Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1
Readings

Kriza e fshehur e përdhunimit në dhomat e gjumit në Britani

QIKA 5.7.2021

Një sondazh i  fundit zbuloi se një pjesë e madhe e grave janë sulmuar seksualisht nga partneri i tyre gjersa ishin në gjumë. Tani shumë prej tyre po flasin hapur për këtë.

Niamh Ní Dhomhnail ishte në lidhje me partnerin e saj pothuaj për një vit kur ajo zbuloi se ai e kishte përdhunuar gjersa ajo po flinte. Atë kohë ajo ishte 25 vjeç dhe ishte mësuese gjuhe në një shkollë në Dublin. Partneri i saj, Magnus Meyer Hustveit, ishte norvegjez. Çifti kishin vendosur të bashkëjetojnë pak muaj pasi u njohën, por gjërat mes tyre ishin të tensionuara. Nuk ishte një marrëdhënie e lumtur.

Një natë, Ní Dhomhnaill kishte dalë me Hustveit dhe miq të tjerë, por iki vetëm më herët sepse nuk ndihej mirë. “Kisha pirë vetëm ujë dhe shkova të flija sepse isha e lodhur”, tha ajo. “Nuk e dëgjova Magnus-in kur u kthye, gjë që ishte e pazakontë sepse unë gjithmonë kam pasur gjumë të lehtë.”

Kur u zgjua pa se i kishte të zhveshura pizhamet e poshtme dhe se kishte spermë në trup. Magnus-i ishte duke fjetur pranë saj.

“E pyeta: A ke bërë seks me mua ndërsa isha duke fjetur? Dhe ai tha “Po”. Isha aq e tronditur dhe e hutuar. Si nuk e kisha vërejtur? Ndihesha shumë e sëmurë poashtu. Po përpiqesha të kuptoja gjithçka. I thashë: “Nuk mund të jap miratimin tim kur jam duke fjetur. Mos e bëj kurrë më këtë.”

Dy javë më vonë, Ní Dhomhnaill u zgjua në tre të mëngjesit dhe e kuptoi se ai kishte bërë të njëjtën gjë. “I thashë, ‘E ke bërë përsëri, e ndjeva”, dhe më pas e pyeta: “A e kë bërë rregullisht këtë gjë?”, “Gjatë gjithë kohës”, ishte përgjigja shkatërruese e Hustveit-it. “Ai më tha se e kishte bërë këtë gjë mesatarisht tre herë në javë që kur kemi qenë së bashku.”

Kur e kuptoi këtë asaj i vinte për të vjellë. “U ula dhe po villja në një kovë”, tha Ní Dhomhnaill. “Tani i di arsyet fizike që më bënë për të vjellë, por atë kohë nuk kisha provuar kurrë diçka të tillë. Kjo ishte tregues i qartë i tronditjes time. Ishte ora tre e mëngjesit, nuk dija çfarë të bëja.”

“Dola nga shtëpia në momentin që e dija që do të gjeja ndonjë kafene të hapur dhe shoqja ime erdhi të më takonte. I tregova që Magnus-i kishte bërë seks me mua përderisa unë isha në gjumë dhe ajo tha: “Nuk është seks. Është përdhunim.” Në atë moment u bllokova. Nuk mund ta përdorja atë fjalë.”

Është e pamundur të dimë se sa gra janë përdhunuar ose sulmuar seksualisht nga partnerët e tyre derisa janë në gjumë, megjithëse një hulumtim i kohëve të fundit sugjeron se numri mund të jetë shumë më i lartë sesa mund ta mendojmë.

