Pushimi i atësisë, i cili ka përfitime të shumta, po ofrohet më shumë se kurrë më parë. Po pse nuk po e shfrytëzojnë burrat?
Në verën e vitit 2018, Ricardo Duque ishte gati të fillonte pesë muaj pushim të atësisë nga kompania e arkitekturës në Londër ku ai punonte. Por, atëherë, gjyshja e tij në Portugalinë jugore u sëmur nga pneumonia.
Gruaja e Duque-s, e cila është indiane, sapo kishte rifilluar punën në Samsung, pas shtatë muajsh pushim të lehonisë. “Mezi gjeja kohë për vajzën tonë”, kujton 42-vjeçari. “Por nuk kisha zgjidhje. E çova në Portugali dhe kalova javët e ardhshme duke u kujdesur për fëmijën tim të vogël dhe gjyshen time, me shumë pak ndihmë nga dikush tjetër.”
Që nga momenti që Duque dhe gruaja e tij zbuluan se po prisnin një fëmijë, ai e dinte se donte të shfrytëzonte pushimin e atësisë, gjë me të cilën pajtohej edhe partnerja e tij. Pavarësisht se ishte i shqetësuar se po merrte “shikime” nga kolegët dhe se po “gjykohej nga menaxherët” kur i informoi për planin e tij – dhe megjithëse pushimi i tij nuk filloi tamam siç ishte parashikuar – përvoja e tij ishte jashtëzakonisht e mirë. “Koha që kaluam së bashku ishte tepër e çmuar dhe nuk do ta ndërroja për asgjë”, thotë ai. “Tani kemi një lidhje kaq të veçantë.”
Në Mbretërinë e Bashkuar, SHBA dhe shumë pjesë tjera të botës, baballarët që e shfrytëzojnë lejen prindërore, ende përbëjnë një pakicë e vogël. Numri i vendeve ku pushimi atësisë është i paraparë me ligj është dyfishuar në 20 vitet e fundit (rreth 90 vende); dhe globalisht, të paktën katër në çdo 10 organizata mendohet se ofrojnë leje me pagesë mbi minimumin ligjor. Megjithatë, përqindja e burrave që marrin më shumë se disa ditë pushim nga puna kur fëmija i tyre lind, është ende i vogël.
Sa i përket arsyeve për të mos marrë pushim, shumica e baballarëve përmendin frikën e diskriminimit në vend të punës, humbjen e mundësive së ngritjes në karrierë, margjinalizimin, apo edhe talljen nga kolegët. Akademikët i konsiderojnë këto shqetësime rezultat i stereotipeve të dëmshme gjinore dhe që janë të rrënjosura thellë dhe sugjerojnë se për të ndryshuar këtë duhen ndryshime të mëdha kulturore, si dhe ofertë më të mirë institucionale të pushimit të atësisë me pagesë.
Stereotipet e përbrendësuara
Thekla Morgenroth, hulumtuese në Psikologjinë Sociale dhe Organizative në Universitetin e Exeter, MB, thotë se stereotipet gjinore vazhdojnë të ekzistojnë, edhe pse rolet gjinore në punë kanë ndryshuar në mënyrë thelbësore në dekadat e fundit, me një numër shumë më të lartë të grave që hyjnë dhe qëndrojnë në fuqinë punëtore.
“Gratë nuk shihen domosdoshmërisht si më pak kompetente se burrat, por gratë vazhdojnë të shihen si më të shoqërueshme, të ngrohta, edukuese dhe që përkujdesen më shumë sesa burrat si dhe më të përshtatshme për role që kërkojnë këto vlera dhe atribute si kujdesi ndaj fëmijëve” shpjegon ajo – “Burrat, në anën tjetër, vazhdojnë të shihen si më vendimtar, të sigurt, konkurrues”. “Burrat që marrin leje prindërore mund të përballen me reagime negative dhe të shihen si të dobët, me mungesë angazhimi në punë”, shton Thekla Morgenroth.
Kjo, thotë Morgenroth, mund të ndikojë në vendimet në lidhje me lejen prindërore në shumë mënyra. “Së pari, gratë dhe burrat mund t’i përvetësojnë dhe përbrendësojnë këto stereotipe, që do të thotë se burrat mund të mendojnë se nuk janë shumë të shoqërueshëm dhe kështu nuk do të ishin shumë të mirë në kujdesin e fëmijëve. Shpesh edhe partneret e tyre gra mund të mbështesin stereotipet gjinore të përbrendësuara dhe të dekurajojnë partnerët e tyre burra që të marrin lejen prindërore, sepse nuk mendojnë se janë të aftë.”
Një faktor kyç është se stereotipet gjinore nuk janë vetëm përshkruese, por edhe urdhëruese; ato sinjalizojnë se si duhet të jenë gratë dhe burrat – duke përfshirë idenë që burrat duhet t’i japin përparësi punës mbi familjen.
“Burrat që marrin leje prindërore mund të përballen me reagime negative dhe të shihen si të dobët, me mungesë angazhimi në punë e kështu me radhë, gjë që mund të rezultojë në pasoja në punë si ulja në detyrë etj.”, thotë ajo. “Burrat janë të vetëdijshëm për këto pasoja të mundshme dhe kjo mund të kontribuojë përfundimisht që ata të vendosin kundër marrjes së pushimit prindëror edhe nëse u ofrohet.”
