Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1
Readings

Nuk është punë dashurie

QIKA 20.9.2024

Në këtë intervistë, të publikuar në revistën Public Seminar, në Mars 2022, studiuesja dhe aktivistja Silvia Federici diskuton fushatën “Pagë për punë të shtëpisë”, e cila u shfaq në vitet 1970-ta si një kritikë radikale e dinamikës së punës kapitaliste, duke theksuar se puna në shtëpi është qendrore për prodhimin e fuqisë punëtore të kapitalizmit. Federici reflekton mbi ndikimin e fushatës në mendimin feminist, duke zbuluar se si ajo sfidoi nocionet tradicionale të punës dhe vlerës ekonomike, duke theksuar rëndësinë e punëve të papaguara të shtëpisë. Ajo gjithashtu i lidh këto njohuri me problematikat aktuale, duke përfshirë përkeqësimin e pabarazive nga pandemia dhe implikimet më të gjera të shfrytëzimit kapitalist dhe pabarazitë e kujdesit shëndetësor.

Catrin Ashton: Për herë të parë hasa në punën tuaj në një moment që për mua personalisht ishte ideal: po qëndroja në shtëpi për disa muaj tashmë me fëmijë të posalindur, kur rastisa të lexoj esenë e Maria Rosa Dalla Costa dhe Selma James “Fuqia e Grave dhe Përmbysja e Komunitetit.” Ajo që më bëri përshtypje ishte se sa pak kishte ndryshuar brenda 40 viteve. Isha rritur me konceptin e një feminizmi që nuk dukej se vlente më, tashmë që kisha një foshnje. Puna ime përfshinte shumë udhëtime. U detyrova ta lë atë, dhe papritmas, e gjeta vetën në shtëpi pa transport, pa para.

Ishte situatë e çuditshme ku e gjeta vetën, krejt papritmas. Më pas filluam kampanjën në Uells, të inspiruar nga Paga për Punë Shtëpie (Wages for Housework). A mund të jepni një përmbledhje të fillimeve të kampanjës, dhe të shpjegoni inspirimin prapa përfshirjes suaj?

Silvia Federici: Kampanja jonë filloi gjatë viteve të hershme të 1970-ta me gra nga vende të ndryshme, kryesisht nga Italia dhe disa nga Anglia. Atëkohë isha në SHBA, por vija nga Italia. Kampanja Pagë për Punë të Shtëpisë ishte një alternativë ndaj strategjive që shumë feministe po organizonin, si rrugë drejt çlirimit të grave. Trendi dominant brenda lëvizjes feministe atëkohë vinte kryesisht nga një traditë majtiste.

Në fakt, kishte dy trende: një nga feministet radikale, të cilat identifikonin patriarkalizmin si shkaktar prapa sistemit shtypës të grave, por asnjëherë nuk definuan qartësisht se si kishte evoluar dominimi mashkullor përgjatë historisë (strategjia e feministeve radikale ishte zakonisht për të krijuar hapësira kulturore, të cilat do të ishin kryesisht hapësira të grave); pastaj kishit feministet socialiste/feministet Marksiste, të cilat na thonin se rruga drejt çlirimit ishte marrja e punëve me pagë dhe bashkimi me klasën punëtore, dhe që problemi me gratë  – të diskriminuara në bazë të gjinisë – rrjedhte nga kufizimi i grave në punë shtëpie.

Argumenti ishte që puna e shtëpisë nuk prodhon kurrfarë pasurie sociale, që është aktivitet prapambetës, dhe që në fakt nuk është pjesë e organizimit kapitalist të punës, dhe kështu, gratë të cilat janë të përfshira kryesisht me këtë lloj pune, nuk kanë fuqinë për të ndryshuar shoqërinë.