Në prill, Dr. Jessica Taylor, themeluese e VictimFocus, firmë hulumtimi dhe konsulence e fokusuar në psikologjinë forenzike, feminizëm dhe shëndet mendor, publikoi një raport mbi një studim që kishte për qëllim të vlerësonte shkallën e dhunës ndaj grave. Duke emërtuar akte specifike në vend se të përdornin terma të gjerë të tillë si “abuzim” apo “përdhunim”, në sondazhin e saj, kompania pyeti më shumë se 22,000 gra nëse ishin pështyrë, ngulfatur, shkelmuar ose kafshuar. Të intervistuarat u pyetën nëse ishin zgjuar ndonjëherë dhe kishin parë partnerin e tyre duke bërë seks me to apo duke kryer veprime seksuale përderisa ato ishin në gjumë. Në këtë pyetje 51% u përgjigjën po.

Kjo nuk ishte mostër e rastësishme, sondazhi u shpërnda në internet dhe pjesëmarrësit u zgjodhën vetë. Për këtë arsye është e vështirë të falsifikosh të dhënat. Rezultatet ndezën përgjigje të polarizuara në internet. “Kjo është jashtëzakonisht e vlefshme për mua, pas viteve të tëra që mendoja “A po më përdhunojnë?” Nuk jam e vetmja”, shkroi një grua në Twitter. “13 vjet më vonë, kjo është arsyeja pse unë tani hidhem përpjetë nëse dikush më afrohet butësisht derisa jam duke fjetur”, shkroi një tjetër.

Katie Russell, zëdhënëse për Rape Crisis, tha se ajo “nuk ishte shumë e befasuar” nga gjetjet e sondazhit. “Nuk ka shumë hulumtime për mënyrat e shumta që gratë përjetojnë dhunë nga burra që ato i njohin personalisht, por ne e dimë që numrat janë shumë më të lartë se çdo statistikë zyrtare”, tha ajo.

“Mitet e përdhunimit janë ende shumë të përhapura. Zakonisht, besohet se nëse është i dashuri apo bashkëshorti juaj dhe ju ndani një shtrat, nëse jeni të zhveshur dhe nëse jeni pajtuar më herët, atëherë nuk mund të jetë përdhunim. Ka një dallim të madh mes zgjimit të partnerit tuaj për të kryer aktin seksual dhe mes penetrimit apo bërjes së veprimeve seksuale kur partneri është ende në gjumë.

“Akti i Kundërvajtjeve Seksuale i vitit 2003 është i qartë”, vazhdoi ajo. “Miratimi për një veprim të tillë bëhet vetëm kur keni aftësinë për të bërë atë zgjedhje, dhe nëse jeni në gjumë ose pa ndjenja, nuk mund të miratoni. Ne këtu po flasim për përdhunim, 100%”.

Sipas përvojës së Russell, përdhunimi gjatë gjumit ndodh më shpesh në marrëdhëniet abuzive dhe kontrolluese. Në këto raste, psikologjia nuk është e vështirë për tu kuptuar. Martha*, 21 vjeçare, studente në Universitetin e Oksfordit, e cila ka përjetuar një përdhunim të tillë me të dashurin e saj të parë, beson se gjithçka kishte të bënte me pushtetin, e drejta e tij për të bërë çfarë të donte kur të donte.

“Isha 16 vjeç, nuk e dija se çka konsiderohej normale në një marrëdhënie”, tha ajo. “Ai ishte një vit më i madh se unë, dhe në fillim gjithçka ishte mirë, por më pas ai u bë shumë abuziv. Ai u përpoq të kontrollonte gjithçka që bëja, ku të shkoja dhe çfarë mund të vishja. Nuk më lejonte të pija duhan apo të përtypja çamçakëz. Ai kyçej në rrjetet e mia sociale për të më kontrolluar.”

Ai e kishte goditur atë dy herë dhe e kishe përplasur në mur, i kishte goditur pjesën e pasme të kokës dhe e kishe shkelmuar sepse e kishte parë duke pirë duhan në Instagram Story të dikujt. (Atë kohë, ai po tregohej i pabesë, por sipas tij pirja e duhanit ishte më e keqe se tradhtia.)

“Të gjithë këto i kam kaluar” tha Martha. “Por deri më sot, ndoshta e vetmja gjë që ende ndikon tek unë është koha kur ai ka bërë seks me mua derisa unë flija.”

