Gjykata e Lartë e SHBA do të nxjerrë një vendim që ka të ngjarë të anulojë vendimin e saj të vitit 1973 Roe v Wade, rast ky që afirmoi të drejtën kushtetuese për abort. Përmbysja e vendimit do të kishte implikime të thella për qasjen në abort në Shtetet e Bashkuara. Një vendim i tillë do të kishte pasoja edhe jashtë vendit, veçanërisht nëse një vendim gjyqësor fuqizon administratat e ardhshme presidenciale të SHBA-së për të nxitur kufizimet e abortit në pjesë të tjera të botës.
Megjithatë, është e rëndësishme të mos mbivlerësohet ndikimi i SHBA-së në politikën globale të abortit. Rasti i vitit 1973 ishte një pikë referimi në lejimin e qasjes në abort dhe shërbeu si shembull për përkrahësit e abortit në mbarë botën. Por që nga ajo kohë, mesazhet ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara për abortin kanë qenë jokoherente. Ligji amerikan e bëri abortin të ligjshëm në vend, por legjislacioni shtesë që pasoi i dha administratave presidenciale të SHBA mjete për të kufizuar qasjen jashtë vendit. Në të vërtetë, Shtetet e Bashkuara, me politika që në rastin më të keq janë penguese dhe në rastin më të mirë jokonsistente, kanë qenë thelbësore në bllokimin e marrëveshjes ndërkombëtare për liberalizimin e abortit. Megjithatë, tendenca globale ka lëvizur ngadalë drejt qasjes më të madhe ndaj abortit.
VALË NË RRITJE
Vende të tilla si Franca dhe Mbretëria e Bashkuar vendosën fillimisht politika që ndalonin abortin në fillim të shekullit të nëntëmbëdhjetë – dhe i riprodhuan ato në mbarë botën duke i shpallur ligjet e tyre si ligje të kolonive të tyre. Por forcat që shtynin politikën në drejtim të kundërt u shfaqën jo shumë kohë më vonë. Në Evropë në fillim të shekullit të njëzetë, partitë socialiste kërkuan përjashtime nga ndalimi i abortit, duke përfshirë aty edhe gratë që vuanin nga varfëria. Qeveria Sovjetike ishte e para që legalizoi abortin sipas kërkesës në vitin 1920, megjithëse periodikisht e tërhoqi dhe e rivendosi atë politikë gjatë dekadave në vijim. Lejimi i abortit në rrethana të kufizuara fitoi një mbështetje më të gjerë publike në të gjithë Evropën kur normat e abortit u rritën në vitet 1930 gjatë Depresionit të Madh. Nga fundi i viteve 1960, vendet në mbarë botën po lëviznin drejt liberalizimit. Mbretëria e Bashkuar miratoi Aktin e Abortit në 1967, Singapori miratoi Aktin e Abortit në 1969, India vendosi Aktin e Ndërprerjes Mjekësore të Shtatzënisë në 1971 dhe Gjykata e Lartë e SHBA vendosi për Roe v Wade në 1973. Kur Kina prezantoi politikën që lejonin vetëm një fëmijë në vitin 1979, zbatimi i saj kërkonte qasje në abort.
Vala e liberalizimit të abortit në vitet 1960 dhe 1970 përkoi me një rritje të përgjithshme të vëmendjes globale ndaj çështjeve të të drejtave të grave, të tilla si mundësitë e barabarta të punësimit, kriminalizimi i dhunës në familje dhe mosdiskriminimi në ligjet e pronës dhe trashëgimisë. Kombet e Bashkuara shpallën periudhën 1975-1984 si “Dekadën e Gruas” dhe në 1979 miratuan një traktat bazë për të drejtat e grave, Konventën për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Kundër Grave, e cila që atëherë është nënshkruar nga pothuajse çdo vend në botë. Por edhe pse disa vende përfshinin qasjen e abortit në legjislacionin vendas, të tjerët e kundërshtuan praktikën dhe kundërmobilizimi i fortë e mbajti çështjen jashtë marrëveshjeve ndërkombëtare. Aborti nuk është përmendur në traktatin e vitit 1979 dhe as nuk është përfshirë në Objektivat e Zhvillimit Mijëvjeçar të OKB-së ose në Objektivat e mëvonshëm të Zhvillimit të Qëndrueshëm si një komponent i progresit drejt të drejtave të grave. Në Konferencën Ndërkombëtare mbi Popullsinë dhe Zhvillimin e 1994 në Kajro, Kisha Katolike formoi aleanca strategjike me delegacionet e vendeve kryesisht katolike dhe myslimane për të bllokuar përpjekjet e organizatave të të drejtave të grave për të shtuar gjuhën që adreson abortin në dokumentet e konferencës.
