Me mijëra punëtore të kujdesit shtëpiak detyrohen të punojnë ndërrime 24 orëshe përderisa paguhen vetëm për gjysmën e asaj kohe. Kjo është mizore.
Për 16 vitet e fundit, Edith Guttierez ka punuar rregullisht ndërrime 24 orëshe si punëtore e shtëpive të kujdesit në New York dhe ajo paguhet vetëm për gjysmën e asaj kohe.
Ajo nuk është e vetmja. Rreth 8% e 240,000 punëtoreve të shtëpive të kujdesit në shtetin e New York-ut iu caktohen ndërrime 24 orëshe, shumë prej tyre janë të njëpasnjëshme. Pushimi është me ndërprerje ndërsa gjumi gati i pamundur. Punëtoret, shumica prej të cilave janë gra me ngjyrë dhe imigrante, janë përgjegjëse për shëndetin dhe kujdesin e atyre që kanë nevojë për kujdes 24 orësh.
Që kjo lloj vjedhje e kohës dhe rrogës lejohet të ndodh – dhe në fakt është rritur gjatë pandemisë – është dëshmi e gjendjes së rrënuar të ligjit të punës në SH.B.A. Gjithashtu ajo reflekton një truizëm kulturor fatkeq. Puna e kujdesit të shëndetit është e paçmuar – dhe kështu ne thjeshtë nuk e vlerësojmë aspak.
Puna e kujdesit shëndetësor është domosdoshmëri në shoqëri. Pa të, “ekonomia”, siç konceptohet zakonisht, nuk do të ekzistonte. Puna e punëtorëve të shëndetit, të strehimit, të kujdesit ditor dhe kujdesit për fëmijë, na ka mundësuar neve të tjerëve që të mbijetojmë gjatë vitit të kaluar dhe të punojmë.
Por, nxitja e kapitalizmit për të shtypur këdo që kryen punë esenciale – të paguar dhe të papaguar – është konstante. Kjo “tendencë për krizë”, siç e quan Nancy Fraser – që shtyp punën e cila është kurrizi që mban gjallë të gjithë sistemin – shpesh duket ndryshe varësisht prej formës së kapitalizmit në të cilin shfaqet. Por një mënyrë universale sesi shfaqet ajo është duke i detyruar qëllimisht punëtoret e kujdesit shëndetësor që të punojnë falas. Trajtimi vazhdimisht i keq ndaj punëtoreve të kujdesit në SH.B.A, për shembull, është duke shtyrë një numër të madh të punëtoreve që të largohen nga kjo industri pikërisht në kohën kur kemi nevojë më së shumti për to.
Fraser nuk ka qenë e para që e ka artikuluar këtë tendencë. Duke kërkuar “pagë për punë shtëpie”, feministet socialiste të viteve të 70ta kërkuan jo vetëm pagesë për punën e tyre në shtëpi por edhe shpërfaqen faktin që i gjithë sistemi ekonomik kapitalist është duke u mirëmbajtur mbi kurrizin e shtëpiakeve, shumica prej të cilave ishin gra. Nëse, siç është sugjeruar, ekonomia nuk do të kishte mundësi t’i paguante punët e shtëpisë, kërkesa për pagë do të shndërrohej në një kërkesë për një lloj të ekonomisë që ose i jep vlerë punës së kujdesit ose do të eliminonte nevojën për të. Siç e thoshte Kathi Weeks “ai ishte një projekt reformist me aspirata revolucionare.”
Dekada më vonë, kështu do të mund të përshkruanim organizimin e Guttierez-it më së miri. Kur ajo dhe bashkëpunëtoret e saja u ankuan në agjenci të punësimit, ato u këshilluan që të injorojnë pacientët gjatë kohës së gjumit. Nëse zgjedhin që të kujdesen për pacientët e tyre, atë do ta bënin vetëm me vendim personal. Në vend se të pranojnë këtë këshillë të pashpirt, Guttierez dhe punëtoret e tjera të kujdesit u organizuan në fushatën “A nuk jam unë grua?” (Ain’t I a Woman?) për të kërkuar eliminimin e ndërrimeve 24 orëshe.
Përpjekja dhe mundi i tyre ka sjellur legjislacion në nivel shtetëror i cili parasheh që njerëzit në nevojë për kujdes 24 orësh do të marrin asistencë nga dy punëtor/e me periudha pune 12 orëshe. Më në fund, punëtoret e kujdesit do të paguheshin për kohën për të cilën punonin e jo të detyrohen që të rraskapiten 12 orë shtesë, pa pagesë.
