Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1
Readings

Qeveria franceze tenton t’i “shpëtojë” gratë muslimane duke i kontrolluar ato

QIKA 18.10.2023

Ndalimi i fundit i abajave (një lloj i mbulesës islame) është një tjetër përshkallëzim i obsesionit francez për të kontrolluar trupat e grave dhe vajzave muslimane.

Më 8 shtator, gjykata më e lartë administrative e Francës la në fuqi rregullin e qeverisë për të ndaluar abajat në shkollat publike. Qeveria e kishte njoftuar masën në gusht, duke pretenduar se ajo thyente rregullat shtetërore të sekularizmit në arsim.

Të hënën në vijim, afro 300 vajza u paraqitën në shkollë të veshura me një abaja; ku rreth 67 prej tyre që refuzuan të ndryshojnë veshjen u dërguan në shtëpi.

Ky ndalim është pjesë e një sërë masash të ndërmarra nga qeveria franceze vitet e fundit, duke synuar pakicën myslimane me pretekstin e mbrojtjes së sekularizmit. Se si duhet të vishen gratë muslimane është bërë një obsesion i veçantë i autoriteteve.

Në vitin 2004, Franca ndaloi hixhabin në shkollat shtetërore. Më pas, në vitin 2010, miratoi një ndalim – mbulesat që fshehin fytyrën tërësisht – në publik. Që nga viti 2016, komuna të ndryshme kanë vendosur ndalimin e veshjes së rrobave të banjës “burkini” në pishina publike.

Në nëntor 2022, ministri i atëhershëm i arsimit kombëtar, Pap Ndiaye, prezantoi një plan Laïcité i cili synon të parandalojë që nxënësit të veshin veshje modeste – ose ato që shihen si “të lidhura me fenë” – në shkollat publike franceze duke “forcuar monitorimin njerëzor”, dmth policimin e tyre.

Ky plan udhëzon stafin e shkollës që të mbikëqyrë nxënëset me funde të gjata dhe/ose çdo veshje me mëngë të gjata për t’i raportuar dhe për t’i sanksionuar sjelljet e tyre nëse refuzojnë të ndryshojnë. Masat disiplinore përfshijnë ndalimin e arsimimit të tyre duke “ndaluar hyrjen e nxënëseve në shkollë” derisa ato të kuptojnë nëpërmjet dialogut se “sjellja e tyre dëmton sekularizmin dhe vlerat e Republikës”.

Angazhimi i Francës ndaj sekularizmit, të cilin ajo e përcakton si lirinë nga ndikimi fetar, është shndërruar qartë në një sistem të shëmtuar të ngjashëm me kult. Koncepti origjinal i ndarjes së kishës nga shteti për të garantuar lirinë e mendimit dhe për të parandaluar shtrëngimin e dogmatizmit fetar nuk është më shtytësi i veprimit zyrtar.

Në vend të kësaj, sekularizmi instrumentalizohet për të vendosur kontroll të plotë mbi një pakicë fetare dhe për t’i shtyrë më tej ata në margjinat e shoqërisë ku nuk kanë asnjë pushtet social apo politik. Asnjë grup tjetër fetar në Francë nuk është aq i shënjestruar sa komuniteti mysliman.

Zyrtarët e qeverisë franceze e akuzojnë qeverinë në mënyrë rutinore për atë që ata e quajnë “separatizëm islamist” – ideja se muslimanët janë armiqësorë ndaj kombit francez në tërësi dhe nuk duan t’i përkasin atij. Në vitin 2021, qeveria shpalosi legjislacionin që synon të luftojë këtë “separatizëm”, duke zgjeruar ndalimin e simboleve fetare, duke e bërë më të lehtë mbylljen e vendeve të lutjeve dhe duke përndjekur organizatat civile myslimane.

Ndërkohë që autoritetet franceze kanë nisur sulme sistematike ndaj të gjithë komunitetit, gratë dhe vajzat muslimane kanë bartur peshën kryesore të obsesionit të autoriteteve franceze për të kontrolluar trupat e tyre.

Nuk ka rëndësi nëse fundi apo fustani ka ndonjë rëndësi fetare. Nëse trupi i grave muslimane e mban atë, ai automatikisht bëhet rrezik për vlerat laike franceze. Nesër, nëse një pëlhurë e caktuar, një bluzë apo edhe një stil i caktuar këpucësh fiton popullaritet në mesin e grave muslimane, Franca do të gjejë një mënyrë për ta ndaluar atë.

