Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1
Readings

Patriarkati gjatë katastrofës: Pandemia ka shpallur luftë mbi gratë

QIKA 4.6.2021

Përderisa COVID-19 ka përfshirë botën, ka pasur një shpërthim të dhunës ndaj grave dhe një sulm të plotë ndaj të drejtave të tyre. Është koha për të luftuar përsëri kundër një sistemi që lejon gratë të flijohen, zhduken dhe dhunohen.

COVID-19 ka penguar më së shumti çlirimin e grave ndonjëherë. Ndërsa shikoja se si ndodhte, unë kam filluar të mendoj se jemi duke qenë dëshmitarë të shpërthimit të patriarkatit të katastrofës.

Naomi Klein ishte e para që identifikoi “kapitalizmin e katastrofës”, kur kapitalistët përdorin një katastrofë për të vendosur masa të cilat nuk mund t’i vendosnin në kohë normale, duke gjeneruar më shumë fitime për veten e tyre. Patriarkati i katastrofës është proces paralel dhe plotësues, ku burrat shfrytëzojnë një krizë për të rivendosur kontrollin dhe dominimin si dhe të zhdukin me shpejtësi të drejtat e grave të fituara me vështirësi. Në të gjithë botën patriarkalizmi ka përfituar plotësisht nga virusi për të rimarrë pushtetin nga njëra anë, duke përshkallëzuar rrezikun dhe dhunën ndaj grave, e nga ana tjetër duke u shfaqur si kontrollues dhe mbrojtës të supozuar të grave.

Kam kaluar muaj të tërë duke intervistuar aktivistë dhe udhëheqës në të gjithë botën, nga Kenia në Francë e në Indi, për të zbuluar se si po i prek ky proces dhe si po e luftojnë atë. Në kontekste shumë të ndryshme, shfaqen pesë faktorë kryesorë. Në patriarkatin e katastrofave gratë humbin sigurinë, fuqinë e tyre ekonomike, autonominë, arsimimin e tyre dhe ato gjenden në vijë të frontit të pambrojtura, gati për tu sakrifikuar.

Një pjesë e imja heziton të përdorë fjalën “patriarkat”, sepse disa njerëz ndihen të hutuar nga ajo dhe të tjerët mendojnë se është arkaike. Jam përpjekur të imagjinoj një frazë më të re, më bashkëkohore, por kam vërejtur se si ne vazhdojmë të ndryshojmë gjuhën, duke modernizuar përshkrimet tona në përpjekje për të përshkruar tmerrin e momentit. Më bie ndërmend për të gjithë emrat që i kemi dhënë veprimit të grave të cilat janë rrahur nga partneri i tyre. Së pari, goditje, pastaj dhunë në familje, pastaj dhunë në lidhje intime dhe së fundmi terrorizëm intim. Ne gjithmonë jemi duke bërë punën e përpiktë të rafinimit dhe përndritjes, në vend që të këmbëngulim që patriarkët të punojnë më shumë për të thelluar të kuptuarit e tyre mbi një sistem që po ia humb kuptimin planetit. Kështu, unë po qëndroj tek emërimet e vjetra.

Në këtë periudhë shkatërruese të COVID-19 ne kemi parë një shpërthim të dhunës ndaj grave, qofshin ato cis-gjinore ose me identitete të tjera gjinore. Terrorizmi intim gjatë karantinës e ka kthyer shtëpinë në një ambient torturash për miliona gra. Ne kemi parë përhapjen e pornografisë së hakmarrjes përderisa karantina ka bërë që bota të jetë aktive virtualisht, me ç’rast abuzimi i tillë seksual dixhital tani është element kyç i dhunës në familje pasi partnerët kërcënojnë të shpërndajnë imazhe seksuale eksplicite pa pëlqimin e viktimave.

Gjendja e karantinës, mbyllja, pasiguria ekonomike, frika nga sëmundja, përdorimi i tepërt i alkoolit ishin elementet kyçe që qonin në abuzim. Është e vështirë të përcaktohet se çfarë është më shqetësuese, fakti që në 2021 mijëra burra ende vullnetshëm kontrollojnë, torturojnë dhe rrahin gratë, të dashurat dhe fëmijët e tyre, apo fakti që asnjë qeveri nuk duket se ka menduar për këtë gjë kur kanë bërë planin për izolim.

