Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1
Readings

Kriza e përkujdesjes në kapitalizëm

QIKA 1.4.2021

Në këtë intervistë, Nancy Fraser debaton kryqëzimin shqetësues të feminizmit liberal me kapitalizmin bashkëkohor dhe ofron një vizion rrënjësisht të ndryshëm të drejtësisë gjinore.

Nancy Fraser është profesore e filozofisë dhe politikës në The New School for Social Research dhe një nga teoricienet kritike më të respektuara sot. Në librin e saj të fundit Fortunes of Feminism: From State-Managed Capitalism to Neoliberal Crisis, Fraser debaton kryqëzimin shqetësues të feminizmit liberal me kapitalizmin dhe mënyrat në të cilat feminizmi liberal mund të sigurojë një iluzion të çlirimit për një sistem të shfrytëzimit të pamëshirshëm. Duke përpunuar një kritikë të kapitalizmit dhe një vizion rrënjësisht të ndryshëm të feminizmit, ajo tregon se si drejtësia gjinore duhet të qëndrojë në zemër të çdo lufte për një shoqëri të barabartë. Kohët e fundit, Fraser është kthyer për të adresuar atë që ajo e quan një “krizë të përkujdesit”.

Sarah Leonard: Çfarë është riprodhimi shoqëror dhe pse qëndron në thelbin e analizës tuaj feministe?

Nancy Fraser: Riprodhimi shoqëror ka të bëjë me krijimin dhe mirëmbajtjen e lidhjeve shoqërore. Një pjesë e kësaj ka të bëjë me lidhjet midis brezave – pra, lindja dhe rritja e fëmijëve dhe përkujdesi për të moshuarit. Një pjesë tjetër ka të bëjë me mbajtjen e lidhjeve horizontale midis miqve, familjes, lagjeve dhe komunitetit. Ky lloj aktiviteti është absolutisht thelbësor për shoqërinë. Duke qenë njëkohësisht emocional dhe material, ky siguron “ngjitësin social” që mbështet bashkëpunimin shoqëror. Pa të, nuk do të kishte organizim shoqëror – as ekonomi, as politikë, as kulturë. Historikisht, riprodhimi shoqëror është bërë çështje gjinore. Pjesa më e madhe e përgjegjësisë për të u është caktuar grave edhe pse gjithashtu burrat gjithmonë kanë kryer disa prej këtyre përgjegjësive.

Ngritja e kapitalizmit e shtoi këtë ndarje gjinore – duke ndarë prodhimin ekonomik nga riprodhimi shoqëror, duke i trajtuar ato si dy gjëra të ndara, të vendosura në dy institucione të ndryshme dhe të koordinuara në dy mënyra të ndryshme. Prodhimi u zhvendos në fabrika dhe zyra aty ku konsiderohej “ekonomik” dhe shpërblehej me paga e para të gatshme. Riprodhimi u la pas, u zhvendos në një sferë të re private shtëpiake, ku u sentimentalizua dhe u natyralizua, u krye për hir të “dashurisë” dhe “virtytit”, e jo parave. Në fakt, riprodhimi shoqëror asnjëherë nuk ishte vendosur vetëm brenda kufijve të familjes private, por ka qenë i vendosur gjithashtu në lagje, institucione publike dhe shoqëri civile; dhe një pjesë e tij është materializuar. Sidoqoftë, ndarja gjinore e riprodhimit shoqëror nga prodhimi ekonomik përbën bazën kryesore institucionale për nënshtrimin e grave në shoqëritë kapitaliste. Pra, për feminizmin, nuk mund të ketë çështje më qendrore se kjo.

Leonard: Sipas gjykimit tuaj, ne kemi hyrë në një krizë të përkujdesjes. Çfarë do të thotë kjo dhe si kemi arritur këtu?