Burrat, për shembull, mund të ndërprejnë punën e tyre. Ata mund të shkojnë në grevë për shkak se ata prodhojnë kapital, dhe kështu mund të ndërpresin rrjedhën e kapitalit. Kështu, argumenti, të cilin e gjeni në Marksin dhe Engelsin dhe në gjithë traditën komuniste Marksiste, ishte se çlirimi i grave nënkupton daljen, anëtarësimin në një sindikatë, dhe kështu me radhë. Por unë vija nga një grup i feministeve të cilat filluan të analizojnë kushtet e punës së grave – të punës së shtëpisë – dhe arritëm në një konkluzion tërësisht të ndryshëm.

Ne konkluduam se puna e shtëpisë është një pjesë jashtëzakonisht e rëndësishme e organizimit kapitalist të punës. Ajo që “prodhohet” përmes punës së shtëpisë janë vetë punëtoret.

Me fjalë të tjera, organizimi kapitalist i punës, siç përshkruhet nga tradita majtiste, ishte një organizim shumë i pjesshëm, sepse ai njihte vetëm prodhimin dhe prodhimin nga puna me pagë, prodhimin industrial dhe punën në zyrë. Ai njihte vetëm punën me pagë dhe prodhimin e mallrave. Asnjëherë nuk e njohu tërësinë e organizimit prapa prodhimit dhe punëtorit/es – prodhimin e kapacitetit për punë. Pra, për ne, Kampanja Pagë për Punë të Shtëpisë kishte shumë kuptime.

Pikë së pari, ajo e bëri të dukshme që kjo punë nuk është vetëm një aktivitet i natyrshëm, diçka që gratë bëjnë sepse janë gra. Nuk është mbetje e shoqërisë para-kapitaliste, por punë që është qendrore për çdo aktivitet, për çdo aktivitet ekonomik.

Edhe pse nuk ishte qëllimi i vetëm i kampanjës, thirrja që dëshironim pagë për punë shtëpie – sistemi mbështetës, shtylla e çdo aktiviteti ekonomik – sepse po punonim për punëdhënësit e njëjtë për të cilët punonin punëtorët me pagë, ishte qendrore. Ishte strategji epistemike për t’a bërë të dukshme atë që deri atëherë kishte mbetur e padukshme.

Catrin Ashton: Ishte ky aspekt i kampanjës që për mua ishte shumë emocionues. Ai radikalizoi të qenit nënë apo të qëndruarit në shtëpi. I dhatë një lloj fuqie asaj pozite, dhe kështu u bë e mundur të flisje rreth ndryshimit të shoqërisë nga aty, në vend se të detyroheshe të lëshoje shtëpinë.

Silvia Federici: Po, sepse në traditën majtiste, në Partinë Komuniste dhe në organizimin e grave në të majtën, ato bëheshin punëtore vetëm kur shkonin në fabrikë, apo kur shkonin të punonin jashtë shtëpisë. Përndryshe, ato nuk konsideroheshin punëtore, dhe kjo është shumë e rëndësishme të thuhet, sepse kjo nënkuptonte që ky organizim jo vetëm që asnjëherë nuk njihte punën që gratë bënin, por edhe funksionin e punës së shtëpisë në prodhimin e fuqisë punëtore. Ato kurrë nuk e panë shtëpinë si një vend i betejës. Beteja ishte për punë me pagë.

Ato nuk kuptuan diçka të thellë rreth organizimit kapitalist të punës, rreth akumulimit kapitalist si tërësi: duke mos parë punën e papaguar që gratë bëjnë, duke mos kuptuar që e gjithë klasa kapitaliste, secili punëdhënës që ka eksploatuar atë punë, ka përfituar duke e natyralizuar atë, duke e bërë të duket si ‘punë e qejfit’ dhe duke mos e njohur atë si punë.

Duke injoruar të gjithë këtë, jo vetëm që kanë përqafuar – legjitimuar dhe përqafuar – këndvështrimin kapitalist, por edhe kanë prezantuar një imazh të shtrembëruar të akumulimit kapitalist. Akumulimi kapitalist, në pikëpamjen e tyre, ndodh në fabrikë, në zyrë, dhe përmes punës me pagë.

