Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1
Readings

Ligjet e pagave të barabarta në Evropë po dështojnë

QIKA 3.4.2024

Gratë janë të pavetëdijshme për diskriminimin gjinor në paga sepse kompanitë ku ato punojnë shpesh mbajnë të fshehta pagat e punëtorëve/eve. Transparenca e pagave është zgjidhja.

E drejta e pagës të barabartë për punë të barabartë ekziston prej vitesh. Një nga vendet e para në Evropë që zbatoi ligjet e pagave të barabarta për gratë ishte Islanda në vitin 1961, kurse më pas edhe vendet e tjera ndoqën shembullin e njëjtë.

Megjithatë, gratë në të gjithë Evropën ende fitojnë shumë më pak se burrat. Në vitin 2022, hendeku gjinor i pagave në Bashkimin Evropian (BE) ishte 12.7%, që do të thotë se gratë fitonin 87.30 € për çdo 100 € që fitonin burrat.

Hendeku gjinor i vazhdueshëm i pagave madje ka çuar deri në konceptin e Ditës së Pagave të Grave – një ditë në të cilën çdo grua ndërprenë punën e papaguar në mënyrë simbolike duke u bazuar në krahasimin me pagat mesatare të burrave për punën e njëjtë. Në vitin 2024, në Mbretërinë e Bashkuar, kjo ditë u shënua më 21 shkurt.

Në disa pjesë të botës hendeku gjinor i pagave është shumë më i thellë, prandaj, data që përfaqëson barazinë e pagave mund të shtyhet më tej brenda vitit.

Nëse ekzistojnë ligjet për të parandaluar pabarazinë gjinore në paga, pse ligjet dështojnë të mbështesin mbrojtjen e pagave për gratë?

Përgjigja qëndron tek vetë ligjet

Nëse gratë duan të zbatojnë të drejtat e përcaktuara në ligjet e pagave të barabarta, ato duhet të çojnë punëdhënësit e tyre në gjykatë.

Paditë kundër një punëdhënësi nuk janë të lehta për t’u fituar pasi kompanitë mund të mbajnë të fshehta pagat e punëtorëve/eve. Përveç kësaj, ekziston edhe rreziku i hakmarrjes nga punëdhënësit ndaj punonjëseve.

Miratimi i ligjeve të punës që e bëjnë pagën e barabartë ligjërisht të detyrueshme nuk mjafton për të arritur përnjëmend pagën e barabartë.

Prej vitit 1996 deri më 2007, për shembull, ishin ngritur vetëm 31 padi për paga të barabarta në Gjermani, 16 në Francë dhe 1 në Poloni, duke dëshmuar se sa e vështirë mund të jetë për punonjëset/it që të sigurojnë respektimin e ligjeve të pagave të barabarta nga punëdhënësit. Të kesh një të drejtë dhe ta zbatosh atë janë dy gjëra krejt të ndryshme.

Zvicra është shembull i mekanizmave të zbatimit të këtyre ligjeve. Në vitin 1996, ligjvënësit zviceranë miratuan Aktin e Barazisë Gjinore, duke mbrojtur parimin e pagës së barabartë për punë të barabartë për burrat dhe gratë. Në vitin 1999, ata gjithashtu zbatuan masa të ngjashme për punëtorët migrantë, duke i dhënë fund trajtimit të pabarabartë ligjor të punëtorëve/eve të kombësive të ndryshme.

Zbatimi i ligjit për mbrojtjen e pagave të barabarta për burrat dhe gratë mbështetet në çështjet gjyqësore, pra paditësit/et individualë duhet të kalojnë përmes sistemit gjyqësor.

Rasti i punëtorëve të dërguar

Megjithatë, zbatimi i pagës së barabartë për të ashtuquajturit punëtorë të dërguar (ang. posted workers) sipas standardeve të vendit pritës nuk mbështetet në procedurat gjyqësore.

Punëtori i dërguar është një punonjës i dërguar nga punëdhënësi i tij për të kryer përkohësisht një shërbim në një shtet tjetër anëtar të BE-së ose vend i lidhur me tregun e përbashkët të BE-së, si Zvicra.

Në këtë situatë, sindikatat zvicerane, shoqatat e punëdhënësve dhe autoritetet rajonale kanë të drejtë të kryejnë auditime të detyrueshme të listës së pagave të një kompanie. Ata gjithashtu kanë të drejtë të shqiptojnë gjoba jashtë sistemit gjyqësor ose të përjashtojnë kompanitë nga tenderët publikë nëse nuk arrijnë të kompensojnë punëtorët e dërguar sipas standardeve vendore.