Fraser: Në shoqëritë kapitaliste, kapaciteteve të disponueshme për riprodhim shoqëror nuk u jepet asnjë vlerë e monetarizuar. Ato merren si të mirëqena, trajtohen si “dhurata” falas dhe pafundësisht të disponueshme, të cilat nuk kërkojnë vëmendje ose rimbushje. Supozohet se gjithmonë do të ketë energji të mjaftueshme për të mbështetur lidhjet shoqërore nga të cilat varet prodhimi ekonomik dhe shoqëria në përgjithësi. Kjo është shumë e ngjashme me mënyrën se si natyra trajtohet në shoqëritë kapitaliste, si një rezervuar i pafund nga i cili mund të marrim sa të duam dhe në të cilin mund të hedhim çdo sasi mbeturinash. Në fakt, as natyra dhe as kapacitetet shoqërore riprodhuese nuk janë të pafundme; të dyja këto mund të shtrihen deri në pikën e thyerjes. Kur një shoqëri tërheq njëkohësisht mbështetjen e publikut për riprodhimin shoqëror dhe rekruton ofruesit kryesorë të saj në orë të gjata dhe rraskapitëse të punës me pagë, ajo shteron vetë kapacitetet shoqërore nga të cilat varet. Kjo është pikërisht situata jonë sot. Si një tigër që ha bishtin e vet, forma aktuale, e financuar e kapitalizmit po konsumon sistematikisht kapacitetet tona për të mbështetur lidhjet shoqërore. Rezultati është një “krizë e përkujdesit” që është gjithnjë aq serioze dhe sistematike sa kriza aktuale ekologjike me të cilën është e ndërthurur në çdo rast.

Për të kuptuar se si kemi arritur këtu, unë do ta krahasoja këtë formë të kapitalizmit me format e mëparshme. Është ide e përhapur që historia e kapitalizmit përbëhet nga një varg regjimesh të ndryshme akumulimi – për shembull, kapitalizëm liberal, kapitalizëm i administruar nga shteti (ose social-demokratik) dhe kapitalizëm neoliberal i financuar. Studiuesit zakonisht bëjnë dallimin mes këtyre regjimeve për sa i përket mënyrave dalluese në të cilat shtetet dhe tregjet lidhen në secilin prej tyre. Por ata kanë lënë pas dore lidhjen midis prodhimit dhe riprodhimit, e cila është po aq e rëndësishme. Kjo marrëdhënie është një tipar përcaktues i shoqërisë kapitaliste dhe bën pjesë në qendër të analizës sonë për të. Ne mund të bëjmë një rrugë të gjatë drejt kuptimit të historisë së kapitalizmit duke u përqëndruar në mënyrën se si riprodhimi shoqëror është i organizuar në secilën nga fazat e tij: për çdo epokë të caktuar, sa nga “puna e përkujdesjes” materializohet? Sa mbështetet përmes provizioneve shtetërore ose të korporatave? Sa ndodhet në familje? Në lagje? Në shoqërinë civile?

Mbi këtë bazë, ne mund të gjurmojmë një rrugë historike nga i ashtuquajturi kapitalizëm liberal i shekullit të nëntëmbëdhjetë deri te regjimi i menaxhuar nga shteti i mesit të njëzetës dhe në kapitalizmin e financuar të ditëve të sotme. Me pak fjalë: kapitalizmi liberal privatizoi riprodhimin shoqëror; kapitalizmi i menaxhuar nga shteti e socializoi pjesërisht; kapitalizmi i financuar gjithnjë e më shumë po e materializon atë. Në secilin rast, një organizatë specifike e riprodhimit shoqëror shkoi me një grup të veçantë të idealeve gjinore dhe familjare: nga vizioni liberal-kapitalist i “sferave të ndara” te modeli social-demokratik i “pagës familjare” te norma neoliberale e financuar e “familjes me dy fitime”. Më lejo të shpjegohem më tutje.

Rasti i kapitalizmit liberal është mjaft i qartë. Shtetet u mënjanuan ndërsa industrialistët tërhoqën njerëzit e sapo proletarizuar, përfshirë gratë dhe fëmijët, në fabrika dhe miniera. Rezultati ishte një krizë e riprodhimit shoqëror e cila nxiti një protestë publike dhe fushata për “legjislacionin mbrojtës”. Por politika të tilla nuk mund ta zgjidhnin problemin dhe efekti i tyre ishte lënia e komuniteteve së klasës punëtore dhe fshatare në përkujdesin e vetvetes. Sidoqoftë, kjo formë e kapitalizmit ishte prodhuese nga ana kulturore. Me paraqitjen e riprodhimit shoqëror si rol të grave brenda familjes private, u shpik imagjinata e re dhe borgjeze e shtëpisë, “sfera të ndara”, “streha në botën e pashpirt” dhe “engjëlli në shtëpi”, edhe pse privoi shumicën e njerëzve nga kushtet e nevojshme për të realizuar ato ideale.