Dita e punës 24 orëshe është mirëmbajtur në ligjin e punës së shtetit të New York-ut. Punëtoret e kujdesit shtëpiak janë paguar historikisht për 13 orë të turnit 24 orësh nën udhëzimet e Departamentit të Punës së shtetit të New York-ut qysh nga vitet e 90ta.
Por në katër vitet e fundit, më shumë se 145 padi janë dorëzuar nga punëtoret e kujdesit shtëpiak që kërkojnë pagesë për orët e ushqimit dhe gjumit, dhe më 2017, Gjykata Supreme e New York-ut mbajti anën e punëtorëve dhe kërkesës së tyre për tu kompensuar për çdo orë në punë. Si reagim ndaj vendimit, Departamenti i Punës së Andrew Cuomos publikoi një rregullore emergjente që konstatonte bona fideqë periudhat e gjumit dhe ushqimit mund të hiqen nga orari i punës së punëtorëve të kujdesit shtëpiak. Rregullorja është ende në fuqi, dhe Cuomo nuk ka treguar ndonjë shenjë që dëshiron ta ndërroj. Më e çuditshme se kjo është që sindikata e punëtorëve të kujdesit, SEIU-1199, nuk e ka bërë prioritet heqjen e rregullores.
Historikisht, sindikatat kanë qenë mënyra kryesore nëpërmjet të cilave punëtorët kanë reduktuar orarin e punës. Por, përderisa fuqia e punëtorëve të organizuar ka rënë – sot, vetëm rreth 11% e punëtorëve amerikan i përkasin sindikatave – ashtu ka rënë dhe aftësia e tyre për të moderuar metronomin e kapitalizmit amerikan. Rezultati: Kthimi i ngadalshëm i “ekonomisë me orar të gjatë” që mezi është regjistruar si çështje në organizatat më të mëdha sindikale.
Ekonomia me orar të gjatë i ka goditur më së shumti punëtorët me pagë të ulët. Pagat e stagnuara, regresi i peshës të sindikatave dhe rritja e pasigurisë në shoqëri kanë implikuar që punëtorët me paga të ulëta nuk kanë hesap të punojnë orare më të shkurta. Nga viti 1979 deri në vitin 2018 atyre iu është shtuar orari i punës për 24%, për dallim prej punëtorëve me paga të larta të cilëve iu është shtuar orari për 3.6%. Gratë janë të mbipërfaqësuara në këtë kategori. Ato përbëjnë 7 nga 10 punëtorët që paguhen më pak se 10 dollarë në orë, ku paqëndrueshmëria në orar dhe pagë është më ekstremja.
Sistemi privat i sigurimit shëndetësor në SH.B.A është poashtu i implikuar në këtë gjë. Rreth 50% e amerikanëve e marrin sigurimin shëndetësor nëpërmjet punëdhënësit të tyre. Kërkesat kualifikuese minimale të orëve të punës që kërkohen për të pasur sigurim shëndetësor si dhe shpenzimet e mëdha për kontrolla tek mjeku i mbajnë të ngërthurur punëtorët që të punojnë orar më të zgjatur në mënyrë që të marrin kujdes shëndetësor. Në anën tjetër, punëdhënësit kërkojnë orare më të gjata nga punëtorët e tyre në vend se të marrin në punë më shumë punëtorë. Sistemi për sigurim shëndetësor për të gjithë (Medicare for All) do të hiqte fuqinë e punëdhënësve mbi sigurimin shëndetësor të punëtorëve, duke iu mundësuar sindikatave që të negociojnë benefite të tjera si pagesë më të lartë dhe orar më të shkurtër, dhe t’ju mundësojnë punëtorëve që nuk janë pjesë e sindikatave që të kenë avantazhe më të mëdha në vendin e punës.
Në shekullin prej kur Clara Zetkin propozoi një ditë ndërkombëtare për gratë punëtore, punëtoret kanë përfituar pushtet të konsiderueshëm. Megjithatë, ajo çfarë dikur ka qenë simbol paradigmatik i lirisë së gruas – punë me pagë jashtë shtëpisë – tani ka humbur shkëlqimin e saj si pasojë e ekonomisë së kujdesit e cila sistematikisht ia ka humbur vlerën.
Misioni primar i organizimit të punës nuk ka qenë vetëm që të fitojnë paga më të larta e përfitime të tjera, por gjithashtu të fitojnë kontrollin mbi kohën e punëtorëve. Fushatat si ajo e udhëhequr nga Guttierez, për të ndaluar punën e papaguar të grave, mund të krijojnë reforma të vërteta dhe t’i sjellin jetë të re ëndrrave të revolucioneve të së kaluarës.
Margaret Lee, Jamie Mccallum
E përktheu: Lisjan Perolli
Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://www.jacobinmag.com/2021/03/the-fight-for-free-time-is-a-feminist-issue