Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1
Readings

Në mënyrë që gratë të ndihen të sigurta në hapësira publike, sjellja e burrave duhet të ndryshojë!

QIKA 16.4.2021

Zhdukja e Sarah Everald përderisa ajo ecte nëpër Clapham, në jug të Londrës, në orën 21:00, me datë 3 mars i jep një formë tmerruese gumëzhitjes së frikës që gratë e ndjejnë vazhdimisht në hapësira publike. Faqet e rrjeteve sociale janë plot me gra të cilat janë të shqetësuara nga zhdukja e Sarës dhe të tmerruara nga fakti se ato mund të kishin qenë në vend të saj. Burrat kanë pyetur se çfarë mund të bëjnë për t’i bërë gratë të ndihen më të sigurta. Por ajo që nevojitet përtej arsimimit të individëve janë zgjidhjet urgjente politike për të kundërshtuar përpjekjen e burrave për ta zaptuar hapësirën publike si sferë ekskluzivisht të tyre.

Frika që e ndjejmë̈ në hapësira publike është aq e zakonshme sa që shumë gra e konsiderojnë atë një fakt jetësor. Një̈ studim i kohëve të fundit për UN Women UK, zbuloi se 80% e grave të të gjitha moshave kishin thënë se kishin përjetuar ngacmime seksuale në hapësira publike, ku burrat ishin përgjegjës të krimit në shumicën dërmuese të rasteve. Gjatë vrapimit, unë jam ndjekur nga burra dhe rrallë herë kalon një javë pa kalimtarë burra që më bëjnë komente nënçmuese ose lëshojnë britma. Kënaqësia që e gjejë te vrapimi më është pakësuar nga frika.

Kjo frikë thellohet nga njohuria se ngacmimi mund të përfundojë me sulm ose vrasje. Në periudhën kohore prej vetëm 9 ditësh në vitin 2016 në SHBA, Ally Brueger, Karina Vetrano dhe Vanessa Marcotte, të gjitha ishin vrarë nga burra përderisa po vraponin. Është e pamundur që gratë të dijnë nëse një rast i vetëm i abuzimit mund të përshkallëzohet, andaj ne duhet të përgaditemi për skenarin më të tmerrshëm; duke e konsideruar çdo burrë i cili ngacmon si përdhunues ose vrasës potencial.

Ngacmimi rrugor është mënyra se si burrat e shënjojnë hapësirën publike si të tyren, duke i shndërruar gratë në shkelëse të territorit të burrave. Psikologët e sjelljes kanë vërejtur se si këmbësorët burra e zaptojnë hapësirën personale të grave në bankomate dhe semafor, se si grupe burrash zënë më shumë hapësirë në trotuare dhe se si burrat bëjnë më shumë zhurmë në publik se sa gratë dhe e konsiderojnë më të pranueshme të flasin në telefonat mobil në pikat e shitjes apo në vagon të trenit. Gratë janë më të shqetësuara se burrat prej zhurmave të tilla publike të padëshirueshme. Ne nuk e dimë se si këto konfrontime mund të përshkallëzohen.

Ky nuk është një problem i ri. Në fakt, burrat kanë kohë që kërkojnë të përjashtojnë gratë nga hapësirat publike dhe t’i bëjnë ato të ndihen jo rehat. Në shekullin XIX, kafiteritë, sallonet dhe restorantet në SHBA dhe Britani të Madhe ishin pothuajse ekskluzivisht hapësira burrash. Rregullat shtetërore ua ndalonin hyrjen grave ose i veçonin ato në “skuta të zonjave”. Në vitin 1941, një britanez që i vizitonte pub-et refuzoi të përdorte fjalën “pub” për t’iu referuar hapësirës ku përzihen të dy gjinitë (pub): “pub” ishte shkurtesë për “public house” (shtëpi publike) dhe kështu gratë nuk e kishin vendin në ‘pub’, ashtu siç nuk e kishin vendin në ‘publik’’.

Në hapësira të ndara formalisht, gratë në përgjithësi toleroheshin vetëm nëse ato i shërbenin burrave: si në rastet kur ishin prostituta apo kamariere. Burrat zbatuan një logjikë të ngjajshme për të gjitha hapësirat publike: po që se silleshin me të gjitha gratë në rrugë  në mënyrën se si silleshin me shërbëtoret ose prostitutat, këto hapësira shënjoheshin si sfera të burrave, që nënkuptonte që gratë që futeshin aty e pranonin abuzimin e tyre. Siç ka shkruar zoologu Edwin Ray Lankester, drejtori i tretë i Muzeut Historik Natyror, “nëse gratë në të vërtetë duan të rrinë vetëm”, ato duhet “t’i shmangin përndjekjet e burrave”. Përndjekjet e burrave ishin në të gjitha hapësirat publike, andaj do të ishte ‘komike’ që gratë të “kundërshtojnë ngacmimin në rrugë”.

Shumë burra sot me sa duket ende i besojnë një kontrate të ngjajshme shoqërore. Duke i abuzuar dhe ngacmuar gratë, burrat i bëjnë hapësirat publike të jenë të tyre dhe duke u futur në këto hapësira, ata konsiderojnë se gratë pranojnë abuzimin e tyre. Shumë shpesh përgjegjësia për t’i ndaluar këto sjellje iu bie grave më përpara se burrave. Shumë gra janë të familjarizuara me këshillat si t’i mbajnë çelësat në dorë përderisa shkojnë në shtëpi, të mos dëgjojnë muzikë, të mos dehen, të ecin në rrugë të ndriçuara mirë dhe të bërtasin ‘zjarr’ në vend të ‘përdhunim’ në rast të sulmit, sepse e para merret më seriozisht. Në vend që të mësojmë djemtë dhe burrat që të mos ngacmojnë, sulmojnë ose vrasin, përgjegjësia për parandalimin e dhunës është vendosur mbi sjelljen e grave.

Ajo që i mungon diskutimeve rreth frikës së grave është përqendrimi te burrat. Ngacmimi dhe sulmi i grave nga burrat është pjesë e një përpjekjeje të qëndrueshme, afatgjatë, për të ndalur progresin për të drejtat e grave dhe për të kufizuar praninë tonë në hapësirat publike. Disa burra qëllimmirë pyesin se si mund të ndryshojnë sjelljet e tyre për të na bërë të ndihemi më të qeta dhe më të sigurta dhe madje kalojnë rrugën për t’u siguruar që nuk po ecin pas nesh gjatë natës. Por ne kemi nevojë për zgjidhje përtej sjelljes individuale dhe duhet ta trajtojmë abuzimin dhe frikësimin e grave nga burrat si një problem sistemik. Kjo është një sfidë urgjente karshi të drejtave grave.

Rachel Hewitt

E përktheu: Donika Çapriqi

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://www.theguardian.com/commentisfree/2021/mar/11/women-feel-safe-public-spaces-men-behaviour-change