Ato nuk e shihnin që paga organizon punën e komunitetit, organizon punën që ndodh në shtëpi, dhe që me këto paga, punëdhënësit punësojnë jo vetëm një punëtor/e, por më shumë se një punëtor/e: ata gjithashtu punësojnë njerëzit të cilët riprodhojnë ata, të cilët riprodhojnë kapacitetin e tyre për punë.

Ne kuptuam që akumulimi kapitalist varet nga një sasi e jashtëzakonshme e punës së papaguar, e cila është shumë më e gjerë se ajo që tradita Marksiste socialiste kishte pranuar dhe njohur ndonjëherë. Ne gjithashtu pamë lidhjen mes seksizmit dhe racizmit. Kapitalizmi me pagë ka krijuar një hierarki të punës me punëtorët e paguar në krye: kryesisht të bardhë, kryesisht meshkuj. Punëtoret e papaguara – gratë, punëtoret e shtëpisë, dhe subjektet koloniale, natyrisht në fund. Skllevërit dhe skllavëria kanë pasur ndikim të jashtëzakonshëm në akumulim të kapitalit. Kur shikojmë diskriminimin e grave nga këndvështrimi i riprodhimit, shohim një perspektivë të ndryshme për kapitalizmin si tërësi.

Catrin Ashton: Lidhja që ju bëni mes punës që një grua bën privatisht në shtëpinë e saj dhe gjithë punën e papaguar të bërë kudo, globalisht dhe historikisht, të cilën ju e përshkruani si qendrore për kapitalizmin, është posaçërisht inspiruese.

Silvia Federici: Momentin kur kuptuam rëndësinë e asaj që puna riprodhuese, atë që puna shtëpisë përfaqëson në punë, në procesin e akumulimit, atëherë filluam të kuptojmë edhe rolin e pagës. Ne pamë që paga nuk është kompensim pune për një punë të bërë, apo edhe si një mënyrë e nxjerrjes së një pune të papaguar nga dita e punës së punëtorit me pagë. Përkundrazi, paga është një mënyrë e tërë e organizimit të shoqërisë. Ajo është gjithashtu mënyrë e fshehjes së fushave të tëra të eksploatimit duke përshkruar vetëm disa punëtorë të caktuar – vetëm punëtorët me pagë – si punëtorë.

Kjo natyralizon dhe fsheh fusha të tëra të eksploatimit. Ne e dimë që Marksi, për shembull, si abolicionist, i kishte shkruar Lincoln-it gjatë Luftës Civile Amerikane rreth kampanjës së parë ndërkombëtare për të bojkotuar tregtinë e pambukut për shkak të shfrytëzimit të punës së skllevërve, edhe duke uruar atë për deklaratën e emancipimit, por edhe duke kritikuar atë për mos-analizimin në fakt të punës së skllevërve si prodhues të akumulimit kapitalist, në tri vëllime të tëra.

Ka pasazhe aty këtu, por për Marksin, terreni themelor i betejës – puna industriale – ishte e nën-përfaqësuar. Marksi e shihte skllavërinë në të njëjtën mënyrë siç e shihte punën e shtëpisë – si një lloj aktiviteti që do të mbetej prapa, si një gjë që është historikisht e prapambetur, e cila do të tejkalohej përmes një zhvillimi të ardhshëm kapitalist.

Por ne kemi parë që kjo nuk ka qenë e vërtetë aspak. Heqja e skllavërisë ka qenë më shumë formale sesa reale. Ne kemi parë, për shembull, që përmes procesit të globalizimit, ekspansioni botëror i kapitalit, nga vitet 1970 më së paku, ka çuar drejt një ekspansioni të punës informale. Kjo ka shpirë në zgjerim të të gjitha llojeve të aktiviteteve të papaguara, të aktiviteteve informale që janë jashtë relacionit të pagës. Kështu, kur ne folëm për punët e shtëpisë, këtë e interpretuam si një prizmë, si një dritare për të parë sistemin kapitalist, që ishte shumë e rëndësishme për mua.