Kjo kishte ndodhur në shtratin e saj tek shtëpia e familjes së saj. Ata ishin ngjitur, ku Martha gjendej e mbështetur mes tij dhe murit. “U zgjova papritur dhe e kuptova çfarë po bënte dhe u trondita.”

“Unë nuk thash asgjë, as nuk lëviza dhe nuk rezistova, prandaj jam e zemëruar me veten time deri më sot. Ndihesha e sëmurë pas asaj që ndodhi dhe në mëngjes kur ai iku nga shtëpia, unë si 16 vjeçare kërkova në Google. Lexova se kjo gjë ishte përdhunim. Edhe tani, nëse jam duke fjetur me dikë, nuk fle kurrë e mbështetur në mur ku nuk mund të çohem lehtësisht nga shtrati dhe gjithmonë rri zgjuar derisa e di se personi është duke fjetur. Nuk kam pasur një marrëdhënie të mirëfilltë që nga atëherë.”

Në rastin e Martës, përdhunimi ndodhi vetëm një herë, por për disa burra të bërit seks me parterët e tyre gjersa ato janë në gjumë është një preferencë aktive, fetish i quajtur somnophilia. Svein Overland, psikolog norvegjez, është ndër të paktët që ka studiuar këtë fenomen. Interesi i tij erdhi pjesërisht nga puna e tij në burgje, duke u munduar të kuptonte motivet e personave që kanë kryer sulme seksuale dhe poashtu nga puna e tij me viktimat e “përdhunimit në after party” siç e quajnë norvegjezët, pra sulme ndaj grave të cilat janë duke fjetur apo janë droguar.

Overland beson se somnophilia është pjesë e siç e quan ai “seks i njëanshëm”. Hulumtimi i tij në pornografinë në internet tregoi një rritje të madhe gjatë dekadës së kaluar të kategorisë “sleeping sex”, si dhe forma të tjera të seksit që bazohen në mosrespektim, por vetëm në plotësimin e nevojave personale. (“Flexi dolls” është një tjetër shembull ku gratë pretendojnë të jenë kukulla seksi.)

Këto preferenca shpërndahen nga pornografia, thotë Overland. “Me seks të njëanshëm, me pornografi, me masturbim, nuk ka joshje dhe ndërveprim”, tha ai. “Sa më shumë që vrojtoja këtë gjë, aq më shumë e kupton se shumë burra kanë frikë të bëjnë seks. Shoqëria po dominohet nga pornografia, por në të njëjtën kohë shumë studime tregojnë se njerëzit po bëhen më pak aktivë seksualisht. Ka burra të rinj që përdorin Viagra, të cilët janë të paaftë për të mbajtur ereksionin.”

Një grua që është duke fjetur nuk përben kërcënim, ajo nuk është prezent, është vetëm një objekt. Kur Overland pyeti punëtorët e seksit në Oslo nëse somnophilia ishte diçka që ata hasnin tek klientët e tyre, disa prej tyre pohuan për këto raste. “Nuk ishte e zakonshme, por nuk ishte e pazakontë poashtu”, tha ai. “Njëra më tha se ajo kishte klientë që me të vërtetë u beson, duke i lënë ta drogojnë në mënyrë që ata të vazhdojnë procedurën.”

Si perversitet midis dy të rriturve që japin pëlqim për aktivitet seksual, somnophilia ka rregulla problematike të tilla si “blanket consent” dhe “pëlqim pa-pëlqim”. Kërkon besim të thellë dhe komunikim të vazhdueshëm. Sidoqoftë, është e vështirë të besohet se 51% që iu përgjigjën sondazhit të Dr.Taylor vijnë nga ky komunitet dhe për shumicën e grave kjo është shkatërruese, tha Russell.

