Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1
Readings

Pse kaq shumë gra akoma marrin mbiemrat e burrave të tyre?

QIKA 5.8.2021

Emrat tonë përfaqësojnë identitetin tonë. Mirëpo, sipas një sondazhi të vitit 2016, pothuajse 90% e grave të martuara në Britani braktisin mbiemrat e tyre origjinal duke marrë atë të burrave të tyre.

Të dhënat e sondazhit tregojnë se edhe gratë e martuara të grup-moshave më të reja, 18-34 vjeç, vendosin të veprojnë njësoj. Disa gra gabimisht mendojnë se kjo është një kërkesë ligjore. Shumica e shteteve në Evropën Perëndimore dhe në SHBA ndjekin të njëjtin model.

Ky ndryshim në identitetin e gruas duke marrë mbiemrin e burrit është shfaqur si rezultat i historisë patriarkale, ku gratë nuk kishin mbiemra të tyre përveç se “gruaja e X.” Gruaja ishte pronë e burrit dhe deri në fund të shekullit të XIX gratë në Angli në momentin që martoheshin ua kalonin burrave të gjitha të drejtat e tyre prindërore dhe të drejtat mbi pronën.

Pra, si ka mbetur një praktikë e lindur nga nënshtrimi i grave ndaj burrave kaq e ngulitur në epokën e emancipimit të gruas?

Për ta kuptuar këtë, në kuadër të hulumtimit tonë kemi intervistuar burra dhe gra në Angli dhe Norvegji, të sapo martuar apo të cilët do të martohen së shpejti. Norvegjia paraqet një pikë interesante të krahasimit sepse ndonëse zakonisht radhitet në 4 shtetet e botës ku mbizotëron barazia gjinore, shumica e grave norvegjeze akoma marrin mbiemrat e burrave të tyre.

Patriarkati dhe rezistenca

Ne kemi gjetur se pushteti patriarkal akoma nuk është zhdukur. Në Angli disa burra kanë kushtëzuar gratë e tyre mbi martesën dhe posedimin e mbiemrit të tyre. Mandy jep një shembull konkret:

Unë faktikisht nuk kam dëshiruar ta ndërroj mbiemrin tim por… ai tha se nëse nuk ndryshon mbiemri nuk kishte kuptim të martoheshim… ai tha se dasma nuk do të kishte asnjë kuptim.”

Shpesh, epërsia mashkullore në mbiemra merrej si e mirëqenë. Gratë angleze shpesh potenconin traditën: “Është tradicionale dhe konvencionale”(Eleanor), ose ndiheshin se ndryshimi i mbiemrit “ishte gjëja e duhur për të bërë” (Lucy). Për Jess, kuptimi i martesës ishte se ajo do të merrte mbiemrin e burrit të saj dhe do të qëndronte karshi betimeve të saj.

Megjithatë, ne gjetëm se pikëpamje të tilla ishin shumë më pak të zakonshme në Norvegji, ku shumica e grave mbajnë mbiemrat e tyre si mbiemra sekondar apo të mesëm për të ruajtur identitetet e tyre.

Për disa gra angleze, marrja e mbiemrit të burrit nuk ishte vetëm e supozuar dhe e pakontestueshme, ishte edhe diçka e shumëpritur. Siç e ka thënë Abigail, “Unë mezi pres të jem grua dhe të ndryshoj mbiemrin tim”. Adele mendonte se “është diçka e bukur të mund të thuash ’bashkëshort’, të marrësh emrin e dikujt tjetër dhe ta quash veten ‘Znj’”.

Ana tjetër e pushtetit patriarkal ishte se disa gra i rezistonin idesë së humbjes së identitetit të tyre. Ashtu si e shpjegon Rebecca:

Unë do të dëshiroja ta mbajë mbiemrin tim… Kam nevojë të jem vetja dhe nuk do të doja të humbisja se kush jam.

Në Norvegji, Caroline ndihej njësoj:

Unë jam ajo që jam, kështu nuk kam nevojë të ndërroj mbiemrin tim

Dy gra norvegjeze me të cilat kemi biseduar poashtu ngritën kundërshtime të qarta feministe. Anna ndjente se ndryshimi i emrit “tregon shumë për kulturën patriarkale”. Ndërkohë, Oda ka kritikuar gratë që nuk kanë menduar se çfarë kuptimi ka mbiemri dhe burrat për praktikën e “çuditshme” ​​të imponimit të mbiemrave të tyre tek njerëzit e tjerë.

Familja ‘e mirë’

Shumë prej personave që kanë ndërruar mbiemrat vepruan midis këtyre dy poleve të pushtetit të burrave dhe rezistencës së grave. Mirëpo, mesa duket marrja e mbiemrit të burrit poashtu shikohet si një mënyrë e mirë për të treguar se kjo është një familje ‘e mirë’. Siç thotë Claire “ Unë dëshiroja që të tjerët të dinin se ne ishim një familje dhe mendoj se mbiemri është një mënyrë e mirë për të treguar një gjë të tillë”.

Në të dy shtetet, ne gjetëm se një mbiemër i përbashkët i cili simbolizon familjen si një tërësi, kryesisht ishte e lidhur me të pasurit fëmijë. Eirin në Norvegji, kishte pasur vështirësi mes “vetes së saj feministe” dhe burrit të saj i cili dëshironte që ajo të merrte mbiemrin e tij edhe pse ajo ndihej se kjo “nuk ishte urgjente, të paktën derisa të bësh fëmijë”.

Gjoja se emra të ndryshëm prindëror do të ishin hutues. Një grua me të cilën biseduam ndihej se “fëmijët nuk do të dinin se kush janë”. Megjithatë, dëshmitë tregojnë se fëmijët aspak nuk hutohen se kush është pjesë e familjes së tyre, pa marrë parasysh mbiemrit që ata mund të kenë. Përkundrazi, me sa duket mungesa e konformitetit krijon parehati tek të rriturit.

Disa gra angleze poashtu ndiheshin se të mos e ndërrosh mbiemrin tënd tregon më pak përkushtim në martesë – ashtu siç e shpjegon Zoe:

Mendoj se nëse mban mbiemrin tënd është sikur të thuash se nuk jam edhe aq e përkushtuar ndaj teje.

Kjo ndjenjë nuk është shprehur drejtpërdrejtë nga çiftet norvegjeze, sigurisht si rezultat i përdorimit të mbiemrit të gruas si emër sekondar, i mesëm, apo familjar.

Nuk është një normë

Tu dëshmosh të tjerëve se jeni një “familje e mirë” nuk është një proces i lehtë dhe i pakontestueshëm. Kjo për arsyen se duhet të vlerësohet nga të tjerët dhe kjo e bën adoptimin e mbiemrit të burrit një dukuri edhe më të mundshme. 

Me të vërtetë, studimi ynë ka gjetur mundësinë për një mbiemër të përbashkët ose përdorimi i mbiemrit të gruas ishte diçka e cila konsiderohej e rrallë në mesin e çifteve angleze. Pra, edhe pse disa gra janë aktivisht të përfshira në zgjedhjen e mbiemrit të tyre martesor, marrja e mbiemrit të burrit mbetet akoma një normë. 

*Emrat në tekst janë ndryshuar

Simon Duncan

E përktheu: Latra Demaçi

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://theconversation.com/why-so-many-women-still-take-their-husbands-last-name-140038