Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1
Readings

Për të marrë jetën në duart e veta, ajo duhej të arratisej

QIKA 22.12.2023

Nasreen Parveen vendosi të vraponte për të shpëtuar jetën e saj në momentin që vendosi të mos i jepte fund asaj. Ajo kishte arritur deri te parvazi i dritares së lartë në shtëpinë e nënës së saj e i kishte vendosur këmbët në kornizën që ndante botën pas saj dhe hedhjen në ajër.

Ndërsa përgatitej për t’u hedhur, ajo shikoi jashtë, pa një pamje mahnitëse, që i dukej si e ardhmja e paarritshme. E tmerruar Nasreen pa një vajzë tjetër të moshës së saj duke kërcyer nga çatia e një shtëpie aty pranë. Vajza u rrëzua në tokë, ku shpina e saj u goditi fort përtokë duke e plagosur rëndë.

Nasreen e kuptoi që hedhja në ajër, rënia e dheu, nuk ishin për të. Por ajo ishte po aq e sigurtë se nuk mund të jetonte jetën të cilën familja e saj po përpiqej t’ia impononte.

Nasreen ishte vetëm 16 vjeçare, por familja e saj tashmë kishin aranzhuar fejesën e saj, me një kushëri nga ana e babait të saj, të cilin ajo nuk e kishte takuar para se ta fejonin me të. Mavijosjet që mbuluan trupin e saj, të shkaktuara nga vjehërria e saj e ardhshëm, derisa po punonte për ta, siç tha ajo, ishin dëshmi se një e ardhme e mbushur me dhunë e dhimbje po e priste.

Një tjetër grua e re që tentoi t’i merrte jetën vetes, në të njëjtën mënyrë që Nasreen po mendonte t’a bënte vetëm pak çaste para se ajo të bënte përpjekjen e saj, ishte një rastësi që sfidoi shpjegimin. Por ajo bëri shumë më shumë sesa t’i shpëtonte jetën Nasreen-ës, ajo ofroi një mundësi jetike që ajo të arratisej vetëm disa orë më vonë.

Kjo është pjesa e parë e serive “India’s Daughters” (Bijat e Indisë), e dedikuar një nga çarjeve më të thella në politikën dhe shoqërinë e Indisë: konfliktin mbi të ardhmen e grave të reja teksa ato synojnë mundësitë e reja të ofruara nga një vend që ndryshon me shpejtësi.

Përpjekja e Indisë për të ngritur miliona njerëz në klasën e mesme tani varet pjesërisht nga fakti nëse gratë e reja do të mund të shtyjnë martesën për tu punësuar , ose të sfidojnë traditën duke punuar gjatë martesës. Gjithnjë e më shumë gra indiane po largohen nga fuqia punëtore, ose nuk po hyjnë fare në të.

Pritshmëritë që gratë do të kufizohen vetëm në rolet e kujdesit në shtëpi, si për të ruajtur reputacionin e tyre ashtu edhe që puna e tyre e papaguar të shërbejë si një rrjet sigurie sociale dhe ekonomike, i pengojnë shumë gra të marrin pjesë në jetën publike. Megjithatë, edhe ato që arrijnë të dalin nga sfera e brendshme shpesh kuptojnë se ka pak mundësi të disponueshme për to.

Nasreen shpresonte për një jetë përtej fshatit të saj në shtetin e Bengalit Perëndimor, ku familja e saj kishte zhvendosur nga New Delhi, pasi babai i saj u largua për të punuar si punëtor në Arabinë Saudite. Ajo kishte punuar fort për t’u shkolluar. Pavarësisht kundërshtimeve të nënës dhe gjyshes së saj, ajo u regjistrua vetë në shkollë edhe pse mësimet ishin në gjuhën bengale, një gjuhë që ajo nuk e fliste.

Në fshat, Nasreen mësonte kurdo që mund t’u shmangej detyrave të rënda të shtëpisë, të cilat përfshinin marrjen e ujit nga një pus i largët, riparimin e mureve me baltë të shtëpisë së familjes së saj dhe punët e përditshme të gatimit dhe pastrimit.

Nëna dhe gjyshja e Nasreen-it prisnin që ajo të ndiqte rrugën e tyre, të braktiste shkollën, të martohej në adoleshencë dhe pastaj të kalonte jetën në shtëpi, e izoluar në rolet tradicionale të gruas, nuses e nënës. Ndërsa shkollimi për të cilin Nasreeni kishte punuar aq shumë të mos vlente asgjë.

Ajo nuk e konsideronte mundësinë që të martohej në asnjë rrethanë. Megjithatë, shpëtimi nga martesa, për të do të thoshte largimin nga shtëpia dhe familja e saj, ndoshta përgjithmonë.

Në Indi, familjet e varfra me vajza ambicioze duhet të bëjnë disa llogaritje: Sa duhet të investojnë dhe sa rrezik duhet të ndërmarrin, për një shpërblim të pasigurt në të ardhmen? E po aq e rëndësishme, kush duhet të marrë këtë vendim?

Nga perspektiva prindërore, veçanërisht baballarëve, të lejohet që vajza të shtyjë martesën, të përfundojë shkollimin dhe të gjejë një punë që e pavarëson financiarisht është opsion me rrezik të lartë. Një vajzë që gjen një punë të mirë mund të nxjerrë familjen e saj nga varfëria dhe së bashku të ngriten në rradhët e klasës së mesme në Indi. Ajo poashtu ka mundësi të gjejë një bashkëshort me status më të lartë, duke ngritur kështu statusin shoqëror të familjes.