REAGIMI KUNDËR ROE V WADE
Shtetet e Bashkuara kanë vepruar prej kohësh si një prishës veçanërisht efektiv në përpjekjet për të ndërtuar një konsensus të fortë global rreth abortit. Vendimi Roe v Wade shkaktoi një reagim të menjëhershëm nga lëvizja vendase kundër abortit dhe zona ku ajo arriti të fitonte shpejt tërheqje ishte në politikën e jashtme të SHBA. Studiuesit kanë dokumentuar se si, në vitet para vendimit të gjykatës, Partia Republikane përdori kundërshtimin ndaj abortit për të tërhequr votuesit katolikë nga Partia Demokratike dhe për të mobilizuar konservatorët socialë për të votuar. Republikanët morën fitoren e tyre të parë legjislative menjëherë pasi Presidenti Richard Nixon u rizgjodh në 1972. Në të njëjtin vit që u vendos Roe, në 1973, Kongresi miratoi Amendamentin Helms në Aktin e Ndihmës së Huaj, duke ndaluar përdorimin e ndihmës së SHBA-së për të paguar për abortet.
Një dekadë më vonë, në vitin 1984, Presidenti Ronald Reagan dërgoi një delegacion në Konferencën e Dytë Ndërkombëtare për Popullsinë në Mexico City për të shpallur një politikë të re, bazuar në Amendamentin Helms, që ndërpreu të gjithë ndihmën e SHBA-së për planifikimin familjar për organizatat joqeveritare jashtë Shteteve të Bashkuara. Në vitin 1985, Kongresi i SHBA miratoi Amendamentin Kemp-Kasten, i cili vendosi një kufizim për kontributet e SHBA në Fondin e Popullsisë së OKB-së. Së bashku, këto politika rezultuan në një reduktim të konsiderueshëm të fondit të SHBA-së në dispozicion për të mbështetur shërbimet gjithëpërfshirëse të shëndetit riprodhues jashtë vendit. Megjithëse politikat zbatohen për të gjithë përfituesit e ndihmës së SHBA-së, në praktikë, vendet më të varfra – ku njerëzit shpesh varen nga OJQ-të e financuara nga jashtë për shërbimet shëndetësore – janë më të prekura.
Ka probleme morale dhe praktike me politikat e SHBA-së për qasjen e abortit jashtë vendit. Ato përfaqësojnë një lloj hipokrizie imperialiste, duke vendosur një hierarki në të cilën një procedurë që është e ligjshme në Shtetet e Bashkuara është e kufizuar për gratë që jetojnë në vende të tjera. Më tej, hulumtimi ka gjetur vazhdimisht se Politika e Mexico City rrit normat e abortit, veçanërisht në mesin e grave që jetojnë në vendet që marrin shumë ndihmë të huaj nga SHBA. Ky rezultat mund të duket kundër-intuitiv, por shpjegimi është logjik: kur politika është zbatuar, furnizimi i kontraceptivëve në ato vende ka rënë, sepse OJQ-të që ofrojnë shërbime të shëndetit riprodhues kanë humbur fondet. Rezultati është përdorimi më i vogël i kontraceptivëve, që do të thotë më shumë shtatzëni dhe më shumë aborte.
Megjithatë, ajo që ofron Politika e Mexico City është një mbështetje simbolike për kundërshtarët e abortit. Kjo dhe politika të tjera të SHBA-së kanë krijuar një efekt ftohës në mbrojtjen e të drejtave riprodhuese në vendet që varen nga ndihma e SHBA. Në intervistat e kryera nga Vanessa Rios për një studim të Koalicionit Ndërkombëtar të Shëndetit të Grave në vitin 2019, përfaqësuesit e organizatave shëndetësore në Kenia, Nepal, Nigeri dhe Afrikën e Jugut raportuan frikën e punës me grupet e tjera që përkrahin abortin. Ata madje kishin frikë të diskutonin për abortin brenda organizatave të tyre.