I shkatërruar nga kriza, regjimi liberal i dha vendin në shekullin XX një variantit të ri të kapitalizmit, të menaxhuar nga shteti. Në këtë fazë, e cila u bazua në prodhim dhe konsum masiv, riprodhimi shoqëror u socializua pjesërisht, përmes sigurimit të mirëqenies sociale nga shteti dhe korporatat. Dhe modeli gjithnjë e më i çuditshëm i “sferave të ndara” i dha vendin normës së re, më “moderne” të “pagës familjare”. Sipas asaj norme, e cila kishte mbështetjen e fortë të lëvizjeve për të drejtat e punëtorëve, punëtori industrial duhej të paguhej aq sa të mbante të gjithë familjen e tij, duke i mundësuar gruas së tij që t’u përkushtohej fëmijëve të tyre me kohë të plotë. Përsëri, vetëm një pakicë relativisht e privilegjuar e arriti këtë ideal; por ishte frymëzues për shumë më tepër – të paktën, në shtetet e pasura të Atlantikut të Veriut, bërthamës kapitaliste. Kolonitë dhe post-kolonitë u përjashtuan nga këto rregulla, të cilat mbështeteshin në grabitjen e vazhdueshme të Jugut global. Kishte asimetri racore të integruara në Shtetet e Bashkuara, ku punëtorët shtëpiak dhe bujqësor ishin përjashtuar nga sigurimet shoqërore dhe format e tjera të sigurimit publik. Dhe natyrisht, paga e familjes institucionalizoi varësinë dhe heteronormativitetin e grave. Pra, kapitalizmi i administruar nga shteti nuk ishte epokë e artë, por gjithsesi krejt e ndryshme nga ajo që kemi sot.

Sot, sigurisht, ideali i pagës familjare ka vdekur. Është një fatkeqësi, nga njëra anë, e rënies së pagave reale e cila e bën të pamundur mbajtjen e një familje me një pagë të vetme (përveç kur dikush i përket 1 përqindëshit); dhe nga ana tjetër e suksesit të feminizmit i cili delegjitimoi idenë e varësisë së grave që ishte ndërtuar në pagën e familjes. Si rezultat i kësaj goditjeje të dyfishtë, tani kemi normën e re të “familjes me dy burime të të ardhurave”. Tingëllon bukur, apo jo – duke supozuar që nuk jeni beqare? Ashtu si ideali i pagës familjare, megjithatë, edhe ky ideal është i turbullt. Mistifikon rritjen e madhe të numrit të orëve të punës së paguar që tani nevojiten për të mbështetur një familje dhe nëse shtëpia përfshin fëmijë ose të afërm të moshuar ose njerëz që janë të sëmurë ose me aftësi të kufizuara dhe nuk mund të funksionojnë me pagë me kohë të plotë, atëherë aq më keq bëhet gjendja. Dhe nëse është një familje me një prind, është edhe më keq se kaq. Tani shtoji kësaj se ideali me dy fitues po promovohet në një kohë të shkurtimeve në sigurimet shtetërore. Midis nevojës për rritje të orëve të punës dhe zvogëlimit në shërbime publike, regjimi kapitalist i financuar po zbraz sistematikisht kapacitetet tona për mbajtjen e lidhjeve shoqërore. Kjo formë e kapitalizmit po shtrin energjitë tona “të përkujdesit” deri në pikën e thyerjes. Kjo “krizë e përkujdesit” duhet të kuptohet në mënyrë strukturore. Në asnjë mënyrë e papritur ose aksidentale, është shprehja, në kushtet aktuale, e një tendence për krizë shoqërore riprodhuese që është e natyrshme në shoqërinë kapitaliste, por që merr një formë veçanërisht akute në regjimin aktual të kapitalizmit të financuar.

Leonard: A mund të flisni më shumë për rolin e feminizmit në këtë krizë? Feministet nuk synonin një familje me dy fitime.