Në Peru, qindra vajza dhe gra janë zhdukur që kur u vendosën masat e izolimit, dhe dyshohet se kanë vdekur. Sipas shifrave zyrtare të raportuara nga Al Jazeera, 606 vajza dhe 309 gra janë zhdukur midis 16 marsit dhe 30 qershorit të vitit të kaluar. Në të gjithë botën mbyllja e shkollave ka rritur gjasat e formave të ndryshme të dhunës. Rrjeti Kombëtar i Abuzimit të Përdhunimeve dhe Incestit në SHBA ka treguar se linja e saj e ndihmës për të mbijetuarit e sulmeve seksuale nuk ka qenë kurrë më e përdorur përgjatë 26 vjetëve të ekzistimit të saj, pasi që fëmijët kanë qenë të mbyllur me abuzues pa pasur mundësi të njoftojnë mësuesit ose miqtë e tyre. Sipas aktivistes Luisa Rizzitelli, në Itali thirrjet në numrin kombëtar kundër dhunës u rritën për 73% midis 1 marsit dhe 16 prillit 2020. Në Meksikë, personat që merren me thirrjet e urgjencës pranuan numrin më të lartë të thirrjeve në historinë e vendit dhe numri i grave që kërkuan strehimore të dhunës në familje u katërfishua.

Për të shtuar edhe më tepër mizorinë, shumë qeveri ulën fondet për këto strehimore në momentin kur ato ishin më të nevojshmet. Kjo duket të jetë e ngjashme në të gjithë Evropën. Në Mbretërinë e Bashkuar, furnizuesit thanë për Human Rights Watch se kriza COVID-19 ka përkeqësuar mungesën e qasjes në shërbime për emigrantët dhe gratë e zeza, aziatike dhe ato që u përkasin minoriteteve etnike. Organizatat që punojnë me këto komunitete thonë se pabarazia e vazhdueshme çon në vështirësi shtesë sa i përket qasjes në shërbime të tilla si arsimi, kujdesi shëndetësor dhe ndihma nga katastrofat.

Në SHBA, më shumë se 5 milion gra humbën punën midis fillimit të pandemisë dhe nëntorit 2020. Për shkak se shumica e punës së grave kërkon kontakt fizik me publikun, të tilla si restorante, dyqane, kujdes për fëmijë, ambiente të kujdesit shëndetësor, këto ishin ndër punët e para që u ndaluan. Ato që ishin në gjendje të mbanin vendet e tyre të punës ishin shpesh punëtore në frontin e parë, pozicionet e të cilave i kanë vënë ato në rrezik të madh, me ç’rast rreth 77% e punëtorëve të spitalit dhe 74% e stafit të shkollës janë gra. Mungesa e mundësive të kujdesit për fëmijët bëri që shumë gra të mos ishin në gjendje të ktheheshin në vendet e tyre të punës. Të kesh fëmijë nuk e ka të njëjtin efekt për burrat. Shkalla e papunësisë për gratë e zeza dhe latine ishte e lartë para virusit dhe tani është edhe më keq.

Situata është më e rëndë për gratë në pjesë të tjera të botës. Shabnam Hashmi, një aktiviste kryesore e grave nga India, më tha se deri në prill 2020, 39.5% e grave atje kishin humbur punën. “Puna nga shtëpia po i takson shumë gratë pasi hapësira e tyre personale është zhdukur dhe ngarkesa e punës është rritur për tre herë” tha Hashmi. Në Itali pabarazitë ekzistuese janë amplifikuar nga urgjenca shëndetësore. Rizzitelli thekson se gratë tashmë përballen me punësim më të ulët, paga më të dobëta dhe kontrata të pasigurta, si dhe rrallë punësohen në role korporative të “sigurta”, ato kanë qenë të parat që kanë vuajtur efektet e krizës. “Pabarazitë e mëparshme ekonomike, sociale, racore dhe gjinore janë theksuar dhe e gjithë kjo rrezikon të ketë pasoja afatgjata sesa vetë virusi”, tha Rizzitelli.

Kur gratë vihen nën presion më të madh financiar, të drejtat e tyre shkatërrohen shpejt. Me krizën ekonomike të krijuar nga COVID-19, trafikimi i seksit dhe punës janë përsëri në rritje. Gratë e reja që përpiqen të paguajnë qiranë e tyre janë të prekshme nga pronarët e tyre, në një proces të njohur si “sextortion”.

Nuk mendoj se mund ta theksojmë sa duhet nivelin e rraskapitjes, ankthit dhe frikës që e vuajnë gratë si pasojë e kujdesit për familjen, pa asnjë pushim apo kohë të lirë për veten e tyre. Është një formë delikate e çmendurisë. Përderisa gratë kujdesen për të sëmurët, nevojtarët dhe ata që vdesin, kush kujdeset për to? Colani Hlatjwako, aktiviste nga Mbretëria e Eswatini thotë se “Normat shoqërore që vendosin një barrë të madhe kujdesi mbi gratë dhe vajzat kanë të ngjarë të dëmtojnë shëndetin e tyre mendor dhe fizik.” Këto struktura gjithashtu pengojnë qasjen në arsim, dëmtojnë stilin e jetesës dhe heqin burimet e mbështetjes.