Roli i Politikës së Mexico City në fuqizimin e lëvizjeve kundër abortit ndihmon në kundërveprimin e një kufiri të rëndësishëm në efektivitetin e tij: faktin që çdo president demokrat që nga viti 1984 e ka anuluar atë për kohëzgjatjen e mandatit të tij në detyrë. Megjithëse administratat demokratike kanë rivendosur fondet e SHBA për organizatat e ndihmës në vende të tjera që më parë janë ndërprerë, ato administrata zakonisht nuk kanë miratuar politika për të ndërprerë rrjetet kundër abortit ose për të mbështetur mbrojtjen e të drejtave riprodhuese në ato vende.
Nën Presidentin Donald Trump, Shtetet e Bashkuara kërkuan kufizime edhe të mëtejshme për abortin jashtë vendit. Në vitin 2017, administrata zgjeroi Politikën e Mexico City për të aplikuar jo vetëm për ndihmën prej 600 milionë dollarësh që Washington-i ndan për planifikimin familjar dhe shëndetin riprodhues çdo vit, por për rreth 7 miliardë dollarë në ndihmën e përgjithshme shëndetësore ndërkombëtare që ofron çdo vit. Intervistat e Rios sugjeruan se disa nga këto fonde u devijuan për të mbështetur grupet kundër abortit jashtë vendit – dhe se politikanët dhe organizatat konservatore në vende të tilla si Kenia dhe Nigeria ishin bërë më të hapura në përgjigje të ndryshimit në politikën e SHBA.
Në vitin 2020, qeveria e SHBA-së, e udhëhequr nga Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, bashkë-sponsorizoi (me Brazilin, Egjiptin, Hungarinë, Indonezinë dhe Ugandën) Deklaratën e Konsensusit të Gjenevës për Promovimin e Shëndetit të Grave dhe Forcimin e Familjes, e cila, megjithëse nuk detyron 34 nënshkruesit të çdo politike specifike, shprehën një angazhim të përbashkët për parandalimin e qasjes në abort. Tendencat autoritare të vendeve pjesëmarrëse janë të habitshme, veçanërisht në lidhje me hapat që disa kanë ndërmarrë kohët e fundit për të kufizuar abortin, siç është vendimi i Gjykatës Kushtetuese polake të vitit 2020 që kufizon rrethanat në të cilat procedura është e ligjshme. Studiuesit kanë vërejtur se rrëshqitja e demokracisë në mbarë botën mund të çojë në erozione të mëtejshme të të drejtave riprodhuese.
NJË TREND I PAMOHUESHËM
Deri më sot, përpjekjet e ndërprera të SHBA-së për të kufizuar abortin nuk kanë arritur të përmbysin një prirje më të gjerë globale drejt liberalizimit. Megjithëse disa institucione ndërkombëtare ende i shmangen adresimit të abortit, Organizata Botërore e Shëndetësisë, për shembull, është bërë një avokate gjithnjë e më e zëshme për liberalizimin e abortit. Ajo lëshoi një raport që ofron udhëzime teknike dhe politika për praktikat e sigurta të abortit në vitin 2003 dhe e përditësoi atë në vitin 2012. Në vitin 2019, OBSH zhvendosi mifepristonin dhe misoprostolin (ilaçet në regjimin me dy pilula të të ashtuquajturit aborti mjekësor) në listën e barnave esenciale, listë e cila përshkruan kërkesat minimale për një sistem kombëtar të kujdesit shëndetësor dhe identifikon barnat më të sigurta dhe më efektive për kushtet prioritare. Në fillim të këtij viti, OBSH bëri deklaratën e saj më të guximshme për abortin deri më tani, duke nxjerrë udhëzime për kujdesin ndaj abortit që rekomandojnë vendet që të dekriminalizojnë abortin dhe ta bëjnë procedurën të disponueshme sipas kërkesës për shtatzënat, duke i paraqitur këto politika si të nevojshme për të reduktuar abortet e pasigurta dhe vdekjet e nënave.
