të kufizuara në punë si mësuese ose infermiere dhe kryesisht nuk planifikonin karrierën e tyre.

“Ato po qëndronin para një surprize të madhe,” shkroi Goldin. Me hapjen e mundësive të punës, ato shpesh ndiheshin të bllokuara, pa arsim apo trajnim për të përfituar prej po këtyre mundësive.

Duke filluar prej atyre të lindura në fund të viteve 1940, vajzat filluan të përgatiteshin më mirë. “Këto gra të reja filluan të perceptojnë se jetët e tyre do të ndryshonin thelbësisht nga ato të brezit të nënave të tyre,” shkroi ajo.

Vajzat adoleshente filluan të shprehnin aspirata të larta për karrierë. Ato filluan të ndiqnin diploma profesionale. Ato filluan të shtynin moshën e martesës dhe të pasurit fëmijë. Edhe kur krijuan familje, ato vazhduan të punonin.

Në një dokument të botuar ditën që ajo fitoi Nobelin, të titulluar “Pse Gratë Fituan”, profesorja Goldin vuri në dukje se periudha midis 1963 dhe 1973 ishte vendimtare. Kjo periudhë përfshinte miratimin e Aktit të Pagave të Barabarta, vendimin Roe vs Wade dhe pranimin e grave në shumë shkolla të Ivy League.

Gratë filluan të martoheshin më vonë, duke mbajtur emrat e tyre të lindjes dhe duke u divorcuar më shpesh. Kontraceptivët e miratuar në vitin 1960 dhe të qasshme gjerësisht për gratë beqare rreth vitit 1970, i lejuan ato të shtynin lindjen e fëmijëve dhe të fokusoheshin më shumë në arsimim, tregoi Goldin në një punim me Lawrence Katz, një tjetër ekonomist në Harvard (në të njëjtën kohë edhe bashkëshorti i saj).

Gjithnjë e më shumë, profesionet e grave filluan të “përcaktonin identitetin themelor dhe vlerën shoqërore të tyre”, shkroi ajo.

Boshllëqet e mbetura gjinore

Sot, ka treguar Goldin, gratë kanë më shumë gjasa të punojnë gjatë gjithë jetës së tyre në krahasim me ato të gjeneratave të mëparshme. Pavarësisht frikës në fillim të pandemisë se mbyllja e shkollave do t’i detyronte gratë të braktisnin punën dhe të fshinin përparimin e bërë për dekada të tëra, gratë kryesisht kanë vazhduar t’i kthehen punës. Ato po e bëjnë këtë gjithnjë e më shumë edhe pas moshës së pensionit, shpesh jo për nevoja financiare, por sepse kanë investuar në karrierën e tyre dhe ende po i shijojnë ato investime.

Profesorja Goldin, gruaja e parë solo që fitoi Nobelin në ekonomi, është një prej këtyre shembujve. Ajo kreu doktoraturën në vitin 1972 dhe ende punon në moshën 77 vjeçare.

Megjithatë, ashtu si gratë që ishin fëmijë në vitet 1940 e nënvlerësuan potencialin e tyre për karrierë, grupi aktual i grave në moshë pune ka gjasa që e mbivlerëson atë.

Karriera dhe pagesa e burrave dhe grave janë të njëjta kur fillojnë të punojnë, por ato ndryshojnë kur fëmijët vijnë në skenë. Hulumtimi i saj tregon një rënie të vogël në përqindjen e grave që punojnë në fund të 30-tave dhe në fillim të 40-tave të tyre. Nënat kanë më pak gjasa të lënë punën pas fëmijës së tyre të parë, por më shumë gjasa ta bëjnë këtë më vonë, pasi “ato përpiqen aq sa munden” të mos e bëjnë këtë, ka thënë ajo.

Ajo ka shpjeguar se një forcë shtytëse pas pabarazisë gjinore që mbetet në fuqinë punëtore amerikane është fakti se punëdhënësit kanë filluar të paguajnë në mënyrë disproporcionale më shumë për orare të gjata dhe jo fleksibile. Kushdo që zvogëlon orarin për njëfarë kohe, ose që nuk është e gatshme të punoj gjatë fundjavave ose mbrëmjeve është në disavantazh.

Si rezultat, ka kuptim ekonomik në çiftet me arsim të lartë që një prind, zakonisht babai, të jetë në gatishmëri në punë, ndërsa nëna në shtëpi. Gratë nuk tërhiqen nga puna sepse kanë burra të pasur, shpjegon Goldin. Ato kanë burra të pasur sepse ato detyrohen të tërhiqen nga puna.

Ajo ka hedhur poshtë mençurinë konvencionale se gratë paguhen më pak sepse zgjedhin karriera me pagë më të ulët, duke treguar se diferenca e pagave është më e madhe brenda profesioneve që paguhen më shumë, si mjekësia dhe drejtësia. Nëse punëtorët e ngjashëm në produktivitet do të paguheshin njësoj në baza ore, dallimet në pagë do të zhdukeshin.

Mbyllja e këtyre boshllëqeve të mbetura gjinore do të kërkonte fleksibilitet se ku dhe kur bëhet puna, shpjegon hulumtimi i Goldin. Ajo në të kaluarën ka thënë se një ndryshim i tillë do të kërkonte një ribërje thelbësore të vendit të punës në Amerikë, kështu “duke demoluar të gjithë sistemin aktual”. Por kohët e fundit, ajo ka shprehur shpresën se pandemia mund ta ketë bërë atë realitet më të realizueshëm, të paktën për punëtorët nëpër zyre.

“Unë tentoj të mendoj se jam optimiste në atë se ky ndryshim  do të çojë në disa gjëra mjaft të mira”, tha ajo.

Claire Cain Miller

Artikullin origjinal e gjeni në: https://www.nytimes.com/2023/10/11/upshot/claudia-goldin-nobel-prize.html

E përktheu: Riola Morina