Mendoj që puna që kemi bërë në vitet 1970-ta duke analizuar punët e shtëpisë, duke analizuar pagën – ishte fundamentale për deshifrimin, interpretimin, dhe analizimin e të gjithë procesit të rikolonizimit që ndodhi gjatë viteve 1980 dhe 1990 dhe ende vazhdon të ndodh përgjatë Amerikës Latine, Afrikës, e ndikuar nga puna e FMN-së, përshtatjeve strukturore, privatizimit, etj. Kjo më ndihmoi jashtëzakonisht shumë me punën që kishim bërë sepse kuptuam rëndësinë e kapitalizmit në relacion me punën e papaguar dhe me hierarkinë.

Kapitalizmi është prodhues i ndryshimeve. Zhvillimi kapitalist duhet vazhdimisht të zhvilloj hierarki të reja, ndarje të reja. Ai gjithmonë i përgjigjet krizave të veta përmes një procesi masiv të ekspropriimit, një procesi masiv të përjashtimit nga çfarëdo forme e riprodhimit.

Kur Maria Rosa Dalla Costa thotë që amvisja është ikonike- e cila, natyrisht, është një deklaratë që duhet të cilësohet – ka diçka shumë të thellë këtu. Ajo është ikonike si figurë që mishëron punëtoren e papaguar. Ajo është edhe ‘punëtorja e papaguar’ por edhe ‘punëtorja’ e cila nuk njihet si e tillë. Ajo është figurë margjinale, e destinuar të tejkalohet nga zhvillimi kapitalist.

Zgjerimi i kapitalizmit vetëm sa ka rritur punën e papaguar. Studentëve në SHBA, Evropë, për shembull, u kërkohet të bëjnë shumë punë të papaguar nën pretendimin e fitimit të aftësive dhe përvojës. Ne dimë kompani të cilët nxjerrin njerëz nga puna për shkak që universitetet u dërgojnë atyre praktikantë të papaguar.

Catrin Ashton: Në të njëjtën kohë, përkundër idesë që gratë disi emancipohen nga punët e shtëpisë, për shkak që mund të dalim të punojmë nëse dëshirojmë, por edhe të fitojmë paga të larta në disa raste, pandemia ka treguar që gratë ende bëjnë shumicën e punës në shtëpi.

Pagë për Punë të Shtëpisë ishte një kampanjë për shumë më shumë se vetëm një pagë. Mes gjërash tjera, kampanja bënte thirrje për autonominë e grave mbi trupat e tyre. Kishte një kampanjë pro abortit, kampanja kundër sterilizimit, dhe kampanja kundër medikalizimit të trupave të grave. Thirrja ishte që gratë të jenë në gjendje të kuptojnë trupat e tyre. Kishte gjithashtu një thirrje që shteti të ndalonte, për shembull, kontrollin e trupave të grave për të kontrolluar lindjet.

Në Mbretërinë e Bashkuar, një pjesë e madhe e stafit për kujdes shtëpiak vjen nga Evropa Jugore ose Lindore. Këto janë zakonisht persona që kanë tendencë të jenë dyshuese ndaj vaksinimit kundër COVID-19, por megjithatë, këtu janë, kryesisht gra, në masë të madhe të nën-paguara dhe u kërkohet të bëjnë diçka në trupat e tyre për të cilën janë shumë hezituese të bëjnë, për të mirën e njerëzve. Ju keni shkruar se si kapitalizmi ka transformuar trupin në një makinë pune, dhe ja këtu është një shembull i makinës së punës që është adaptuar në mënyrë që të funksionoj ‘më mirë’ në një pandemi.

Përveç vënies në pikëpyetje të kohës së vendimeve – nëse reagimet ishte shumë të shpejta apo të ngadalta – nuk mendoj se ne në të majtën kemi kritikuar në mënyrë adekuate përgjigjen e qeverisë së MB-së ndaj pandemisë. A mendoni që, për shkak të natyrës së kësaj krize, kjo është e drejtë, apo mendoni që, si Marksiste, si feministe, si aktiviste të së majtës, ne duhet të bëjmë më shumë pyetje?