“Duket se ekziston një perceptim se diçka e tillë është “krim më i vogël” sepse nuk ndodhë nga një i huaj por nga partneri juaj. Por, çka do të ndikonte më keq? Të vidhesh nga një i huaj apo nga dikush që e do dhe i beson?” pyeti ajo. “Ideja që je në gjumë dhe kështu kjo nuk kërkon përdorim të dhunës është poashtu shumë e rrezikshme. Penetrimi në trupin e dikujt pa lejen e tyre është një akti i dhunshëm.”

“Imagjinoni sikur jeni në gjumë dhe zgjoheni e gjeni dikë që po prek gjërat tuaja personale”, vazhdoi ajo. “Tani imagjinoni se është trupi juaj ai i cili po preket.”

Për Ní Dhomhnaill, fakti që ajo ishte ne gjumë dhe për arsye të pashpjegueshme nuk ishte zgjuar, ishte tmerrues. (Ajo e pyeti Hustveit-in nëse ai e kishte droguar, pasi në fund të marrëdhënies së tyre ajo ndihej e sëmurë dhe e rraskapitur vazhdimisht, por ai e mohoi një gjë të tillë.) “Për shkak që kujtimet që kam janë kaq të paqarta, të lënë me një ndjenjë të pasigurisë, fajit dhe turpit”, tha ajo. “Kur kemi pak informacion, truri ynë tenton të plotësojë boshllëqet.”

“Në fillim kur u ndava me të nuk mund të flija. Rrija shtrirë e zgjuar tërë natën dhe kisha halucinacione, të tilla si ai duke më përdhunuar. Ato kujtime, ajo përgjigje ndaj traumës ishte mendja dhe trupi që po përpiqeshin të mblidhnin copëzat së bashku. Edhe tani, nëntë vjet pas kësaj ngjarje, prap zgjohem në orën dy çdo mëngjes. Nuk kam nevojë as ta shikoj orën. E dimë që trupi ruan kujtimet e traumës dhe unë mendoj se ora dy e mëngjesit është koha kur ai më përdhunonte.”

Sa e vështirë është ndjekja penale e këtyre çështjeve? Duke qenë se shifrat e fundit të Ministrisë së Brendshme treguan se në Angli dhe Uells, më pak se 1 në 60 përdhunime të regjistruara rezultuan në aktakuzë, përgjigja është e vështirë, thotë Russell. “Unë nuk dua t’i dekurajoj njerëzit të raportojnë”, tha ajo. “Nëse ndodhë është krim dhe çështjet janë ndjekur penalisht. Por, kur nuk ka prova fizike dhe dëshmitarë, atëherë sfidat shtohen.”

Lisa*, 40 vjeçare, raportoi ish partnerin e saj për përdhunim ndërsa ajo ishte në gjumë. Kjo kishte ndodhur në fillim të vitit 2019 pasi ata ishin ndarë dhe Lisa po kalonte një periudhë të vështirë, duke u përpjekur të ishte miqësore në mënyrë që të shmangte pengesat lidhur me kujdestarinë e vajzës së çiftit. “Ai kishte qenë gjithmonë jashtëzakonisht dominues, pavarësisht nëse ishte mbi atë që vishja, çfarë blija, ku i vendosja gjërat në dhomë, ku shkoja”, tha Lisa “dhe ai kurrë nuk respektonte kufijtë. Ai më ka ngulfatur njëherë gjatë seksit, ai gjithmonë bënte atë që donte.”

“Atë natë unë kisha bërë darkën. Ai kishte pirë shumë, kështu unë e lashë të qëndrojë në dhomën që ishte e lirë, por kur u zgjova e gjeta atë duke bërë seks me mua.”

Të nesërmen në mëngjes ajo shkoi në stacionin lokal të policisë. “Nuk isha e sigurt nëse po mbi reagoja”, tha ajo. “Dy oficerë pyetën nëse ai e kishte bërë këtë gjë me dhunë. Jo, isha në gjumë. Ai nuk ka përdorur forcë, nuk ka pasur rezistencë. Ata thanë se nuk ishin të sigurtë nëse kjo ishte një krim.”

