Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1
Readings

Puna e papaguar e grave duhet të përfshihet në llogaritjen e BPV-së

QIKA 16.3.2021

Kanë kaluar afër 80 vite që kur ekonomistët britanez James Meade dhe Richard Stone shpikën një metodë për t’i llogaritur të ardhurat kombëtare. Kjo metodë më vonë u  shndërrua në një praktikë globale. Sot, kjo praktikë njihet si produkt i brendshëm bruto (BPV-ja) i një vendi.

Metoda e tyre kishte për qëllim të ofronte një pamje tërësore dhe të azhurnuar të tërë ekonomisë kombëtare, duke e vlerësuar vlerën monetare të të gjithë prodhimit “ekonomik” i cili zhvillohej brenda një vendi përgjatë një periudhe 1 vjeçare. Ashtu si shumica e statistikantëve ekonomik të asaj periudhe kohore, Meade dhe Stone u përqendruan pothuajse tërësisht në matjen e vlerës së mallrave dhe shërbimeve që bliheshin dhe shiteshin.

Por shpejt u shfaq një problem si pasojë e përvojave të një gruaje 23-vejçare të quajtur Phyllis Deane. Ajo u punësua nga Meade dhe Stone në 1941 për të zbatuar metodën e tyre në disa koloni britaneze. Në Malavinë dhe Zambian e sotme, Deane e kuptoi se ishte gabim të përjashtohej  nga BPV-ja puna e papaguar e shtëpisë.

Në një punim kërkimor që botova së fundmi mbi historinë e BPV-së, kam shkruar se Deane besonte se kjo konventë e përjashtonte një pjesë të madhe të aktivitetit prodhues – veçanërisht në Afrikën rurale. Ajo argumentoi se ishte e “palogjikshme” të përjashtohej vlera ekonomike e përgatitjes dhe gatimit të ushqimit si dhe mbledhja e druve për zjarr. Ajo shpërfaqi që lloje të tilla të punës ishin përjashtuar historikisht sepse ato zakonisht shiheshin si punë të grave.

Për të vendosur se cilat aktivitete të përfshihen në llogaritjen e saj të BPV, Deane kaloi muaj të tërë duke kryer sondazhe në fshatra për të matur dhe për të përfshirë aktivitete të rënda siç është mbledhja e druve të zjarrit në llogaritjen e BPV-së.

Ajo arriti në përfundimin se nëse qeveritë duan të formulonin politika që rrisnin të hyrat kombëtare të grumbulluara dhe siguronin një shpërndarje të barabartë të tyre, kontributet e të gjithë prodhuesve – përfshirë edhe gratë e zonave rurale – duhej të llogariteshin.

Përgjatë shtatë dekadave të ardhshme, llogaritjet e BPV nuk do e përfshinë punën e papaguar (që ishte në të shumtën e rasteve punë e grave). Por puna e Deane na tregon se kjo nuk është mënyra e vetme për të matur prodhimin ekonomik. Përderisa llogaritja e BPV-së po i nënshtrohet  kritikës në rritje, ne duhet ta vështrojmë punën e saj kërkimore si një mënyrë për ta avancuar atë.

Padukshmëria e punës së grave

Richard Stone u kushtoi pak vëmendje rekomandimeve të Deane. Në vitin 1953, ai mbikëqyri botimin e parë të Sistemit të Llogarive Kombëtare të Kombeve të Bashkuara. Ky raport ofroi praktika të hollësishme për llogaritjen e GDP-së.

Ky sistem e injoroi thirrjen e Deane për të përfshirë punën e papaguar shtëpiake. Dhe meqenëse programet e asistencës teknike të Kombeve të Bashkuara kërkonin që të sigurohej që vendet me të ardhura më të ulëta dhe të mesme të ndiqnin praktikat e këtij sistemi, metoda e Stone shkaktoi pasoja globale. Aktivitetet që ishin thelbësore për jetën e përditshme në vendet Afrikane me të ardhura të ulëta – si marrja e ujit, bluarja e misrit dhe gërshetimi i shtrojeve – nuk u përfshinë në llogaritë kombëtare.

Kjo padukshmëri e punës së grave në llogaritjen e të ardhurave kombëtare përfundimisht provokoi një reagim të ashpër. Gjersa kërkohej që puna shtëpiake e grave të përcaktohet ekonomikisht, studiueset-aktiviste si filozofja italiane Silvia Federici, e cila dha mësim për shumë vite në Nigeri, argumentoi se prodhimi “ekonomik” i burrave do të ishte i pamundur pa punën “jo-ekonomike” të pa kompenzuar të grave.