UNESCO vlerëson se mbi 11 milion vajza mund të mos kthehen në shkollë pas përfundimit të pandemisë. Fondi Malala vlerëson një numër edhe më të madh, rreth 20 milion. Phumzile Mlambo-Ngcuka, nga UN Women, tha se organizata e saj ka luftuar për arsimimin e vajzave që nga samiti i grave të Kombeve të Bashkuara në Pekin në 1995. “Vajzat përbëjnë shumicën e nxënësve që nuk kthehen më në shkollë” tha ajo. “Ne kishim bërë progres jo shumë të madh, por të paktën po i mbanim në shkollë për kohë më të gjatë. Dhe tani gjithë këto vajza po braktisin shkollën brenda një viti, kjo është shkatërruese.”

Nga të gjitha këto pengesa, kjo do të jetë më e rëndësishmja. Kur vajzat arsimohen, ato i dinë të drejtat e tyre dhe çfarë kërkojnë. Ato kanë mundësi të gjejnë punë dhe të kujdesen për familjet e tyre. Kur ato nuk kanë qasje në edukim, ato bëhen barrë financiare për familjet e tyre dhe shpesh detyrohen të martohen herët.

Kjo ka implikime të veçanta për gjymtimin gjenital të femrave (FGM). Shpesh, baballarët pranojnë të mos i nënshtrojnë vajzat e tyre në këtë proces sepse ato mund të bëhen mbajtëse të familjes përmes arsimimit. Nëse nuk ka arsim, atëherë përdoren praktikat tradicionale në mënyrë që vajzat të shiten për pajë. Agnes Pareyio, kryetare e Bordit të gjymtimit gjenital anti-femëror të Kenias, tha “COVID-19 mbylli shkollat tona dhe i ktheu vajzat tona në shtëpi. Askush nuk e dinte çfarë po ndodhte nëpër shtëpi. Ne e dimë që nëse arsimon një vajzë, gjymtimi gjenital nuk do të ndodhë. Fatkeqësisht tani e kundërta është e vërtetë.”

Në muajt e parë të pandemisë, unë kisha një vend në frontin e parë të infermierëve në SHBA, shumica e të cilave janë gra. Kam punuar me National Nurses United, njëherit sindikata më e madhe dhe më radikale e infermierëve dhe kam intervistuar shumë infermierë që punojnë në vijën e frontit. Unë pashë se për muaj me radhë ata punonin me ndërrime rraskapitëse 12 orëshe. Në pushimet e shkurtra të drekës, atyre iu desh të protestonin për mungesën e pajisjeve mbrojtëse personale, të cilat i vunë në rrezik të madh. Ashtu siç askush nuk mendoi se çfarë do të thotë të izolosh gratë dhe fëmijët në shtëpi me abuzues, poashtu askush nuk mendoi se si do të ishte situata për infermierët në një pandemi kaq ngjitëse pa pajisje mbrojtëse. Në disa spitale të SHBA-së, infermierët kishin veshur thes plehrash në vend të rrobave dhe po ripërdornin maskat një-përdorimshe. Ata ishin të detyruar të qëndronin në punë edhe nëse kishin ethe.

Trajtimi i infermierëve që po rrezikonin jetën e tyre për të shpëtuar jetët tona ishte një lloj dhune tronditëse dhe mosrespektimi. Por ka shumë fusha të tjera ku gratë kanë mbetur të pambrojtura, që nga punëtorët e magazinës që po paketonin dhe shpërndanin mallrat, deri tek gratë që punojnë në fabrikë të pulave dhe mishit të cilat janë të ekspozuara ndaj rrezikut dhe janë të detyruara të qëndrojnë në punë edhe kur janë të sëmura. Një nga zhvillimet më mahnitëse është ajo e punëtorëve të restoranteve që marrin bakshish në SHBA, që tashmë lejohen të paguhen me një pagë të ulët prej $2.13 (£1.50) për orë, e cila ka mbetur e njëjtë për 22 vitet  e fundit. Jo vetëm që ka rënë flugu i punës, por edhe bakshishet janë zvogëluar për gratë dhe është shfaqur një degradim i ri i quajtur “ngacmimi mashkullor”, ku klientët burra insistojnë që kamerieret të heqin maskën në mënyrë që të vendosin nëse duhet tu japin bakshish bazuar në pamjen e tyre.

Gratë që punojnë në ferma në SHBA kanë parë që mbrojtja e tyre po zvogëlohej. Mily Treviño-Sauceda, drejtore ekzekutive e Alianza Nacional de Campesinas, më tregoi se si është rritur presioni në kampe apo mbi gratë që punojnë në ferma: “Ka pasur më shumë incidente të helmimeve me pesticide, abuzime seksuale dhe stres, si dhe ka më pak monitorim nga agjencitë qeveritare dhe më pak zbatim të ligjit si pasojë e COVID-19.”

