Një vit pas zgjedhjeve afatmesme, në të cilat gratë fituan një numër të paparë të vendeve në Senatin dhe Shtëpinë e Bardhë dhe një vit para zgjedhjeve të para presidenciale që nga shpërthimi i lëvizjes #MeToo, është e vështirë të mos mendosh se jetojmë në një kohë të mundësive të mëdha për përfaqësimin e grave në SHBA dhe në mbarë botën.
Por edhe pse shumë gra po kandidojnë për pozita, ato zakonisht përballen jo vetëm me shqyrtimin e posedimit të një roli publik, por edhe me një shkallë të madhe rreziku për shkak të mënyrave se si gratë piketohen për kërcënime dhe sulme personale përmes mediave sociale. Gratë e dinë që dhuna në internet mund të shfaqet në çdo kohë dhe në mënyrë të papërgjegjshme nga autorët e dhunës.
Duke marrë parasysh këtë, dua të di: A po e bëjnë rrjetet sociale më të vështirë për gratë që të hyjnë dhe të kenë sukses në fushën e politikës?
Si eksperte gjinore dhe anëtare globale në Wilson Center, fillova të kërkoj një përgjigje për këtë pyetje duke kryer intervista me gra udhëheqëse në politikë dhe ekspertë nga 30 vende, duke rishikuar hulumtimet ekzistuese mbi këtë temë dhe duke i kërkuar Marvelous AI, firmës analitike të të dhënave për të shqyrtuar mbulimin që Twitter i ka bërë lajmeve mbi zgjedhjet demokratike presidenciale të vitit 2020 në SHBA.
Rezultati ishte “#ShePersisted: Women, Politics & Power in the New Media World”, një raport hulumtues global që pasqyron pamjen komplekse të mediave sociale si një thikë me dy teha për gratë politikane, duke u mundësuar atyre të angazhohen pa ndërmjetësim, por në të njëjtën kohë duke i ekspozuar ato ndaj rreziqeve të larta.
Nga njëra anë, dhuna online kundër grave në politikë është një fenomen global, pasi që shumë nga gratë që intervistova nga vende të ndryshme si SHBA, Ukraina, Italia dhe India më thanë se kishin qenë shënjestra të sulmeve të ngjashme.
Anëtarja e parlamentit ukrainas Scitlana Zalishchuk më tha: “Unë vetë kam përjetuar një situatë të tillë, kur një llogari e rreme e prodhuar nga faqet ruse po merrej në mënyrë aktive me mediat dhe po shpërndahej nga përdoruesit ukrainas. Qëllimi ishte për të më diskredituar si politikane, me ç’rast po sugjerohej se unë bëra një premtim në një postim në Facebook që do të vrapoja lakuriq nëpër Kiev në momentin që Debaltseve, qytet në lindje të Ukrainës, do ta merrnin separatistët e mbështetur nga Rusia. “E vërtetuar” me një pamje të rreme të postimit, kjo storje qarkulloi në internet për një vit të tërë, duke më objektifikuar dhe duke distancuar diskursin mbi personalitetin tim nga fusha profesionale.”
Amanda Renteria, presidente e Emerge America dhe kandidate për guvernatore të Kalifornisë, më tha se gjersa punonte si drejtore politike kombëtare e fushatës presidenciale të Hillary Clinton në vitin 2016, ajo ishte piketuar nga operativët rusë me një shënim të rremë të marrë nga FBI. Pasi që kjo storje u shfaq në The Washington Post, ajo tha: “Kam marrë mesazhe me gjuhë të urrejtjes, nga grupet QAnon (grup që shpërndanë teori konspirative të së djathtës ekstreme). Sinqerisht ishte një përvojë shqetësuese për ne.”