Për shembull, pa një grua që kujdeset për fëmijët dhe shtëpinë, si do të kishte kohë apo energji burri t’a përmbushë rolin e tij të stereotipizuar si mbajtës i familjes?

Koha përpara parasë

Disa ekononomiste feministe shpalosën një këndvështrim tjetër. Në vitin 1999, ekonomistja e Zelandës së Re Marilyn Waring artikuloi shqetësimin e saj për përfshirjen e punës së papaguar në llogarinë kombëtare. Në vend se të përdorej aktiviteti ekonomik për të matur vlerën e punës, Waring bëri thirrje për përdorimin e një treguesi tjetër: kohës.

Koha, shpjegoi ajo, ishte “aktiviteti në të cilin duhet të investojmë të gjithë”. Duke u bazuar në hulumtimet që kreu në zonën rurale të Kenias, ajo argumentoi se sondazhet që e masin kohën e shpenzuar demonstrojnë se cila gjini detyrohet të kryej punët vartëse, të mërzitshme, me status të ulët, të padukshme dhe të papaguara.

Sondazhe të tilla do të tregonin se si ndërhyrjet e synuara, si qasja në ujë të pastër dhe mjete efikase të gatimit, mund ta lehtësojnë mundimin që vjen nga punët shtëpiake dhe t’i lejoj miliarda gra të fitojnë liri më të madhe në mënyrën se si ato i shpenzojnë ditët e tyre.

Në vitin 2008, autorët e versionit të rishikuar të Sistemit të Llogarive Kombëtare iu përgjigjen kritikëve të tyre feministë përmes një kompromisi. Ata ranë dakord të përfshinin prodhimin e të gjitha mallrave – pavarësisht nëse këto ishin të shitura ose jo – në llogaritjen e BPV-së, kështu që aktivitetet si endja e shtrojeve do të përfshiheshin gjithashtu.

Sidoqoftë, ata vazhduan të përjashtojnë shumicën e shërbimeve shtëpiake të papaguara si gatimi dhe pastrimi. Sistemi i rishikuar injoroi thirrjet e Deane dhe Waring për më shumë të dhëna mbi shpërndarjen e kohës së shpenzuar për aktivitete ditore sipas gjinive. Kjo ka bërë që gjithnjë e më shumë të rritet kritika ndaj sistemit.

Në dekadat e fundit, ekonomia feministe ka treguar se si metodat për llogaritjen e BPV-së luajnë rol në rritjen e padukshmërisë së punëve që bëjnë gratë. Ndërkohë sondazhet dhe studimet mbi përdorimin e kohës tregojnë mbi barrën që këto punë kanë sjellë në jetën e grave, veçanërisht në pjesën jugore të botës. Një raport së fundmi zbuloi se qindra miliona gra në të gjithë botën duhet të ecin mbi 30 minuta për të siguruar qasje në ujë të pastër për familjet e tyre.

E ardhmja e GDP-së

Një raport i vitit 2009 i kërkuar nga presidenti i atëhershëm francez Nicolas Sarkozy, tregoi se për shkak se BPV-ja “trajtohet si matës i mirëqenies ekonomike” kjo “mund të çojë në tregues çorientues mbi mirëqenien e njerëzve dhe mund të prodhoj vendime të gabuara për politika”.

Kohët e fundit, Banka Botërore theksoi që BPV-ja matë vetëm rrjedhën e të hyrave por nuk na tregon nëse kujdesi shëndetësor, arsimi dhe pasuria e botës natyrore po zhvillohen apo shkatërrohen. The Economist bëri thirrje për një “metrikë të re” të progresit ekonomik që përfshinë “punën e papaguar në shtëpi siç është kujdesi për të afërmit”

Asnjë nga këto njohuri nuk është diçka e re. Por ato shënojnë një vlerësim të përtërirë për treguesit dhe politikat ekonomike që studiueset feministe kanë mbështetur prej kohësh. Për shembull, këmbëngulja e Silvia Federici se puna shtëpiake duhet të paguhet, të paktën është realizuar pjesërisht në përhapjen e programeve të transferimit të parave në Afrikë.

Nëse duam që me të vërtetë ta nxjerrim punën e grave nga humnera dhe t’i përmbysim rolet stereotipike gjinore që i detyrojnë gratë të bëjnë më shumë punë të shtëpisë se sa është e drejtë, së pari duhet t’i ndryshojmë “perdet” verbëruese të BPV-së.

E përktheu: Donika Çapriqi

Teksti origjinal mund ta gjeni në: https://theconversation.com/womens-unpaid-work-must-be-included-in-gdp-calculations-lessons-from-history-98110