Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1
Readings

Mësime nga lufta për të drejtën e votës – Si ta shndërrojmë një kauzë në lëvizje?

QIKA 24.1.2024

Historia dëshmon se udhëheqësit/et e lëvizjeve të suksesshme duhet të shkojnë përtej revoltës ndaj pushtetit. Ata/o duhet të bashkohen.

Lëvizjet shoqërore lindin kur aktivistët/et mobilizojnë qytetarët për të sfiduar udhëheqësit/et apo institucionet zyrtare. Shpesh, individët që sjellin ndryshime të rëndësishme nuk kanë pushtet formal dhe teksa përfshihen në luftën e ashpër për ndryshime shoqërore ose ekonomike, përjashtohen, nënçmohen, burgosen, madje edhe ekzekutohen.

Aktivistët/et që duan të sjellin ndryshim përballë forcave mbizotëruese përballen me shumë zgjedhje për sa i përket mënyrës se si do ta udhëheqin luftën e tyre. Historia tregon se disa e bëjnë këtë në mënyrë paqësore dhe disa të tjerë jo. Disa përpiqen të bëjnë ndryshime nga brenda, ndërsa të tjerët zgjedhin të punojnë jashtë sistemit dhe përpiqen ta destabilizojnë ose përmbysin atë. Çfarëdo rruge që zgjedhin këta udhëheqës/e, ata/o do të kritikohen nga ata/o që përfitojnë nga status quo-ja dhe do të përjashtohen apo edhe të persekutohen nga ata që kanë pushtet.

Një shembull i një lëvizjeje shoqërore, udhëheqësit e së cilës përfundimisht ia dolën të sjellin ndryshime rrënjësore, është lëvizja e grave amerikane për të drejtën e votës gjatë shekullit të XIX-të dhe fillimshekullit të XX-të. Lufta për të fituar të drejtën e votës për gratë në ShBA zgjati gati një shekull, përfshiu katër breza aktivistësh dhe kulmoi zyrtarisht me kalimin e Amendamentit të 19-të të Kushtetutës në vitin 1919 (ratifikuar më 1920), duke ndaluar diskriminimin bazuar në seksin biologjik gjatë votimit.

Një lëvizje duhet të krijohet nga diçka që të tjerët e shohin si të panatyrshme ose të padrejtë dhe që ia vlen të luftohet.

Që nga fillimi i luftës së tyre, aktivistet kuptuan se e drejta për të votuar nuk ishte thjesht një simbol i barazisë gjinore. Kjo ishte ndoshta mënyra e vetme se si shumica e grave mund të ndikonin në përcaktimin e drejtimit të zhvillimit të shoqërisë. Rezistenca ndaj të drejtës për të votuar mbeti e palëkundur deri në fund, duke shfaqur vështirësitë që has nxitja e ndryshimit.

Lëvizja e të drejtës së votës kërkonte bashkimin e grave, shumë prej të cilave kishin pak gjëra të përbashkëta dhe kishin interesa të ndryshme e ndonjëherë edhe kontradiktore. E vetmja gjë që i lidhte, përveç gjinisë, ishte mungesa e së drejtës të votës dhe jo të gjithave u interesonte njësoj kjo çështje. Kjo ishte një nga sfidat me të cilat u përballën udhëheqëset e lëvizjes për të drejtën e votës – kjo mund të jetë mësim për udhëheqësit e lëvizjeve shoqërore të së ardhmes.

Ndër kushtet themelore në të cilat u formësua dhe përfundimisht kulmoi lëvizja e të drejtës së votës mund të përmendim:

1. Lëvizje e lindur nga një shkak i drejtë. Një lëvizje duhet të krijohet nga diçka që të tjerët e shohin si të panatyrshme ose të padrejtë dhe që ia vlen të luftohet. Historia na mëson se proceset shoqërore dhe ekonomike u paraprijnë ngjarjeve të rëndësishme politike. Në këtë rast, proceset përfshinin hyrjen e grave në tregun e punës, ku ato funksiononin gjithnjë e më shumë si individë me ndikim të drejtpërdrejtë në sistemin ekonomik. Njëkohësisht, themelimi i kolegjeve të grave në fund të shekullit të XIX-të nënkuptonte që shumica e grave të arsimuara, të privuara nga pjesëmarrja politike dhe lidershipi ekonomik, iu përkushtuan reformës dhe punës sociale. Ndryshimet e rrethanave sociologjike, së bashku me bindjen se duhet të ketë ndryshim politik, formuan gjenezën e lëvizjes së të drejtës së votës.

2. Udhëheqje dinamike dhe e përkushtuar. Formimi i Shoqatës Kombëtare Amerikane për të Drejtën e Votës së Grave në vitin 1890 ndihmoi lëvizjen të fitonte momentum institucional. Liderja e saj, Carrie Chapman Catt, u përqendrua në qetësimin e frikërave të konservatorëve. Lideret e tjera të të drejtës së votës, si Alice Paul, lidhën luftën për të drejtat e votës së grave me lëvizjen progresiste, duke tërhequr komunitetet e emigrantëve të klasës punëtore dhe duke zhvendosur luftën për të drejtën e votës nga këndet elitare në rrjedhën kryesore të shoqërisë.

3. Solidariteti që masivizoi lëvizjen. Lëvizja e të drejtës së votës i arriti qëllimet e saj vetëm pasi u bë lëvizje masive, një lëvizje që pushtetet nuk mund ta përjashtonin apo shtypnin. Me një mori komunitetesh emigrantësh të klasës punëtore që punojnë në industri të rënda, aftësia e lëvizjes për të drejtën e votës për të trajtuar sfidat e grave punëtore ishte katalizatori i suksesit të saj. Pas një zjarri katastrofik tek një fabrikë në qytetin e Nju Jorkut, në të cilin 146 punëtorë (123 prej të cilëve ishin gra) humbën jetën pasi u bllokuan brenda nga pronarët që mbyllnin dyert në mënyrë rutinore. Zemërimi për shfrytëzimin e grave nga përfituesit kapitalistë nxiti opinionin publik. Solidariteti midis grave që kishin mbrojtje themelore dhe grave që nuk kishin, mundësoi që lufta të përhapej dhe të kishte sukses.

Sikurse udhëheqëset e lëvizjes për të drejtën e votës, ata/o që udhëheqin lëvizjet për ndryshime radikale duhet të vendosin se si do të arrijnë përparimin e vërtetë të shoqërisë. A janë të gatshëm të antagonizojnë njerëzit, përfshirë ata në pushtet? A do të ndërtojnë aleanca, dhe a mund ta bëjnë këtë pa kompromentuar parimet e tyre apo pa zbehur ambiciet e tyre? Historia dëshmon se udhëheqësit/et e lëvizjeve të suksesshme duhet të shkojnë përtej revoltës ndaj pushtetit. Ata/o kanë nevojë që masat të bashkohen në luftën e tyre.

Moshik Temkin

E përktheu: Blenda Asllani

Shkrimin original mund t’a gjeni në: https://www.commondreams.org/opinion/suffrage-movement-lesson-in-solidarity?fbclid=IwAR0dUa8xIYBsPiP5TDeElVDpXgmQ0oRcuc4ROd6zRchEnBFdCEIxnYzaGXE