Kjo i lejon punëtorët e dërguar nga jashtë, të cilët janë viktima të diskriminimit në paga, të lajmërojnë drejtpërdrejt sindikatat pa pasur frikë nga hakmarrja prej punëdhënësit.

Çdo vit, partnerët socialë zviceranë dhe autoritetet rajonale kontrollojnë llogaritë e listës së pagave të dhjetëra mijëra kompanive për të zbatuar paga të barabarta sipas kombësisë, kurse gjykatat zvicerane shqyrtojnë vetëm rreth 100 raste të diskriminimit të pagave që lidhen me gjininë.

Një ligj zviceran për Barazinë Gjinore, i rishikuar në vitin 2020, tani kërkon që kompanitë të analizojnë hendekun e tyre gjinor të pagave përmes një organi të pavarur dhe t’ua komunikojnë rezultatet punonjësve/eve.

Megjithatë, të ashtuquajturat “masa anësore” për paga të barabarta për punëtorët e dërguar në Zvicër të përshkruara më sipër ende ofrojnë mjete më të mira për të zbatuar e mbrojtur paga të barabarta sipas origjinës kombëtare në krahasim me ato sipas gjinisë.

Çfarë do të na sillte transparenca më e madhe e pagës?

Jo vetëm një nga të parët që zbatoi ligjet e pagave të barabarta, Islanda u bë gjithashtu vendi i parë në botë që zbatoi ligjërisht transparencën e pagave për burrat dhe gratë.

Që nga viti 2018, çdo kompanie me 25 ose më shumë punëtorë/e në Islandë i kërkohet një certifikatë që dëshmon se ata i paguajnë të gjithë personat në të njëjtat pozita në mënyrë të barabartë. Vendet në të gjithë BE-në tani do të aplikojnë standarde të ngjashme.

Në vitin 2023, Parlamenti Evropian dhe Këshilli Evropian miratuan një direktivë të re të BE-së për të forcuar parimin e pagës së barabartë për burrat dhe gratë për punë të barabartë ose punë me vlerë të barabartë.

Kjo direktivë i detyron vendet anëtare të BE-së të rregullojnë ligjet e tyre kombëtare për barazinë e pagave, duke forcuar transparencën e pagave dhe zbatimin e pagave të barabarta.

Pasi të miratohet, çdo punonjës/e do të ketë të drejtën të dijë pagën mesatare të të gjithë punonjësve/eve që bëjnë punë të njëjtë brenda së njëjtës kompani. Çdo kompani me më shumë se 100 punonjës/e do t’i kërkohet gjithashtu të raportojë rregullisht për hendekun gjinor të pagave.

Gratë shpesh janë të pavetëdijshme për diskriminimin gjinor në paga sepse kompanitë i mbajnë të fshehta pagat. Transparenca e pagës përmes kësaj direktive jo vetëm që do t’u mundësojë grave që të ndërgjegjësohen për pagat në kompaninë e tyre, në mënyrë që ato të mund të ndërmarrin hapat e nevojshëm nëse ka hendek gjinor në paga, por gjithashtu do të lejojë të vlerësojnë arsyet e pabarazive në paga.

Përveç kësaj, shtetet anëtare të BE-së do të lejohen të përpilojnë dhe publikojnë vetë informacionin e pagave specifike për kompaninë në të ardhmen, bazuar në të dhënat e ofruara nga punëdhënësit tek autoritetet tatimore dhe të sigurimeve shoqërore.

Nëse hendeku i pagave është më shumë se 5% dhe nuk mund të justifikohet objektivisht, kompania në përputhje me legjislacionin kombëtar të punës duhet të bjerë dakord për masat korrigjuese me sindikatat ose me ndonjë organ tjetër përfaqësues të punonjësve/eve, siç është këshilli i punës.

Masa të tjera si lehtësimi i barrës së provës ose mbrojtja më e mirë kundër akteve të hakmarrjes për paditësit/et gjithashtu forcojnë mbrojtjen e pagave për gratë dhe pagën e barabartë.

Kjo direktivë ka hyrë në fuqi në qershor 2023 dhe shtetet anëtare kanë tre vjet kohë për ta integruar atë në legjislacionin kombëtar. Ora po troket.

Roland Erne

E përktheu: Blenda Asllani

Shkrimin origjinal mund ta gjeni në: https://www.euronews.com/business/2024/03/28/equal-pay-laws-in-europe-are-failing-pay-transparency-could-be-the-key?fbclid=IwAR1own2K0jDLgfzBPgE4T7blw7LUsUBKUtBHV8DK6XcOni8MwZRcjg7FrpM_aem_AUEC8nFt7jvCap6W0jAlP0l4oBAig9_FHw8l6SRiNnwgjtYFgo96YgK2Pzw7xR5lvfXE-Fm3ZVHZ5esRIX-987dI