COVID-19 ka  zbuluar faktin se ne jetojmë me dy ide të ndryshme kur bëhet fjalë për gratë. E para është se gratë janë thelbësore për çdo aspekt të jetës dhe mbijetesën tonë si specie. E dyta është që gratë lehtësisht mund të dhunohen, sakrifikohen dhe zhduken. Ky është dualiteti që ka shkaktuar patriarkalizmi në strukturën e ekzistencës dhe të cilën e ka shpërfaqur COVID-19. Nëse do të vazhdojmë mbijetesën tonë si specie, kjo kontradiktë duhet të shërohet dhe të plotësohet. 

Për të qenë të qartë, problemi nuk është izolimi, por ajo çfarë izolimi dhe pandemia kanë bërë të qartë. COVID-19 shpërfaqi se patriarkati është prezent e i rrënjosur dhe se do të forcohet në kohë të krizës sepse në të vërtetë asnjëherë nuk është zbërthyer, dhe do të kthehet si një virus i pa trajtuar për tu hakmarrë.

E vërteta është se nëse kultura nuk ndryshon, nëse nuk prishet patriarkalizmi, ne do të gjendemi në pikën e njëjtë. Duke e kaluar pandeminë, ne duhet të jemi të guximshëm, sfidues dhe të imagjinojmë një mënyrë më radikale të ekzistencës në tokë. Ne duhet të vazhdojmë të ndërtojmë dhe përhapim lëvizje aktiviste. Ne kemi nevojë që gratë në përgjithësi dhe gratë me ngjyrë të jenë në pushtet. Ne kemi nevojë për iniciativë globale në shkallën e një “Marshall Plan” apo edhe më tepër se aq, për të dekonstruktuar patriarkatin i cili është baza e shumë formave të tjera të shtypjes, nga imperializmi te racizmi, nga transfobia tek denigrimi i tokës.

Së pari do të kishte njohje dhe edukim publik rreth natyrës së patriarkatit dhe të kuptojmë se po na çon drejt fundit. Do të kishte edukim të vazhdueshëm, forume publike dhe procese që studiojnë si patriarkati çon në forma të ndryshme të shtypjes. Arti do të ndihmonte në shuarjen e traumës, pikëllimit, agresionit, hidhërimit dhe zemërimit brenda kulturës dhe do të ndihmonte në plotësimin dhe shërimin e njerëzve. Ne do të kuptonim se një kulturë që ka amnezi djallëzore dhe refuzon të adresojë të kaluarën e saj vetëm se përsëritë fatkeqësitë dhe abuzimet. Qendrat religjioze dhe komunitetet do të ndihmonin anëtarët që të adresojnë traumat e tyre. Ne do të studionim artet e rëndësishme të dëgjimit dhe ndjeshmërisë. Reparacionet dhe faljet do të bëheshin në forumet publike dhe në takime private. Të mësosh artin e faljes do të ishte po aq e rëndësishme sa lutja.

Shkrimtarja feministe Gerda Lerner shkroi në 1986: “Sistemi patriarkal në një konstrukt historik ka një fillim dhe do të ketë një fund. Koha duket se ka ecur në rrjedhën e saj. Patriarkati nuk u shërben më nevojave të burrave dhe grave dhe lidhja e tij e pazgjidhshme me ushtrinë, hierarkinë dhe racizmin ka kërcënuar vetë ekzistencën e jetës në tokë.”

Sado e fuqishme të jetë patriarkati, është thjesht një histori. Ndërsa zhvillohet epoka post-pandemike, a mund të imagjinojmë një sistem tjetër i cili nuk bazohet në hierarki, dhunë, dominim, kolonializëm dhe pushtim? A e shohim lidhjen midis zhvlerësimit, dëmtimit dhe shtypjes së të gjitha grave dhe shkatërrimit të vetë tokës? Po sikur të jetonim sikur të ishim farefis? Po sikur ta trajtonim secilin person si të shenjtë dhe thelbësor për historinë e njerëzimit?

Çka nëse në vend të shfrytëzimit, dominimit dhe lëndimit të vajzave dhe grave gjatë një krize, të krijonim një botë që i vlerëson, i edukon, i paguan, i dëgjon dhe kujdeset për to?

Eve Ensler

E përktheu: Greta Avdyli

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://www.theguardian.com/lifeandstyle/2021/jun/01/disaster-patriarchy-how-the-pandemic-has-unleashed-a-war-on-women?fbclid=IwAR3OSdPIbQ1SaHeA1sHwAw878EZLwZ_vdernTjIufD8Ti2GT6jd1nnM6d8o