Dhe, për t’iu kthyer prapë punëtoreve të kujdesit shtëpiak, si përputhet kjo problematikë aktuale në kontekstin më të gjerë të kontrollit shtetëror mbi trupat e grave të klasës punëtore? A ekziston një pyetje mbi përgjigjet negative që ato marrin nëse nuk i përmbahen këtyre kontrolleve?

Silvia Federici: Po, ka shumë pyetje që duhen bërë. Por me lejoni të ofroj pak kontekst së pari.

Kampanja Pagë për Punë të Shtëpisë është marrë edhe me çështjen e abortit. Ne ishim kritike, ashtu siç ishin edhe shumë organizata të grave me ngjyrë, për pozitën ekskluzive që lëvizja feministe mbante mbi abortin. Aborti nënkuptonte të drejtën për të zgjedhur, dhe ne thamë, për të zgjedhur, për të kontrolluar kapacitetin tonë riprodhues, ne gjithashtu duhet të luftojmë për të drejtën për të pasur fëmijë.

Në SHBA, grave me ngjyrë gjithmonë u janë mohuar të drejtat e lehonisë. Kjo ka qenë e vërtetë që nga koha e skllavërisë e deri tani. Kontrolli mbi trupat tonë ka dy aspekte: ne duam të jemi të lira të vendosim të mos kemi fëmijë, por gjithashtu duam të drejtën të kemi fëmijë. Për të pasur fëmijë, ekiston një betejë për resurset e nevojshme në mënyrë që të mos jemi të varura nga një burrë.

Gjithashtu – dhe kjo është e rëndësishme – ne kemi parë se si përgjatë viteve gratë të cilat kanë dalur dhe kanë gjetur një punë jashtë shtëpisë, me disa përjashtime, marrin punë të rrezikshme dhe të nën-paguara, pa ndonjë autonomi. Në SHBA, gratë e klasës punëtore kanë sasi të mëdha të borxhit, për shkak që paga asnjëherë nuk është e mjaftueshme: është shumë vështirë të fitohen 15 dollarë amerikan për orë; shumica fitojnë 7 dollarë për orë, dhe me miliona fitojnë vetëm 15,000 dollarë në vit, duke përfshirë emigrantët, të cilët duhet të dërgojnë para edhe në shtëpitë e tyre. Qartësisht, këto nuk janë paga që ofrojnë jetesë, dhe kështu disa njerëz duhet t’u drejtohen kredive. Kjo është mënyra e vetme për të mbijetuar.

Gjatë pandemisë, 5 milionë gra humbën punën e paguar, dhe 2.5 milionë spontanisht lanë punët e tyre sepse kishin fëmijë në shtëpi kur shkollat u mbyllën. Gjendja është dëshpëruese.

Punëtoret e shtëpisë janë në një gjendje të tmerrshme. Së pari, edhe në Evropë edhe në SHBA, ato janë gra emigrante nga Afrika, Ishujt Karaibe, dhe Filipine, të cilat lanë prapa vende të varfëra ose të shkatërruara nga luftërat, nga politikat e FMN-së, kapitalit ndërkombëtar, Bashkimit Evropian, Qeverisë së SHBA-së, dhe kështu me radhë. Më pas, kur filloi pandemia COVID-19, shumë mbetën pa asgjë nga familjet për të cilat punonin. Jo vetëm që ato kanë vuajtur personalisht, por edhe familjet e tyre të cilat i mbështesin. Ndjehem që është e padrejtë të detyrohen që të vaksinohen kundër vullnetit të tyre.

Është shumë e vështirë për njerëz si unë që të marrin një pozicion të duhur mbi vaksinimin për shkak që nuk i dijmë të gjitha detajet. Unë nuk jam mjeke, nuk i kam kualifikimet për të kuptuar të gjitha aspektet e këtyre vaksinave të reja. Por ekzistojnë disa pyetje që duhen theksuar, si për shembull, pse asnjëherë nuk dëgjojmë për terapi apo mënyra të tjera që gjithashtu mund të ndihmojnë.