Shumë vende po priren drejt heqjes së kufizimeve të abortit, ndonëse në mënyrë të pabarabartë dhe të fragmentuar. Vendet e pasura priren të kenë ligje liberale për abortin, ndërsa homologët e tyre më pak të pasur kanë ligje që variojnë nga ndalimi total deri te lejimi i abortit pa kufizime. Që nga viti 1994, më shumë se 50 vende kanë zgjeruar bazat ligjore për abortin. Vetëm katër – Republika Domenikane, El Salvador, Nikaragua dhe Polonia – i kanë bërë ligjet e tyre të abortit vazhdimisht më kufizuese. Shumë faktorë kanë kontribuar në këtë trend. Së pari, karakterizimi i OBSH-së i abortit si një çështje e shëndetit të nënës dhe jo një çështje morale dhe kulturore ka ndihmuar që kjo praktikë të jetë më pak e diskutueshme. Në vendet ku mjekët janë një forcë e fortë politike, ata kanë nxitur dekriminalizimin për t’u dhënë mjekëve më shumë diskrecion mbi procedurën mjekësore. Megjithatë, në këto raste, aborti mund të mbetet i paarritshëm për shumë gra. Për shembull, në Uruguaj, një ligj i kohëve të fundit që liberalizoi politikat e vendit kërkon ende që gruaja shtatzënë të takohet me një panel profesionistësh mjekësorë që vendosin nëse aborti do të lejohet – dhe mjekët kanë të drejtë të refuzojnë ta kryejnë atë. Kjo lloj reforme duket se ka të bëjë po aq me mbrojtjen e mjekëve nga ndjekja penale, aq edhe me mbrojtjen e interesave të shtatzënave.
Veçanërisht, qasja në abort u zgjerua kohët e fundit në Benin dhe Republikën Demokratike të Kongos, të të dyjat shtete që varen shumë nga financimi i huaj. Në vitin 2019, afërsisht një e treta e ndihmës së huaj dypalëshe të Beninit erdhi nga Shtetet e Bashkuara, por qeveria ende reformoi ligjet e saj për abortin në tetor 2021 me synimin për të përmirësuar shëndetin seksual dhe riprodhues. Duke folur në favor të legjislacionit, ministri i shëndetësisë i Beninit vuri në dukje se abortet e pasigurta ishin përgjegjëse për deri në 20 përqind të vdekjeve të nënave në vend. Kur aborti kriminalizohet, pacientët që kanë nevojë për trajtim mjekësor pas një aborti të pasigurt mund të kenë frikë të shkojnë në spital; nëse shkojnë, ato shpesh ndeshen me staf me trajnim minimal në kujdesin lidhur me abortin. Politika e Mexico City e Shteteve të Bashkuara, e cila redukton më tej disponueshmërinë e shërbimeve të sigurta të lidhura me abortin, mund ta përkeqësojë më tej këtë problem. Megjithatë, reformat e Beninit tregojnë se disa vende të varura nga ndihma janë të gatshme të rrezikojnë humbjen e fondeve të SHBA-së nën administratën e ardhshme republikane, në mënyrë që të korrin përfitimet shëndetësore të liberalizimit të ligjeve të abortit.
Në pesë dekada që nga Roe v Wade, politikat e shumicës së vendeve për abortin janë varur më shumë nga shqetësimet shëndetësore, aleancat me Kishën Katolike ose fuqia politike e profesionistëve mjekësorë sesa nga politika e brendshme e Shteteve të Bashkuara – edhe kur ato politika përkthehen në avokimin kundër abortit jashtë vendit. Dhe në vitet në vijim, të njëjtët faktorë që kanë nxitur liberalizimin deri më tani, do të vazhdojnë ta bëjnë këtë. Përmbysja e Roe v Wade mund të inkurajojë administratat e ardhshme amerikane për të nxitur në mënyrë më agresive për kufizime brenda dhe jashtë Shteteve të Bashkuara, por përmbysja mund të mos jetë e mjaftueshëm për të kthyer mbrapsht një valë globale në rritje të ngadaltë të liberalizimit të abortit.
Nina Brooks, Minzee Kim, Elizabeth Heger Boyle, and Wesley Longhofer
E përktheu: Riola Morina
Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://www.foreignaffairs.com/articles/united-states/2022-06-16/post-roe-world?check_logged_in=1&utm_medium=promo_email&utm_source=lo_flows&utm_campaign=registered_user_welcome&utm_term=email_1&utm_content=20220629