Fraser: Jo, sigurisht që jo. Por ka ende një pyetje të thellë dhe shqetësuese se çfarë roli ka luajtur feminizmi në të gjitha këto. Feministet me të drejtë refuzuan idealin e pagës familjare si një institucionalizim i varësisë së gruas. Por ne e bëmë këtë në momentin kur zhvendosja e prodhimit ekonomikisht u nxor nga ky ideal. Në një botë tjetër, feminizmi dhe ndryshimet në industri mund të mos e kishin përforcuar njëra-tjetrën, por në këtë botë ato e bënë atë. Si rezultat, edhe pse lëvizjet feministe nuk e shkaktuan në asnjë mënyrë atë zhvendosje ekonomike, ne përfunduam padashur duke siguruar një legjitimim për të. Ne siguruam karizëm e çakëll ideologjik për agjendat e të tjerëve.

Por, mos të harrojmë, ndërkohë, se ka vërtet feministë neoliberal që janë plotësisht në pajtim me këtë agjendë, të cilët poashtu përfaqësojnë 1 përqindshin. Madje guxoj të them se duket sikur do të zgjedhim njërin prej tyre si president të Shteteve të Bashkuara. Feministët neoliberal janë feministë; nuk mund të themi se nuk janë. Por në atë fillesë të feminizmit ne shohim ide feministe të thjeshtuara, të cunguara dhe të riinterpretuara në terma miqësorë ndaj tregut, si për shembull, kur ne mendojmë për vartësinë e grave në drejtim të diskriminimit që parandalon gratë e talentuara të ngrihen në majë. Një mendim i tillë vërteton tërë imagjinatën hierarkike të korporatës. Legjitimon një botëkuptim që është në thelb armiqësor ndaj interesave të shumicës së grave, në të vërtetë të të gjithë njerëzve në mbarë botën. Ky version i feminizmit siguron një iluzion emancipues për grabitjen neoliberale.

Leonard: A mund të thuash më shumë sesi shpërndarja e përkujdesjes në ekonominë tonë të financuar i vë gratë kundër njëra-tjetrës?

Fraser: Absolutisht. Tani kemi një organizim të dyfishtë të punës së përkujdesit në të cilën ata që kanë mundësi të ndihmojnë në shtëpi thjesht paguajnë për të, ndërsa ata që nuk mund të përpiqen të përkujdesen për familjet e tyre, shpesh duke bërë punën e paguar të përkujdesit për grupin e parë, dhe shpesh me paga shumë të ulëta dhe pa mbrojtje. Ne kemi filluar të shohim fushata për të drejtat dhe pagat e jetesës në këtë sektor. Pra, qartë, kjo është një vendosje e drejtpërdrejtë e interesave kundër njëri-tjetrit. Gjithmonë kam menduar se ideja “Lean In” e Sheryl Sandberg ishte ironike; është e mundur vetëm për lexuesit e saj që të parashikojnë animin në sallën e bordit të korporatave për aq sa ata mund të mbështeten tek punonjësit e përkujdesit me pagë të ulët që pastrojnë tualetet dhe shtëpitë e tyre, të ndërrojnë pelenën fëmijëve të tyre, përkujdesen për prindërit e tyre të moshuar, etj.

Këtu duhet të flasim për racën. Në fund të fundit, janë kryesisht gratë emigrante me ngjyrë, gratë afro-amerikane dhe gratë latine që po bëjnë këtë punë. Ju duhet të shkoni vetëm në ndonjë park në një lagje të klasës së mesme të New York City për ta parë këtë – është më se e qartë. Ka shtete, strategjia e ashtuquajtur “e zhvillimit” e të cilave është të lehtësojnë emigrimin e grave në vendet dhe rajonet e pasura për këtë qëllim. Filipinet, për shembull, varen shumë nga dërgesat e parave nga punëtorët vendas që punojnë jashtë vendit. Dhe kjo është një shkëmbim i punës i organizuar nga shteti – është strategjia shtetërore e zhvillimit. Shtetet në fjalë i janë nënshtruar rregullimit strukturor. Ata janë në borxh, të zhytur në para dhe kanë nevojë për valutë të fortë dhe nuk kanë asnjë mënyrë për ta marrë atë përveç dërgimit të grave të tyre për të bërë këtë punë, duke lënë fëmijët e tyre dhe familjet prapa në përkujdesin e njerëzve të tjerë të varfër. Unë nuk po sugjeroj që puna e përkujdesit nuk duhet të jetë kurrë një punë e paguar, por bën një ndryshim të madh se si paguhet, si është i organizuar dhe nga kush.