Në SHBA ekzistojnë prova se gratë kandidate për presidente janë shënjestër e më shumë sulmeve që bëhen nga llogaritë e rreme të lajmeve të krahut të djathtë, krahasuar me burrat politikanë. Sulmet që iu bëhen atyre janë jashtëzakonisht negative dhe fokusohen në karakterin e tyre dhe jo në politikat e tyre. Një sondazh i kohëve të fundit me gratë parlamentare nga e gjithë bota zbuloi se 41.8% e të anketuarave kishin parë imazhe jashtëzakonisht poshtëruese apo imazhe seksuale të tyre që po përhapeshin në mediat sociale, përfshirë këtu fotomontazhe që i shfaqnin ato lakuriq. Sipas një
artikulli të fundit nga The Guardian, gratë politikane që i përkasin pakicave fetare janë në rrezik edhe më të madh për tu bërë objektiva të fushatave dezinformuese.
Sipas drejtores ekzekutive të OKB-së, Phumzile Mlambo-Ngcuka: “Kur gratë vuajnë nga kjo dhunë në internet, qëllimi është po i njëjti si ai në realitet, pra ti kontrollojmë, ti kemi nën pushtet, ti heshtim dhe ti mbajmë jashtë bisedës dhe duke mos i lënë të përfitojnë në mënyrë të barabartë.”
Sidoqoftë, shumica e grave politikane që intervistova në mbarë botën më thanë se mediat sociale janë një mjet shumë i dobishëm për to, pasi u siguron atyre diçka që nuk e kishin më parë: aftësinë për të drejtuar narrativat e tyre, të çliruara nga seksizmi dhe margjinalizimi i mediave tradicionale të cilat i kanë bërë ato të padukshme. Comfort Doyoe Cudjoe-Ghansah, anëtare e parlamentit dhe nënkryetare e dytë e pakicës në Ganë, më tha se mediat sociale luajtën “një rol jetësor” në karrierën e saj politike, pasi i mundësuan të shfaqte punën e saj dhe të merrte mbështetje dhe inkurajim nga to, duke rrënuar “pikëpamjen negative” që kundërshtarët e saj politikë kishin paramenduar për të.
Bazuar në hulumtimet që janë në dispozicion dhe intervistat që kam bërë me strategë politikë dhe gratë politikane të cilat raportuan se kishin përdorur hapësirën në internet vetëm për avantazhin e tyre, dalin disa rekomandime dhe praktika më të mira që duhet të merren në konsideratë.
Së pari, përgjigja ndaj sulmeve dhe thirrja për seksizëm paguhet. Një studim i realizuar nga Lake Research Partners për Women’s Media Center, zbuloi se kur një grua kandidate i kundërpërgjigjet seksizmit dhe reklamave negative, ajo rifiton besimin e votuesve dhe përmirëson imazhin e saj.
Së dyti, të kesh një komunitet që të mbështesin në internet dhe që janë të gatshëm për tu mobilizuar është shumë e rëndësishme. Siç shpjegon Celinda Lake, anketuese dhe stratege politike: “Megjithëse kandidatët do të marrin komente mizogjene nga kundërshtarët në internet, për shkak të profilit të tyre më të lartë në publik dhe shtrirjes së madhe të mediave sociale, përgjigjet pozitive nga gratë dhe burrat mund të mposhtin komentet negative.” I tillë ishte rasti i Laura Boldrini, kongresiste italiane, e cila ishte objekt i sulmeve në internet nga burrat që po e kërcënonin ta përdhunonin dhe vrisnin: “Në momentin që i ekspozoja dhe denoncoja ngacmuesit, mijëra njerëz në internet më dolën në mbrojtje, duke konfirmuar që hapësira dixhitale është një arenë për të denoncuar seksizmin dhe për të formësuar diskursin politik.”
Së fundmi, ndërveprimi me ndjekësit është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Hulumtimi mbi garat e Senatit në SHBA tregon se është e dobishme që gratë kandidate të përdorin Twitter-in në mënyrë interaktive, pasi që kishte një ndërlidhje direkte mes angazhimit të grave në internet dhe gjasave të tyre për të fituar zgjedhjet. Ndërsa, e kundërta vlen për burrat, pasi kandidatët burra të cilët kishin fituar nuk përdornin mediat sociale në mënyrë interaktive.