Pa shembuj për tu ndjekur
Komunikimi është një faktor i rëndësishëm që Sarah Forbes, pedagoge dhe studiuese akademike në Shkollën e Biznesit të Universitetit të Birminghamit, e identifikon si një sfidë tjetër të padukshme për burrat për të përdorur pushim e atësisë.
Në vitin 2015, Mbretëria e Bashkuar prezantoi një politikë të përbashkët të pushimit prindëror që u lejon prindërve të ndajnë deri në 50 javë pushim dhe deri në 37 javë të paguara në mes tyre. Por hulumtimi në vitin 2018 tregoi se nga më shumë se 900,000 prindër në Mbretërinë e Bashkuar që kishin të drejtë të përfitonin nga kjo politikë, vetëm 9,200 prindër – ose rreth 1% – e bënë këtë.
Ricardo Duque thotë se kjo mund të jetë pjesërisht si rezultat i faktit që shumë baballarë nuk i njohin të drejtat e tyre. “Kur mora lejen e atësisë, u trondita nga fakti se sa pak baballarë të tjerë e dinin se çfarë të drejta kishin”, thotë ai.
Forbes beson se është e rëndësishme të kesh “kampionë të atësisë” të dukshëm në kompani, nëpër pozita dhe departamente të ndryshme, si për të frymëzuar baballarët për të marrë leje prindërore, ashtu edhe për të përmirësuar njohuritë e tyre për dispozitat ekzistuese. “Gjithashtu, nëse menaxherët kanë njohuri për mundësinë e organizatës rreth pushimit të atësisë dhe pushimit të përbashkët prindëror, kjo do të rezultojë në vetëdije më të lartë të prindërve për të drejtat e tyre.”
Thekla Morgenroth gjithashtu i konsideron që shembujt kanë rëndësi të madhe. “Nëse burra të tjerë po përdorin pushimin prindëror në një kompani të caktuar, kjo tregon se marrja e lejes prindërore është normale dhe e pranueshme për burrat,” shpjegon ajo. “Këto efekte janë edhe më të dukshme kur burrat në pozita drejtuese përdorin pushimin prindëror, sepse ata mund të veprojnë si shembuj dhe të demonstrojnë se mund të jesh i suksesshëm edhe nëse e shfrytëzon pushimin prindëror.”
Megjithatë, për fat të keq, hulumtimet tregojnë se pikërisht burrat në pozita vendim-marrëse, priren të marrin më pak pushim. Hulumtimet e kryera në Gjermani, Austri dhe Zvicër në vitin 2017 treguan se baballarët pa përgjegjësi profesionale drejtuese kishin shumë më shumë gjasa të shfrytëzonin pushim prindërorë sesa bashkëmoshatarët e tyre që ishin menaxherë.
“Kjo duhet të ndryshojë,” thotë Morgenroth. “Sigurisht që është mirë nëse kompanitë ofrojnë leje prindërore me pagesë për baballarët, dhe absolutisht se duhet, por për sa kohë që udhëheqësit nuk tregojnë se burrat nuk do të penalizohen nëse shfrytëzojnë këtë pushim, nuk do të ndryshojnë shumë gjërat.”
Norma të pathëna
Ekspertët po paralajmërojnë se pasiguria e madhe e krijuar nga pandemia Covid-19, veçanërisht ankthi rreth sigurisë për vendin e punës, kanë përkeqësuar shqetësimet e punëtorëve për përdorimin e kohës së lirë.
Në një sondazh me mbi 500 baballarë amerikanë të kryer në maj, rreth dy të tretat e të anketuarve pranuan se ekzistonte një rregull i pashkruar që burrat nuk duhet të shfrytëzojnë lejen e plotë të atësisë – dhe se shfrytëzimi i sa më pak ditëve nga pushimi të atësisë, ishte “një simbol nderi”.
Nëntëdhjetë përqind e të anketuarve raportuan se punëdhënësi i tyre u ofroi më pak se 12 javë pushim të atësisë, por pothuajse dy të tretat thanë se planifikonin të shfrytëzonin më pak se gjysmën e kësaj. Pesëdhjetë e tetë përqind pranuan se kishin frikë se shfrytëzimi i plotë i pushimit të atësisë do ta dëmtonte karrierën e tyre.
Në SHBA, megjithëse kompanitë individuale ofrojnë leje të atësisë, baballarët nuk kanë të drejtë ligjore për asnjë leje prindërore me pagesë. Në fakt, SHBA-ja është një nga vendet e pakta pa asnjë pushim prindëror, as pushim lehonie. Presidenti Joe Biden ka planifikuar të zgjerojë pushimin prindëror përmes Planit mbi Familjet Amerikane, por nuk është aspak e qartë nëse legjislacioni do të aprovohet.