Leonard: A ka ndonjë punë specifike organizuese që shihni se adreson këto probleme në një mënyrë që arrin në rrënjën e tyre?

Fraser: Ka një sasi të jashtëzakonshme organizimi dhe aktivizmi që po ndodhë, shumë kreativitet, shumë energji. Por mbetet mjaft e shpërndarë dhe nuk ngrihet në nivelin e një projekti kundër-hegjemonik për të ndryshuar organizimin e riprodhimit shoqëror. Nëse bëni përpjekje për një javë më të shkurtër pune, për të ardhura themelore të pakushtëzuara, për përkujdesin publik të fëmijëve, për të drejtat e punëtorëve migrantë shtëpiakë dhe punëtorëve që bëjnë punë të përkujdesjes në shtëpi pleqsh, spitale, qendra të përkujdesit për fëmijë – atëherë shtoni betejat për ujin e pastër, strehimin dhe degradimin e mjedisit, veçanërisht në Jugun global – na sjellë, për mendimin tim, tek një kërkesë për një mënyrë të re të organizimit të riprodhimit shoqëror.

Betejat për riprodhimin shoqëror janë gjithandej. Ato thjesht nuk etiketohen si të tilla. Por nëse do të ndodhte që këto beteja e kuptojnë veten në këtë mënyrë, do të kishte një bazë të fuqishme për t’i lidhur ato së bashku në një lëvizje të gjerë për transformimin shoqëror. Nëse ato gjithashtu e kuptuan që baza strukturore e krizës së sotme të përkujdesit është shtytja e qenësishme e kapitalizmit për të nënshtruar riprodhimin ndaj prodhimit, atëherë gjërat mund të bëhen vërtetë interesante.

Leonard: Duke pasur parasysh interesin në rritje për socializmin mes të rinjve amerikanë, a e lidhni ju betejën për riprodhim shoqëror me betejën për socializëm?

Fraser: Absolutisht. Unë e quaj veten një socialiste demokrate, ashtu si Bernie Sanders, por ne po jetojmë në një kohë kur duhet të pranojmë sinqerisht se nuk e dimë saktësisht se çfarë do të thotë kjo. Ne e dimë se nuk do të thotë asgjë si ekonomia komanduese autoritare, modeli një-partiak i komunizmit. Ne e dimë se kjo do të thotë diçka më e thellë dhe më e fortë dhe barazuese sesa demokracia sociale. Ne e dimë që nuk mund të jetë shtet-komb i kufizuar në një botë ku shfrytëzimi dhe shpronësimi dhe nxjerrja janë plotësisht transnacionale. Ne i dimë të gjitha gjërat që nuk mund të jenë, me fjalë të tjera, por e kemi të vështirë të përcaktojmë programin pozitiv.

Një pjesë në të cilën unë do të insistoja është që ri-imagjinimi i riprodhimit shoqëror duhet të jetë thelbësor për çdo formë të socializmit që ne mund ta pretendonim si të dëshirueshme në shekullin e njëzet e një. Si duhet të shpiket sot dallimi i riprodhimit/prodhimit dhe çfarë mund të zëvendësojë familjen me dy burime të të ardhurave? Është interesante – nëse shikoni historinë e socializmit, madje edhe socializmin e vjetër utopik që Marx-i dhe Engels-i refuzuan, kishte një përqendrim të madh në atë që unë po e quaj riprodhim shoqëror: si të organizojmë jetën familjare, të komunitetit etj. Ishte utopike në mënyra që nuk janë të zbatueshme për ne, por problematika ishte atje dhe madje edhe në historinë e socializmit modern, socializmit marksist dhe socializmit industrial jo marksist, kjo problematikë është hedhur brenda dhe jashtë diskutimit. Për pjesën më të madhe ai është trajtuar si dytësor ndaj problemit se si të organizohet industrializimi dhe të planifikohet prodhimi. Por nëse përqendrohesh vetëm në një pol të dyshes së prodhimit/riprodhimit, tjetra do të kthehet dhe do të të kafshojë në mënyra të padëshiruara dhe që do të dëmtojë tërë projektin.