Por ky opsion paraprakisht ka kosto të lartë, si tarifat e shkollës dhe viteve shtesë të mbështetjes së një vajze në shtëpi. Dhe çka nëse puna, qëllimi i gjithë atij investimi dhe rreziku, nuk materializohet kurrë?

Nasreen ishte vetëm 15 vjeçare kur prindërit e saj e fejuan me një burrë 10 vjet më të madh që punonte në Arabinë Saudite, një kushëri i parë të cilin ajo nuk e kishte takuar kurrë e familja e të cilit jetonte në fshatin e saj.

Jeta e saj ndryshoi menjëherë. Familja e të fejuarit të saj e trajtoi Nasreen-ën si të ishte anëtare e familjes së tyre e cila duhej të respektonte vendimet e atyre që ende nuk ishin as vjehërritë e saj. Ata këmbëngulën që Nasreen të braktiste shkollën, i thanë asaj që të mos fliste më me shoqen e saj më të mirë dhe përfundimisht e ndaluan të dilte nga shtëpia. Në vend të kësaj, ajo u detyrua të zgjohej në 5 të mëngjesit dhe të shkonte në shtëpinë e vjehrrit të saj të ardhshëm, ku i kalonte ditët e saj duke bërë punët e shtëpisë në emër të praktikumit të detyrave për të cilat do të ishte përgjegjëse pas martesës.

Një natë pasi ajo i shërbeu darken vëllait të të fejuarit të saj, siç tregoi Nasreen, ai e futi atë në një qoshe, e rrëzoi në shtrat dhe filloi t’ia kapte trupin derisa britmat e saj e sollën tezen duke vrapuar.

Disa javë më vonë, i njëjti vëlla i kontrolloi telefonin Nasreen-ës dhe gjeti mesazhe për të cilat ai pa të drejtë e akuzoi se ishin dëshmi se ajo s’kishte qenë besnike ndaj të fejuarit të saj. Nasreen nuk pati kohë as që të shpjegohej para se ai të fillonte ta rrihte.

Edhe një herë, tezja dëgjoi britmat e Nasreen-ës e doli me vrap. Por këtë herë, edhe ajo filloi t’a rrihte Nasreen-ën. Derisa po e godisnin me grushta e me dru, Nasreen mendoi se do ta vrisnin.

Që nga viti 1978, mosha ligjore për gratë që të martohen në Indi ka qenë 18 vjeç. Niveli i martesave me të mitura ka pësuar rënie që atëherë dhe më shumë mbrojtje ligjore për vajzat u shtua në vitin 2006. Por ende 1 në 4 gra martohen para se të mbushin 18 vjeç, sipas të dhënave të UNICEF-it, si dhe 1 në 20 gra martohen para moshës 15 vjeç.

Nuset më “në moshë”, edhe nëse janë ende në të njëzetat e tyre, janë më pak të dëshirueshme nga familjet e burrave, kështu që vonesa e martesës sjell rrezikun e tarifave shumë më të larta të shumës që paguhet nga familja e gruas. E sa më gjatë që një vajzë të jetë e pamartuar, aq më shumë mundësia e saj për martesë do të dëmtohet nga thashethemet lidhur me virgjërinë e saj.

Për gratë e reja, ka edhe më shumë arsye për t’u frikësuar. Një martesë e gabuar mund të sjellë rreziqe të mëdha si dhunë në familje, përdhunim në martesë (i cili nuk është kriminalizuar në Indi) ose edhe vrasje. Edhe në shumë nga skenarët më të mirë, gratë ende mbeten të mbyllura në shtëpi me ambiciet e tyre të kufizuara në detyrat që u caktojnë burrat dhe vjehërria e tyre.

Në natën kur fqinja e Nasreen-ës u hodh nga dritarja, të gjithë anëtarët e tjerë të familjes së saj shkuan në shtëpinë e fqinjëve, duke e lënë Nasreen-ën vetëm në shtëpi. Ajo me nguti paketoi një çantë, duke futur brenda peceta higjienike dhe 5,000 rupi (rreth 60 dollarë) kursime nga dhuratat që i kishin dhënë nëna dhe anëtarët e tjerë të familjes kur u fejua. Ishte ftohtë, kështu që ajo morri edhe një triko, pastaj një çarçaf. Ajo i fshehu të gjitha nën një shkurre jashtë shtëpisë para se familja e saj të kthehej. Pastaj ajo priti.

Rreth orës 3 të mëngjesit, Nasreen u ngrit nga shtrati, duke u kujdesur të mos zgjonte nënën e saj, e cila flinte pranë saj. Ajo doli nga shtëpia, mori çantën nga vendi ku e kishte fshehur dhe filloi të vraponte.

Rruga kryesore ishte rreth një kilometër nga shtëpia e Nasreen-ës dhe asaj i duhej të kalonte përmes një shtegu të errët në fshatin e pandriçuar. Nasreen kishte parasysh rreziqet që mund t’i kanoseshin gjatë natës, përfshi këtu gjarpërinjtë, burrat e dhunshëm, qentë e egër që sulmonin e vrisnin njerëzit. Ajo i dëgjonte qentë që lehnin, por nuk e dinte se ku ishin.

Kishte vetëm disa orë në dispozicion, para se familja e saj të zgjohej dhe të zbulonte se ajo kishte ikur. Nëse ajo nuk do të ishte shumë larg në kohën kur ata ta kuptonin, përpjekja e saj për arratisje do të dështonte. Ajo fokusoi mendjen dhe trupin e saj në një qëllim të vetëm: thjesht të vraponte.

Amanda Taub, Emily Schmall, Shalini Venugopal Bhagat

E përktheu: Blenda Asllani

Shkrimin original mund t’a gjeni në: https://www.nytimes.com/2023/10/21/world/asia/indias-daughters-women-careers.html