Në muajt e fundit, përgjegjësitë e kujdesit kanë bërë që miliona gra të lënë punën si dhe shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore të grave në SHBA ra në nivelin e saj më të ulët që nga viti 1988. Normat gjinore duket se janë bërë edhe më të rrënjosura nga pandemia – diçka që, e kombinuar me paqëndrueshmërinë e vazhdueshme ekonomike, mund ta bëjë edhe më të vështirë për baballarët që duan pushim.
Avantazhet e pavlerësuara
Shumë akademikë thonë se ajo që është veçanërisht zhgënjyese në lidhje me shfrytëzimin e ulët të lejes së atësisë, është potenciali që ky pushim ka për të reduktuar hendekun gjinor të pagave. “Pabarazia gjinore do të vazhdojë në vendin e punës për aq kohë sa prindërimi në vitet e hershme shihet kryesisht si punë e grave”, thotë Emma Banister, profesore në Institutin e Punës dhe Barazive të Universitetit të Mançesterit. “Kuadri i tanishëm ligjor nuk e sfidon këtë mjaftueshëm.”
Hulumtimet kanë nxjerrë në pah edhe avantazhe të tjera të rëndësishme të shfrytëzimit të pushimit të atësisë. Një studim i botuar në vitin 2019 tregoi se edhe nëntë vjet më vonë, fëmijët, baballarët e të cilëve morën të paktën dy javë pushim të atësisë, raportuan se ndjeheshin më afër baballarëve të tyre sesa fëmijët me baballarë që nuk kanë pasur leje të atësisë. Një studim tjetër zbuloi se tek çiftet e martuara heteroseksuale, kur baballarët marrin pushim atësie, ulen gjasat e divorcit deri në gjashtë vjet pas lindjes.
Disa vende kanë bërë përparime kur bëhet fjalë për burrat që marrin më shumë leje prindërore. Suedia u ofron prindërve 480 ditë leje prindërore me pagesë për secilin fëmijë, që ata kanë të drejtë ta ndajnë. Secili prind mund t’i transferojë një pjesë të lejes së tij tjetrit, por 90 ditë duhet të rezervohen posaçërisht për secilin prind. Nga viti 2008 deri në vitin 2017, si një nxitje për baballarët për të shfrytëzuar më shumë pushim prindëror, familjet kishin të drejtën e një bonusi financiar të përcaktuar nga numri i ditëve të ndara në mënyrë të barabartë midis prindërve.
Politika duket se po funksionon: Një studim në vitin 2019 tregoi se afërsisht 90% e baballarëve suedezë përdorin pushimin e atësisë, dhe se mesatarisht, ata përdorin 96% të sasisë totale të kohës së pushimit që u është caktuar. Suedia është gjithashtu liderë në mesin e ekonomive të zhvilluara për sa i përket pjesëmarrjes së grave në tregun e punës.
Në mbështetje të një shoqërie më të barabartë
Megjithatë, në mungesë të legjislacionit gjithëpërfshirës, Banister beson se punëdhënësit duhet të reduktojnë barrierat për shfrytëzimin e lejes së atësisë duke “normalizuar punonjësit që marrin leje gjatë vitit të parë të lindjes ose adoptimit të fëmijës së tyre, pavarësisht nga gjinia ose orientimi seksual i punonjësve”.
Ka edhe gjëra më specifike që duhet marrë në konsideratë, si koha kur përdoret pushimi. Pushimi prindëror i subvencionuar nga kompania, nëse ofrohet, shpesh kufizohet vetëm në muajt e parë – kur mund t’u përshtatet më shumë nënave gjidhënëse. Nëse punëdhënësit do t’u jepnin të gjithë prindërve një pagë të mirë për çdo periudhë kohore të pushimit prindëror, pavarësisht se kur e marrin atë (plus një periudhë të pushimit të atësisë të paguar plotësisht rreth kohës së lindjes), kjo do t’u jepte prindërve më shumë fleksibilitet.
Por idealisht, thotë Banister, pushimi i atësisë dhe mbështetja financiare për këtë pushim duhet të jetë përgjegjësi e shtetit, sepse vendosja e përgjegjësisë mbi punëdhënësit – siç është rasti në SHBA – mund të çojë në një “sistem me dy nivele” ku vetëm disa sektorë ofrojnë lejen e atësisë.
Në fund të fundit, duket se heqja e sfidave që i pengojnë baballarët nga përdorimi i pushimit të atësisë, fillon me një pushim të ofruar në mënyrë të duhur dhe të komunikuar mirë, që më pas mund të fillojë të ulë stereotipet gjinore dhe të normalizoj këtë praktikë.
“Qeveria duhet të ofrojë një pako minimale të përshtatshme që inkurajon sjelljet që mbështesin një shoqëri më të barabartë gjinore,” thotë Banister.
Josie Cox
Artikulli origjinal: https://www.bbc.com/worklife/article/20210712-paternity-leave-the-hidden-barriers-keeping-men-at-work
Ky artikull është përkthyer me përkrahjen financiare të Bashkimit Evropian në kudër të projektit “Mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të punës të grupeve të cenuara në tregun e punës”. Përmbajtja e tekstit është përgjegjësi e QIKA dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Evropian, ATRC dhe BIRN Kosova.