Leonard: Shumë nga pyetjet që ju shtroni në lidhje me jetën shoqërore dhe familjen janë dukur përsëri utopike, si disa mbetje të viteve 1960 dhe jo domosdoshmërisht thelbësore për një program socialist. E megjithatë, ju argumentoni se ne jemi në të vërtetë në një pikë krize dhe se këto çështje duhet të jenë thelbësore. Sfida e riprodhimit shoqëror është aq thelbësore për përvojën e përditshme të jetuar të të gjithëve, saqë ka qenë befasuese për mua që shpesh mungon në ringjalljen aktuale të socializmit.

Fraser: Pajtohem shumë me këtë. Duke pasur parasysh mprehtësinë e kësaj krize të riprodhimit shoqëror, do të ishte utopike, në kuptimin e keq, që e majta të mos përqendrohej në këtë. Ideja që ne disi mund ta rikthejmë prodhimin, kjo është ajo që është utopike – përsëri, në kuptimin e keq. Ndryshe nga ideja që ju mund të ndërtoni një shoqëri që supozon se çdo i rritur është një person me përgjegjësi të përkujdesit parësor, angazhime të komunitetit dhe angazhime shoqërore. Kjo nuk është utopike. Është një vizion i bazuar në atë se si është në të vërtetë jeta njerëzore.

Leonard: A e shihni një rol pozitiv të teknologjisë në gjithë këtë, apo mekanizimi i punës së brendshme thjesht çon në thellimin e problemit? Kohët e fundit kemi dëgjuar shumë për ngrirjen e vezëve në Google, e cila është krijuar për të lejuar gratë të punojnë më gjatë para se të bëjnë fëmijë. Meqenëse priremi të mendojmë se shumë punë të rëndomta industriale duhet të mekanizohen, a e shihni punën e përkujdesit në një mënyrë të ngjashme? Apo është shumë intime për këtë?

Fraser: Unë sigurisht nuk jam person që kundërshton teknologjinë e re. E vlerësoj shumë që kam një dritë elektrike për të lexuar gjatë natës, mundësinë që të jem në gjendje të flas përmes Skype me ju nga larg e kështu me radhë. Unë nuk jam kundër as atyre teknologjive për të cilat kam shkruar në mënyrë kritike, si ngrirja e vezëve ose pompat mekanike të qumështit të gjirit. Pyetja është konteksti: si prodhohen dhe përdoren, nga kush dhe për përfitimin e kujt?  Kështu që unë lehtë mund të imagjinoj një kontekst në të cilin disponueshmëria e atyre gjërave mund të jetë një zgjedhje legjitime. Unë aspak nuk turpëroj askënd për zgjedhjet shumë të kufizuara që ne bëjmë midis opsioneve shumë të këqija dhe opsioneve të kufizuara.

Unë gjithashtu mendoj se aktivitetet e orientuara drejt mbajtjes së lidhjes shoqërore përmbajnë një element personal të pashlyeshëm. Ato janë me përkufizim ndërpersonal që përfshijnë komunikim ndër-subjektiv dhe në disa raste edhe fizik. Kjo lufton kundër idesë së një mekanizimi total të përkujdesit. Por përsëri, dyshoj se mund të parashikojmë automatizimin total të diçkaje, nëse kjo nënkupton eliminimin e të gjitha inputeve njerëzore.

Leonard: E drejtë, sepse në një farë mënyre ne thjesht flasim për kohën. Ne mekanizojmë gjëra të tilla si përkujdesja për të kursyer kohën tonë sepse nuk kemi sa duhet. Vetëm në një situatë në të cilën keni kohë të mjaftueshme, ju vërtetë kuptoni se çfarë dëshironi të mekanizoni.

Fraser: Ndihem mjaft e sigurt se nuk dua të laj të gjitha rrobat e mia me dorë dhe tashmë e di se ka shumë gjëra që nuk dua ta kaloj kohën duke i bërë. Do të doja të kisha më shumë kohë për të bërë gjëra të tjera, duke përfshirë biseda si kjo.

Sarah Leonard

E përktheu: Riola Morina

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://www.dissentmagazine.org/article/nancy-fraser-interview-capitalism-crisis-of-care