Pas lajmit për vdekjen në moshën 56-vjeçare, Sinead O’Connor po kujtohet për avokimin e saj të përjetshëm për të drejtat e grave.
“Me pikëllim të madh njoftojmë vdekjen e Sinéad-it tonë të dashur. Familja dhe miqtë e saj janë tejet të pikëlluar dhe po kërkojnë privatësi në këtë kohë shumë të vështirë”, tha familja e saj në një deklaratë për transmetuesin kombëtar të Irlandës RTE dhe BBC më 26 korrik.
Këngëtarja irlandeze fituese e Grammy, e cila ishte më e njohur për interpretimin e saj të “Nothing Compares 2 U” të Prince, u bë e famshme në mesin e viteve 1980. Sidoqoftë, karriera e saj nuk ishte pa polemika, pasi O’Connor dihej se i jepte përparësi besimeve të saj mbi opinionet dhe pritshmëritë e industrisë.
Në autobiografinë e saj, O’Connor rikujton momentin kur vendosi të shkurtonte flokët për herë të parë. Një ditë pasi një ekzekutiv diskografik i sugjeroi asaj t’i rriste flokët dhe të fillonte të vishte funde të shkurtra, taka të larta dhe grim, këngëtarja vendosi të shkurtonte tërësisht flokët. O’Connor shpjegoi se ajo e mori këtë vendim sepse nuk donte të “shitej” për pamjen e saj dhe seksualitetin.
O’Connor vazhdoi të mbronte gra të tjera në industrinë e muzikës, si Britney Spears, e cila gjithashtu shkurtoi njëjtë flokët në vitin 2007. Në një intervistë të vitit 2021 me New York Times, O’Connor foli për mënyrën se si Spears u trajtua nga media: “Nëse do takonit një të huaj në rrugë duke qarë, do ta ngushëllonit. Nuk do të t’i bënit foto, apo jo? Nuk e kuptoj pse thonin se ajo është e çmendur vetëm sepse kishte shkurtuar flokët? Unë nuk jam.”
Megjithatë, ajo në mënyrë famëkeqe kundërshtoi videoklipin “Wrecking Ball” të Miley Cyrus për përjetësimin e “seksualizimit” të grave të reja në muzikë. Në tetor 2013, Cyrus e krahasoi videoklipin e saj të ri muzikor, në të cilin ajo u shfaq nudo, me klipin “Nothing Compares 2 U” të O’Connor në një intervistë me revistën Rolling Stone.
Muzikantja irlandeze iu përgjigj krahasimit në një letër të hapur ku paralajmëronte Cyrus se imazhi dhe seksualiteti i saj po shfrytëzohej nga industria e muzikës. “Kjo nuk sjellë asgjë përveç dëmit. Kjo nuk është në asnjë mënyrë fuqizim i vetes apo i ndonjë gruaje tjetër të re, sepse dërgon mesazhin se ne duhet të vlerësohemi më shumë për dukjen tuaj sesa për talentin”, shkroi O’Connor.
“Fuqizimi i vërtetë i vetes si grua është refuzosh shfrytëzimin e trupit ose seksualitetit. Unë e di se burrat fitojnë më shumë para sesa vetë gratë që zhveshën. Ne, si gra, në industri shërbejmë si modele dhe si të tilla duhet të jemi jashtëzakonisht të kujdesshme se çfarë mesazhesh u dërgojmë grave të tjera”, shtoi O’Connor.
Sinead O’Connor është e njohur për paraqitjen e saj në Saturday Night Live në vitin 1992, gjatë së cilës ajo shkatërroi një foto të Papës Gjon Pali II në shenjë proteste kundër abuzimit të fëmijëve.
O’Connor ishte gjithashtu e zëshme për të drejtat riprodhuese të grave dhe foli hapur për vendimin e saj për abort në vitin 1990. Kënga e saj, “Fëmija im i veçantë” u frymëzua nga përvoja e saj e abortit.
“Më duhej të vendosja se a do e mbaja fëmijën apo jo, duke e ditur që babai i fëmijës nuk do të ishte pranë në këtë proces. Vendosa që ishte më mirë të abortoja dhe të prisja të kem fëmijë në një fazë kur babai do të ishte pranë meje. Nuk mund ta përballoja e vetme”, tha O’Connor për revistën Spin në 1991.
“Nuk ka shumë rëndësi nëse kryeni abort apo keni ndonjë komplikim. E gjithë çështja është pro-zgjedhjes. Unë nuk jam as pro as kundër abortit, por jam për të drejtën e grave që të kenë kontroll mbi trupin e tyre dhe të marrin vendime për veten e tyre. Askush nuk ka të drejtë t’i thotë dikujt tjetër se çfarë të mendojë ose të besojë”, deklaroi ajo.
Meredith Clark
E përktheu: Riola Morina
Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://www.independent.co.uk/life-style/sinead-oconnor-death-womens-rights-quotes-b2382555.html?fbclid=IwAR3EGtKJN3JnzOZcFThOYMbNIWDZhy7QVrkrM-dJ63vfd22BC5TSJnRJhQE