Policimi dhe zhveshja fjalë për fjalë e grave muslimane është e justifikuar, me narrativën dominuese se burri musliman po e detyron fëmijën dhe gruan muslimane të veshin veshje islame. Imazhi i gruas apo fëmijës musliman të pafuqishme që ka nevojë për çlirim është një nga forcat lëvizëse të këtyre politikave. Por vetë fakti që ata janë vetë shtypës, natyrisht, mohohet në mënyrë të egër.

Në fakt, kjo nuk është hera e parë që Franca përpiqet të kontrollojë se çfarë veshin gratë muslimane. Në librin e tij të vitit 1959 “A Dying Colonialism”, mendimtari Francez antikolonial Fanontheksoi se kontrolli i grave muslimane ishte vendimtar për projektin kolonial francez në Algjeri. Ai shkroi se duke i detyruar gratë muslimane të zbuloheshin, francezët ishin “të përkushtuar për të shkatërruar origjinalitetin e njerëzve”.

Sipas Fanon, autoritetet franceze të kolonive “ishin nën udhëzime për të sjellë shpërbërjen me çdo kusht, të formave të ekzistencës që mund të evokonin një realitet kombëtar dhe të përqendronin përpjekjet e tyre në veshjen e mbulesës, e cila në ato kohë u pa si simbol i statusit të gruas algjeriane”.

Sot, autoritetet franceze e kanë transferuar obsesionin e tyre kolonial me kontrollin e subjekteve koloniale në komunitetin mysliman brenda kufijve të tyre. Për vajzat muslimane, kjo përvojë e dhunshme fillon qysh në takimin e tyre të parë me sferën publike – në klasë.

Duke kontrolluar të drejtën e tyre për autonomi trupore që në moshë të re, qeveria franceze po përpiqet jo vetëm të heshtë mospajtimet, por të programojë në mendjet e fëmijëve myslimanë se mund t’u japë dhe të ndalojë liritë e tyre sipas dëshirës.

Veçimi dhe vënia në shënjestër e studentëve myslimanë në shkolla nuk i bën ata më të përkushtuar ndaj interpretimeve aktuale të sekularizmit në Francë. Përkundrazi, ajo i traumatizon ata, i izolon dhe i ndan më tej nga pjesa tjetër e shoqërisë – bën të kundërtën e “luftimit të separatizmit”.

Collectif Contre l’Islamophobie en Europe (CCIE), organizatë jofitimprurëse që dokumenton dhe lufton kundër diskriminimit dhe shkeljeve të të drejtave të muslimanëve në Evropë, ka theksuar rastin e një nxënëseje franceze, e cila u ngacmua nga një prej mësueseve të saj sepse fundi i saj konsiderohej shumë i gjatë.

Ajo i tha CCIE se ishte e detyruar të hiqte fundin dhe të qëndronte me leginse gjatë gjithë ditës. Më keq, stafi i shkollës asocionte  zgjedhjen e saj të rrobave me terrorizëm dhe me prerjen e kokës së mësuesit të frëngjishtes, Samuel Paty, gjë që e shqetësoi thellë dhe e bëri të frikësohej për kthimin e saj në shkollë.

CCIE dhe grupe të tjera të shoqërisë civile myslimane po përpiqen gjithashtu të sfidojnë prapambetjen e republikës dhe keqtrajtimin e saj ndaj grave muslimane, por ato po përballen me një betejë të vështirë.

Gratë dhe vajzat myslimane franceze po rezistojnë, pavarësisht sulmeve, policisë dhe ngacmimeve të vazhdueshme. Ato vazhdimisht po ripohojnë agjencinë dhe autonominë e tyre dhe po zgjedhin të veshin hixhabin dhe veshjet tradicionale islame përballë armiqësisë në rritje nga autoritetet franceze. Ato e dinë se këto ndalime nuk kanë të bëjnë me mbrojtjen e tyre, por me mohimin e aftësisë së tyre për të kontrolluar trupin.

Gratë dhe vajzat muslimane nuk janë “separatiste”, siç dëshiron kaq shumë shteti t’i përshkruajë ato. Përkundrazi, ato po kërkojnë liri dhe po vazhdojnë të luftojnë për të drejtën e tyre për të jetuar një jetë në Francë pa frikë dhe kërcënime.

Hebh Jamal

E përktheu: Medinë Dauti

Tekstin origjinal mund ta gjeni në: https://www.aljazeera.com/opinions/2023/10/2/the-french-government-wants-to-save-muslim-women-by-controlling-them?fbclid=IwAR0F1Zk21olADJi7UFsu_yvYq9MvB6RCo8DxBSVjZTWuZQvpkLGeiFnNHE4