Përderisa disa gra politikane kanë mundur të përdorin mediat sociale për të çuar përpara ambiciet e tyre politike, shumë gra të reja ngurrojnë të kandidojnë për pozita për shkak të shqetësimeve në lidhje me sulmet në internet, që është një tjetër pengesë e fortë në mesin e shumë të tjerave me të cilat përballen gratë. Por, ky problem nuk është pa zgjidhje. Hulumtimi im si dhe hulumtime të tjera, përshkruajnë rekomandime të bazuara në dëshmi, të cilat nëse zbatohen do të siguronin që hapësira dixhitale të bëhej një arenë më e barabartë gjinore sa i përket angazhimit politik. Këto rekomandime përfshijnë:
· Përdorimi i inovacioneve teknologjike për të adresuar seksizmin, gjuhën e urrejtjes me bazë gjinore dhe ngacmimin në internet: Meqë algoritmet kanë luajtur një rol të qartë në përhapjen e mizogjinisë dhe paragjykimeve të tjera, ato mund të vendosen në mënyrë të barabartë për të rritur ndërgjegjësimin.
· Përmirësimi i llogaridhënies së përdoruesit dhe sigurimi që kompanitë e mediave sociale të identifikojnë, gjurmojnë dhe të heqin përmbajtjen abuzive dhe gjuhën e urrejtjes në një mënyrë më transparente dhe të qëndrueshme.
· Ofrimi i kurseve të shkrim-leximit të medias dhe informacionit (MIL) si pjesë thelbësore e kurrikulave shkollore për të ndihmuar të rinjtë të zhvillojnë aftësinë për të konsumuar dhe krijuar përmbajtje mediatike në një mënyrë pozitive dhe efektive.
· Sigurimi që kandidatet gra në nivel global të trajnohen dhe informohen se si të përdorin mediat sociale në një mënyrë të sigurtë dhe efektive. P.sh. duke përdorur mjete si #think10, një mjet për vetëvlerësimin dhe planifikimin e sigurisë në internet i cili është zhvilluar nga Instituti Demokratik Kombëtar.
Pavarësisht dëshmive se institucionet me balanc gjinorë janë shumë më të forta dhe pjesëmarrja e grave në qeverisje rrit besimin e publikut në demokraci dhe zvogëlon korrupsionin, pothuajse asnjë nga këto rekomandime nuk po zbatohet në një shkallë të gjerë. Përderisa, universitetet, fondacionet, filantropët miliarderë dhe grupet e kërkimit po i kushtojnë gjithnjë e më shumë rëndësi çështjes së demokracisë dhe teknologjisë dhe po investojnë miliona dollarë dhe kapacitet të konsiderueshëm mendor për të adresuar lirinë në internet, dezinformimin, gjuhën e urrejtjes, nxitjen dhe ndërhyrjen e huaj gjatë fushatave zgjedhore, në përgjithësi ato janë krejtësisht të pa trajtuara sa i përket pikëpamjes gjinore, duke anashkaluar plotësisht shqetësimet dhe kërcënimet të cilat janë specifike dhe reale e me të cilat ballafaqohen gratë në politikë.
Është çështje kritike që investimet e mëtejshme të bëhen mbi gjurmimin dhe luftimin e fushatave dezinformuese me bazë gjinore si dhe dhunës në internet ndaj grave në politikë. Vetëm atëherë, gratë me të vërtetë do të jenë në gjendje të përfitojnë nga mundësitë për aktivizëm politik, shtrirje dhe angazhim gjë që ua ofron media sociale dhe të ushtrojnë të drejtat e tyre politike në kushte të barabarta.
Kjo është një çështje urgjente poashtu, sepse nuk ka asnjë mënyrë efektive për të larguar popullsinë e përgjithshme nga qeveria sesa të sigurohet që të parandalohet gjysma e tyre nga përfshirja në të. Sfidat globale me të cilët po përballet planeti ynë janë shumë të mëdha që të mund të mbështetemi vetëm në gjysmën e grupit që kanë talent për t’i zgjidhur ato.
Lucina Di Meco
E përktheu: Greta Avdyli
Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://www.womensmediacenter.com/news-features/for-women-in-politics-social-media-is-a-double-edged-sword