Nuk i kemi të gjitha informatat se sa njerëz, për shembull, vdesin nga kanceri krahasuar me COVID-19. Sidoqoftë, kanceri ngreh pyetje rreth problematikës më të gjerë të përdorimit të pesticideve, kontaminimit të ujit dhe ajrit, dhe një ambienti që gjithmonë e më shumë është shkatërrues për trupat tonë, posaçërisht në pjesët më së paku të privilegjuara të botës. Për këtë nuk flitet, që më bënë jashtëzakonisht dyshuese që ajo me të cilën kemi të bëjmë nuk është brenga për shëndetin tonë, por brenga për profitin e korporatave të mëdha.

Vaksinat kundër COVID-19 shiten si zgjidhje universale, si mrekulli. Na thuhet të mos brengosemi për pasojat afatgjata. Por ne ende nuk e dijmë se cilat janë ato. Natyrisht, kjo nuk domethënë që vaksinat kundër COVID-19 nuk janë duke ofruar mbrojtje. Por ajo që na thuhet është se çkado është më mirë se vdekja, dhe kështu ne e përqafojmë këtë filozofi. Mendoj që ka ende shumë pyetje që kanë mbetur pa përgjigje që lidhen me sistemet shëndetësore, të cilat janë shkatërruar përgjatë viteve.

Vdekshmëria e lartë që COVID-19 ka shkaktuar është një fatkeqësi politike. Një vdekshmëri e tillë mund të jetë shmangur nëse sistemet tona shëndetësore dhe kujdesi ynë për ushqimin të mos ishin gërryer vazhdimisht. Por të ngresh pyetje rreth vaksinave të bënë mbështetëse të Trump dhe fashiste. Më vjen vërtetë keq që, tani kur dalim, gjëja e parë që njerëzit pyesin njëri tjetrin është “a jeni vaksinuar?” Mendoj që diskutimi është më kompleks se kaq.

Pandemia na ofron një moment të së vërtetës. Sistemi të cilin e ndjekim është destruktiv. Ai na vë të gjithëve në rrezik, por disa më shumë se të tjerët: komunitetet me ngjyrë, të moshuarit, njerëzit e ish-botës kolonialiste. Ne kemi parë edhe karakterin e pafytyrë komercial të shumë kompanive farmaceutike. Ato kanë shfrytëzuar paratë publike për kërkimet e tyre dhe tani detyrojnë të gjithë të paguajnë, dhe shpesh duke kufizuar të drejtën në patente.

Është e qartë që klasa kapitaliste do të përdor COVID-19 ndërkombëtarisht për një ristrukturim madhor të zhvillimit kapitalist. Forumi Ekonomik Ndërkombëtar është duke folur për një rifillim kapitalist: një formë të re të zhvillimit kapitalist, riorganizim të punës, një rishpërndarje të pasurisë. Dua të di nëse njerëzit të cilët janë të interesuar për një lloj të ndryshëm të shoqërisë janë po ata të cilët do të organizojnë një rifillim. Për mua pyetja është se kush saktësisht do të vë themelet për atë që do të vie?

Catrin Ashton është bashkëpunëtore e rregullt në rishikimin e librave në gjuhën uellsiane, O’r Pedwar Gwynt.

Silvia Federici është një studiuese, mësuese dhe aktiviste italiane dhe amerikane, profesore e nderuar me titullin Emerita dhe profesore e shkencave sociale në Universitetin Hofstra në shtetin e Nju Jorkut.

Shkrimin origjinal mund ta gjeni këtu.

Përktheu: Blerton Ajeti

_________________________________________________________________

Ky artikull është përkthyer me përkrahjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “Avancimi i barazisë dhe diversitetit gjinor përmes eliminimit të diskriminimit me bazë gjinore në vendin e punës”. Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi e QIKA dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian, Iniciativës Kosovare për Stabilitet dhe Qendrës Kosovare për Studime Gjinore.