Të nesërmen, një rreshter telefonoi Lisën për t’i thënë se ai e kishte lexuar raportin e oficerëve dhe ishte i shqetësuar se ky akt nuk ishte konsideruar si përdhunim. “Ai më telefonoi disa herë, por unë nuk doja të flisja për këtë”, tha Lisa. “Humba besimin në ta.”

Ní Dhomhnaill nuk pati asnjë dyshim se ajo donte të ndiqte penalisht Hustveit-in. “Ishte shumë e qartë për mua se sjellja e tij ishte e rrezikshme”, tha ajo, “por unë nuk kisha prova. E vetmja mënyrë ishte që ta bëja atë që ta pranonte çfarë kishte bërë.”

Ajo i dërgoi atij një email duke e pyetur saktësisht se çfarë kishte bërë dhe pse  e kishte bërë një gjë të tillë, dhe për çudi ai u përgjigj detajisht menjëherë. “Ishte klinike, procedurale, nuk kishte ndjenjë të fajit. Ai dukej plotësisht i shkëputur nga fjalët e tij. Arsyeja që e kishte bërë ishte vetëm për kënaqësinë e tij. Në fund tha: “mund të më ndjekësh penalisht dhe shpresoj vërtetë që të mos e bësh.”

Ajo e ndoqi penalisht. Në korrik 2015, Hustveit u deklarua fajtor në Gjykatën Penale Qendrore të Irlandës ndaj akuzës për përdhunim dhe sulm seksual. Ai u dënua me kusht, por një vit më vonë Gjykata e Apelit në Dublin e konsideroi këtë si dënim “të butë” dhe Hustveit u burgos për 15 muaj. Ní Dhomhnaill filloi procedurat civile të gjykatës së lartë duke kërkuar dëmshpërblim për akte të shumta të përdhunimit dhe sulmit seksual përderisa ajo ishte në gjumë.

Në shkurt 2020, ajo i tha jurisë: “Cdo pjesë e imja n është ndikuar thellësisht” dhe menjëherë pas kësaj ajo vuante me PTSD dhe kishte tentuar të vriste veten. Ajo tha se ishte ndjerë “e pasigurtë kudo”, kishte frikë tu besonte njerëzve, madje edhe prindërve të saj. Hustveit nuk kundërshtoi asnjë nga pohimet dhe juria e ngarkoi me dëmshpërblim prej 1 milion euro (£863,000).

Nëntë vitet e fundit kanë qenë një proces i ngadaltë por i qëndrueshëm i rimëkëmbjes. Ní Dhomhnaill, tani 34 vjeçare, u ri-kualifikua si psikologe dhe aktualisht është në trajnim klinik. Ajo beson se e kaluara e saj e bën atë më të mirë në punën e saj. “Mendoj që gjëja më e bukur dhe më e rëndësishme që mund të ofroj kur jam në dhomë me dikë i cili është i lënduar, apo ka mendime për vetëvrasje, është ndjenja e shpresës”, tha ajo. “Edhe nëse ata nuk besojnë, e di se diçka mund të ndryshojë, dhe kështu unë shpresoj për ta.”

Megjithatë, pavarësisht gjithçkaje, ajo ende e zë veten e saj duke dyshuar në gjithçka që i ka ndodhur asaj. “Nganjëherë, kam ende mendime që ndoshta kam reaguar më tepër se që duhet. Ende e mendoj këtë gjë”, pohoi ajo. “Mendoj se kjo është akuzë për botën në të cilën jetojmë.”

Emrat me shenjën (*) janë ndryshuar.

Anna Moore

E përktheu: Greta Avdyli

Tekstin origjinal mund ta gjeni në:  https://www.theguardian.com/society/2021/jun/15/the-sexual-assault-of-sleeping-women-the-hidden-horrifying-crisis-in-britains-bedrooms